YJET E MI

0
363
Zija Vukaj
  • ripostim

I kam kushtuar vitet më të bukura të jetës sime punës me nxënësit. Jo nga idealizmi; as nga patriotizmi deklarativ; as nga pasioni fals, për t’u dukur. Ndoshta gjithçka ka ndodhur për shkak të probabilitetit, të rrethanave, të ndeshtrashave të jetës. Por sot i kam si yje! Një rini e bukur. Vajzat si zana mali. Të hijshme dhe elegante. Djemtë shtatlartë, akoma faqepadirsur, mendjemëdhenj e sherrxhinj, por edhe të dashur e të gatshëm me nda me ty të gjitha vështirësitë. Një rini e bukur, e egër, pak agresive, zëlartë dhe e shkujdesur deri në guxim ndaj ojnave e nazeve gjuhësore tradicionale të qytetit tonë të vjetër. Një dallgë njerëzore e pazakontë për zakonet e një vendi që i ruan me besnikëri absurde, heroike dhe shekullore ato. Kjo dallgë apo valë, është e treta, e katërta apo e pesta valë e lumit të rrëmbyer njerëzor, që ka mbi dy dekada e gjysmë që zbret nga alpet, nga skërkat, ograjat, zabelet, luginat dhe shpatet e maleve e i përplaset amullisë së fjetur të qytetit tonë të vjetër e të dashur, i cili rrezikon të plaket, ndër të tjera, edhe për shkak të zotnillëkut.

Ky lumë i hijshëm, i rrëmbyeshëm, i vrullshëm e i kthjellët njerëzor, është një pasuri kombëtare; është një rrymë e freskët dhe një frymëmarrje jetike. Një fllad njerëzor që ka dhe nuk ka nevojë të kanalizohet. Kjo energji njerëzore në mjaft raste merr përpara, për fat, të gjitha ledhet e gjerdhet (gardhiqet) e mykura të një bote të vjetër që ka nevojë të shembet, ruajtur gabimisht me fanatizëm nga një etikë e sëmurë “qytetare”, e një qyteti që lufton me vjetrimin pa e kuptuar veten: “Ky qytet- thoshte Drini,- ka nevojë për pak agresivitet dhe të ardhurit e rinj po ia sjellin.”

Këtu jemi përballë dy ndjesive që vijnë nga dy shkaqe thuajse të kundërta: përballë gëzimit dhe shqetësimit. Gëzim është ardhja e kësaj freskie; shqetësim është administrimi i saj. Nëse qyteti ka disa lëvozhga që duhen grimcuar e shembur, si ato ledhet e mykura të sipërpërmendura; ka pastaj një sistem të bukur, të përjetshëm e fondamental vlerash, që i kanë kushtuar njerëzimit shekuj e shekuj për t’u ngritur dhe për të kristalizuar idealet e vërteta njerëzore, që i japin kuptim ekzistencës së homo sapiensit. Kjo strukturë është gjithashtu paradigma e jetës njerëzore dhe e çdo individi apo familjeje që ka lëvizur apo lëviz për një jetë më të mirë dhe rastësisht freskon me energjitë e veta të dëlira atmosferën e një qyteti. Gjithashtu, kryerregullat që janë krijuar nga ngjizja shekullore e vlerave njerëzore janë aspirata që frymëzojnë përparimin e çdo populli. Pra vala njerëzore që ka qarkulluar e po qarkullon, ka nevojë të shembë e të shembet.

II
Sot isha me nxënësit e mi në teatër (është fjala për 3 vite më parë). M’u duk e nevojshme t’i çoja atje. U priva rrugëve të qytetit, kaluam lastrat joshëse të pedonales, shijuam në kalim romantizmin e kohës, zbritëm te teatri dhe i futa në hollin e poshtëm, ku akoma kundërmonte era stallë e gomarit të Babatasit, i cili për gomarllëkun e këmbënguljes së vet nuk pranoi të bëhej personazh e të dilte në skenë, për të rrezatuar me pamjen e tij të hijshme edhe vokacionin e një aktori të lindur (gomar).

Ca nga era e stallës, ca nga lirshmëria natyrore e nxënësve të mi liridashës, u krijua një atmosferë, që veç me teatrin nuk lidhej, dhe në fillim puna ime dukej e dështuar. Por jo. Aty më priti një mik i mirë dhe i ditur, artisti Astrit. Ca nga ndërhyrjet e mia, ca nga sqarimet plot informacion e takt të Astritit, atmosfera tribale erdhi duke u fashitur. U zgjua një lloj kureshtjeje. Më shumë se gjysma, që e shikonin për herë të parë këtë tempull kulture e qytetarie, filluan të përfshiheshin nga kureshtja, interesimi dhe përqendrimi. Zërat agresivë, që ishin shfaqur qysh në impaktin e një përshëndetjeje me punonjësit e teatrit (më shumë kundërpërgjigje agresive se përshëndetje), filluan të platiteshin. Hingëllimat, piskamat dhe bërtitjet zunë të zvogëloheshin. Regjistri i tmerrshëm i komunikimit, me dominimin semantiko- emocional të pasthirrmës- kryefjalë, “ROPT” nisi të zbutej.

Filluan shpjegimet dhe dhënia e informacionit: “Ky është holli i katit të poshtëm; ky është holli i katit të sipërm; andej është fuaje-ja; kjo është skena; këta janë xhepat e skenës; aty është rotativa; kjo është platea, amfiteatri, lozhat, atje lart galeria etj.
Në këto e sipër, të gjithë drerët dhe sorkadhet e mia ishin përhumbur në atmosferën e ambientit. Ndërkohë, edhe unë si ata, bëja pyetje prej fillestari, si: ku rrin regjisori, kush i cakton rolet, a mund të hipim në skenë etj. Edhe hipëm në skenë, edhe u “ramë“ pianove në hollin sipër, edhe pamë fotot e plejadave të tëra të artistëve që krijuan dhe mbajtën gjallë këtë ikonë të kulturës, edhe u zbutëm e u fisnikëruam, së pari, duke redaktuar ngyrat semantiko- emocionale të fjalorit dhe të klithmave e sjelljeve tona tribale. Së dyti, jemi të bukur vetvetiu.

Nga mësuei i lëndës ARTE, kapitulli teatër
z.v.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.