VËSHTRIM RRETH POEMËS “LAHUTA E MALËSISË” TË GJERGJ FISHTËS

0
1030

Shkruan Prof. Zymer Mehani

“Lahuta e Malcisë”, me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues “Iliada” shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë “Lahuta e Malcisë” nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si “Skënderbeu i pafat” i Jeronim De Radës, “Historia e Skënderbeut” të Naim Frashërit etj.

Këtu fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik “Ora e Shqipërisë”. Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së “Iliadës” të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë.

Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë, kërkon të zaptojë tokat tona.
Filli i poemës mbaron kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston në poemë, në të njëjtin binom me fatin.

Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas kronologjisë historike të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, kemi ndërmjet tyre edhe këngë që qëndrojnë disi më vete, por që luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri cikël në tjetrin.
Në pikëpamje të leximit të veprës ato përkohësisht e shkëputin lexuesin nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike.

Cikli që hap poemën është ai për Oso Kukën – pesë këngët e para. Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më vonë, të ndërmjetësuara nga këngët “Dervish Pasha” dhe “Kuvendi i Berlinit”. Këto dy këngë japin atmosferën që ishte në dëm të fatit tonë kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën më të madhe në poemë, është ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës.

Cikli strukturohet në disa nëncikle.
Nëncikli i parë (tre këngë) ka në qendër Çun Mulën. Pas ekspozesë që bën kënga “Kulshedra” vjen nën cikli prej pesë këngësh që sjell skena masive të përmasave vigane.
Nën cikli vijues ka në qendër Tringën para dhe pas vdekjes.

Ngjarjet, pas një pushimi tjetër prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me kryengritjet e Pavarësisë. Këngët përmbyllëse pothuaj janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kënga e fundit “Konferenca e Londonit”, është në vend të epilogut të poemës.
Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur të gjejnë pikëtakime mes “Lahutës së Malësisë” dhe “Iliadës” së Homerit, sidomos në atmosferën që i zotëron dy poemat.

Te “Lahuta e Malësisë” urrejtja ndërmjet ky kampeve armike është plazma ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie grupimet e personazheve. Në radhë të parë dy grupimet më të mëdha, që përcaktojnë frymën realisto-fantastike të poemës: grupimin e personazheve historike nga njëra anë dhe grupimin e personazheve fantastike, të përfytyruara ose mitologjike. Vargu me të cilin është ndërtuar poema është tetërrokshi i poezisë popullore të epikës historike të Veriut.

Ai arrin që në këtë varg të sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht të vetat, që nuk mund të largohet nga kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me dhjetra beteja, me dhjetra skena betejash madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me ngjyrat e dritat e veçanta, për t’u dalluar qartësisht nga moria që e rrethon.

Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi, me fjalë të panjohura, me arkaizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas fakteve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura për shiqim, por edhe dëgjimore.

Rima është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Aty shprehet edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë janë të përputhura, herë të alternuara ose të kryqëzuara etj.

Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime të tjera në përbërje të tij, që zotëron tekste të tëra këngësh.

Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumëfishta të folklorit.
Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike, është pjesmarrës në krahasime ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse dendur prozopopea janë mjetet më efikase të drejtpeshimit fishtian në mes të realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin më intim e më konkret tokësor. Disa ndër këngët më të përkryera të poemës si “Kulshedra”,”Te ura e Sutjeskës”, “Zana e Vizitorit” etj, janë një manifestim pothuaj marramendës i të gjitha llojeve të figurave stilistike. Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar me tetërrokëshin e famshëm popullor fishtian!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here