Tragjedi në Mekë, 717 të vdekur dhe 800 të plagosur

0
1513

Enver Bylykbashi, Shekulli, 18.06.2016

Duhej të ishte ditë feste e qetësie shpirtërore, por për mijëra besimtarë myslimanë e enjtja e Kurban Bajramit u kthye në makth. Së paku 717 njerëz humbën jetën dhe mbi 800 të tjerë mbetën të plagosur pasi u shtypën gjatë pelegrinazhit të Haxhit pranë Mekës në Arabinë Saudite. Tragjedia ndodhi në kodrën e Minas, rreth pesë kilometra larg qytetit të shenjtë, në kohën kur thuajse dy milionë haxhinj po kryenin ritin e hedhjes së shtatë gurëve në tri shtyllat që simbolizojnë djallin. Rrëmuja nisi rreth orës 09:00 lokale (06:00 ndërkombëtare) jashtë Urës Xhamarat, ku kryhet rituali i gjuajtjes me gurë. Sipas zyrtarëve, një grup besimtarësh që po largoheshin nga vendi u përplas me një tjetër grup që po lëvizte në drejtim të kundërt dhe me të tjerë që ishin vendosur në tenda aty pranë.

“Njerëzit shtriheshin përtokë duke kërkuar ndihmë”

Ja si e përshkruan skenën korrespondentja e BBC-së në vendngjarje, Tçima Ila Isufu: “Një turmë njerëzish po shkonte drejt shtyllave që qëllohen me gurë, kurse një tjetër po vinte në drejtim të kundërt. Aty filloi kaosi dhe njerëzit nisën të rrëzoheshin në tokë. Kishte nigerianë, senegalezë e persona nga kombësi të tjera. Pelegrinët po hipnin mbi njëri-tjetrin në përpjekje për të shkuar në zona më të sigurta, dhe kështu filluan të vriteshin. Disa thërrisnin emrin e Allahut, të tjerë qanin-mes këtyre fëmijë e foshnja. Njerëzit shtriheshin përtokë duke kërkuar ndihmë, por askush nuk mund t’u jepte një dorë. Ishte secili për vete. Kështu e pësuan edhe disa persona nga grupi ynë. Unë humba hallën, ndërsa dy gra-nënë e bijë-janë ende të humbura. Ndërkohë ambulancat vinin e iknin me trupa viktimash ngarkuar. Pashë të paktën 20, 30 ambulanca që më kaluan para syve. Kishte plot policë dhe punonjës shëndetësie”.

Duke shtypur njëri-tjetrin për të thithur pak ajër

44-vjeçari egjiptian Abdullah Lutfi, i mbijetuar i tragjedisë, rrëfyen për agjencinë “Associated Press”: “Pashë dikë që kaloi sipër një personi në karrige me rrota, e mandej disa të tjerë që hipën mbi të. Njerëzit ngjiteshin mbi njëri-tjetrin vetëm për të thithur pak ajër. Ishte si dallgë gjigante; në fillim ecën përpara, pastaj befas e gjen veten duke u tërhequr pas. Nuk kishte fare përgatitje, ajo çka ndodhi ishte shumë, shumë më tepër nga sa mund të përballohej”. Një tjetër i mbijetuar, Ismail Hamba, 58 vjeç, nga Nigeria, kujton se si u rrëzua e më pas u shkel nga turma: “Ishte e tmerrshme. Ishte vërtet, vërtet e tmerrshme”.

Kronikë e një tragjedie të paralajmëruar

Kjo tragjedi, më e rënda në 25 vitet e fundit, vjen më pak se dy javë pasi rrëzimi i një vinçi ndërtimi vrau 109 persona e plagosi qindra të tjerë në Xhaminë e Madhe të Mekës. Qyteti i shenjtë i myslimanëve vazhdimisht është bërë skenë aksidentesh të ngjashme, megjithëse gjatë dhjetëvjeçarit të fundit situata ka qenë e qetë pas përmirësimit të masave të sigurisë. Në janar 2006, 364 pelegrinë mbetën të vdekur pasi u shtypën gjatë ritualit të hedhjes së gurëve në tri kolonat e Minas. Një ditë para fillimit të Haxhit, një ndërtesë tetëkatëshe që përdorej si vendstrehim për haxhinjtë në Mekë u shemb duke vrarë të paktën 73 persona.

Në vitin 2004, 244 besimtarë myslimanë humbën jetën dhe qindra të tjerë u lënduan nga shtypja në ditën e fundit të ceremonive të Haxhit, kurse në 2001-shin u vranë 35 veta.
Viktima pati edhe në pelegrinazhin e vitit 1998, kur 180 haxhinj u shkelën për vdekje të mbërthyer nga paniku pasi disa prej tyre u rrëzuan nga një mbikalim gjatë ritit të fundit të hedhjes së gurëve në Mina.
Një vit më herët, së paku 340 njerëz u dogjën dhe mbi 1500 të tjerë mbetën të plagosur nga një zjarr i rënë në qytetin me tenda të Minas. Në 1994-ën u shënuan 270 viktima, ndërsa tragjedia më e rëndë e këtij lloji është ajo e vitit 1990, kur 1426 pelegrinë humbën jetën pasi u shtypën në një tunel këmbësorësh që të çonte në vendet e shenjta të Mekës.

Kush e ka fajin?

Mes viktimave ishin 90 shtetas iranianë. Teherani akuzoi Arabinë Saudite se tragjedia ndodhi për shkak se autoritetet vendase nuk kishin marrë masat e duhura për të garantuar sigurinë e haxhilerëve. Por një ministër saudit fajësoi pelegrinët se nuk respektuan rregullat e vendosura. “Shumë njerëz lëvizën pa i zbatuar oraret e përcaktuara”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Khaled al-Falih. “Nëse ata do t’i kishin ndjekur udhëzimet, aksidenti nuk do të kishte ndodhur”, shtoi ai, duke u zotuar për një “hetim të shpejtë e transparent”.

Një besimtar sudanez në Mina tha se Haxhi i sivjetshëm ishte organizuar më keq nga tre të tjerët ku ai ka marrë pjesë. “Njerëzit po thaheshin për ujë e po u binte të fikët qysh para shtypjes”, u shpreh pelegrini që nuk donte të identifikohej. “Njerëzit po binin mbi njëri-tjetrin”, vijoi ai, duke shtuar se një mik saudit e kishte paralajmëruar se “diçka do të ndodhte”.

Në kërkim të kënaqësisë shpirtërore

Më shumë se dy milionë myslimanë nga mbarë bota po kryejnë Haxhin këtë vit. I njohur si shtylla e pestë e Islamit, ky ritual është detyrim për çdo mysliman që i ka mundësitë fizike dhe financiare ta kryejë së paku një herë në jetë. Për shumë prej tyre është momenti më kulmor në jetë dhe ata kursejnë për vite të tëra që ta realizojnë udhëtimin. “Ndjehemi të bekuar. Më bëhet mishi kokrra, është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë”, shprehet Ruhaima Ema, një 26-vjeçare nga Filipinet e cila “u lut për një jetë më të mirë për të gjithë”.

Pelegrinazhi që kryhet gjatë pesë ditëve përbëhet nga rite të hollësishme si veshja e bardhë e thjeshtë që simbolizon barazinë dhe unitetin para Zotit, procesioni rreth Qabes-faltorja qendrore e Islamit, e cila rrethohet nga Xhamia e Madhe e Mekës, si dhe hedhja e gurëve. Një pjesë e mirë e besimtarëve u vendosën në mijëra tendat e ngritura rrëzë malit Arafat-ku u falën duke sfiduar të nxehtin përvëlues – në vendin ku Profeti Muhamed mendohet se ka bërë predikimin e fundit 14 shekuj më parë, duke bërë thirrje për barazi dhe bashkim mes myslimanëve.

Zaimi: Të gjithë haxhinjtë shqiptarë janë mirë

Isuf Kurtaj

Pjesë e pelegrinazhin të haxhit janë 407 besimtarë shqiptarë. Në mesin e tyre është edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ali Zaimi, i cili, në një intervistë për “Shekulli”-n thotë se në këtë tragjedi nuk është prekur asnjë haxhi shqiptar. Ai tregon detajet se si është duke shkuar pelegrinazhi i myslimanëve shqiptarë pas lajmit për tragjedinë ku humbën jetën 717 pelegrinë.

Është raportuar në mediat ndërkombëtare për një numër të madh të personave që kanë humbur jetën gjatë pelegrinazhit. A mund të na thoni sa shqiptarë janë në Mekë dhe a ka ndonjë haxhi shqiptar që është prekur nga kjo ngjarje?

Sot ka ndodhur një aksident shkaqet e të cilit akoma nuk janë komplet të qarta. Duhet theksuar se ngjarja ka ndodhur disa kilometra larg nga vendndodhja jonë. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Haxhi është një nga 5 kushtet e fesë islame ku myslimanët nga e gjithë bota shkojnë të vizitojnë Qaben, shtëpinë e parë në tokë, si dhe të kryejnë një sërë ritesh me qëllim devocioni ndaj Krijuesit. Nga Shqipëria këtë vit jemi në Mekë 405 haxhinj. Haxhinjtë po i kryejnë ritet e haxhit nën guidën e funksionarëve të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Haxhinjtë shqiptarë a i kanë kryer ritet në vendin ku ka ndodhur fatkeqësia?

Vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë në vendin e quajtur Mina që është një sipërfaqe mjaft e gjerë. Ritet haxhinjtë shqiptarë i kanë kryer diçka më larg, rreth 1 km më larg vendngjarjes. Natyrisht që mbizotëron një atmosferë keqardhjeje e shoqëruar me lutje për të vdekurit dhe të lënduarit. E para gjë që kanë bërë haxhinjtë ka qenë të njoftojnë familjet e tyre që janë mirë dhe pas kësaj kanë vazhduar me ritualet që vijojnë të haxhit. Ndërkohë herë pas here vijnë njoftime të reja të ngjarjes ku së fundmi flitet për mbi 700 të vdekur dhe mbi 850 të plagosur.

Si është gjendja psikologjike pas kësaj tragjedie te haxhinjtë në përgjithësi dhe në veçanti e atyre shqiptarë?

Gjendja psikologjike e haxhinjëve është shumë në rregull. Të gjitha lëvizjet janë të shoqëruara me guida të mjaftueshme.

Kemi parë se gati çdo vit gjatë pelegrinazhit humbin jetën haxhinj, tani që e keni prekur nga afër, a mund të na thoni se pse ndodhin kaq shumë incidente. Pse është kaq e pamundur të evitohen?

Kjo është pjesërisht e saktë. Së pari ka të bëjë me organizimin nga autoritetet vendore dhe për këtë nuk jam në gjendje të jap një opinion profesional, së dyti ka shumë njerëz nga vende të ndryshme që vijnë në haxh dhe i përkasin moshës së tretë. Me probleme shëndetësore dhe moshë të thyer. Dhe së treti ka vite që nuk është se ka patur incidente, e ndërsa ky i sotmi, i dyti për këtë vit ishte shumë i dhimbshëm. Ndoshta ka mënyra që mund të evitohen

Sa ditë do të qëndroni në Mekë dhe kur do të arrini në Shqipëri?

Haxhinjtë shqiptarë kanë mbërritur në Mekë më 15 shtator dhe do të kthehen në Shqipëri pas një jave, në datën 1 tetor.

Hoxholli: Asnjë lajm i keq për shqiptarët

Në mesin e grupit të myslimanëve shqiptarë në Mekë është dhe ish-kreu i Komitetit Shtetëror të Kulteve, Ilir Hoxholli, i cili nga Meka, gjatë një bashkëbisedimi me Top-Channel, Hoxholli ka thënë se asnjë shqiptar nuk është i prekur nga tragjedia e ndodhur disa kilometra larg Mekës. “Në bazë të infomacioneve që mblodha menjëherë pas lajmit, rruga e cila kishin marrë shqiptarët, nga Minaja deri tek Xhemeratet, është krejt e ndryshme nga vendi i aksidentit, kjo për faktin se haxhinjtë shqiptarë respektojnë rrugën dhe orarin e caktuar nga organizatorët. Ky është një vit i veçantë pasi prej shumë vitesh patëm harruar të dëgjonim për aksidente të tilla.

Shprehim keqardhjen për jetët e humbura dhe njëkohësisht falënderojmë mediat për interesimin ndaj nesh. Shpresojmë që mos kemi asnjë lajm të keq për shqiptarët”, ka thënë Hoxholli. Hoxholli ka shpjeguar edhe se si po shkon haxhi i pelegrinëve shqiptarë. “Janë rreth 400 haxhilerë shqiptarë, nga të cilët rreth 320 nga Shqipëria dhe 80 shqiptarë nga Mali i Zi dhe Bosnja. Gjendja e tyre është relativisht e mirë. Kuptohet, këto nuk mund të quhen pushime, ka rite që kërkojnë dhe lodhje fizike, por deri tani të gjithë ndjehen mirë dhe entuziastë për të vazhduar deri në fund. Habitesh se dëshira më e madhe është te mosha më e vjetër për të kryer çdo gjë me përpikmëri edhe në disa rite ku mund të ketë tolerime”, ka saktësuar Hoxholli.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here