Statutet e Shkodrës (Historia)

0
1230

EuroEmigrant, 27/08/2016

Statutet e Shkodres jane nje permbledhje ligjesh e normash juridike, te cilat u zbuluan ne vitin 1997. Jane deshmia e pare e shkruar e se drejtes pozitive autoktone. Ato perfaqesojne jo vetem nje fakt shkencor e kulturor, por edhe nje moment te jashtezakonshem edukativ.

Në vitet 1330-1479 në Shkodër kishin statutet e tyre, ligjet që iu rregullonin jetën. Të quajtura si një monument i vërtetë i Shqipërisë mesjetare, teksti më i vjetër ligjor, produkt në territorin e Shqipërisë, këto ligje mesjetare akoma na habisin me “aktualitetin” që i karakterizon. Sipas historianit Pëllumb Xhufi, Statutet trajtojnë probleme e shqetësime që mbeten të tilla edhe sot pas 7 shekujsh.

Në këtë kuptim, Statutet e Shkodrës përfaqësojnë jo vetëm një fakt shkencor e kulturor, por edhe një moment të jashtëzakonshëm edukativ. Sipas tij, ne kemi prova të qarta nga shekujt XII-XIII për ekzistencën e gjykatave dhe për ekzistencën e një kulture juridike në Shqipëri, veçanërisht në qytete, ndërkohë që përtej qyteteve fillonte mbretëria e së drejtës zakonore. Më tej, në një intervistë për gazetën Xhufi tregon rëndësinë e këtyre Statuteve, vlerat që mbart dhe përmbajtjen e tyre.

Mund të na përshkruani shkurt Statutet e Shkodrës dhe cila është vlera e tyre?

Statutet e Shkodrës janë një përmbledhje ligjesh e normash juridike që kanë rregulluar jetën e qytetit të Shkodrës nga vitet 1330, kur janë shkruar, deri në 1479, vitin e pushtimit të qytetit nga turqit osmanë. Janë pra, një lloj “kushtetute”, që përmban njëherësh norma të së drejtës publike, penale e civile. Në Evropën mesjetare, Statutet ishin një dukuri e qytetit të organizuar në formën më të lartë, në formën e komunës, pra e qytetit që vetëqeverisej nga ligjet dhe nga institucionet e veta, të zgjedhura në mënyrë “demokratike” nga asambleja e qytetarëve të lirë. Deri tani ne kishim njoftime për ekzistencën e statuteve për një sërë qytetesh shqiptare, si Ulqini, Tivari, Durrësi, e natyrisht Shkodra.

Një ide të përafërt për përmbajtjen e tyre na e jepnin statutet e njohura e të botuara të Kotorrit e të Budvës, që gjithsesi i përkisnin një zone periferike në raport me trojet shqiptare. Dekada më parë, në 1920, Milan Shuflaj kishte zbuluar dhe botuar Statutet e Drishtit, të shek. XIV (ribotuar së fundi në një lidhje luksoze nga Dr. M. Ahmeti e Dr. E. Lala). Por, Drishti përbënte një veçori në kuadrin e qyteteve mesjetare shqiptare. Ishte një qytet me identitet të fortë fetar, një qytet me një numër të panumërt kishash ku jeta rrotullohej rreth katedrales e rreth figurës së ipeshkvit, që ishte njëherësh autoriteti më i lartë sa kishtar aq edhe laik. Statutet e Drishtit janë “kushtetuta” e një republike kishtare, ku shumë pak ose aspak pasqyrohen problematikat e një komune të vërtetë mesjetare.

Këtu pra, qëndron edhe rëndësia e jashtëzakonshme e zbulimit dhe e botimit të Statuteve të Shkodrës: nëpërmjet tyre mësojmë se si ishte organizuar e si funksiononte njëra nga qendrat më të rëndësishme qytetare të Shqipërisë në Mesjetë, si zgjidheshin organet e komunës: këshilltarët, gjyqtarët, kancelari, noterët, financierët, kreu i policisë bashkiake e të tjerë; Statutet përcaktojnë se cilat ishin raportet e komunës së Shkodrës me pushtetet e tjera fqinje, me Venedikun apo mbretërinë e Serbisë, gjithashtu cilat ishin raportet e brendshme, midis komunës e qytetarëve, midis qytetarëve dhe banorëve të hinterlandit bujqësor, cili ishte pozicioni i gruas, i fëmijëve dhe i “emigrantëve” të huaj; statutet përcaktojnë ato që sot i quajmë norma të bashkëjetesës qytetare, duke përcaktuar e duke mbrojtur me forcën e ligjit të gjitha llojet e marrëdhënieve që ngërtheheshin brenda një qyteti të rëndësishëm, siç ishte Shkodra.

Statutet e Shkodrës, ku janë zbuluar dhe prej kujt?

Statutet e Shkodrës u zbuluan në vitin 1997, në fondet e Muzeut Correr nga një studiuese e apasionuar dhe mike e rrallë e Shqipërisë, profesoresha Lucia Nadin, nga Venecia. Kësaj zonje, Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë Shkodra, i detyrohen një numër zbulimesh e botimesh të çmuara për historinë e kulturën shqiptare. Unë e kam shprehur edhe në raste të tjera: Shkodra do t’i bënte nder vetes në rast se do ta bënte qytetare nderi të saj profesoreshën Nadin, këtë zonjë që me Statutet ka zbuluar rrënjët e qytetërimit mesjetar të Shkodrës. Statutet u botuan në Itali në vitin 2002, me tekstin origjinal në një italishte dalmato-veneciane, me një përkthim shqip të bërë nga unë e të shoqëruara nga studime të thelluara të zonjës Nadin e të studiuesve të tjerë.

Dua të them se ky botim me rëndësi të jashtëzakonshme ende nuk njihet e nuk vlerësohet sa duhet nga bota shkencore e kulturore këtu në Shqipëri. U prezantua për herë të parë në vjeshtën e vitit 2002, në Tiranë. Por, në atë rast, entuziazmin për këtë zbulim që në shkencën e në kulturën e një vendi vjen një herë në 100 vjet, e prishën disa nga ata kritizerët e kudondodhur, të cilët në vend që të vlerësonin eventin, u kujdesën ta prishnin festën, duke shprehur shqetësimin se mos ky botim do t’u jepte dorë “nacionalistëve” tanë, që tash e tutje të mburreshim me vlerat “sipërore” të qytetërimit shqiptar! E pra, Statutet e Shkodrës sjellin një dëshmi të pakundërshtueshme për nivelin e lartë të shoqërisë mesjetare shqiptare, veçanërisht të asaj qytetare, nivel që edhe më parë e kishin provuar studimet e zbulimet e kolosëve të shkencave albanologjike, si Konstantin Jireček, Milan Shuflaj, etj.

Si i kanë rënë në dorë Statutet e Shkodrës Lucia Nadin?

Në vitet 1990, zonja Nadin erdhi në Shqipëri si drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës. U prezantua këtu në këtë detyrë, duke bërë të njohura për publikun e për botën akademike shqiptare një sërë zbulimesh, hartash e dokumente të vjetra, të rrëmuara prej saj në arkivat e Venedikut. Me këtë lëndë të panjohur u ushqyen në vitet 1995-1998 një sërë botimesh e ekspozitash të realizuara sa në Tiranë, aq edhe në Shkodër e Venecie, të cilat hodhën një dritë të re për marrëdhëniet e Shqipërisë me Venedikun në Mesjetë.

Pikërisht në vitin 1997, Prof. Nadin ra në gjurmë të Statuteve të Shkodrës, të cilët i gjeti më në fund në Bibliotekën e Muzeut Correr, aty ku, deri atëherë, askujt nuk i kishte shkuar nëpër mend se do mund të kishte gjëra interesante për Shqipërinë. Statutet, siç thashë, u botuan në 2002. Nga ajo kohë, Prof. Nadin ka botuar edhe studime të tjera mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Venedikun në Mesjetë, siç është edhe libri i fundit: “Shqiptarët në Venedik shek. XV-XVI: nga emigrimi në integrim”.

A ka pasur traditë juridike në Shqipëri para shek. XIV, kohë së cilës i përkasin Statutet e Shkodrës?

Statutet e Shkodrës janë dëshmia e parë e shkruar e së drejtës pozitive autoktone. Më përpara në Shqipëri ka vepruar e drejta zakonore vendase, e për çështje të veçanta funksiononte edhe e drejta bizantine. Ne kemi prova të qarta nga shekujt XII-XIII për ekzistencën e gjykatave dhe për ekzistencën e një kulture juridike në Shqipëri, veçanërisht në qytete, ndërkohë që përtej qyteteve fillonte mbretëria e së drejtës zakonore. Këtyre të fundit (bonos usus), u bëjnë jehonë një sërë marrëveshjesh që shqiptarët kanë bërë me perandorët bizantinë Manuel I Komnen e Andronik II Paleolog (shek. XII-XIV), apo me Mbretin Karl I Anzhu të Sicilisë, në 1271. Këto marrëveshje konfirmojnë autonominë e qyteteve e të feudalëve shqiptarë, pra i përkasin fushës së të drejtës publike.

Kjo traditë autonomiste pasqyrohet edhe në Statutet e Shkodrës: kapitulli i parë i tyre është një konfirmim i thënies “ajri i qytetit të bën të lirë”, që karakterizonte në mesjetë qytetet e Evropës. Sipas tij, çdo i huaj që vinte të strehohej në Shkodër, merrej në mbrojtje nga qyteti dhe detyrohej t’i bindej vetëm autoriteteve dhe ligjeve (statuteve) të tij. Në mënyrë të qartë, Statutet e Shkodrës kanë marrë e integruar edhe mjaft institucione të tjera nga e drejta zakonore, si p.sh, institucionin e besës, që trajtohet në një kapitull të veçantë, apo institucionin e gjakmarrjes. Për të emërtuar këtë fenomen të fundit, Statutet na befasojnë kur përdorin termin “urazhba”, që është një fjalë e huazuar nga serbishtja. Kjo provon atë që M. Shuflaj e kishte pohuar një shekull më parë, ende pa i njohur Statutet e Shkodrës, d.m.th, që edhe vetë gjakmarrja është një institucion që shqiptarët e huazuan nga sllavët kur ranë në kontakt me ta, pas shek. VIII.

Meqenëse është një statut ligjor, a mund të na përmendni ndonjë ligj interesant të tij, të cilin ju e gjykoni të veçantë për kohën, rrethanat dhe përmbajtjen?

Po filloj me nenin 228, që rezervon për krimin e tradhtisë, dënimin më të rëndë, prerjen e kokës dhe konfiskimin e gjithë pasurive. Dënim veçanërisht të rëndë merrte edhe ai që e fyente tjetrin duke e quajtur “tradhtar”, 500 hyperperë (neni 92), në një kohë që vetë plagosja dënohej me vetëm 50 hyperperë (neni 246). Me 50 hyperperë gjobë dhe me humbjen e çështjes dënohej qytetari që përdorte dokumente të falsifikuara (neni 141). Por, dënohej me 100 hyperperë personi që guxonte më shumë dhe falsifikonte vulën e Komunës (neni 248). Në Shqipëri prerja e mjekrës ishte konsideruar tradicionalisht një fyerje tepër e rëndë për një burrë, dhe në fakt Statutet dënonin me 50 hyperperë autorët e saj, më rëndë edhe se vetë vrasja ose plagosja (neni 239).

Statutet i njohin gruas të drejta mjaft të gjëra, të pakrahasueshme me ato të Kanunit të Lekë Dukagjinit: gruas i jepej me ligj gjysma e pasurisë së familjes. Neni 255 dënonte me gjobë të rëndë atë që fyente e që vinte dorë mbi një grua (8 hyperperë) dhe me gjobë shumë më të rëndë, 50 hyperperë, atë që tentonte të përdhunonte (neni 256). Një grup i tërë nenesh trajton probleme të ndërtimit e të menaxhimit urban. Kështu, p.sh, neni 12 përcakton se kush ndërton një shtëpi të re, nuk mund të hapë portë apo dritare përballë fqinjit. Neni 24 dënon me gjoba të rënda ata që hedhin plehrat nga dritarja. Statutet parashikojnë masa të rënda edhe për ata që fyenin ose plagosnin gjykatësit e funksionarët e tjerë të komunës për shkak të detyrës, për vjedhësit, për dëmtuesit e pasurisë private ose publike.

Trajtojnë gjithashtu me hollësi çështje që lidhen me zgjedhjen e nëpunësve të komunës e kompetencat e tyre, me administrimin e drejtësisë, me menaxhimin e familjes, martesën, testamentin, trashëgiminë, kujdesin për fëmijët e për prindërit etj. Në fund, vlen të përmendet neni 5, i cili i detyron qytetarët ta njohin përmbajtjen e statuteve në fjalë. Statutet, pra, trajtojnë probleme e shqetësime që mbeten të tilla edhe sot pas 7 shekujsh. Në këtë kuptim, Statutet e Shkodrës përfaqësojnë jo vetëm një fakt shkencor e kulturor, por edhe një moment të jashtëzakonshëm edukativ. Gjykoj se nuk e teproj po të propozoj që këto statute të futen në programet e shkollës së mesme e të përbëjnë thelbin e lëndës që në kohën time quhej “Edukatë Qytetare”.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here