SI JU DUKET LOGJIKA E KM RAMA?

1
411

Arben Çokaj

Ai i thotë Evropës në mënyrë folklorike: ose na hapni dyert, ose Ballkani e shqiptarët mund të rrezikohen të gllabërohen nga rusi, apo qarqet turko-arabe…

KM Rama ka idenë se me deklarata të tilla infantile, do i “pikëllojë” aq shumë kancelaritë Evropiane, sa ato do i injorojnë standardet që kërkohen dhe do të hapin dyert e integrimit për ne?!

Me aq sa e njoh unë Evropën e mentalitetin evropian, kjo mënyrë sjelljeje është komplet e gabuar dhe jo rezultative, sado që duket e zgjuar në sipërfaqen e saj, për ndonjë mbështetës të Ramës, i cili nuk i njeh mirë këto relacione.

Duket se Rama nuk e njeh Evropën e mentalitetin evropian. Nëse Shqipëria do të ishte një vend i zhvilluar e me standarde jetese, Ballkani gjithashtu, në gjendje të mbajë veten dhe të japë 3% të brutos nacionale për BE-në, atëherë po, mund të kuptohet se Evropa do të kishte interesa ekonomike, që të na merrte edhe ne në gjirin e saj. Por Ballkani është një zonë problematike, Shqipëria, Kosova e Maqedonia edhe më shumë. Nuk jemi interesantë, jo!

E cili është interesi i Evropës për të na marrë ne? A janë ato interesa aq të mëdha, sa të mendohet se Evropa nuk mund të bëjë pa ne? Kush është më shumë i interesuar për integrimin evropian, ne që kemi nevojë për ndihmën e tyre, apo ata, evropianët?
Rruga më e mirë dhe e vetme e integrimit tonë është plotësimi i standardeve që kërkohen, dhe jo kalimi i kësaj situate në terma të tjerë irracionalë, që nuk i shërbejnë qëllimit.

Le të supozojmë se një i huaj ka qëndrim në Gjermani dhe kërkon nënshtetësinë gjermane. Autoritetet i thonë se duhet testi i gjuhës gjermane në nivelin B1 dhe testi i integrimit. Në vend që i huaji tani t’i plotësojë këto kushte fillestare, për të filluar procedurën e marrjes së shtetësisë, ai fillon e sillet si KM Rama, u thotë autoriteteve gjermane: “ose ma jepni shtetësinë, ose mora nënshtetësinë ruse, turke apo arabe?!” Dhe me siguri që autoritetet gjermane nga “pikëllimi” do e pranojnë këtë mënyrë absurde arsyetimi. Apo jo?!

Këtë mënyrë sjelljeje të KM Rama e bëjnë edhe shumë vajza shqiptare. Sapo atyre u afrohet një mundësi e mirë, ato fillojnë e thonë se kanë një tjetër, ose se shkuan me çunin… Një formë absurde reagimi kjo, që të jep pērshtypjen se këto vajza që sillen kështu mendojnë se pasi ato shprehen në atë mënyrë, subjekti i interesuar do u thotë: “aman, derman, eja me mua ,se po jap jetën për ju(!)…” Por me psikologjinë Perëndimore kjo nuk ndodh, kur tjetri tregohet labil në këtë mënyrë, evropiani mendon se tjetri ka bërë zgjidhje tjetër me të vërtetë dhe të lë të ikësh…

Kështu edhe Evropa me sjelljen menefregiste të Ramës e të përkrahjes së tij për islamin “paqësor” kupton, se Rama po anon nga turku, arabët apo nga rusi. Dhe ngaqë nuk po punojmë realisht për të arritur standardet, ne kemi tendencë reale të vetë-izolohemi e mund të mos arrijnë ta kapim Evropën përsëri…

Ose të ndryshojmë përqasje ndaj integrimit dhe të punojmë që të arrijmë standardet që kërkohen, të cilat duhen për ne më shumë, se sa për Evropën! E të mos sillemi si qaramanë e hileqarë, se jemi duke gënjyer vetveten!

1 KOMENT

  1. Arben, shum mire e ke verejt, qe KM ka probleme me logjikën. Unë shpresoj se nuk eshte e vertete, thashe e thamja se ky konsumon mjete droge…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here