Shkodra e periudhës së lavdishme (2)

2
139

Shkodra – si e imagjinoja dhe si ishte (1)
Shkodra – si e imagjinoja dhe si ishte: Fusha e Rrmajit (3)

Gani MEHMETAJ

Nuk fliste në erë as nëna dhe as baba. Shkodra ngërthente në vete lavdi nga parahistoria, antika, mesjeta, Rilindja e deri në ditët e sotme sa asnjë qytet tjetër në Gadishullin Ilirik. Për qytetin e Bunës e të Kirit u bënë aq shumë luftëra të përgjakshme që nga koha e mbretërve të famshëm ilirë, Agronit, Teutës e Gentit, sa rrallë në ndonjë qytet a mbretëri tjetër në Gadishullin Ilirik. Kronistët shënojnë se shkalla e qytetërimit në mesjetë kishte arritur në atë nivel sa të zbatoheshin Statutet e Shkodrës, ndërsa në dispozitat penale u futën elementet shqiptare, besa e gjakmarrja. Qyteti u bë qendra më e madhe e kulturës, e arsimit dhe e vetëdijes kombëtare sa rrezatoi në tërë hapësirën shqiptare e më gjerë shekuj me radhë.

Kështjella e Rozafës, rreth së cilës thuren legjendat, është po aq e njohur për rezistencën kundër romakëve, venedikasve e sllavëve. Është e njohur lufta e arbërorëve kundër Perandorisë Osmane, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Me rënien e kështjellës së famshme, ranë njëra pas tjetrës qytetet shqiptare Ulqini e Tivari, përderisa rezistenca në Gadishull ishte shuar.

Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit dëshmon një luftë heroike për jetë a vdekje. Barleti shkodran e përjetësoi qytetin e vet dhe shkodranët që e mbrojtën deri në atomin e fundit të energjisë. “Shkodra e rrethueme” është një kronikë tjetër e një kohe tjetër, e Don Ndoc Nikajt, që e përjetësoi një luftë tjetër të përgjakshme të shqiptarëve kundër malazezëve.

Kronistët e huaj edhe në kohën e mesjetës e më vonë e përshkruajnë qytetin me karakteristikat që e shquajnë nga qytetet tjera shqiptare, me popull të veçantë, me tipare dalluese dhe dinamike. Ky qytet ndër më të vjetrit në Evropë u shqua për lulëzimin e kulturës, të ekonomisë, tregtisë e të shkëmbimit me botën më shumë se asnjë qytet tjetër shqiptar nga Shkupi në Janinë.

Kur e bën një rekapitullim nga mesjeta, apo mbase edhe më herët nga antika, qyteti ka më shumë personalitete të kulturës, historisë kombëtare, rezistencës, mendjeve të ndritura, shkrimtarëve e burrështetasve sa të gjitha qytetet tjera së bashku. Madje asnjë qytet në Gadishull nuk ka aq shumë personalitete sa Shkodra, asnjë qytet tjetër nuk shquhet për klerin katolik, që ishin mbrojtja e qenies kombëtare shqiptare.

Kisha Katolike Shqiptare u bë për pesëqind e më shumë vjet strumbullari e palca kurrizore e kombit. Pjetër Budi me “Mesharin” e famshëm, Frano Bardhi me “Apologjinë e Skënderbeut“, Pjetër Bogdani “Çeta e profetëve” e një armatë e njerëzve të mëdhenj shërbyen në Shkodër, apo u lindën nën diellin e kësaj hapësire, duke i dhënë aq shumë Arbërisë.

Shkodra u godit nga romakët, u përgjak nga sllavët, turqit e gjymtuan në mënyrë të frikshme, sundimi i tyre zgjati shumë, ndërsa pas vitit 1945 ishte periudha më e përgjakshme, kur u vranë pjesa dërmuese e elitës kombëtare, priftërinjtë katolikë. Me ta u vra kombëtarja, ajka e kulturës e arsimit, fryma liridashëse.

Kështu u shua bërthama e kulturës shqiptare, sepse kleri katolik shqiptar nga Palë Engjëlli, prift e diplomat i Gjergj Kastriotit e deri tek atë Zef Pllumi kultivuan kulturën e kombëtaren shqiptare me përkushtim e fanatizëm. Qyteti peshon për mendësinë, kujtesën e historinë shqiptare nga Kështjella e Rozafës në Kështjellën e Balshajve të Ulqinit, të Prishtinës së Pjetër Bogdanit, Nuovo Bardon e Pjetër Spanit deri në Shkup e në Ohër, ku ishte dikur selia ipeshkvore e Kishës Katolike Shqiptare.

Nga ato kohëra të lavdishme e tragjike ka mbetur kujtesa, kanë mbetur gjurmë materiale. Rrënojat na bëjnë me dije se duhet t’i rinovojmë. Kështjella e Rozafës një dëshmi monumentale mbi 2500-vjeçare që duhet të rindërtohet, të restaurohet, të bëhet jo si është, por si ishte dikur: e madhe, e ndritshme, monumentale, e pathyeshme. Është e pafalshme se si ka mbetur dhe se si prezantohet para shqiptarëve e të huajve.

Shtetet fqinje do të bënin mrekulli me monumente të tilla. Serbët qysh para pesëdhjetë vjetësh e kanë rinovuar kështjellën e perandorit me prejardhje ilire, Konstantinit, në Nish, ku organizonin njërin ndër festivalet më të mëdha në Gadishull. Manifestime e ngjarje kulturore mund të organizohen edhe në Kështjellën e Rozafatit, në Kompleksin e françeskanëve, por edhe në Kishën e Madhe.

Kompleksi i françeskanëve, një monument i traditës e kulturës shqiptare po ashtu kërkon të rindërtohet e të rinovohet, sepse është pjesë e kulturës së Shkodrës dhe e kulturës kombëtare. Ai kompleks ndërtesash historike nuk i takon më vetëm kishës, i takon kombit, por shteti duhet të investojë në të pa e penguar veprimtarinë e mëtutjeshme të klerit.

Qendra françeskane, njëra ndër qendrat më të mëdha jo vetëm të kulturës shqiptare, por edhe asaj në Gadishull nuk i ngjason kohës së mëparshme. Kisha e Madhe, e cila në kohën e komunizmit u shndërrua në qendër sportive, e ka marrë veten pak, madje ka arritur që në pjesën e vet të fusë edhe Muzeun Arkeologjik.

Kafja e Madhe, një monument tjetër, ku shkodranët me emër takoheshin, këtu takoheshin edhe shkrimtarët e mëdhenj, mbase mund ta kenë pasur tryezën ku e pinin kafen e moçme, sot i ngjason objektit ku Hiçkoku mund të xhironte filma të frikës e tmerrit.

Sa herë shkoj në Shkodër më mbërthen kujtesa për të kaluarën, më dalin përpara beteja e ndeshje të pafundme, më shpalosen shekujt, më stepin emrat e mëdhenj të Rilindjes Shqiptare, të Pavarësisë kombëtare, të kulturës e letërsisë. Sa shumë luftëra e beteja, sa shumë fitore e disfata, aq shumë rrezatim diturie e energji të pashtershme.

Kështjella e Rozafatit më del përpara herë si një sfinks, që ta kujton legjendën e themelimit, ta tërheqë vërejtjen: Qytetar, sa herë të shkelë këmba në portën e kështjellës, kujtoje se këtu u flijua një grua, që të jetojë një qytet me kështjellë, me kulla vrojtimi e bedena që kanë pamje mbi tërë atë hapësirë deri në det e në male të mjegullta; kujtoje se malli i gruas së flijuar për foshnjën që e la jetime ishte i pafund, se virtyti e fjala e dhënë qëndrojnë në themelet e këtij qytetërimi.

Kur bredh mureve të kështjellës a të hapësirave të braktisua, të duket sikur i dëgjon krismat e thata të armëve që nxjerrin xixa, të vijnë në vesh britmat e luftëtarëve kur sulmojnë, apo ofshamat e dhimbshme të atyre që bien.

Nesër: Fusha e Rrmajit

2 KOMENTE

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here