REFUZIMI IDEOLOGJIK E BËRI RUGOVËN IDEOLOG NACIONAL

0
524

(Përurimi i librit “Rugova: mendimi, kultura, politika” me autor Vehbi Miftari)

IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata Kulturore “Dardania”, në Mannheim, me kryetar Naser Hoxha dhe Shoqata Kulturore “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen të Bavarisë, me kryetar Osman Ferizi, organizuan përurimin e librit: “RUGOVA: mendimi, kultura, politika”, të autorit Prof. Dr. Vehbi Miftari. Pjesëmarrja masive e mërgimtarëve, nga shumica e Landeve gjermane, ishte dëshmi faktike i një interesimi të madh, për studimin sa serioz, aq edhe të veçantë, të bërë nga intelektuali dhe veprimtari i përkushtuar krijues dhe politik, Vehbi Miftari.

Para se të flasim pë librin: “RUGOVA: mendimi, kultura, politika”, po japim një përvijim biografik për autorin Vehbi Miftari:

Vehbi Miftari u lind më 5 maj 1971, në Dumnicë të Vushtërisë. U shkollua në Prishtinë dhe jashtë vendit: në Universitetin Amerikan, në Strasburg – Francë dhe në Vjenë – Austri.
Më 2006 magjistroi me temën: “Forma dhe metoda të kritikës letrare shqipe”, objekt studimi janë Konica, Krist Maloku, Mitrush Kuteli.

Ka punuar në organet e shtypit: “Zëri”, “Fjala”, “Bota sot”; shef i Departamentit të Informacionit të LDK-së;
pedagog në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin Prishtinës; në Universitetin AAB – “Rininvest”, dhe Universitetin e Prizrenit.

Pastaj drejtor ekzekutiv i “Institutit të Kosovës për Marrëdhënie me Publikun (IMP)”.

Profesor Miftari flet rrjedhshëm gjuhën angleze, italiane, gjermane, serbokroate, ndërsa gjuhën frenge e praktikon për shfrytëzim literature.
Ka botuar 13 libra dhe qindra artikuj, me shumicë për teorinë dhe kritikën letrare.
Është shquar si drejtor i Inspektorëve të Kulturës , pranë LDK-së; veprimtar dhe kuadër i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me jetën dhe veprën e dr. Ibrahim Rugovës janë marrë disa studjues, të cilët kanë botuar edhe libra. Por, stujuesi Vehbi Miftari veçon nga të tjerët, në trajtimin e thelluar intelektual e politik të Tij.
Librin kushtuar Rugovës autori e ka ndarë në tre kapituj: 1. mendimi, 2.- kultura dhe 3.- politika.
Qysh në shfletimin e faqeve të para të librit, lexuesi konstaton se autori Vehbi Miftari ka studjuar, madje deri në hollësira, krijimtarinë e begatë letrare, kritike dhe filozofike të dr. Ibrahim Rugovës.

Dr. Rugova e kishte ndërtuar filozofinë e Tij politike mbi dy paradigma të mëdha humane:
1.- programin mesjetar evropian të Skënderbeut dhe 2.- vlerat morale të përfaqësuara nga Nënë Tereza.
Dhe, këto paradigma i shndërroi në premisa për program politik.
Duke i dhënë dimension human politikës, si një risi për Ballkanin dhe mëtej, është vlerësuar si një shenjë e formimit të thellë kulturor, intelektual e nacional të dr. Rugovës. Veprimin politik ia nënshtron gjykimit racional, të menduarit të thellë.

Autori thotë se Rugova ndikoi në krijimin e vetëdijës për lirinë, si premisë për përfitim të saj dhe, kjo e shndërroi atë në ikonë të lirisë. Ai udhëhoqi një Lëvizje aktive, për pavarësi dhe shtet-ndërtim të Kosovës.

Në vitet `70-a zë fill – Qarku kulturor i Prishtinës, kërkimi i rrugëve për mendim të lirë, qoftë ai edhe në krijimin letrar. Ishte një gjetje e mençur e qarkut lulturor, e elitës kulturore, për ta përgaditur elitën politike.
Ja si e shpjegon Rugova:
“Krijuam një rreth të mendimit të hapur ndaj tendencave të reja… Ishte një grup pak i fortë, jo nacionalist, (i hapur ndaj botës) por modern, me një orientim nacional”. (I. Rugova në librin “Çështja e Kosovës”.)

Stujuesi Miftari shtron pyetjen se cili është roli i elitave kulturore në formimin e elitave politike në një shoqëri, e cila aspiron tri gjëra thelbësore: 1.- lirinë për kombin; 2.- demokracinë si rend dhe 3.- pavarësinë ose shtet-ndërtimin?
Dhe, më konkretisht, cili është roli i elitave kulturore në Kosovë dhe i vet dr. Rugovës, për realizimin e këtyre tri synimeve themelore, të cilat dr. Rugova i bëri synime programore të LDK-së.

Zakonisht, elita kulturore ka për referencë vlerat e trashëguara kulturore e historike. Elitarët nuk lindin, nuk shpërfaqen rastësisht. Përkundrazi, me opusin e tyre kulturor shquhen nga të tjerët dhe rrekën për krijimin e një vetëdije nacionale, si premisë për projektet politike.

Autori Miftari, nga studimi i veprës të dr. Rugovës, arrin në konkluzionin se Rugova është klasiku i mendimit shqiptar, i cili gjurmonte shenjat e identitetit nacional, si shenja të kulturës e të ideologjisë shqiptare, e cila u dëmtua shumë nga ideologjitë e mykura të huaja, në veçanti nga ajo sllavo-komuniste, nga e cila ende nuk po lirohet një pjesë e kombit.

Elita kulturore e Prishtinës ka një pararendës – Qarkun kulturor të Shkodrës -, të cilin e luftoi dhe e përtoku ideologjia sllavo-ruse e pas Luftës së Dytë Botërore, madje për gjysmë shekulli radhazi. Zonjusha angleze Edith Durcham, e cila një pjesë të jetës e kaloi në Ballkan, në vitin 1920, boton librin studim e kronikë, titulluar “20 vjet ngatërresa ballkanike”, – thotë se “ndërkohë që njerëzit në Cetinje bredhin pa cak rrugëve e kafeneve, në Shkodër gjeta art, kulturë dhe jetë”.

Dr. Rugova ishte për një leterësi të hapur dhe të çliruar nga dogma dhe ideologjia. Ai mendoi dhe veproi për krijimin e një sistemi të të menduarit.

Studimi i veprës të Bogdanit nga Rugova, e ndihmoi atë për njohjen e raportit mes strukturës intelektuale dhe pushtetit. Autori i librit potencon se “karakteri i dr. Rugovës qe shprehje e lirisë intelektuale, e cila barte në vete një lloj përmase të filozofisë morale. Dhe, vërtet, shokët e Rugovës në studime dhe në Qarkun kulturor të Prishtinës, akademikët Sabri Hamiti e Rexhep Ismaili thonë se “Rugova edhe si student dhe gjithëherë, me sjelljen e tij, me karakterin e tij, ka qenë President”.

Rugova thotë: “Ne deshëm t`i afrohemi Perëndimit dhe nuk u mbyllem në histori…, por, si intelektual unë mbështetem në histori dhe e krijoj konceptim tim”.

Dr. Rugova duket sikur vetëm mediton, filozofon. Por, jo, ai është veprues racional dhe këtë e ka dëshmuar në drejtimin e Lëvizjes Kombëtare, LDK-së. “Ai mbetët veprues i madh, veprues i heshtur, por ngulmues”, – thotë autori. Dhe, është pikërisht këmbëngulësia e Tij për liri, pavarësi dhe demokraci, që “është shndërruar në ikonë të pashmangshme të historisë së re të shqiptarëve e në simbol të pavarësisë së Kosovës.

Dr. Rugova në veprën e tij “Refuzimi estetik”, por, që Ai do ta bënte edhe refuzimin ideologjik në politikë, shkruan: “Refuzimi ngrihet kundër imponimit, kur ai është agresiv”. Me këtë nënkupton shkallën e përgjegjësisë intelektuale, në raport me pushtetet politike. Dr. Rugova refuzimin estetik, më sakt, ideologjik, e lëndëzoi me refuzimin e pabarazisë nacionale, të pushtetit jugosllav, serb.

Presidenti Rugova nuk ishte frikacak, siç mundohen ta baltosin disa kundërshtarë të ideologjisë, të cilën dr. Rugova e kishte refuzuar në teori dhe praktikë. Rugova ishte trim i mençur. Nëse në vitet `60-a thoshte, intimisht, se “ende nuk është koha për të dalur nga çubat”, siç shprehej ai, në gjysmën e dytë të viteve `60-a, do të thoshte se “ka ardhur koha për të dalë nga çubat”, pra, nga ilegaliteti, duke i bërë hapur disa kërkesa tona, në mesin e tyre edhe kërkesën për lirimin e shkrimtarit Adem Demaçi.

Rugovën student emri i Demaçit me shokë, e prekte deri në përlotje. Dhe, ai do të udhëtonte nga Prishtina, për në vendlindjen e tij Istog, në mbledhjen zgjedhore vjetore të rinisë, ku u bënë kërkesa racionale, kryesisht, nacionale, në mes tyre edhe edhe kërkesa për lirimin e Demaçit, me emër dhe të burgosurëve të tjerë politikë.

Kjo shënon angazhimin legal të Rugovës në politikë, për ta thelluar në drejtimin e gazetës studentore “Bota e re”, si gazetë e parë e mendimit alternativ, të mendimit ndryshe, si oponencë e parë e shtypit të pushtetit.

Ardhja e Rugovës në krye të Lëvizjes Kombëtare për liri e pavarësi, Lëvizje kjo më e organizuar në historinë tonë kombëtare, nuk është rastësi, por rrjedhojë logjike e dimensionit intelektual e kombëtar të dr. Ibrahim Rugovës.

Që nga debati i bërë në Beograd, në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, Rugova konsiderohet si përfaqësues i mendimit kulturor e intelektual shqiptar.

Studjuesi Vehbi Miftari, thekson se mendimi i lirë, platforma intelektuale, refuzimi ideologjik, nga personal në atë kolektiv, e bëri Rugovën ideolog nacional, njohës i kodeve, të kulturës dhe traditës shqiptare; i heshtur, fjalëpak, por tepër kryeneç në refuzimin ideologjik.

Dr. Rugova ishte i përcaktuar për ideologjinë nacionale dhe e quante “gabim historik”, që shqiptarët mbetën nën ideologjinë komuniste, të cilën e kishte luftuar me pushkë.

Studjuesi Miftari vë në dukje se Rugova qysh në vitet `90-a, kishte vendosur që ideologjisë komuniste t`ia kundërvinte mendimin e matur dhe refuzimin e artikuluar. Në vitin 1990, i pyetur nga “Zëri i Amerikës”, nëse “Balli Kombëtar”, ishte parti kolaboracioniste e pushtuesit, dr. Rugova qe përgjigjur se “Balli Kombëtar” nuk ka qenë organizatë as kolaboracioniste dhe as tradhtare, por Lëvizje nacionaliste, atdhetare, që ka punuar, vepruar dhe luftuar për liri dhe Shqipërinë Etnike.

Studjuesi Vehbi Miftari thotë se kapërcimin e Tij në politikë Rugova e shihte si mundësi të artikulimit politik të vetëdijes intelektuale për kombin, duke cituar vet Rugovën:
“Unë atje, pra, në politikë, do të jem edhe si politikan, po natyrisht me një origjinë intelektuale, të cilën e kanë të vështirë ta kuptojnë politikanët”.

Dhe, kjo shprehej në natyrën e Tij të butë e plot kulturë, fjalë të buta dhe argumente të forta. Kryeneçësia e dr. Rugovës në mbrojtje të qendrimeve të Tij, në mbrojtjen e parimeve është proverbiale. Edhe ajo e qeshura e Tij, e cila, ndonjëherë dukej e pamotivuar, por, në fakt, pëmbyllte bisedën për një çështje, për të cilën Rugova nuk lëshonte pe.

Ne që i kemi njohur nga afër Presidentin Rugova dhe komandantin dhe komisarin e Kosharës, Sali Çekaj, jemi bindur se këto dy figura madhore, kanë shumëçka të përbashkët: ngritjen intelektuale; prudencën, maturinë në fjalë dhe veprime; vizionarë për të tashmen dhe të ardhmen; guximin qytetar, trimërinë dhe burrërinë e traditës shqiptare. Dhe, mërinë, inatin e madh të kundërshtarëve ideologjikë, të cilët Presidentin Rugova dhe Sali Çekajn i kishin vënë në listën e zezë të ekzekutimit. Vendimi ogurëzi për të parin u muar në vilën namkeqe, në Bllokun e Tiranës; ndërsa për të dytin, u lëshua fletë-arresti i parë ushtarak, me qëllim ekzekutimi. Pas siglës të SHP të UÇK-së, janë shënuar edhe emrat konkret të urdhërave përkatës.

Pikërisht, për këtë ngjashmëri, të këtyre dy burrave të mëdhenj të Kosovës dhe të gjithë Shqiptarisë, sot bëhen dy promovime librash: njëri kushtuar Presidentit Rugova dhe tjetri kushtuar komandantit Sali Çekaj. Librat janë begati e vlerë për çdo shtëpi, për çdo familje. Andaj, ju ftoj që këto libra t`i bëni pronë të familjeve tuaja!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here