REFLEKSIONE PËR ROMANIN “MISTERET E PARISIT TË VOGËL”

0
21
Po ngarkohet...

Prof. Dr. Resmi Osmani

I botuar në fund të vitit të shkuar, romani “Misteret e Parisit te Vogël”, shkruar nga romancieri produktiv Kristaq Turtulli, nga mënyra si u prit prej lexuesi dhe kritikës letrare, mund të themi se u kthye në një ngjarje letrare për fundvitin 2017 dhe në vijim. Per romanin në fjalë është shkruar e folur shumë. Studjuesit dhe krijuesit, sipas këndvështrimit të tyre kanë evidentuar dhe nxjerrë në reliev, vlerat esenciale të qënësishme të romanit, aq sa mund të thuash se kjo temë tashti u bë pothuajse e shterrueshme. Por nuk është kështu. Pas leximit të romanit, që autori pati mirësinë të ma postonte, do të mundohem të trajtoj disa aspekte që utorë të shkrimeve të tjera i kanë prekur përkitazi ose aspak.

Romani në fjalë, është një sagë e mirfilltë, saga e familjes Gozhdaxhi në tre breza, e përpjekjeve të saj që nëpërmjet punës, përkushtimit qytetar, dashurisë për qytetin vendin dhe kombin, nëpër dallgët e jetës, luftrave dhe prapësive mbart dhe paraqet atë çka është më e mira e vlerave njerëzore, për mbrothësinë, të mirën dhe përparimin. Në roman,në vorbullën e ngjarjeve ku përfshihen personazhet dhe vetë qyteti, në shumësinë e antitezave ndërthuren dhe ndeshen e mira me të keqen, makutëria me bujarinë, përparimi me obskurantizmin, mirënjohja me ligësinë, virtyti me ligësinë dhe poshtërsinë, atdhedashuria me tradhëtinë,bujaria dhe fisnikëria me meskinitetin, vlerat humane me veset. Kjo shumësi vlerash dhe antivlerash përbëjnë forcën lëvizëse të romanit në kohë dhe hapësirë, që arrijnë disa kulminacione të dhëna me art, nga ku lexuesi hedh vështrimin në një hapësirë të së shkuarës. Këto përbëjnë edhe misteret e “Parisit te Vogël”, të cilat i përcillen lexuesit me art, dhe sidomos atij të brezit të ri, për t’i ditur dhe njohur, jo vetëm Korçën e bukur të ditëve tona, por edhe atë pjesë të së shkuarës historike, por për të nxjerrë mësime edhe për të tashmen, sepse e keqja mbetet e keqe dhe e mira e mirë.

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

Romani është një hymn, një përmendore që i ngrihet gruas shqiptare. Jo vetëm që dashurojnë dhe i gëzohen jetës, si nëna që dhurojnë jetën, por si një figurë qëndrore, pjestare në ngjarje, të dashura, të mençura, trime e kapedane, atdhetare që marrin në sy rrezikun, pa u zbrapsur nga e keqja, që krah burrave të tyre, si luftëtare të vërteta, bëjnë më të mirën e mundshme : për familjen, qytetin dhe Shqipërinë. Figurat e Zonjës Mëmë-Dhoksana, të së moshuarës Afroviti, nani Viti dhe veçanërisht Stelës, që rrëfen ngjarjet. Autori i ka tipizuar dhe gdhendur me të veçantat e tyre, urtësinë, mençurinë, dhimsurinë, vuajtjet shpirtërore, psikologjinë dhe filozofinë për të gjykuar ngjarjet dhe njerëzit, në vorbullat e fatit në të mirë e në të keq. Ato kanë besim te besimi dhe shpresë te shpresa, e duan gjithë botën dhe pavarësisht nga pësimet, nuk njohin urrejtje!

Në orgamizimin dhe shtjellimin e lëndës në këtë roman vërejmë risi në përdorimin e diferencuar të metodës letrare. Sipas kërkesave të romanit modern, autori shkëputet nga stereotipizmi i ngurtë dhe shabllonet shkrimore. Në krerët e romanit gjejmë paraqitjen realiste e të vërtetë, ashtu siç ndodh në jetë, faqe të tëra romantike dhe një lirikë fine, me tabllotë e dashurisë dhe udhëtimin e muajit të mjaltit të Stelës dhe Andreas, skena sureale me ngjarjet e Kristinës dhe mistike me plakën Afroviti që bisedon dhe lexon yjet. Elemente të ekzistencializmit gjenden në katandisjen e Stelës dhe familjes së saj në kasollen e Kullës së Hirit, etj. Gjithë kjo tablo shkrimore me ngjyresa të ndryshme, në varësi nga ngjarjet dhe personazhet, përbën një mozaik të magjishëm, ku lexuesi emocionohet dhe shijon artin e bukur të fjalës së shkruar.

Tjetër veçori që dua të evidentoj është përdorimi i simbolikës.Fustani i bardhë i nusërisë, si simbol i pastërtisë morale dhe lumturisë vajzërore, i kuptimit të ndryshimit jetësor nga vajzëria në bashkshortësi, e bardha dhe e zeza,si simbole të së mirës dhe së keqes, gjarpri simbol së keqes dhe pabesisë, nusedjali që përshkon si një fill shprese dhe zhgënjimi tërë romanin, luzma makute e karkalecave si simbol i forcave të errëta të pushtetit komunist që u trrën në zbatim të parimit Leninist ”Luftë pallateve, paqe kasolleve”, duke rrëmbyer çdo gjë, duke burgosur e quajtur armik, duke i ngarkuar me fajësi të paqëna këdo që me punë të ndershme kishte krijuar pasuri. Nëpërmjet këtyre simboleve, autori i le vend edhe nëntekstit, që lexuesi të nxjerrë përfundimet e veta.

Në roman, ka paragrafë dhe faqe të tëra, të shkruara si sentenca filozofike e psikologjike me qëndrimin e autorit për fatet dhe veprimet e personazheve, dukuritë sociale dhe zhvillimet tërësore, një diskurs filozofiko -politik për revolucionin dhe revolucionarët, për lumturinë dhe mjerimet e jetës, për lidhjet shkak pasojë etj. të cilat ngrenë nivelin intelektual dhe paraqitjen e tablove jetësore në zhvillimet konkrete ku përfshihen personazhet. Perifrazimi në krye të çdo kreu, të një sentence që është kuintesenca e asaj që vijon, e ndihmon lexuesin të orientohet për atë që do të lexojë në vijim. Sido që në roman trajtohet fati i një familjeje dhe një qyteti, romani ka karakter përgjithesues, sidomos për pësimet dhe persekutimin e familjeve të mëdha, fisnikësrisë dhe borgjezisë mbarë shqiptare.

Mbyllja e romanit është e gjetur mirë. Stela, dhe familja e saj e mbetur në mjerim. Vazhdimin me ato që ndodhën në Shqipërine viteve
pasardhës, deri në përnbysjen e komunizmit lexuesi e di.Fundi i romanit është fillimi i kalvarit.
Romani është një sukses i autorit Kristaq Turtulli, që tashmë po evidentohet si një nga romancierët me produktivë të këtyre viteve.S’na mbetet veç se ta urojmë.

Prof. Dr. Resmi Osmani
Tiranë, më 12.02.2018


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu