QEVERISJA NGA LDK–ja APO KOSOVA MË AFËR BE-së E OKB-së !

0
409

BotaSot.infoBisedë me veprimtarë nga mërgata – nga Xhevat Rexhaj

A po ndodh thyerja pozitive në, dhe me Republikën e Kosovës? A thue çka bëri që nga marrja e pushtetit, pra qeverisë me Kryeministër nga LDK–ja, shumë gjëra filluan të marrin kahje ndryshe, pra kahje e përkrahje të mirë të aleatëve tanë që na çliruan, aleatë që i ofroi dhe i nderoi Presidenti Rugova? A mos këto ndryshime pozitive, ku edhe filloi vitin e kaluar, dhe vazhdon këtë vit ç’thurja e misterit të vrastarëve dhe vrasjeve politike, kur po cullakohen “heronjtë” e rremë, heronjtë e krimit e korrupsionit, që pushtuan Kosovën gati më keq në emën të patriotizmit, dhe kërcënimeve, që nga viti që u çliruam, falë NATO-s, nga Serbia ?
A ka shpresa se ma në fund kutitë e pandorës së krimit do të hapen, kriminelët do të dalin para ligjit, dhe Kosova pas MSA-së, UEFA-së, Liberalizimit të vizave dhe FIFA-së të vazhdoi drejtë Evropës së vlerave?

Arben Çokajish studenti i dhjetorit, Gjermani (Shkodër) përgjigjet:

Pyetje shumë komplekse e me domethënie. Vihen re përmirësime të dukshme në kulturën e qeverisjes në Kosovë, që pas marrjes së postit të Kryeministrit nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili është një politikan serioz dhe ekonomist me përvojë. Kjo tregon se Kosova mundet, nëse politikanët e saj duan. Por, siç ndodh në politikën e një vendi, gjërat nuk arrihen përmes asaj, që mund të konsiderohet më e mira e mundshme, por përmes një kompromisi politik, i cili shpeshherë të kushtëzon edhe në marrëveshje jo fort të dëshiruara, të cilat edhe e ulin ritmin e zhvillimit e të reformave, dhe e detyrojnë qeverisjen të mos japë maksimumin e pritshëm të saj.

Humbja e Rugovës i ka kushtuar shtrenjtë LDK-së, pasi anëtarët dhe mbështetësit e saj ishin të lidhur me personalitetin e Rugovës dhe e kishin të vështirë t’i besonin një tjetri si Rugovës, apo të mblidhen rreth tij. Por nuk ka dyshim, që pavarësisht rënies relative të LDK-së, nga ndryshimet që ndodhën viteve të fundit dhe mos-kënaqja e të gjithëve me lidershipin e saj, nuk mund të mohohet fakti se LDK është partia më serioze dhe më e besueshme në arenën e politikës kosovare, dhe puna e mirë, rritja ekonomike dhe treguesit e tjerë të sukseseve të qeverisë së sotme, i atribuohen padyshim edhe kësaj partie me përvojë, dhe sidomos kryeministrit Mustafa e bashkëpunëtorëve të tij. Në politikë gjërat janë larg ideales, prandaj ne duhet të jemi realistë. Nëse duam që gjërat e mira të bëhen ndonjëherë, ne duhet edhe të pranojmë se ato bëhen ngadalë dhe marrin edhe kohën e tyre. Por gjithmonë duke punuar drejt dhe me këmbëngulje, patriotizëm e profesionalizëm.

Luftëtarët e Kosovës për çlirimin nga Serbia, ishin edhe luftëtarë të UÇK-së, një pjesë e komandantëve të së cilës, paskan patur një qëllim tjetër dhe shfaqën një fytyrë të re pas çlirimit të Kosovës. Ata nga luftëtarë të lirisë, u kthyen papritur në luftëtarë të hajnisë – një fenomen i njohur ky, që ka të bëjë edhe me mentalitetin e shoqërisë sonë, që e trashëgojmë që nga pushtimi i gjatë turko-osman. Por me sa është folur, ka prej atyre që paskan qenë të implikuar gjatë luftës e më pas edhe në akte kriminale, e sidomos në likuidimin e njerëzve me veprimtari politike e intelektuale, që nuk ishin mbështetës të tyre. E në këtë rast, LDK si parti, ka pësuar humbjet më të mëdha nga atentatet e kryera ndaj mbështetësve, anëtarëve e veprimtarëve të dallueshëm të saj. Atë që nuk mundi ta bënte serbi, e bënë fatkeqësisht këta të “shtabit të milionerëve”. E kjo është e pafalshme. Është detyrim për LDK-në, që të forcojë qeverisjen dhe shtetin e Kosovës dhe të përpiqet, që sa më shumë prej këtyre, që dimensionin e lirisë e zëvendësuan me dimensionin e hajnisë e të kriminalitetit, t’i çojë ata në bankën e të akuzuarve. Por, siç edhe mund të kuptohet, kjo nuk ka për të qenë një detyrë e lehtë, nëse bëhet e mundshme ndonjëherë. Por përpjekjet nuk duhet të mungojnë kurrë.

Kosova si shtet i pavarur jetësohet me shumë akte, këto që përmenden më lart, si njohje ndërkombëtare, në rrugën e integrimit Evropian, lëvizjes së lirë të qytetarëve, pjesëmarrjes së Kosovës si shtet me të drejta të plota në aktivitetet e ndryshme evropiane e ndërkombëtare, si dhe ato sportive, por më kryesorja për çdo shtet, e sidomos për Kosovën si shtet i ri, është zhvillimi ekonomik dhe pavarësia ekonomike e saj, produkti vendas, krijimi i vendeve të punës dhe të prodhimit. Dhe shpresoj se kryeministri Mustafa, si ekonomist që është, do të bëjë aq sa mundet në mandatin e tij, që Kosova të zhvillojë ekonominë e biznesin. Pasi duke u bërë një shtet i qëndrueshëm ekonomikisht, Kosova do i ketë edhe rrugët e hapura për në Evropë dhe për njohje të mëtejshme, me respekt e dinjitet. Askush nuk e do një shtet të varfër, dhe shqiptarët e tregojnë më mirë, se e duan vendin e tyre dhe bëjnë për të, kur edhe ta zhvillojnë ekonominë dhe institucionet e pavarura. Edhe lufta kundrejt krimit e korrupsionit, si dhe pavarësia e gjykatave dhe sistemit të drejtësisë, apo edhe gjykimi i kriminelëve të dikurshëm e të sotshëm, bëhet më i lehtë, nëse ekonomia e Kosovës lulëzon dhe produkti kosovar çan tregun rajonal e global.

Shumë njerëz kanë sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë për një Kosovë të lirë e të pavarur. Të mos e marrim këtë, për të dhënë. Pavarësia, liria e demokracia e një vendi është një proces i vazhdueshëm, që arrihet vetëm me shkollim, dije, punë e përkushtim ndaj tij, që gjërat jo-ideale e të paarrira sa duhet sot, t’i çojmë drejt një perfeksioni gjithnjë e më të arrirë nesër. Kështu që edhe kritikat, që bëhen ndaj kryeministrit Mustafa, duhet t’i vlerësojmë si kritika me qëllim të mirë, për përmirësimin e vazhdueshëm të punëve, por ka edhe kritika që burojnë nga zilia e smirëzia, që fatkeqësisht shqiptarët nuk janë të çliruar prej tyre. Kritikat e dobishme duhet çdo mendje e hapur t’i pranojë, ashtu si edhe kritikat dashakeqëse t’i injorojë, dhe të shikojmë të gjithë bashkë, të bëjmë më të mirën, për një Kosovë, e cila po vjen gjithnjë e më shumë drejt stabilizimit dhe integrimit në familjen evropiane. Gjithnjë duke u rritur!

Shënim: Unë jam për respekt ndaj institucioneve shtetërore dhe punë të vazhdueshme për të kapërcyer vështirësitë dhe pengesat. Isa Mustafa është një ekononist e politikan me përvojë, ndaj duhet respektuar edhe si kryeministër edhe si kreu i LDK-së. Kritikat e drejta të Donika Gërvallës e Shefqet Dibranit duhet të bëhen institucionalisht dhe të mbeten brenda partisë. Ndryshe ato krijojnë përçarje dhe bëhen jo-produktive, pasi çojnë në një situatë si kjo që kemi tani, ku dy veprimtarë të dalluar të LDK-së në diasporë, shmangen nga kontributi i tyre i dobishëm për shkak se kritikat e tyre nuk respektojnë institucionin e kryetarit të LDK-së në qendër dhe kryesinë e saj. Askush nuk e ka monopol të vërtetën, por duhet respektuar hierarkia. Nëse kritikat apo kritikuesit nuk dëgjohen, duhet të kuptohet se stabiliteti i Kosovës dhe i LDK-së kërkon që vendimet e shumicës të respektohen, edhe pse kritikat e kritikuesit mund të jenë drejtë…/AÇ

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here