Prof. Mentor Quku në kujtesën tonë intelektuale

0
706
Po ngarkohet...

Nuk mundem ne asnji menyre, te rri pa publikuar shkrimet e Dr. Prof.entor Quku, ishte mesuesi im, ma vone shoke dhe bashkepuntorë, mik i ngushte i familes time.

Ai eshte ndar nga kjo jete, po na ka lane ne duar veprat madhore te Mjedes, dorshkrime te pa numerta, gazeta dhe revista, matriale qe çdo dite ju hedhe nga nji sy, lexoje mbishkrimet ne çdo liber qe prof. me ka dhuruar nder vite.
Ndihem krenar qe isha nxanes dhe mike, i keti kolosi te letrave shqipe.

Prof. Mentor Quku jeton ne pavdeksinë e atyre veprave qe na la pas, mbi 40 vite, pune dhe perpjekje per te çuar ne piedestalin ku i takonte, meshtarit, poetit, publicistit, atdhetarit te pa epur per Shqiperinë, e ky ishte Ndre Mjeda, ku prof. M. Quku mbetet nji personalitet i shquar per Shkodren dhe mbare inteligjencen Shqiptare.

Gjin Musa, gazetar

Ja si shkruante per kreshniket e Malsis se Madhe.

PROTAGONIST I QËNDRESËS SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTNORE

Biri i Malësisë Madhe, Lleshi Marashi i rritur dhe i edukuar me virtytet morale të parëve, i takonte një fisi me tradita atdhetare. Së bashku me të vëllanë Gjekën, nisën të dy karrierën ushtarake dhe qenë oficerë të karrierës të shtetit shqiptar gjatë viteve ’30. Gjeka ishte komandant i qarkut të xhandarmerisë së Vlonës, dhe ma vonë të Gjirokastrës. Me pushtimin italian, kapiteni i parë, Llesh Marashi nuk mund të pranojë të jetë nën urdhërat e oficerëve pushtues dhe del në lirim. Vjen të jetojë në Shkodër, ku bie në kontakt me liderë të organizatës së Ballit Kombëtar, dom Zef Shestanin, dr. Bahri Koplikun, Zef logorecin, etj.

Në mars 1943, Llesh Marashi me udhëzimet e krahinorit të BK të Shkodrës del në mal, në fshatin e tij Zagorë, ku fillon aktivitetin për krijimin e çetës së tij balliste, duke u angazhuar në luftë kundër pushtuesit italian. Në këtë kohë njisiti partizan e thërret me anë të një korrieri Llesh Marashin për të biseduar. Takimi u bë mes datave 5 ose 6 mars 1943 ku u fol për vendimet e Konferencës së Pezës dhe platformës së Luftës NÇl. Llesh Marashi pranon përkohësisht. Për këtë qellim u organizua një mbledhje po atë natë me popullin e lagjes së Reçit e quejtun Dodçe. Këto mbledhje u banë edhe në Zagorë, Reç i poshtëm, Reç Qafëgradë, Lohe, etj. Lleshi në fillim u bashkua me partizanët, sepse i kishin premtuar se nuk do të vepronin si komunistët, se do ta njihnin si komandant. Me këtë rast Malësia e pat marrë në inat Lleshin sepse u bashkue me partizanët. Me Lleshin, deri në kapitullimin e Italisë ka qëndrue edhe komunisti Gjeto Keqi, i cili ma vonë u nda prej Lleshit.

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

Me kohë çeta largohet nga Zagora dhe duke kaluar nëpër krahinën e Reçit, Lohes e Rrjollit arrin në Bjeshkët e Urës së Shtrenjtë me 19 mars 1943. Shifet e nevojshme me zgjedhë udhëheqësin e çetës dhe kështu me 20 mars 1943 në Bjeshkët e Urës së Shtrenjtë, në kufi me malet e Shllakut bahet mbledhja e udhëheqjes së çetës. Komandant zgjidhet Llesh Marashi dhe komisar Qamil Gavoçi. Ndërkohë Llesh Marashi, i cili kishte kuptuar hilen e komunistëve, merr njerëzit e tij, largohet nga çeta dhe ikën në Zagorë. Që nga ky çast PKSH organizon një propagandë të egër për të demaskuar Llesh Marashin si armik të rrezikshëm.

Shumica e çetave në rrethet e Shkodrës përbëheshin prej nacionalistësh. Këtë e vërtetojnë dokumentet e kohës të prefekturës së Shkodrës. Komunistët qenë fare pak. Sipas kujtimeve të Mul Bajraktarit del se Jacomoni dhe Dalmazzo kishin në vemendje që çeta e Llesh Marashit ose të dorëzohej ose të zhdukej. Llesh Marashi ishte shumë aktiv duke shetitur në Shkrel, Kastrat, Reç, Lohe e Rrjoll, duke bërë propagandë kundër fashizmit e duke formuar çetat nacionaliste e duke i armatosur ato.

Janë bërë përpjekje nga major Gjelozi për të biseduar me Lleshin, i cili jo vetëm nuk pranoi të dorëzohej por edhe kundërveproi. Ai qëndroi i arratisun në Shkrel, në katund të Kastratit, në Vuçë, Zagorë e në Kurtaj. Në këtë kohë ka nji përpjekje me e emnue Lleshin komandant xhandarmerie në Dukagjin. Përsëri nuk pranoi. Organizohen edhe disa incidente banale që kërkojnë me e shmangë Llesh Marashin nga lufta kundër pushtuesit, por pa dobi.

Lleshi kishte dalë në mal për ideale kombëtare dhe me çdo mënyrë u përpoq për t’iu shmangur ngatrresave me popullin e Malësisë. Ai bëri të gjitha përpjekjet që të mbyllte sherret e provokimet.

Me 26 korrik 1943, nji ditë mbas dorëheqjes së Musolinit, dy rregjimentet shqiptare me qendër në Milot dhe në Ulqin u arratisën. Batalioni i Ulqinit, me përjashtim të disa ushtarëve dhe nënoficerëve që shkuan në shtëpitë e veta, u bashkuan me çetat nacionaliste të Llesh Marashit, Jup Kazazit, Xhelal Bushatit e Enver Bushatit. Nji pjesë e vogël u bashkue me çetën komuniste. Oficerët që u bashkuen me këto çeta ishin kolonel Fuad Osmani, kolonel Faik Quku, major Çaush Alia, major Zenel Kazazi, major Dilaver Dino, kapiten Xhemal Laçi, kapiten Sabaudin Resuli, kapiten Ramë Vojvoda, kapiten Mehmet Bineri, kapiten Halit Kazazi, kapiten Shaban Elezi, toger Gjon Kolë Martini, toger Qazimi, etj. Në këtë periudhë persona të arratisun në male ishin Xhelal Bushati, Jup Kazazi, Dom Zef Shestani, Dr. Bahri Kopliku, Hasan Kazazi, Nuh Kazazi, etj. Zakonisht çetat nuk ishin të grumbulluara më shumë se 10-15 veta. Ata furnizoheshin prej popullit të Postrribës e të Rranzave. Çeta e Llesh Marashit mbështetjen e kishte në Shkrel e katund të Kastratit.

Mbas arratisjes së ushtrisë shqiptare si dhe të Jup Kazazit, komanda italiane u zemrue shumë dhe vendosi për të bërë një operacion kundër çetave nacionaliste, duke i kërkuar malësorëve të Malësisë së Madhe që të luftonin në krah të ushtrisë italiane, kundër çetave nacionaliste. Ishte fjala për luftë vëllavrasëse kundër çetave e popullit të Rranxave e të Postrribës.
Me 18 korrik 1943 organizohet mbledhja e Çesmes së Koplikut ku morën pjesë gjithë paria e krahinave të Malësisë, me rreth tre mijë veta. Ushtria italiane synonte që të sulmonte çetat e Jup Kazazit, të Llesh Marashit, si dhe të partizanëve, duke angazhuar edhe vullnetarët nga Malësia e Madhe. Ndërkohë komanda e legjionit dhe e milicisë thirri parinë në Shkodër dhe urdhëroi që të përsëritej edhe nji mbledhje në Reç. Gjatë kohës që Komiteti Krahinor i Ballit ishte në mal, dr. Bahri Kopliku, shkoi pranë Llesh Marashit, i cili e kishte shtëpinë aty pranë në Podgore të Shkrelit. Aty ishte Lleshi dhe doktor Bahri Kopliku që ishin të Ballit Kombëtar.

Mbledhja u bë në Moçavile me 13 gusht 1943. Aty morën pjesë çetat balliste të Llesh Marashit, Jup Kazazit, Enver Bushatit, Prof. Prenkë Kaçinarit, Dr. Bahri Koplikut si dhe ato të Legalitetit me komandanta Shaban Elezin, Shaqir Metën, Hysen Lohjen si dhe ato të Nacionalçlirimtares me Ramadan Reçin e Zymer Halilin. Kërkesa e italianëve ishte që të dëboheshin gjithë çetat rebele nga zona e Rranzave e Postrriba si dhe që të dorëzoheshin gjithë ushtarakët dezertorë.

Llesh Marashi, Jup Kazazi, Dom Zef Shestani, doktor Bahri Kopliku, Hasan Kazazi, kapiten Sabaudin Resuli i shkruejnë Mul Bajraktarit duke i kërkuar takim para mbledhjes së 18 gushtit. Takimi bëhet me 17 gusht në kopështin e shtëpisë së Oso Tahirit, në Koplik. Takohen Mul Bajraktari, me Llesh Marashin, Dom Zef Shestanin, Jup Kazazin etj. Muli i sqaron se mbledhja që do të bahej ditën e nesërme ishte organizuar nga komanda italiane e major Gjelozi. Iu kërkua që çetat të largoheshin përkohësisht në male. Lleshi e Jupi kërkuan që të fillonin aksionin kundër autokolonave ushtarake italiane gjatë rrugës Shkodër-Podgoricë.
Në mbledhjen e 18 gushtit major Gjelozi thotë se nuk mund të durohet më kjo gjendje dhe se do të sulmoheshin çetat dhe se vullnetarët e Malësisë së Madhe duhet të sulmonin edhe ato. Çetat u larguan përkohësisht por mbas pak u ulën përsëri.

Me 30 gusht filloi Lufta e Reçit. Trupat vullnetare të Malësisë, të cilat e kishin kuptuar politikën përçarëse të pushtuesit, nuk pranuan që të futeshin në luftë përkrah ushtrisë italiane. Major Gjelozi me tre oficerë italianë, nji kompani kambësorie dhe nji tjetër mitraliere, mbulonte ushtrinë gjatë tërheqjes në fushë. Në këtë kohë u hap lajmi se Llesh Marashi me forcat e veta, kishte dalë mbrapa kah Grishajt, në Malin e Poiucës. Në këtë kohë, nji pjesë e çetës së Llesh Marashit prej 15 vetash, e drejtuar prej Rrok Kantit, duke kaluar me shumë vështirësi, në saje të nji dredhie, arrin përpara trupave anmike në Qafë të Zhbatrrit, që lidhë Lohen me Reçin. Pikërisht aty bashkohet me të edhe një njësit i vogël i çetës komuniste prej 5-6 vetash, me Bejto Faslinë dhe forcat vullnetare të fshatit Reç, rreth 20 vetë. Pushka e parë kundër ushtrisë italiane nisi në pjesën e sipërme të fshatit, te “Kryqi i Zhbatrrit” nga forcat e Rrok Kantit e Bejto Faslisë. Pastaj lufta u ndez e ashpër në të gjithë sektorët.

Në rrethimin e forcave italiane nga veriu ka marrë pjesë çeta e Llesh Marashit së bashku me dr. Bahri Koplikun, si dhe disa forca nga ushtria kombëtare e Ulqinit, të cilët kanë zënë shtigjet në Linaj e Leporosh. Sipas ditarit të Prenkë Grudës, gjeneral Negri paska dërgue ushtrinë me i shtrue Rranzat e MbiShkodrës. Llesh Marashi, Dom Luigj Pici, Ramadan Reçi e Jup Kazazi, kanë organizuar popullin për qëndresë, duke qenë në marrëveshje e sigurim të plotë me Mul Bajraktarin se vullnetarët e Malësisë së Madhe nuk shkojnë në luftë në ndihmë të italianëve kundër Rranxave. Ai zuri shtegun verior të Reçit dhe plotësoi rrethimin total të forcave fashiste. Në këtë kohë në Zagorë gjëndeshin në aktivitet Dom Zef Shestani, Dr. Bahri Kopliku dhe Zef Logoreci, të tre anëtarë të Krahinorit të BK për Shkodrën, që ndiqeshin si kundërshtarë të pushtuesit italian.

Sipas Relacionit të Komitetit Qarkor të BK Shkodër mbi Luftën e Reçit, botuar në revistën e BK Robni o liri, nr. 4-5, fq. 11-12, tetor 1943, Shkodër, thuhet: “Në këtë luftë muer pjesë edhe nji njisi e vogël e çetës balliste të Llesh Marashit, e cila, tue luftue trimnisht për 24 orë vrau disa italianë dhe shpëtoi nga vdekja e duert e anmiqve pesë partizanë.”

Llesh Marashi mori pjesë edhe në Mbledhja e Grizhës (Mbështjerra e Grzhës) mbas Luftës së Reçit. Në këtë luftë përveç grupeve që u cekën sipër (të garnizonit të Ulqinit dhe të Jup Kazazit), morën pjesë edhe njisitë partizane, nji çetë e Legalitetit e udhëhequr nga Shaqir Meta, çeta e drejtuar nga Xhelal e Enver Bushati dhe ajo e Llesh Marashit, që të trija të Ballit Kombëtar. Dihet se si u shkrua shumë vite më pas një histori e deformuar, larg së vërtetës e Luftës së Reçit. Ajo ishte një luftë e përbashkët e gjitha forcave, pa dallim feje, krahine e ideje kundër pushtuesit. Figura e Llesh Marashit ngrihet shumë lart për faktin se ai me zgjuarsinë natyrale dhe me vetëdijen kombëtare nuk u bë pre e politikave përçarëse të pushtuesit. Ai qe një luftëtar i pakompromis për lirine e atdheut.

Mbas kapitullimit të Italisë, Llesh Marashi zbret në qytet dhe emnohet komandant i xhandarmerisë i qarkut të Shkodrës. Në atë kohë ekzistonte Mbretnia Shqiptare. Komandanti gjerman Hausding, u kërkoi ndihmë si rreth-komandantit Shaban Elezit, ashtu edhe Llesh Marashit që ishte qark-komandant i xhandarmerisë së Shkodrës, po ata nuk pranuan. Atëherë u detyruan të ikin në ilegalitet sepse i kërkojshin gjermanët për t’i arrestuar.

Në vitin 1945, atdhetari demokrat oficeri i karrierës, luftëtari i lirisë Llesh Marshi pritet në besë nga repartet e sigurimit sillet në Shkodër dhe varet nga po ata partizanë, të cilëve dy vite më pare u kishte shpëtuar jetën. Figura e tij atdhetare mbetet për t’u studiuar mbi baza dokumentare dhe analiza shkencore të mëtejshme, duke e çliruar nga balta dhe gogoli komunist dhe duke ia rikthyer panteonit kombëtar.


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu