PROCES I ZENICËS I MONTUAR NGA UDB-a JUGOSLLAVE !

1
216

Nga NAFI ÇEGRANI

Fill pas ngjarjeve të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, të cilat ia drodhën themelet Jugosllavisë AVNOJ-iste, në Gostivar, Tetovë, Shkup, Kërçovë e vende të tjera të banuara me shqiptarë, filluan burgosjet. Njerëzit merreshin në pyetje, torturoheshin, burgoseshin… Persekutoheshin familjet e të paraburgosurve dhe të burgosurve shqiptarë…

Në këtë rrëmuje dhe mjegulle politike, filloi fushata e proceseve të montuara. Këtu duhet kërkuar edhe motivi i procesit policor të Zenicës, për të më nxjerrë para tytave të ekzekutimit edhe mua, që në opinion ka mbetur si një rast shumë misterioz deri më sot.

Ato ditë të zymta u burgosën edhe disa shqiptarë, të akuzuar si “terroristë të rrezikshëm”, ndërsa pas disa muajsh më izoluan edhe mua në banesën time në Shkup. Për aparatin burokratik policor nuk isha njeri i panjohur; kisha qenë punëtor i Sigurimit Shtetëror të Maqedonisë, të cilit me kohë, pasi u ktheva nga Amerika, do t’ia lë hijet, sepse publicistika ishte fari i veprimtarisë sime jetësore.

Dua t’ju them se nga akt-akuza pas hetimeve, me akuzuan si udhëheqës i “grupit terrorist”, ani pse të pandehurit e nxjerrë para gjyqit nuk njiheshin me njëri-tjetrin! U akuzova rëndë për një vepër që as në ëndërr nuk e kisha parë. “Vepra”, sipas akuzës ishte bërë në mes të ditës në Gostivar, në një vend pa emër, në një kohe të pacaktuar, në një datë gjithashtu të pacaktuar. Gjykata, asnjëherë nuk ia doli të gjejë as indicione, as motive e as fakte, për këtë “vepër”, ndërsa pala tjetër, e dëmtuar rëndë, u bën ballë të gjitha sfidave dhe kurtheve, edhe pse i dhanë dënimin më të rëndë: atë me vdekje.

Hetimet e tmerrit dhe të terrorit i zhvillonin bylykbashët policorë në relacionin Gostivar -Bugojno – Shkup – Zenicë, dhe në këtë ndjekje kundër shqiptarëve futen në kurth ata që ishin bërë halë në sy e pushtetit të atëhershëm. Mes tyre isha edhe unë, meqë një kohë, si punëtor operativ i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, dija shumë sekrete, për të citat gjatë hetuesisë më flisnin inspektorët policorë. Ata, siç pohonin edhe vetë, e dinin mirë se Nafi Çegrani nuk ishte fajtor, por, megjithatë, për shkak të sekreteve që mbante, duhej t’i pritej koka së bashku me sekretet. Kështu u bëra pre e të pashpirtëve, duke e ndarë fatin me atë të popullit të cilit i takoja dhe për të cilin vuajta. Pas hetimeve, të cilat zgjatën 34 muaj, përfundova në Qelinë e Vdekjes, i lidhur me pranga. Ndërkohë, harrova si përshëndeteshin njerëzit njeri me tjetrin, si bisedonin.

M’u zbehën fytyrat e dashura të anëtarëve të familjes sime më të ngushtë, të prindërve, të bashkëshortes, të fëmijëve, të vëllezërve dhe të motrës e të farefisit. Kështu filloi një proces, që unë e quajta “Tango e Zenicës”, i cili, ç’është e vërteta, ishte edhe njëri prej rrebesheve më të rënda policore, kundër një pjese të inteligjencës shqiptare, së cilës i ra hise të shohë, të dëgjojë, të marrë shënime, të komentojë e të shkruajë reportazhe, të vejë në spikamë mjerimin e një regjimi që ishte në buzë të greminës. Ishte ky një proces, në të cilin nuk dihej se kush duhej të dënohej dhe cilët duhej të ishin “dëshmitarët”, për ç’ka në të ardhmen e shpejtë do të shkruaj një libër të veçantë.

Procesi i vitit 1981 kundër “grupit shqiptar” në Zenicë, duhej t’u shërbente, pra, qëllimeve politike të të gjithë bylykbashëve partiakë e policorë në Jugosllavi, sidomos pas ngjarjeve në Kosovë, kur SDB-ja dhe KOS-i e morën gjithë situatën në dorë.

Koha tregoi se kisha të drejtë dhe se ky proces i montuar policor-gjyqësor, në të vërtetë, kishte për qëllim, përveç të tjerave, të frikësonte shqiptarët dhe të shuante me gjak synimet e tyre, që të mos mund t’i shprehnin lirisht bindjet e tyre për liri dhe pavarësi, për bashkimin e tyre kombëtar. Goxhabashët e partisë bolshevike në pushtet dhe të Policisë Sekrete, dëshironin që përmes këtij procesi policor t’i paraqisnin shqiptarët në dritë të errët dhe t’i ftohnin marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe boshnjakëve, vajzat e të cilëve martoheshin me shqiptarë, dhe në këtë mënyrë ta pengonin natalitetin e madh të shqiptarëve, në Maqedoni dhe Kosovë. Duhet theksuar se në këtë “shoqëri socialiste vetëqeverisëse” tashmë kishin filluar të thelloheshin divergjencat dhe forcoheshin gjithnjë e më tepër disponimi dhe kërkesat për ndryshime rrënjësore shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore.

Mirëpo, forcave sunduese, sidomos në Kosovë, kjo nuk u shkonte për shtat dhe nuk kishin vullnet, sidomos pas vdekjes së Josip Broz Titos, të lejonin ndryshime të tilla, prandaj me të gjitha forcat u kundërviheshin dhe i pengonin rryma të tilla, ndërsa bartësit e tyre i dënonin në mënyrë drakonike dhe i likuidonin me mënyra dhe metoda speciale që i përdorte vetëm Shërbimi i Sigurimit, që kishte përvojën e periudhës së Rankoviçit dhe të KGB-së. E vërteta për këtë proces të montuar dhe për procese të tjera të ngjashme, do të dalë në shesh, ndoshta pas tridhjetë ose pesëdhjetë vjetësh. Edhe sot e kam të vështirë të them, se unë, Nafi Çegrani, si ish-punëtor i SSHM-së, pikërisht në kohën e konfliktit të hapur në Kosovë, por edhe në Maqedoni, krenar që jam shqiptar, mbase me qëndrimin tim e provokova fatin tim, kështu që, “kontribuova” që bolshevikët të ngrinin një kurth me gënjeshtra nga më të pabesueshmet, si të Mithauzenit, që më pas të më dërgonin në burg dhe të më jepnin dënimin me vdekje, pushkatim.

Menjëherë pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, dora e ligë e Policisë Sekrete, tashmë i kishte bërë me mjeshtëri të rrallë përgatitjet për këtë veprim monstruoz. Ajo, sipas direktivave “nga lart”, i kishte duart e lira dhe shtrihej nga Gostivari, Kërçova, Tetova e deri në Shkup. Me urdhër të Stane Dollancit dhe të disa mashave të ndryshkura të tij, ajo me muaj të tërë kishte kërkuar dhe kishte “përpunuar” dëshmitarë të rremë, duke vënë në të njëjtën kohë në shërbim, makinerinë e shtypit, radios dhe televizionit, e cila villte vrer me gënjeshtra, duke më akuzuar rrejshëm dhe duke më etiketuar shumë rëndë. Akuzave të gënjeshtërta ndaj meje nuk u besonte njeri, e sidomos ata që më njihnin mirë personalisht apo të tjerët që kuptonin prapavijat e udbashjane. Në këtë aferë policore u morën në hetime, u keqtrajtuan dhe u rrahën egërsisht, mëse 240 shqiptarë të moshës dhe të sekseve të ndryshme.

Ata, me metoda policore nga më të rëndat, keqtrajtoheshin ditë me radhë dhe dergjeshin nëpër burgje. Si sot më kujtohet, kur gjatë muajve qershor – korrik të vitit 1981, u arrestuan dhe u mbajtën disa ditë në SPB-në e Gostivarit, disa dhjetëra njerëz, të cilët njëherë i liruan e pastaj i morën sërish në burg, ku i keqtrajtonin në mënyrë shtazarake. Këta ishin: Zuhdi Hasani dhe Nijazi Hasani nga fshati Forinë, të cilët kishin dyqan dhe punonin në Visoko; Mensur Hasani nga Çegrani, i cili ishte një njeri i ndershëm dhe si trashëgimtar i babait të tij, Hasanit, punonte në Travnik; pastaj Basri Nuredini, Rushan N., taksist, Xhemail Elmazi, Refiku me të vëllezërit nga Çajla, si dhe disa të tjerë nga këto vise, të cilët Temelko Boshkovski, Zhivko Mitevski dhe disa inspektorë të tjerë të pashpirt si Haki Fejzullai me shokë, shqiptarë e maqedonas i kishin keqtrajtuar shumë rëndë.

Disa prej tyre ndërkohë i liruan, ndërsa disa i transferuan në burgun hetues të Zenicës. Këtij grupi më vonë do t’i bashkohen edhe disa emra të tjerë, si Arif Zeqiri nga fshati Tërnovë, nëna e të cilit ishte boshnjake, i njohur në rrethin e Gostivarit si spiun policor; Vahedin Ramadani nga Çajla, njeri me tri fytyra, i cili me pseudonimin “Federiko Amati” ose “Doktor Zhivago”, një kohë të gjatë spekuloi si spiun në mesin e emigrantëve shqiptarë në Paris, Marsejë, Romë e qendra të tjera të mëdha; Hajrullah Hyseini, mik i Arif Zeqirit, i cili mbante një bar-kafe në Gostivar etj. Kjo garniturë mbahej me muaj të tërë nëpër burgje hetuese, por askush nuk e dinte se cili ishte “dëshmitari” kryesor në këtë proces të montuar, siç nuk dihej se kush do të ishte i akuzuari dhe përse…

Në atë kohë, në mesin e këtyre personave të burgosur në Zenicë, u gjet edhe njëfarë boshnjaku nga Bugojno, me emrin Abdurrahman Sheshiqi. Ky ishte “trupi dëshmues” kundër një personi që pritej të arrestohej, të lidhej me pranga. E ky isha unë, Nafi Çegrani, të cilin bylykbashët e korruptuar Zhivko Mitevski, Despot Aleksovski, Temelko Boshkovski, Stojçe Gjorgjievski, Murat Isakovski dhe mafiozë të tjerë policorë, duhej ta vinin para sprovës më të rëndë. I arrestuari, si nëpunës operativ i Shërbimit Shtetëror Sekret (UDB) për Maqedoninë, tash edhe si njeri që kishte emigruar në Amerikë dhe si gazetar që dinte t’ua turbullonte ujin, i njihte mirë gjithë këta njerëz dhe marifetet e tyre.

Nuk e dija ç’më kishin kurdisur. Nuk më hynte në krye se, në fund të këtij shekulli, të pafajshmin mund ta shpallnin fajtor dhe ta dënonin edhe me vdekje bile, pa bërë asnjë faj. Nuk e dija cili ishte fati im. Vallë, mbase, pse isha intelektual shqiptar dhe u pengonte që, si i tillë, e ndaja fatin tragjik të popullit tim?

– Rrudhe, he nënën shqiptare… Ne të burgosim, ne të gjykojmë, – më thanë policët të egërsuar, posa m’i lidhën duart me pranga. Më përgjakën tri ditë e tri net, nëpër bodrumet e policisë e pastaj, të lidhur këmbë e duar, më dërguan në aeroportin e Shkupit, duke mos ditur se ç’plane kishin kurdisur dhe ku më dërgonin.

Vallë, pse më arrestuan? Këtë edhe sot s’e kam të qartë… Nuk dija gjë. Mendja më thoshte: ky sigurisht është urdhër nga Beogradi. Më dërgonin të më dënonin si shqiptar që kisha punuar në punët dhe operativën e Sigurimit Shtetëror dhe gjatë emigrimit tim në Amerikë kisha shumë kontakte me intelektualët shqiptarë, emigrantë dhe armiq të komunizmit sllav si, Ernest Koliqin, Arshi Pipën, Sami Repishtin, Jusuf Azemin, Zef Oroshin dhe shumë shqiptarë të tjerë nga Kërçova, Dibra, Tetova, Gostivari, Struga etj. Të gjithë këta, që vepronin kundër Jugosllavisë titiste, UDB-ja i mbante në listë si njerëz të rrezikshëm dhe si armiq të përbetuar të shtetit sllav.

Kjo do të jetë, mendoja në vete, edhe pse i dija sekretet për të cilat më ishin kërcënuar Shkupi dhe Beogradi, prandaj ishte e papranueshme për ta, ta lëshoja shërbimin sekret. E dija se, po ta lëshoja, ose do ta paguaja me kokë ose do të përfundoja në ndonjë skëterrë. Kështu edhe nis, kjo dramë e trishtueshme e jetës sime. I akuzuar me shpifje e gënjeshtra, i torturuar dhe i keqtrajtuar në burgjet më të rënda të kohës, pa bërë asnjë krim. Edhe ky vit, 1981-shi, ishte i larë me gjak, sikundër në vitet 1947 e 1948, vite të tragjedisë së Tivarit e të Drenicës, vite kur mijëra shqiptare dërgoheshin në kasaphanë, prej nga nuk ktheheshin gjallë. Edhe në këtë vit plagët kullonin gjak; bëheshin procese gjykimesh të montuara në Shkup, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë. Burgjet ishin përplot me shqiptarë “demonstrantë-kryengritës”…

Nga APJ-ja vinin arkivole me ushtarë shqiptarë të vrarë. Nënat shqiptare mallkonin Zotin, motrat dhe gratë qanin derisa u shtereshin lotët, fëmijët mbetnin jetimë… Bishat sllave e kishin ngritur kokën dhe kërkonin gjak shqiptari. Sllavokomunistët dhe udhëheqja e tyre, kuçedra me shtatë koka,- kokardat çetnike- me këto teza, përkatësisht strategji, dëshironin që opinionit ndërkombëtar t’ia paraqisnin shqiptarët si njerëz të egër, të pakulturë e të paarsimuar, të cilët po rrezikuakan jo vetëm Serbinë, por edhe Ballkanin dhe Europën. Prandaj i mbushën burgjet dhe filluan me likuidime, vetëm e vetëm që shqiptarëve të mbetur jashtë grilave të hekurta, t’ua shtinin macen në bark. Unë para inspektorëve xhelatë, para hetuesve, aq cinikë dhe të paarsyeshëm, në bankën e zezë, i pafajshëm-fajtor. Plagë e vragë shekujsh që rrjedhin gjak shqiptari.

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here