POETI MËRGIM OSMANI – ZË KUMBUES NË QIELLIN POETIK

0
285

Shkruan Zymer Mehani

I.

Cili është poeti Mërgim Osmani?
Mërgim Osmani është një poet i talentuar që vjen nga diaspora jonë shqiptare. Konkretisht ky poet jeton dhe krijon në Vjenë, në kryeqytetin e Austrisë.

Mërgim Osmani u lind më 1971 në Randobravë të Prizrenit, ku i kreu edhe mësimet fillore e të mesme, për t’u regjistruar pastaj në FSHN, dega Biologji në UP. Studioi edhe Historinë gjithashtu, por meqë regjimi i përndiqte shumë studentë, i arrestonte dhe i burgoste, kinse për veprimtari armiqësore ndaj ish-sistemit, edhe Mërgimi si shumë të tjerë, u detyrua të largohet nga Kosova dhe u vendos në Vjenë. Atje vazhdon studimet në fushën e shkencave politike, por për shkaqe familjare detyrohet t’i ndërpres ato studime.

Gjithnjë ishte aktiv në lëvizjet, shoqatat dhe klubet që merreshin me çështjen kombëtare, e sidomos veten mirë e ndjente në shoqatat kulturore të Austrisë. Është i entuziasmuar nga zhvillimet kulturore, duke u inkuadruar në tubime të shumta letrare. Është po ashtu bashkëpunëtor dhe anëtar i zellshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve e të krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mojsiu” në Austri.

Mërgim Osmani ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me qendrën PEN të Austrisë. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjermanisht.

Mërgim Osmani deri më tani ka botuar këta libra:
“”Do t’i mbledh” (poezi), 2013;
“Me sytë kah qielli” (poezi), 2013;
“Shpirt i trazuar”(poezi), 2015;
“Misteri në sy (poezi), 2016
“Sykaltra” (tregime), 2016.

Mërgim Osmani në vitin 2014 u nderua me Çmimin PEN Albania për Diasporë, në Tiranë. Po ashtu e fitoi edhe Çmimin e Tretë në konkursin letrar, me tregimin “Sykaltra”, të organizuar nga LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”.

II.

Mërgim Osmani si poet nuk u krijua në shkollë të mirëfilltë, por poet e bëri shkolla e jetës, krajatat e tij gjatë hapave jetësorë, këshillat e mençura, pa formante të gatshme, pa modele të caktuara. Ky zë poetik që po dëgjohet në letrat tona, vjen nga diaspora jonë, konkretisht nga Vjena. Mërgimi është i vetëdijshëm se roli i tij si poet është i rëndësishëm edhe për faktin se me penën e tij duke i kënduar atdheut, vendit, popullit dhe kombit të tij, po e kryen një borxh që ka ndaj truallit amtar.

E këtë punë e ka kryer si është më së miri përmes vargjeve të veta, si transformim shpirtëror. Poeti Mërgim Osmani sheh, sodit, kundron, shënon e emërton, prandaj edhe shprehet bukur. Vargjet e tij na sjellin aromë të truallit amtar, sepse është fare i vetëdijshëm se pa shpirt, pa zjarr, pa aromë atdhedashurie ndaj vendlindjes dhe pa ndjenjë atdhetare s’mund të ekzistojë as si individ dhe as si poet. Ky poet vazhdimisht kërkon dhe gjen dhe aftësia e tij është gjetja.

Një vend meritor në poezinë e Mërgim Osmanit e zë motivi i vendlindjes. Vargjet e poezive me këtë motiv janë të mbushura përplot mall për vendin ku është lindur dhe ku hapëroi së pari në jetë. Pastaj me sukses poeti i ka vargëzuar poezitë për Kosovën, për natyrën, bjeshkët, kullat, për gjuhën shqipe, për gjyshërit etj. etj.

Pra temat dhe motivet që poeti Osmani i trajton në poezinë e tij janë të ndryshme. Poeti në punën e tij krijuese poetike ka përdorë një gjuhë të pastër e sintetike përplot ndjenja ndaj realitetit, duke qenë i vetëdijshëm se bota e marrëdhënieve shpirtërore e shoqërore është e hapur për hulumtime e kërkime, duke zbuluar njëkohësisht përmes vargjeve edhe shumë përshtypje nga bota e vet ndjenjore senzacione të shumta e duke dhënë porosi dhe përfundime me vlerë.

Pra, ky poet ka krijuar poezi që do të lënë gjurmë, ngase ia ka dalur që përmes fjalës së tij dhe aktit poetik të trajtojë edhe dimensione të tjera, si social, patriotik, erotik, pejizazhist etj. po ashtu edhe kuptim kozmik dhe karakteristika estetike dhe etike që ka bota dhe shoqëria njerëzore. Ky poet ia ka dalë të bëjë edhe transformacione të abstraktes në konkrete, por edhe magji dhe freski të spontanitetit të vetëlindur.

Poeti Mërgim Osmani është njeri i kohës së vet dhe si njeri i vërtetë, me guxim dhe dije lexuesve vazhdon t’u dhurojë libra të arrirë artistikisht dhe kuptimisht.

Ky poet i talentuar jeton dhe vepron në Vjenë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here