PERSONAZHI DHE AUTORI NË NJË MONOGRAFI

0
248
Avni Behluli - Shml e arteve pamore

 Mr. Sc. AVNI XH. BEHLULI: SHML E ARTEVE PAMORE “ADEM  KASTRATI”  NË  GJILAN: 2012-2022

Meti Rexhepi, prof.

Libri që kemi në duar i autorit dhe personazhit  Mr. Sc Avni  Xh. Behluli është i llojit monografi dhe, përqendrohet të zbërthejë kronologjinë e nismës, formësimit, përmbajt-jetësimit të një ideje, të një projekti me profilizim të qartë, për t`u konkretizuar, madje për t`u rrumbullakuar pikërisht në Gjilan, Shkolla e Arteve Pamore. Periudha e shtrirë në këtë libër rrokë dhjetëvjeçarin e brenda viteve 2012-2022.

Për ta shtjelluar gamën e gjerë të përmbajtjes së kësaj monografie, personazhi, tashmë dhe autor, Avni Xh. Behluli kërkueshëm ndjek vijimësinë e ngjarjeve, që stisë këtu dhe sjell të dhëna e dëshmi, për të mos munguar, pothuajse bëmat më relevante, të cilat do t`i pasqyrojë  sa më bindshëm përmes tekstit të shkruar dhe të ilustruar. Padyshim, po të bënim baraspeshimin e diskursit shkrimor me ilustrimet, peshorja dukshëm do të anonte kahes së ilustrimeve. Gjithsesi, autori nuk ishte pa përvojë për bërje të librit, ngaqë më parë kishte nxjerr një vëllim libri nga publicistika historike, monografinë “Breznica në rrjedh kohe”, me firmën e shtëpisë botuese “Sogjetime”, redaktuar nga studiuesi, poeti e publicisti Shefik Shkodra.

Po ashtu, edhe ky publikim ka firmën e të njëjtës shtëpi. Në këtë kontekst, autorit i parashtrohej natyra e lëndës, që si e tillë ia lypte rendin e shtrirjes së dëshmive të dukshme, të ndodhura e të përtrollitur, të prekshme, të besueshme dhe krejtësisht konkrete. Lënda e një përcaktimi kësisoj, për shënimin e jubileut dhjetëvjeçarë të shkollës së dytë të arteve pamore në Kosovë, për periudhën kohore të funksionimit shkollor: 2012-2022,  përjashton çdo përsiatje tjetër teorike.

Duke qenë i vetëdijshëm, qoftë si njëri nga nismëtarët e pa-zmbrapsur, me vullnet të admirueshëm për shtruarjen dhe përmbushjen e projektit madhor, për arsimin e profilizuar të kësaj treve të Kosovës, qoftë për ndërmarrjen e rolit vetjak të shtytjeve të këshillit nismëtar, Avni Xh. Behluli u shndërrua në një personazh ngërthesash e përjetimesh, sprovash e ecejakesh… Nga personazhi i drejtpërdrejt, tashmë frymon si autor i bëmave, që rikthen në këtë libër rendin e shtruarjes së fakteve gjatë rrjedhës kronologjike për arritjen e qëllimit të paravënë.

Dihet: libri i çfarëdo karakteri qoftë, nuk mund të jetë tërësisht vepër vetjake pa pleksjet jashtë subjektit autorial. Doemos autorit i përket përgjegjësia parësore për ngritjen e librit në vlerë të qëndrueshme ose të rrëshqitshme. Mirëpo, le të më lejohet të reflektoj për praktikën e botimeve tona, për kriteret themelore që përcaktojnë cilësinë e akëcilit libër. Jashtë përgjegjësisë për hetimin e vlerave ose të mangësive, për bërje të librit libër i mirëfilltë, nuk mund të abstragohen redaktori, recensuesi, as shtëpia botuese.

Në funksion të forcimit të stilit dokumentar, madje renditja dokumentare e përshkon tërësinë e kësaj monografie për shkollën e Arteve Pamore në Gjilan. Autori, pos rreth pesëdhjetë faqesh të domosdoshme tekst të shkruar, hapësirës së këtij libri prej 227 faqesh, i formatit 24 cm, i duhej stisur edhe me 58 faksimile, 74 foto kolektive, 99 portrete arsimtarësh, 61 pasqyra tabelore, 3 pikura, një pikturë murale, një varg mirënjohjesh, artikuj të gazetave, shkresa zyrtare, pllakate, katalogë ekspozitash, deri tek fotoja e pamjes përfundimtare të objektit të plotë të shkollës së re të Arteve Pamore.

Sipas kënd-vështrimit tim, ndoshta për profilin që përfaqëson, këtij libri do t`i sillnin joshje e freski, më shumë pamje pikturash, vizatimesh figurative origjinale, grafika e të ngjashme. E kuptoj autorin, do t`i shtohej vëllimi librit, kundruall logjikës statistikore: ilustrimeve grafike, datave, procesverbaleve, shkresave zyrtare, vijave tabelore, pllakateve… Me një fjalë, haset përballja  me strukturën e thatë të stilit dokumentar, por i domosdoshëm për njëmendësi të saktësisë, për ngjarjet dhe të ndodhurat.

Si përçohet e vërteta në këtë libër monografie? Qasja e autorit ndaj të vërtetës është e drejtpërdrejt, pa ekuivokë. Si? Pikërisht kështu, sikurse shtjellohet fillim e mbarim. Ngaqë “njeti” i qëllimit ishte i çiltër, ngërthesa e brendshme mëtoi zbërthimin qëllim-mirë, gjatë gjithë ecejakeve shquhej vullneti thellësisht iluminist; gjithnjë në interes të së përgjithshmes arsimore, të profilizimit profesional.

Trajtimi i lëshimit të ndonjë imtësie në këtë vepër të karakterit dokumentar, për shkollën më të re në Gjilan, përkatësisht SHML e Arteve Pamore “Adem Kastrati”, do të na kthente në margjina të çështjes. Shprehur me nivelet e njohjes të teorisë së Blumit, do të merreshim me shkallën e parë të njohjes, që është niveli i përshkrimit të realitetit, pa depërtuar në dukuri. Kureshtjet e brezave të mëparshëm dhe  këtyre të tashëm, të cilët i përkisnin ose në vazhdimësi i përkasin këtij profilizimi arsimor figurativ, art-dizajnit, ose të zejtarisë artistike, duke ndjekur historikun e kësaj shkolle, mund të identifikohen me amplitudat e rrjedhave të ngrit-rënieve, të trazimeve për mospasje a legjitimimin e shtëpisë tyre me instrumentet themelore përkatëse profesionale.

Personazhi që parashtronte arritjen e rrethanave gjeografike për hapjen e shkollës së arteve pamore në Gjilan, kishte parasysh mundësinë e kuadrove profesionale, gjeografinë e Pellgut të Moravës së Binçës, Gjilanin dhe Luginën e Preshevës e rrethin e Kumanovës.  Pas arritjes së idesë jetike, të prekshme dhe të ndjeshme, për hapjen dhe bërjen e shkollës së profilizuar në këtë mjedis urban, tash si autor, profesor Avni Xh. Behluli, më tepër se asnjëherë, ka arsye të ndjehet i përmbushur, i gëzuar dhe krenar me të gjithë njerëzit vullnet-mirë, të veshur me pushtet ose pa pushtet.

ECEJAKET E KËSHILLIT NISMËTAR

“Shoqata e Artistëve Figurativë e Gjilanit”, kauzë për agjendën e saj, kishin këto projekte kapitale: të themelojë një shkollë të mesme profesionale publike të artit figurativ, një Galeri të Arteve  dhe një Fakultet të Arteve ose njësi e Universitetit të Prishtinës në Gjilan. Me qëllimin largpamës, që të rinjtë e talentuar të regjionit të Pellgut të Moravës, të ushtrojnë zejen e artit në një shkollë profesionale të artit”[1]

Paragrafi i cituar në parathënie të monografisë, e shpërfaq qëllimin fisnik të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Gjilanit. Pra, nëpërmjet personazhit shpalohet shtjellimi i individit, i identifikuar me bartës  tjerë të qëllimit të përbashkët. Arritja në fundin e cakut, për personazhin bartës i idesë, nuk ishte një mision i pamundur. Ai besoi dhe fitoi. Andaj, më shumë se të tjerët, Ai nuk u step, nuk u dorëzua, nuk u ndal edhe kur u përbuz. Personazhi, që do të jetë autor, futet në peripeci. Si? Përherë me vullnet të pa zbehur, pa ngurruar për t`i shtruar morinë e kërkesave, ndjekjen e procedurave, të cilave me hezitime e dyshime, iu hapeshin dyert e zyrave vendim-prurësish.

Jo të gjithë nismëtarët i karakterizonte sedra e durimit, për t`iu shkuar procedurave burokratike deri në aktin e fundit shterues. Andaj, pikërisht kështu shquheshin tiparet e personazhit jo hezitues, këmbëngulësia, që i shtynte procedurat administrative, gjithnjë më tej, hap pas hapi, me gjithë dyshimet, zvarritjet, mosnjohjen e vetëdijshme a të pa vetëdijshme, tendencat shkurt-pamës për bartësit e projektit të pavarësimit dhe të mëvetësisë të Shkollës së Arteve Pamore, që kërkohej të funksionojë e pavarur dhe e plotë.

DORA INSTITUCIONALE

Personazhi dhe autori i dy ndërmarrjeve aspak të lehta: i shpirjes së idesë deri në përmbushje, për pavarësimin dhe themelimin në Gjilan i SHML e Arteve Pamore dhe, i bërjes së librit monografi po për shkollën e lart-cituar, Avni Behluli u ngarkua dhe u shkarkua nga dy role parësore në jetën e Tij krijuese.  Për ndërmarrjen e parë: kishte përkrahjen e pa rezervë të kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Qemajl Mustafa, të Drejtorisë Komunale të Arsimit, si dhe të zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës.

Për ndërmarrjen e dytë: publikimi i librit, iu financua nga Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport e Komunës së Gjilanit dhe familja e tij. Për të dyja këto ndërmarrje dhe për vendosmërinë e përmbylljes së tyre, nuk mbeti  pa dorën e shtrirë të institucioneve. Autori Avni Xh. Behluli u përket fatlumëve. Një lagje tjetër krijuesish nuk e patën fatin e dorës së shtrirë të institucioneve!

Diskursi i shtruar në këtë libër, nuk mund ta kishte rrjedhën e ngjarjeve, sikurse një lumë i rrafshit të qetë. Relievi i rrjedhës së karaktereve tona shpie në katarakte, në ngushtica e shpella egosh të ngushta; shtyrje për zmbrapsje qëllimesh sado fisnike qofshin.

Në vijimin e pohimeve, të cilat presin tumirje të kësaj lënde monografike, të mbyllur brenda kopertinave, logjikshëm kërkon shtegun e vet pyetja: monografia së cilës  po i qasemi është meritë, kompetencë individuale ose rrumbullakim kolektiv nëpërmjet një autori? Përgjigja ngërthehet në retorikën e pyetjes. Roli i autorit të kësaj monografie për ecurinë e hapjes të Shkollës së Arteve Pamore në Gjilan, është i dyfishtë.

Avni Xh. Behluli është njëri nga nismëtarët, por jo i vetmi, për projektin e admiruar të shkollës së arteve. Meritat për hapjen e këtij profili shkollor, autori nuk i mori për vete. Ai ritheksoi  rolin e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Gjilanit, këshillin nismëtar dhe nismën kolegjiale, që më 1995.

Krejtësisht natyrshëm në këtë publikim libri, autorit, duke qenë në thelbin e brendisë së ngjarjeve, që paraqiten në këtë libër, përse mos t`ia çmojmë edhe si një pleksje jetëshkrimore, pra, biografike praninë shpirtërore e fiziologjike të Tijën në librin që ka bërë? Ai ndërmori  rolin e bashkë-kolegëve dhe shpërfaqi devotshmëri për shndërrimin e idesë në diçka të mundshme, të dukshme, të prekshme, të vijueshme deri tek hyrja në oborr, në korridore, në klasa, ulja në karrige brenda një arkitekture të objektit shkollor bashkëkohorë.

Aktin e pavarësimit të Shkollës së Mesme të Lartë e Arteve Pamore nga SHM e Bujqësisë “Arbëria”, autori i monografisë, të cilën po e përurojmë sot, e shprehu përmes një apostrofe thellësisht emocionale:

“Ishte dita më e lumtur e imja për plot 25 vite përvojë në arsim!”

Kemi ndjeshmëri dhe arsye të plotë, t`ia tumirim katarzën e një odisejade të sinqertë, personazhit dhe autorit të këtij libri dokumentar.

HESHTJA JO KURDOHERË ËSHTË NJË KAPAK I ARGJEND

Shkrimi i përmbledhur i një monografie, aq më tepër kur lënda e saj është e shtrirë, e shkapërderdhur gjithandej shtrirjes për rrokje të saj. Andaj, ngërthesat e lëndës akëcilin autor e shpijnë në kahe udhëkryqesh me shumë të panjohura dhe befasi. Shkrimtari që ndërmerr qasje për arritje të përmbledhjes të lëndës së parashtruar, nëpërmjet shtjellimit e strukturimit vetjak, njëkohësisht merr mbi vete dy përgjegjësi, ose dy aventura: rrezikun e mbetjeve fragmentare të esencave e ndonjë pakënaqësi objektive e subjektive dhe, guximin e një rrumbullakimi relativ. Rrëshqitjet mund të ndodhin në të dy anët e stomeve të lumit të rrëmbyer pas vërshimeve të realitetit të turbulluar.

Në monografinë për Shkollën e Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, Mr. Sc. Avni Behluli shmangu rutinën e mos pasqyrimit të kundërthënieve, të cilat në mjedisin e shfaqur nuk ishin mjaftueshëm të sinqerta. Si njëri nga libër-shkruesit, Ai nuk deshi të fshihej nën jorganin e heshtjes. Sipas këtij autori: jo çdo herë heshtja është kapak i argjend.

Përse përbuzej përpjekja për mëkëmbje, për pavarësimin dhe ngritjen e një shkolle të re simotër në kuadrin hapësinor, të atyre që i kishin objektet shkollore?! Pa e përgjithësuar logjikën e të ndodhurës, solidariteti aty-këtu paraqitej shpirt-ngushtë!

Këtu, në këtë kontekst, është për t`u nënvizuar pa-ngurruar mendësia e polarizimit të njërit grupim kundrejt tjetrit, madje për habi: brenda këshillit nismëtar të ndërmarrjes me përfundim faqe-bardhë! Tek ne përsëritet sindroma jonë e pashëruar e psikologjisë për dalje me çdo kusht i pari! Unë i pari! Jo, po unë i pari! Unë i pari: ndryshe le të rrënohet gjithçka?! Përderisa vepra i përket vetëm lexuesit…

PORTRETI ARTISTIK I AVNI XH. BEHLULIT

Avn Xh. Behluli karakterizohet si një mësimdhënës skulptor e piktor i talentuar, personalitet i afrueshëm dhe prore veprues e motivues. Ai i kontribuoi shkollës të sipër-theksuar, herë si koordinator, herët tjera në pozitën e drejtuesit, duke dhënë për brezat e nxënësve më të mirën, për t`u profilizuar ata anë e kënd institucioneve shqip-folëse dhe, gjetiu në Evropë e më gjerë.

Le të nënvizojmë këtu veçantinë e profesor Avni Xh. Behlulit, që prirja, talenti, durimi dhe filozofia e Tij krijuese në skulpturë e pikturë, na bën nder, duke na përfaqësuar denjësisht në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare dhe në galeritë e arteve të pikturës e skulpturës, gjithandej galerive më prestigjioze në botë. Si i tillë, piktori dhe skulptori Mr. Sc. Avni Behluli, vazhdimisht stoliset me mirënjohje e medalje të çmuara.

NË VEND TË PËRMBYLLJES

Kësaj vepre monografike mund t`i gjenden të meta dhe ndonjë mangësi; por njëkohësisht e vlen t`i sugjerohen shmangia e gabimeve, për kapje të ndryshme brenda strukturimit, për saktësime konceptuare dhe, t`iu gjendet vendi plotësimeve eventuale në ribotimin e ardhshëm.

Autori prore duhet të jetë i hapur për çdo prurje…

Gjilan, më 10 dhjetor 2022


[1] Avni Xh. Behluli: Shkolla e Mesme e Lartë  e Arteve Pamore”, “Adem Kastrati” në Gjilan: 2012-2022; SHB “Sogjetime”, Gjilan, 2022, f. 3

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.