PAR-TITO-KRACIZMI POLITIK ME PARAVEPRIME DHE NGJYRA PLURI-PAR-TITISTE

0
551

Isuf B. Bajrami
Në Kosovë mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla-kosovarçe.
Pluripartitizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i par-tito-kracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës.
Një nga tiparet universale të pluri-par-titistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluri-par-titiste.
Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Par-tito-kracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të par-tito-kracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në par-tito-kraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i par-tito-kracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!!
Këtu batuta për shkërdhato-kracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-hrushqoviano-titiste .
Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluri-par-tito-kracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.
Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluri-par-tito-kracisë post totalitare komuniste.
Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.
Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.
Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.
Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizimi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor.
Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.
Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të akt-veprimeve politike. Arsyetimi i akt-veprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (tele-politikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.
Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.
Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.
Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe tele-publikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit.
Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe tele-politikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politik-bërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një tele-publik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektual-izma, simbole, fraza jo-substanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.
Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës tele-politikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje.
Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku.
Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.
Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike para-demokratike.
Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here