Njihni Mis Bjeshkën: Kush tha që të bukurat nuk mësojnë në shkollë?

0
575

Entela Resuli, Dita11 gusht 2016

Kur vendosa të takojë Miss Bjeshkën e këtij viti, mendoja se ajo që do të më vinte në takim, nuk do të ishte shumë larg asaj vajzës që kisha parë në fotografi këto ditë në rrjetet sociale. Xhubleta i ka hije sa më s’ka, por e veshur sport duket tjetër njeri. Tiparet e theksuara, buzët mishtore, sytë e thellë bëjnë që të tjerët të kthejnë kokën kur ajo kalon. Olimpia Smajlaj, 22 vjeç, një javë më parë u zgjodh më e bukura e Bjeshkëve të Kelmendit.

Ne kërkuam të flasim Olimpian e cila përtej xhubletës, ka shumë për të treguar.

Vajza e lindur në Shkodër sapo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Biologji. Mesatarja 9.2! Kush tha që të bukurat nuk mësojnë?!

Ndërkohë pasioni i saj është muzika. Ajo është pjesëtare e një grupi rrok si vokaliste.

Më e bukura e Bjeshkëve nuk është ajo vajza malësore, e ndrojtur, por është një e re rebele, me plot ëndrra për jetën dhe mbi të gjitha ambicioze.

Në këtë intervistë për Dita-n, bukuroshja e Kelmendit, me pirsing në hundë, rrëfehet për veten, çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk duron në realitetin shqiptar.

Olimpia, emër interesant, ka një histori…?
Përveç historisë që mbart nga mitologjia madhështore greke, më shumë se kaq jo. Fundja çfarë më duhet më shumë sesa mali i perëndive dhe tempulli/faltorja, që gjendet akoma sot në Peloponez?

Ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria për ty?
Kam lindur në Shkodër. Fëmijëria ka qenë realisht e lumtur, shumë dinamike do të thosha, ku pjesa që adhuroj në veçanti janë librat, si ato që na sugjeronte mami të lexuara nga ajo kur ishte sa ne, si ato që na sillte babi çdo javë, (nga një për secilën motër), gjëja që besoj ka venë themelet e njohurive të mija sot dhe pasionit për të ekspansionuar njohuritë e mia në çdo fushë, në vazhdimësi.

Olimpia Smajlaj – Miss Bjeshka 2016

Çfarë mbani mend më shumë nga ajo kohë?
Mbaj mend që isha një fëmijë shumë i lëvizshëm, dhe thuajse i poshtër (qesh), dhe tepër, tepër kurioze për gjithçka. Ndoshta motra ma kalonte pak te kjo pjesë, por gjithsesi unë duhej të dija, gjithçka, përse dhe si. E lodhshme pak ë?

Cila është marrëdhënia juaj me vendlindjen dhe traditat e asaj zone?
Edhe pse kam lindur në Shkodër dhe gjithashtu rritur e arsimuar deri në shkollën e lartë aty, por origjina ime është nga Malësia, meqë prindërit atje kanë lindur, kam dhe ca rrënjë malazeze nga stërgjyshërit nga babai. Traditat kanë qenë gjithmonë diçka shumë fisnike, madhështore për kulturën e këtyre trojeve të cilat më dukeshin si përpjekje për të mbajtur gjallë Eposin, sikur i jepnin jetë atij. Kjo më ka bërë që çdo vit me prindërit ta ndiqnim Logun e Bjeshkëve, që kur isha shumë e vogël, duke kaluar edhe një copëz të pushimeve atje.

– … Dhe erdhi një ditë kur ju u zgjodhët më e bukura e Logut të Bjeshkëve. Pse morët pjesë në këtë konkurs bukurie?
Pavarësisht se konkurset e bukurisë nuk kanë qenë asnjëherë qëllim i imi, ky ishte shumë më ndryshe nga ata, arsyeja dhe pse e kam konsideruar. U inspirova pak edhe nga motra që mori pjesë dy vite me parë dhe gjithashtu fitoi. Përse të mos provoj ndjesinë e të pasurit mbi trup një veshje epike si Xhubleta që nuk gjendet kund tjetër mbi dhe? Me këtë pjesëmarrje unë më në fund mund të jepja kontributin tim në ruajtjen e traditës, pra ishte shumë më tepër se thjesht një kompeticion, për mua.

Si u ndjeve nga ky çmim?
U ndjeva si Nora (e Kelmendit).

Ke përfunduar studimet për Biologji apo jo? Pse keni zgjedhur këtë degë?
E zgjodha sepse kjo degë përshtatej më së miri me dy elemente themelore të karakterit tim: Dëshira për të kuptuar në bërthamë dhe përgjigja e një sërë pyetjeve që më kanë zgjuar kureshtje gjithmonë (si funksionon trupi ynë, si evoluam për t’u bërë këto “makineri” thuajse perfekte etj.) Dhe gjithashtu dashurinë që kam për natyrën, të gjitha gjallesat e saj, që nga arket dhe bakteret e deri tek njerëzit. Ok, njerëzit më pak (qesh)! Sepse në çdo element natyra nuk resht së më magjepsuri me mekanizmat që zgjedh për të mbijetuar dhe ta ruajë veten në kohë.

Po tani me se merreni?
Për momentin, po vazhdoj leximin e librave që i kam vënë vetes qellim për këto pushime, dhe përfundoj kursin e praktikës së makinës. Sapo fitojmë ndonjë fundjavë lirshëm, lëvizim në ndonjë plazh të Shqipërisë.

Je një biologe, por je edhe bukuroshe e certifikuar, ku do të orientohesh?
Prekursore e një biologeje në termin më të përgjithshëm, pasi kjo degë ofron një sërë specializimesh nga të cilat mund të rezultosh në një sërë profesionesh. Për momentin jam disi lirshëm, por me fillimin e vitit tjetër do të aplikoj për të vazhduar jashtë. Ndërkohë po presim me padurim hedhjen nëpër të gjitha portalet botërore të këngës së re të grupit tim muzikor Indigos, me 16 gusht nga kompania muzikore 360M.

Keni qenë një nxënëse e mirë apo…?
Kam qenë gjithmonë ndër nxënëset më të mira të klasës, po përpiqem të jem sa me modeste të jetë e mundur. Ne gjimnaz kam patur mesataren 9.86, ndërsa në përfundimin e Bachelorit, 9.23.

Cilat janë ambiciet e tua, ambiciet e një 22-vjeçareje?
Dua të shkollohem, do të doja të kisha më shumë kohë në dispozicion për të ditur më shumë për botën. Lexoj për psikologjinë analitike nga njëra anë, por më vret që nga ana tjetër kam informacion shumë të vakët mbi kulturën e vendeve aziatike. Ajo çka kam nevojë dhe që duhet të realizoj me çdo kusht, si një nga qëllimet e mia më të mëdha, është një udhëtim rreth botës, jo klishe. Por një udhëtim real, për të cilën edhe të raportoj gjithçka mësova dhe pashë të re me shkrim, video dhe foto. Gjithashtu do të doja që të përhapja muzikën time sa më shumë, të gjejmë njerëz që të kuptojnë për çfarë e shkruajmë atë, dhe të krijojmë jehonë, pasi muzika jonë nuk është komerciale, gjë që mendoj i duhet botës.

Olimpia Smajlaj

Shumë të rinj janë pasivë në vendin tonë, duan të ikin, a ka diçka që të bezdis më shumë në këtë vend, çfarë nuk duron dot?
Mungesa e theksuar e nxitjes së brendshme apo edhe të jashtme të të rinjve për të qenë aktivë, revoltues, guximtarë. Kur ke një rini e cila ndjek hapat e të vjetrës nuk mund të pretendohet reformim i vendit, dhe aq më pak progres. Gjithashtu duhet të shkulet me rrënjë shoqëria patriarkale, që akoma i mban nën tutelë njerëzit, madje edhe vetë gratë të cilat gjithashtu nënvlerësojnë rolin e tyre në shoqëri, të mësuara nga vetë shoqëria kështu. Kjo duhet ndryshuar më çdo kusht! (nuk të lë mentaliteti turqeliko-islamik – shënimi im AÇ)

Je ndjerë ndonjëherë në qendër të vëmendjes për shkak të bukurisë dhe pamjes së jashtme?
Ndoshta tingëlloj jo modeste, por që kur kam kaluar në adoleshencë, kam pasur gjithmonë vëmendje. Gjithsesi nuk është më e aq bezdisshme kur mësohesh.

Le të kalojmë te disa pyetje të tjera, nëse lumturia do të ishte monedha kombëtare, çfarë lloj pune do t’ju bënte të pasur?
Pyetje interesante! Mendoj se këngëtare, muzika është gjuha e shpirtit tim. Por paralelisht me të edhe zbulimi i pak më shumë se ç’dihet deri tani për trurin e njeriut.

A jeni duke bërë atë që besoni, apo thjesht po përshtateni me atë që po bëni?
Jam në një rrugë ku ndihem rehat me gjërat që po mësoj, dhe që jam e lumtur që më në fund po i mësoj, duke i lejuar vetes njëkohësisht të merrem edhe me pasionet e mia. Realisht shpresoj, të jem aq me fat edhe në të ardhmen dhe të kem mundësinë të bëj gjerat që dua, duke mos përfunduar duke u përshtatur.

Nëse jetëgjatësia mesatare do të ishte 40 vjet, si do e jetonit ndryshe jetën tuaj?
Më mbeten dhe 19 vjet për të ‘planifikuar’ i bie! Me laps e letër, plan paraprak, çdo gjë e analizuar me kujdes, edhe matematikisht madje, dhe pastaj e paprekur me dorë që nga momenti i përpilimit të tij: Do të bëja gjithçka që të mos mbetesha pa përfunduar atë udhëtimin rreth botës, që do më përndjekë kudo që të shkoj pas vdekjes, nëse nuk e realizoj. Dhe do të mundohesha të këndoj më shpesh se ç’bëj!

A ju ka ndodhur të keni qenë me dikë, të mos keni thënë asgjë, dhe të jeni larguar me ndjesinë që keni patur bashkëbisedimin më të mirë?
Ndoshta bashkëbisedimin më të mire jo, por ka pasur raste kur kam patur një lloj kontakti me një të panjohur, pa shkëmbyer fjalë, që më ka mbetur goxha gjatë atë ditë në mendje, më ka bërë të mendoj.

Po të dinit që, të gjithë ata që njihni do të vdisnin nesër, kë do të vizitonit sot?
Shoqen e ngushtë në Beograd dhe prindërit, pasi unë dhe motra nuk do të vdesim kurrë.

Miss Bjeshka është… rok

A do të ishit gati ta ulnit me 10 vite jetëgjatësinë tuaj, për të qenë tejet tërheqës dhe i famshëm?
Jo, është realisht shumë e lehtë për t’i pasur këto dy të fundit. Ndërsa vitet jetë nuk t’i jep njeri plus, imagjino t’i shkurtosh dhe ato që mund të kesh.

Nëse ne mësojmë nga gabimet, përse kemi gjithmonë frikë se mos gabojmë?
Sepse gabimi i radhës mbetet diçka e re. Njeriu ka tendencën t’i druhet të resë.

Çfarë do të bënit ndryshe, po ta dinit se askush nuk do ju gjykonte?
Unë kam bërë goxha gjëra për të cilat jam gjykuar edhe në një botë paragjykuese. Pra jam aty ku do të isha edhe në atë botë paralele.

Shënim: Pyetjet e fundit disi nekrofile, e habitshme, pse kështu nga gazetarja? /AÇ

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here