NJË LETËR SHOQËRORE MIKUT TË VJETËR PANDELI MAJKO

0
18

I nderuar z. Majko!

Kanë kaluar dy dekada që kur jemi ndarë, megjithëse kur ishe kryeministër do të shkëputeshe nga kreu i sallës së Ambasadës sonë në Athinë për të më gjetur mes njerëzve e për tu përqafuar, çka më bind se nuk më ke harruar edhe pse formacioni juaj politik e ka harruar gazetarin e vet në Dibër që u përgjak për fjalën e lirë dhe u detyrua të ikte për t’i shpëtuar dhunës dhe kërcënimeve me linçim e rrëmbime të familjes.

Do të desha të bisedonim nga afër për ato gjera që lidhen me mërgatën shqiptare në Greqi, përvojë 21 vjeçare e ngrirë në shtatë libra dhe në qindra shkrime. Mbase do të takohemi ndonjë ditë, megjithatë do të ftoja që të shkosh në panairin e librit dhe të takohesh me botuesin tim Bujar Karoshi të shtëpisë botuese “m&b” për të marrë një pako me libra që mbase ju krijojnë një hapësirë më të gjerë njohëse për mërgatën shqiptare në Greqi (dhe më gjerë) dhe në veçanti për mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe, (në katër vëllime), me më të fundit (por jo i fundit) “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”. Për këtë temë, për “Mësuesit vullnetarë të shqipes, Rilindësit e kohës sonë”, pagëzuar me këtë emër nga Dritëro Agolli, mbase do të desha të takoheshim në Kuvend kur më në fund do të hartohet një ligj i veçantë për Ta për t’i mbrojtur, inkurajuar, shpërblyer, vlerësuar…

Një bibliotekë me libra të mërgimtarëve mbase do të ishte një burim i gjerë informacioni për Ju e për ndihmësit tuaj për të njohur mërgatën e për të hyrë në një botë shqiptarësh të lënë mënjanë, botë që e kujtoni vetëm nëpërmjet postimeve të parave (remitancave).
Ju ndjek nëpër faqe gazetash e portalesh kur prononcohesh për “diasporën” megjithëse unë nuk e ndjej veten pjesë e saj sepse jam thjesht një mërgimtar me pasaportë e letërnjoftim shqiptar me të drejta kushtetuese si të gjithë shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë. Diaspora (farë e shpërndarë) për mua është tjetër gjë e tjetër temë.

Ju po flisni në daljet publike gjithnjë për “votimin e diasporës”, a thua se vota jonë është zgjidhje për të gjithë ato probleme që ne kemi e që shteti ynë as ka pyetur dhe kam frikë as do të pyesë edhe në të ardhmen.
Në dhjetor 2015 kryeministri Rama deklaronte: “Me këtë projektligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh, si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij.

Më 19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…”.

I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” parashikonte që brenda 6 muajve emigrantët të japin adresat ku jetojnë.
Jam interesuar si qytetar dhe si gazetar për ecurinë e regjistrimit. Kam pyetur edhe ambasadorin tonë në Athinë. Po bëhen dy vjet dhe asnjë emigrant nuk është regjistruar. ASNJË.

Ndërkohë Kosova, shteti më i ri në botë (qytetar i së cilës jeni edhe Ju) e filloi dhe e mbaroi brenda një kohe shumë të shkurtër.
Tash ju po flisni për “votën e diasporës”. Ju pyes: A ka votim pa lista votuesish, pa adresa dhe identitet të secilit?
Në Shqipëri sherri më i madh në çdo votim bëhet për “listat e votuesve”.

Ju jepni disa variante se si mërgimtari do ta përdorë “votën e tij”. Asnjë variant nuk më ngroh. Veçanërisht më ftoh e më bën “kallkan” varianti “me postë” shoqëruar me një kosto prej 25 eurosh për secilin votues. Kjo më nxit të mendoj paksa shtrembër e të them “Akoma nuk u ngopët tash 27 vjet me paratë e emigrantëve?”

Në qoftë se e kam gabim atëherë më thoni si vepruan kosovarët jashtë Kosove në zgjedhjet e fundit Kuvendare? Sa paguan dhe si i paguan? Të më thoni se si votojnë qytetarët amerikanë jashtë Amerike dhe sa paguajnë për njohjen e votës së tyre?

Ju flisni edhe për “paraqitje në selitë diplomatike shqiptare… ku procesi do të bëhet njësoj si brenda vendit…”
Sipas këtij deklarimi në Greqi votimi do të bëhet në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë dhe në konsullatat në Selanik dhe në Janinë.
Ju pyes në se është e mundur që treqind mijë votues në Athinë dhe dyqind mijë votues në Selanik mund të votojnë në Ambasadë apo Konsullatë në një ditë të vetme?

Po dhjetëra e qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Kretë, Rodos, Cikladhes. Dhodhekanisies… në hapësira të mëdha tokësore e detare, si do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.

Po dhjetëra mijëra emigrantë “pa dokumente, pa shtëpi e adresë, pa leje qëndrimi…” si dhe ku duhet të votojnë?
Po dhjetëra mijëra mërgimtarë që nuk dinë të përdorin kompjuterin, si dhe kush do t’i drejtojë në votime?
Dhe i gjithë ky proces pa regjistrim me adresë të plotë të secilit mërgimtar, pa listë zgjedhore, pa një infrastrukturë votimi.
Mendimi im është që ta lini për më vonë “votimin e diasporës”. Nuk është e ngutshme, pret edhe për të paktën tre vjet.

Filloni regjistrimin e mërgimtarëve kudo që janë. I ftoni në adresat tuaja elektronike të paraqesin problemet që kanë dhe i zgjidhni ato. Njihni ligjërisht mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në mërgatë duke i bërë pjesë të amzës si gjithë mësuesit në Shqipëri, i paguani për aq punë sa bëjnë, i vlerësoni me dekorata e me shpërblime të tjera morale (pse jo edhe materiale). Ata po bëjnë atë që e kanë bërë vetëm Rilindësit e Mëdhenj të Kombit Shqiptar në kapërcim të shekujve XIX dhe XX.

Bëni që shtetet ku punojnë dhe jetojnë të njohin të drejtën e pensioneve, bashkimit të kontributeve në Shqipëri e në mërgim, njohjen e patentave. Merrni edhe ju parasysh me ligj kontributet e qytetarëve tuaj në mërgim dhe jepuni pension të plotë.
Për herë të parë në Greqi, në takimin midis dy ministrave të punëve të jashtme këtë fund javë u fol për “vulën apostile” mungesa e së cilës në dokumentet tona na ka “këput kurrizin”. Vetëm në aplikimin e fundit nga OGA në Greqi konsullatat greke kanë marrë mbi 3 milionë euro, aplikim i cili doli një “flluskë sapuni”.

Mund të vazhdoj edhe me të tjerë “halle” i nderuar z. Ministër. Janë shumë dhe nuk i nxë një “letër shoqërore”. Duhet të vini këtu apo mbase të krijoni një strukturë informacioni në detaje që emigrantët tash e tutje të kenë besim tek institucioni i ri, institucion që duhet të shndërrohet në një përfaqësi të gjerë e të besueshme për NJË TË TRETËN e nënshtetasve shqiptarë, aktualisht në mërgatë.
Dhe mos harroni dy nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që lidhen me ne mërgimtarët shqiptarë…

Neni 8
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Neni 57
Kushdo ka të drejtë për arsim.

Jemi shumë ne z. Ministër, shumë. Jemi ndërtuesit e vërtetë të Shqipërisë së sotme. Jam krenar që edhe unë, tash 77 vjeç, kam një “tullë” lidhur me llaç gatuar me djersë në vendin tim…

Me respekt,
Abdurahim Ashiku
Gazetar
Athinë, 12 nëntor 2017

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here