Një jetë me “Rilindja Demokratike”

0
396

Dr. Fatmir Terziu

Plaku që mbahej fort pas Rrapit të moçëm të Bezistanit, në sheshin qendror të Elbasanit, dukej sikur shkulte me tërë forcën e tij inatin që kishte nga brenda vetes për të arritur në krye të turmës së madhe që shtohej e shtohej për të blerë gazetën e vetme të lirë pas disa vitesh. Ai ishte Kristo Mema, njeriu që kishte ëndërruar këtë ditë, pikërisht 5 Janarin e vitit 1991, ditën kur doli në qarkullim numri i parë i gazetës Rilindja Demokratike, gazeta e parë e lirë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, kishte ëndërruar vite të tëra nga errësira e burgjeve të diktaturës.

Dhe ja pas disa minutave, gazeta e parë “Rilindja Demokratike” ishte më në fund në duart e tij… Duart i dridheshin dhe lotët bënin punën e tyre. Por më në fund u afrua më ngadalë dhe foli: “Është nder ta kem sot këtë dhuratë nga Zoti në dorën time, pasi në këtë datë, por në një vit më të largët, 1876 lindi Konrad Adenauer, politikani gjerman, Kancelar i Gjermanisë që emrin e të cilit në vitin 1967 e pashë për herë të fundit në dosjet e hetuesisë së egër, kur më thoshin se pse duhej të “zhgarravisja e të hamendësoja emra gjermanësh të tillë”.

Dhe kaq u desh që errësira dhe drita që më vinte nga emra të tillë të demokracisë dhe lirisë të bëheshin një kalvar i gjatë. Por sot e shoh ndryshe. E lexoj ndryshe këtë shpresë që vjen nga fundi i një errësire të gjatë… Pastaj në një bisedë të gjatë me Lul Mirakun, Aqif Selimin dhe më tej me Emin Haxhiademin, Tomor Kazazin biseda shkoi në një kënd tjetër. Atë ditë ishte Ditëlindja e shtypit të Lirë dhe “Rilindja Demokratike”, “fëmija” i sapolidur, kërkohej dhe u kërkua gjatë e gjatë, që gjithkush ta kishte në dorë, ta përkëdhelte e të përshpirtej me të…

Atë vit isha një ndër ata që nga larg do të bëhesha pjesë e gëzimit të një udhe të gjatë, një udhe që e kërkonte vetë liria e fjalës së lirë… Dhe ashtu ndodhi mjaft shpejt u gjenda në radhët e kësaj gazete, në radhët e së cilës, kalova vite e vite me një përkushtim e ndershmëri, aq sa kolegët, drejtuesit dhe tërë ata që kishin në gjak këtë gazetë, do të shumëzonin urimin e Gazetarit më të mirë të kësaj gazete në një vit mjaft të rrëndësishëm, në një vit sikur ishte viti 1996-të. Dhe puna e përkushtimi më shtuan akoma më shumë të ndjej dashurinë për shkrimin e më së shumti të ndjej lotët që më dukej se më shoqëronin tërë ato vite, kur udhëtoja në të gjitha pjesët e Atdheut, ku më dukej se më shoqëronin ato lotë të Kristo Memës dhe përvuajtësve të tjerë të diktaturës…, që kërkonin të ktheheshin në diamante jete, në shpresa jete.

(Vazhdon…)

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here