NË LDK ËSHTË INSTALUAR NJË DIKTATURË E CILA EDHE SHPIFJEN DHE RRENËN MUNDOHET TA SHES SI TË VËRTETË

1
482

Reagim publik drejtuar:
Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ),
Avokatit të Popullit në Kosovë,
Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK),
Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK),
Prokurorit të shtetit të Republikës së Kosovës,
Organeve të drejtësisë në Republikën e Kosovës,
Prokurorit të EULEX,
Organizatave të ndryshme ndërkombëtare,
Ambasadave të SHBA, Gjermanisë, Anglisë dhe Zvicrës,
Përfaqësuesve diplomatik në Republikën e Kosovës,
Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian z. Samuel Žbogar.
Organizatave Joqeveritare që kryesisht merren me mbrojtjen e të drejtave të autorëve dhe personaliteteve publike.
Të gjitha mediave të shkruara dhe elektronike si dhe TV-ve në Republikën e Kosovës.

Lënda: Deklarata e Kryesisë së LDK-së në Prishtinë, (07 shkurt 2016), me titulli: “LDK: Dibrani nuk e përfaqëson degën e LDK-së në Zvicër”. Koha.net

NË LDK ËSHTË INSTALUAR NJË DIKTATURË E CILA EDHE SHPIFJEN DHE RRENËN MUNDOHET TA SHES SI TË VËRTETË

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Më datën 7 shkurt 2016, mediat e shkruara, portalet e internetit, rrjetet sociale, televizioni publik RTK dhe disa televizione private, kanë vërshuar me një deklaratë të Kryesisë së LDK-së në Kosovë, ku thuhet se: “Dibrani nuk e përfaqëson degën e LDK-së në Zvicër”, e cila esencialisht është shpifje dhe gënjeshtër e kulluar që duhet të kualifikohet si vepër penale. Mëkatit të tyre nuk duhet me i shpëtuar as mediat e shkruara të cilat njëanshëm e kanë publikuar këtë rrenë dhe këtë shpifje prej më të ulëtave që mund t’i lëshojnë institucionet politike dhe shtetërore në Kosovë, kundër individit dhe kundër bashkatdhetarëve tanë në diasporë. Por pse mediat e shkruara dhe TV-të, kanë marr rolin ekzekutues, linçues dhe pushkatues ndaj figurave të njohura publike, të cilat janë të pastra dhe dinjitetshme të cilët nuk po i nënshtrohen mendësisë komuniste të Isa Mustafës dhe një klani të ngushtë të cilët e kanë kapur LDK-në, askush nuk mund ta shpjegojë, por përgjegjësisë morale dhe profesionale nuk mund t’i ikin askush.
Publikimi i deklaratave të rrejshme, pa asnjë kriter profesional, madje duke shkelur kodin e gazetarisë për fjalën publike, është një vepër penale me të cilën duhet të merren organet përkatëse, kurse zërin e ndërgjegjes për këtë dhunë publike duhet ta shprehin edhe organizatat dhe asociacionet përkatëse, sepse kudo krijimi i hapësirës për një shpifje është e dënueshme dhe e papranueshme në botën e qytetëruar, pra fjala është për shpifësit dhe përhapësit e dezinformatave.
Deklarata e Kryesisë Qendrore të LDK-së në Prishtinë është shpifje dhe rren e kulluar e cila e implikon drejtpërdrejt edhe z. Isa Mustafa, i cili është me gradën akademik dhe me postin politik, kryetar i LDK-së dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, i cili edhe pse kaloi një javë po hesht, kurse edhe vet ai e dinë se heshtja është miratim.
Reagim i Kryesisë së LDK-së në Prishtinë vinte si kundërvënie deklaratës publike të Degës së LDK-së në Zvicër të datës 06.02.2016, „LDK e Zvicrës: Jo zgjedhja e Hashim Thaçit me votat e LDK-së“, http://koha.net/?id=27&l=97270 , dhe të disa reagimeve që kanë pasuar nga nëndegët e shumta të LDK-së në Zvicër. Në këtë reagim i cili është nën çdo nivel kërkohej me emër dhe mbiemër, linçimi dhe pushkatimi i shkrimtarit dhe publicistit Shefqet Dibrani, i cili është edhe kryetar legjitim i Degës së LDK-së në Zvicër, duke ia atribuuar atij fajin për tërë pakënaqësinë e krijuar publike në Kosovë dhe së këndejmi edhe në Degën e LDK-së në Zvicër, si dhe për ngecjet e gjithanshme politike në Kosovë.
Personalisht nuk kam besuar se mund të jetë reagim i z. Isa Mustafa, pasi në aspektin profesional, gjuhësor e kulturor kjo deklaratë është nën çdo nivel ku padyshim përfaqësojnë edhe nivelin intelektual të individit dhe shoqërisë, ndonëse tashmë të gjithë e dimë se z. Isa Mustafa nuk ka nivel intelektual karshi titujve e gradave që i posedon. Nëse flasim për vlerë të nivelit profesional dhe akademik, atë e gjejmë në deklaratën e Degës së LDK-së në Zvicër (06.02.2016), por jo edhe në reagimin e Kryesisë Qendrore të LDK-së, në Prishtinë, e cila s’ka rëndësi nëse është shkruar nga kryesia apo nga vet akademik Isa Mustafa, i cili me heshtjen e tij ka miratuar një deklaratë të tillë aq të shëmtuar, madje me shpifje klasike që ngërthen në vete një vepër penale, në aspektin juridik.
Deklaratat e tilla publike përdhosin sloganin se “LDK është parti e vlerave”, ndërsa vlera e kësaj deklarate mbetet për t’u dëshiruar. Së këndejmi, kohë më par Kryetari i LDK-së Isa Mustafa i cili është edhe kryeministër i Kosovës, është ankuar se ia paskan thyer kodin e identifikimit në rrjetin social FB, dhe dikush pa leje paska shkruar në emër të tij, duke përdor fjalor vulgar, pervers dhe fyes, për çka Isa Mustafa u detyrua për ta mbyllur për një kohë profilin e tij në këtë rrjet social. Fillimisht kam menduar se edhe kjo deklaratë kundër meje ishte bërë pa lejen e tij, por heshtja që z. Isa Mustafa ia bënë kësaj deklarate e vë atë para përgjegjësisë morale, politike dhe penale.
Pavarësisht se kush është autori, Isa Mustafa apo Kryesia Qendrore e LDK-së, del në pah gjykimi me standarde të dyfishta, sepse edhe deklaratat e nëndegëve dhe ajo e Degës së LDK-së në Zvicër, asnjëra prej tyre nuk ka qen deklaratë e Kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër z. Shefqet Dibrani, për çka është dashur ta kenë parasysh të gjitha mediat e shkruara dhe ato virtuale duke e përfshirë edhe televizionin publik RTK dhe televizionet private. Në rastin kur të botojnë shpifje dhe rrena, të paktën e kanë pasur si obligim profesional për ta lidhur me vjegëzën ku mund të lexohej edhe Deklarata e Degës së LDK-së në Zvicër, për të parë lexuesi se për çfarë bëhej fjalë.
Në këtë konflikt përjashtohet gazeta “Koha Ditore”, si dhe versioni i kësaj gazete në internet të cilat i kanë botuar me korrektësi dhe në mënyrë profesionale të dy deklaratat, pastaj nuk mund të akuzohet as gazeta “Kosova sot” pse paska qëndruar indiferent. Në këtë grup për etikë profesionale hynë “TV-RROKUM”, i cili në emisionin qendror të lajmeve ka transmetuar deklaratën në fjalë dhe prononcimin publik edhe të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, shkrimtarit Shefqet Dibrani, përkatësisht autorit të kësaj letre. Në këtë varg hyjnë edhe ato rrjete sociale që i kanë publikuar të dy deklaratat ashtu siç e do kodi gazetaresk, por pjesa dërmuese e gazetave, gazetave elektronike, portaleve të internetit si dhe televizioni publik RTK dhe ai TV-21 e kanë shkelur kodin gazetaresk duke publikuar në mënyrë të njëanshëm vetëm deklaratën e Kryesisë Qendrore të LDK-së, e cila në planin politik tingëllonte sikur vinte nga Koreja Veriore, ku thërriste linçim dhe bojkotim të individit dhe shkrimtarit.
Me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, por veçmas pas Kuvendit të VIII-të, LDK-ja është shndërruar në një parti diktatoriale që nuk njeh votën e lirë dhe nuk duron zgjedhjen në poste udhëheqëse nëpër degë dhe nëndegë të personaliteteve që mund të kenë mendim ndryshe nga kryetari dhe kryesia e LDK-së e cila haptas e ka lënduar procesin e brendshëm zgjedhor. Tashmë në LDK, luftohet mendimi ndryshe dhe nga aty janë përjashtuar të gjithë intelektualët dhe familjarët e heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës si dhe dy degët e LDK-së në Diasporë. Pikërisht ato dy degë nga të cilat Isa Mustafa ka marrë rrogë, përkatësisht nga Fondi i 3%, të cilin e kanë paguar kryesisht anëtarët dhe veprimtarët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, prandaj kjo shpifje dhe kjo urrejtje ndaj diasporës nuk i bënë aspak nder një partie që për vite të tëra ka qen e konceptit afrues e mobilizues.
Sikur në të gjitha vendet demokratike në botën e qytetëruar, edhe Degët dhe Nëndegët e partisë mund të ushtrojnë të drejtën publike për t’u deklaruar për zgjedhjen e presidentit të vendit, ashtu siç e kanë shprehur Dega e LDK-së në Zvicër dhe pjesa dërmuesve e nëndegëve të LDK-së anë e kënd Zvicrës. Por në rastin konkret, veçmas pas vendimit të njëanshëm të kryesisë qendrore të LDK-së në Prishtinë dhe të vet z. Isa Mustafa, për të mos e njohur rezultatin zgjedhor në Degën e Zvicrës, Kryesia Qendrore e LDK-së është shquar për mënyrën diktatoriale të vendimeve vetëm përmes pamfleteve duke mohuar mundësinë e dialogut të brendshëm. Prandaj ky veprim është dashur të kritikohet ashpër nga mediat shqipe, dhe madje të bëhej ndërhyrje edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare për t’ia ndalur turrin e abuzimit me demokracinë dhe për t’ia pamundësuar atij shkeljet e mëtutjeshme ligjore dhe kushtetuese të cilat i ka bërë vazhdimisht, kurse avazi i tillë e solli në kolaps tërë Kosovën.
Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë dhe kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa duhet ta kenë të qartë dhe të dinë të dallojnë cila është deklaratë e kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, cila është deklaratë e Kryesisë së Degës dhe cila është deklaratë e Degës së LDK-së në Zvicër, të cilat esesncialisht dhe juridikisht kanë dallime të mëdha, prandaj Kryesia Qendrore ka bërë shkelje ligjore edhe në këtë aspekt duke atakuar publikisht Kryetarin e Degës së LDK-së i cili është shkrimtar dhe analist i zhvillimeve politike në Kosovë, veçmas pse ai ka kritikuar veprimet antidemokratike që i ka bërë z. Isa Mustafa dhe klani rreth tij.
Duhet ta dinë Kryesia e LDK-së në Prishtinë se Shefqet Dibrani ishte delegat nga Zvicra në Kuvendin e Dytë (1994) dhe të Tretë (1998), të LDK-së që janë mbajtur në Prishtinë, ishte në dy mandate anëtarë i kryesisë së Degës së LDK-së dhe kryetar i parë i nëndegës së LDK-së në St. Gallen, e në këto 25 vjet ka qenë edhe në një varg funksionesh të tjera, duke e bërë portretin e tij të pranueshëm dhe të padiskutueshëm. Ai, në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të Degës së LDK-së në Zvicër, në një konkurrencë të ashpër, edhe pse kishte përplot veprime të nëntokës nga njerëzit e Isa Mustafës ia doli në mënyrë transparente të zgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, për çka mendojmë se pikërisht ai përfaqëson traditën dhe kulturën e LDK-së, personalitetin e pakontestueshëm, por jo të zgjidhet kryetar pa kundër kandidat dhe me votën e hapur siç ka vepruar vet z. Isa Mustafa dhe shumë të tjerë nëpër degët e LDK-së në Kosovë, me ç’rast ata kanë lënduar dukshëm procesin zgjedhor brenda LDK-së duke abuzuar edhe me votën e zgjedhësve.
LDK-ja në Kosovë dhe të gjitha ato media publike është dashur të dallojnë deklaratat kolektive të grupeve qytetare dhe përfaqësuesve legjitim të degëve dhe nëndegëve dhe të mos bëjnë vepër penale duke ia atribuuar ato individit, sepse Shefqet Dibrani, si asnjë autor tjetër ka pasur guximin intelektual të bëjë komente e analiza personale pa pasur nevojë të fshehët pas subjektit politik, por duhet ta kemi të qartë se në të gjitha deklaratat e degës dhe të nëndegëve të LDK-së në Zvicër, e ka dëshmuar profesionalizmin e tij për të krijuar imazhin e vlerës si nocion dhe koncept politik të cilin është dashur ta dëshmojë më mirë se sa z. Dibrani edhe Kryesia e LDK-së në Prishtinë dhe vet z. Isa Mustafa, jo për konsumin publik, por për vet faktin se ka gradën e akademikut dhe prej sa vitesh merre edhe një pagë tjetër, përveç atë të kryeministrit, nga buxheti i varfër i Kosovës, përkatësisht nga taksapaguesit e Kosovës.
Dega e LDK-së dhe nëndegët e saj në Zvicër, së këndejmi edhe degët dhe nëndegët e LDK-së kudo në Kosovë dhe diasporë e gëzojnë të drejtën për të kërkuar nga Deputetet e LDK-së të cilët kanë pasur kontratë publike me zgjedhësit e tyre se në asnjë mënyrë nuk do të shkojnë në koalicion udhëheqës me PDK-në, prandaj nëse deputetet e LDK-së në parlamentin e Kosovës përfaqësojnë një parti institucionaliste dhe shtetformuese, nuk duhet t’i tradhtojnë idealët e zgjedhësve dhe duhet pikë për pikë të përmbushin vullnetin e tyre sepse ata duhet ta kenë të qarta se edhe në këto rrethana në të cilat ndodhet vendi duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre, dhe për pasojat e këtyre veprimeve.
Me një fjalë, z. Isa Mustafa dhe kryesia qendrore duken sikur të hutuar nga reagimet në njërën anë, dhe në anën tjetër nga paaftësia udhëheqëse për të dal nga kriza e thellë politike në të cilën e kanë zhytur Kosovën. Pikërisht në këto rrethana ata paskan gjetur mënyrën që përmes shpifjeve dhe rrenave me deklarata ndëshkuese e përjashtuese të bartin frikën sidomos tek deputetët e LDK-së në Parlamentin e Kosovës. Por deklarata si e tillë nuk përfaqëson konceptin politik e strategjik të LDK-së. Deklarata si e tillë është diktaturë, është linçim dhe përjashtim. Madje që moti Kryesia Qendrore e ka përjashtuar dialogun dhe komunikimin e brendshëm kurse në mjetet publike vazhdimisht fton opozitën për zgjedhje të problemeve me dialog.
Ky deklarim me standarde të dyfishta u pa edhe të nesërmen, më 8 janar 2016, fill pas takimit që patën me opozitën tek Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian z. Samuel Žbogar si dhe Ambasadori i Amerikës në Kosovë z. Greg Delawie, ku përpara tyre dhe mediave të shumta kryetari i LDK-së dhe kryeministri i Kosovë z. Isa Mustafa i bëri thirrje opozitës për dialog dhe zgjedhjes së problemeve brenda institucioneve të Kosovës, ndërsa kundër përfaqësueseve të LDK-së vetëm një ditë më parë përmes deklaratës në fjalë është treguar diktator dhe i pamëshirshëm, jo tolerant dhe hiq komunikues. Pra, z. Isa Mustafa e njeh vetëm zorin, sepse përpara RAMBOS ai bëhet qengj i butë dhe nënshtrues deri në përbuzje të vlerës qytetare, ndërsa kundër veprimtarëve të LDK-së, kundër deputetëve të LDK-së sillet si përbindësh.
Kemi vënë re se kohëve të fundit në LDK-së shpifja dhe rrena janë bërë rutinë të cilat edhe pse janë vepra penale, LDK-ja dhe vet z. Isa Mustafa, i përdorin për konsum të brendshëm për t’i njollosur dhe degraduar personalitetet publike të cilët ruajnë dhe kultivojnë vlera të mira njerëzore dhe politike. Por mllefi dhe injorimi që po ia bëjnë diasporës është i pafalshëm si në planin moral po ashtu edhe në atë politik. Prandaj, konstatimi i Kryesisë së LDK-së në Prishtinë dhe i vet z. Isa Mustafa se “ata që merren dhe shkruajnë letra, do të ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve”, është akuzë dhe shpifje e drejtpërdrejt për personalitetin tim dhe për të gjithë mërgimtarët të cilët një jetë e kanë shkrirë për Kosovën pa pasur nevojë të shfrytëzojnë skemat sociale në Zvicër. Por si akuzë të cilën e bënë Kryeministri i Kosovës bashkë me Kryesinë e LDK-së, jo vetëm që nuk ka asnjë argument, por ka bazë të mjaftueshme për ndjekje penale sepse të fyesh një personalitet publik duke e akuzuar se po i rrezikuaka skemat sociale të Zvicrës është gjëja ma e ultë dhe tejet e shëmtuar që mund ta shpifin zyrtaret politik dhe shtetëror të Kosovës.
Duke i parë marrëzitë e njerëzve, veçmas ato që janë koncentruar në kryesinë e ngushtë të LDK-së, kohë më parë kam shkruar publikisht se do të ishte mirë të bëhej verifikimi i biografive të personaliteteve publike në Kosovë, për t’ua ndërprerë turrin shpifjeve, bile kam menduar se këtë verifikim duhet ta bëjnë organet përkatëse të Republikës së Kosovës, pa përjashtuar edhe veten time. Por kjo kryesi si e paaftë që është dhe tejet injorante ka vazhduar dhe po vazhdon avazin e tyre tashmë të njohur për të degraduar vlerat që i ka kultivuar për vite LDK-ja, por më shumë akuzat, shpifjet dhe përjashtimet nga LDK-ja i kanë koncentruar kundër Degëve të LDK-së në Diasporë nga të cilat jo vetëm Kosova por më së shumti vet Isa Mustafa është ushqyer dhe madje ka pasur mundësi manipulimi për t’u bërë qysh para Lufte aksionar i Kolegjeve, përmes të cilëve do ta pushtojë ma vonë LDK-në. Kjo shpifje e z. Isa Mustafa dhe e kryesisë së ngushtë të LDK, bëhet me qëllim për t’i lënduar sa ma shumë mërgimtarët në përpjekje të tyre për t’i detyruar ata të heqin dorë nga LDK-ja dhe nga Kosova, pavarësisht nga ajo se Kosova fiton të hyra më së shumti nga mërgimtarët. Kjo urrejtje që është kultivuar në kreun e LDK-se, rrënjët i ka tek strategjia shkatërruese kundër LDK-së dhe Degëve të saj që e ka ndërtuar si veprim të prapësht z. Isa Mustafa, i cili kështu është duke e shkatërruar tërë Kosovën, prandaj ne i bëjmë thirrje që të heq dorë nga veprimet e tij të dëmshme për proceset dhe për të ardhmen e vendit.
Në këtë rast ia bëjë me dije z. Isa Mustafa dhe Kryesisë Qendrore të LDK-së se në jetën time kurrë nuk kam përdorur skemat sociale të ndonjë shoqërie dhe as nuk kam keqpërdorur ndonjë metelik nga taksapaguesit e ndonjë vendi. Nuk kam premtuar kurrë atë që nuk mund ta kryej, nuk kam gënjyer askënd, nuk kam borxh askujt dhe nuk e kam mashtruar kënd. Po ashtu nuk jam i implikuar në asnjë veprimtari të nëntokës, spiunazhit dhe të klaneve të mbi tokës. Pra krejt ajo që lidhet me mua janë qëndrimet politike dhe shkrimet publike mjaftë të njohura.
Pra ua bëjë me dije gënjeshtarëve në kryesinë qendrore të LDK-së se asnjëherë s’kam përftuar nga taksapaguesit, pasi kurrë nuk kam marrë rrogë në Kosovë, qoftë sa ishte nën administrimin e Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe as tashti në kohën e Pavarësisë së saj. Këtë kulturë dhe këtë traditë familjare dhe Kombëtare e kam bartur me vete edhe në Zvicër, duke u bërë shembull i punëtorit të zellshëm, dhe i kosovarit të ndërgjegjshëm i cili as në Zvicër s’ka shfrytëzuar skema sociale dhe nuk ka shfrytëzuar asnjë frang nga taksapaguesit e këtij vendi. Madje tërë karrierën e tij politike e letrare e ka ndërtuar me djersën e tij duke mos rënë kurrë në kundërshtim me ligjet e këtij vendi.
Pra ia bëjë me dije z. Isa Mustafa se kam punuar me dinjitet, duke mos shfrytëzuar për këto 35 vite, qoftë edhe një ditë pushim mjekësor dhe forma të tjera abuzive. Për dijeni ia bëjë me dije z. Isa Mustafa dhe kryesinë qendrore të LDK-së në Prishtinë, se nga viti 2004 – 2013, kam punuar 7 ditë në javë, duke realizuar të hyra legjitime 130%, prej të cilave ia kam paguar të gjitha kontributet dhe tatimin shtetëror këtij vendi. Por duhet ta dinë të gjithë, se personat që shfrytëzojnë taksapaguesit e Zvicrës dhe skemat sociale nuk mund të jenë pronar dhe nuk mund të kenë pasuri të patundshme. Por në cilësinë e kryeministrit të Kosovës z. Isa Mustafa ka mundësi t’ia drejtojë një kërkesë organeve kompetente të Zvicrës ose le t’i drejtohet me shkrim Ambasadës së Zvicrës në Kosovë për të vërtetuar se Shefqet Dibrani, kurrë në jetën e tij s’ka përftuar nga dallaveret dhe skemat sociale, përkundrazi, ka punuar me dinjitet dhe është i njohur si dorëlirë dhe humanist.
Z. Isa Mustafa dhe kryesia Qendrore e LDK-së duhet ta dinë edhe këtë gjë, se gjithë veprimtaria ime politike në shërbim të LDK-së dhe Kosovës është mbuluar nga të ardhurat e mia personale duke mos shfrytëzuar kurrë asnjë cent as buxhetin e partisë dhe as para të shoqërisë. E këtë gjë nuk e ka bërë kurrë Isa Mustafa dhe as kryesia qendrore e LDK-së, përkundrazi z. Mustafa me suitën e tij i kanë hëngër jo vetëm skemat sociale të Kosovës, por ia kanë përbirë mbase 7 pash nëntokën Kosovës, dhe fare nuk skuqen kur rrejnë dhe shpifje për të tjerët.
Në këtë plan të gjitha mediat e shkruara kanë bërë mëkat kundër meje duke publikuar e shpifur rrenën e Kryesisë së LDK-së në Prishtinë, pasi një pjesë e këtyre mediumeve e dinë sa shumë kanë botuar shkrime të mijat, për të cilat kurrë nuk kanë paguar honorar dhe në asnjë rast autori, përkatësisht unë nuk kam shkuar në redaksitë e tyre për t’ua kërkuar pjesën e honorarit që më ka takuar, prandaj është kjo arsye pse është dashur të jenë më të kujdesshme.
Për fat të keq, sidomos prej se jam zgjedhur kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, një rol tejet negativ në këto procese e kanë luajtur gazeta “Bota Sot” dhe “Botapress”, prandaj ua rikujtojë z. Xhevdet Mazrekaj dhe z. Bajrush Morina, se gjuetia për të shkatërruar personalitetin e Shefqet Dibranit, vetëm pse është zgjedhur Kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, dhe nuk i përkulet askujt, është në kundërshtim flagrant me etikën gazetareske dhe proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Përkrahja e njëanshëm që këto dy mediume po ia bëjnë klanit të z. Isa Mustafa, ka vënë në spikamë kredibilitetin e tyre me plot dyshime, jo vetëm kundër meje por edhe kundër proceseve nëpër të cilat po kalon LDK-ja dhe Kosova, madje botimi i shpifjeve dhe shkrimeve perverse është pafytyrësi e llojit të vet e cila duhet të dënohet me ligj. Por në asnjë mënyrë nuk është dashur me lejuar për ta botuar pasusin ku kryesia qendrore e LDK-së rren dhe shpifë për keqpërdorim të skemave sociale, në kohën kur vet ju me mijëra franga ua keni borxh gazetarëve dhe autorëve që kanë bashkëpunuar me redaksitë tuaja. Prandaj ia tërheq vërejtjen z. Mazrekaj që të mos bëjë dallime dhe të mos i shpërndaj shpifjet kur kanë të bëjnë me mua sepse nuk do ta gjeni asnjë njollë. E unë mundem t’ia botojë kur të dojë letrën dhe autorizimin e Azem Shkrelit, në të cilën bëhet fjalë për mijëra franga zvicerane që nuk ia ka paguar kurrë gazeta “Bota sot”, në të cilën ka punuar për vite të tëra edhe Bajrush Morina, i cili për hir të së vërtetës dhe njohjes personale nuk është dashur të bie kaq poshtë dhe të shërbehet me shpifje dhe rrena edhe kundër meje, për t’u bërë kaq servil i politikave tashmë të dështuara të z. Isa Mustafa.
Krejt në përfundim apeloj tek mediat e shkruara që të bëhen avangardë e proceseve por jo e klaneve dhe klikave politike që tashmë shihet qartë se janë duke e shkatërruar Kosovën. Në këtë plan kërkojë një mbështetje profesionale nga institucionet e theksuara më lart, për të më udhëzuar nëse ka bazë ligjore për t’i ndjekur penalisht shpifësit dhe shpërndarësit e rrenave!

CH – St. Gallen, 14.02.2016.
Shefqet Dibrani

Legjenda:
1. „LDK: Dibrani nuk e përfaqëson degën e LDK-së në Zvicër”, Koha.net
2. „LDK e Zvicrës: Jo zgjedhja e Hashim Thaçit me votat e LDK-së“, Koha.net

Një letërnjoftim i shkurtër:

Sh. Dibrani, është i lindur më 03.08.1960, në fshatin Gërdoc të Podujevës. Ka të mbaruar shkollimin e lartë në Kosovë. Që nga viti 1984 jeton në Zvicër, kurse nga viti 1990 është i angazhuar në Degën e LDK-së në Zvicër. Ishte kryetar i parë i Nëndegës në St. Gallen si dhe në dy mandate ka qenë anëtarë i kryesisë së Degës në nivel të Zvicrës, ndërsa më 10.05.2015 është zgjedhur Kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër. Është autor i 17 librave me mbi 5000 faqe, ka shkruar mbi 6000, shkrime informative, kulturore, si dhe shumë komente dhe analiza politike për Kosovën. Sh. Dibrani deri më tani është përfshirë në mbi 150 libra me autor të ndryshëm. Jeton dhe vepron në St. Gallen.

1 KOMENT

  1. Shefqet Dibrani
    Ti po jetojshe jasht Kosoves qe nga viti 1984… Dmth. ti nuk ke qka te shkruash per vehten si ndonje patriot… edhe 6000 libra nese i boton… sepse beteja per lirine e Kosoves u zhvillua ne Kosove… e jo jashtë Kosoves. Te gjithe Shqiptaret kane qene te diskriminuar… por disa e kane zgjedhe ikjen nga fushbeteja e lirise e quajtur KOSOVE… dhe iken… jashtë Kosoves… ti je nder ta. Pra per ty vlen ajo kenga me idiotike e viteve 80-90-ta: Niset trimi per gurbet!!! Po çfarë trimi ne gurbet more idiot kengetar. Niset frikacaku per gurbet… eshte tekst real… ndersa trimi ka vazhduar te jetoje ne Kosove deri ne diten kur AMERIKA e çliroi Kosoven… me 12 Qershor 1999.
    Prandaj Shefqet se pari nderroje ate emer turko-arabik… hajde jeto ne Kosove e kontribuo… E mos shit mend …prej gurbetit… ti edhe plot tjere.
    Vetem ne AMERIKE Shqiptaret kane luajtur rol politik… ndersa ne Europe s’ka pase mundesi, sepse perveq BRITANISE asnje shtet tjeter nuk ishte …edhe nuk eshte me Kosoven.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here