Mirush Kabashi sërish magjeps gjenevasit me porositë e Sokratit

0
811

Anthony Pièce udhëheqës i teatrit Madeleine të Gjenevës, thotë: “Kabashi aktor i përmasave ndërkombëtare ishte mysafir i teatrit tonë edhe vitin që shkoi me një monodramë. Sikur atëherë ashtu edhe sonte solli kënaqësi të vërtetë artistike”

Arif Ejupi, 9 tetor 2016

Mbrëmë në “THEÂTRE DE LA MADELEINE” të Gjenevës, para shumë artdashësve shqiptarë e të huaj aktori ynë i madh Mirush Kabashi, i dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe bartës i dhjetëra mirënjohjeve dhe medaljeve në nivel vendi dhe në atë ndërkombëtar ka rrëfyer si asnjëherë më parë satirën “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” të autorit grek Kostas Varnalis.

Mjeshtëria e tij e rrallë në të interpretuar të kësaj vepre me monolog ka bërë që gjatë një ore e më shumë aq sa zgjat shfaqja ta mbajë publikun me sy e vesh të përqendruar kah ai.

I veshur me mantelin e grisur dhe parukën me flokë e mjekër të gjatë si dhe me fjalën e tij të pastër Kabashi ka ringjallur Sokratin e vërtetë të gati para dymijë e pesëqind vjetëve.

Ai si përfaqësues i denjë i porosive të tij, nëpërmjet forcës së zërit ka ironizuar veset e këqija dhe degjenerimet e pushteteve, të cilat duke abuzuar me demokracinë prodhojnë prototipin e njeriut kriminel e mashtrues por, çdoherë të gjykuar nga masa e ndërgjegjësuar me mallkim të përhershëm.

Mirush Kabashi – Gjenevë

Kjo monodramë e mrekullueshme e nxjerrë nga thellësia e shekujve e bën Kabashin unikat në fushën e aktrimit.

Më fuqishëm se sa ai askush deri më sot nuk i ka përcjellë tek populli i tij dhe popujt e tjerë të botës porositë e Sokratit.

Duke prezantuar mbi njëqindepesëdhjetë herë në teatrot më prestigjioze të vendit dhe të botës monodramën “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” Kabashi fisnik e me edukatë të lartë njerëzore u bën thirrje qytetarëve të shtypur e të përbuzur që të reagojnë ndaj padrejtësive, mashtrimit të paturpshëm, hipokrizisë dhe korrupsionit ashtu siç pati reaguar dikur idhulli i tij Sokrati.

Nëpërmjet lojës së Kabashit dalin në pah idetë me vlerë të përjetshme të Sokratit kur thotë: “Ata që pretendojnë një shoqëri të civilizuar dhe të njëmendtë duhet të jenë të urtë, të arsimuar dhe të ndershëm”

Kabashi këto porosi të këtij filozofi të madh grek,dy dekada me radhë i ka skalitur dhe përpunuar sipas konceptit global. Ai me njohurit e tij të përsosura në skenë nuk pati pushuar së shkëlqyeri edhe më 2 tetor 2012 kur në Gjenevë, në sallën plenare të OKB-së para dyqind diplomatëve të botës me nivelin më të lartë artistik pati prezantuar Apologjinë e Vërtetë të Sokratit.

Ai si zotërues i skenës edhe sonte këtë shfaqje të mrekullueshme e përmbylli në rrjedhë krejt stabile tamam sikur Sokrati i lashtësisë duke pirë kupën me helm dhe duke thirrur “Bëmë detyrën tonë për shëndetin e drejtësisë”

Këto porosi të Sokratit kaq bukur të interpretuara nga Mirush Kabashi ngritën në këmbë publikun, i cili me duartrokitje të shumta dhe të gjata i shprehu mirënjohje këtij aktori të shumëanshëm e me karrierë gati pesëdhjetë vjeçare për këtë vepër të qëndisur me fije kaq të holla artistike dhe njerëzore.

Ndërkaq Kabashi me sytë plot shkëlqim e një buzëqeshje të lehtë në shenjë mirësjellje dhe respekti u përkul disa herë para shikuesve.

Më pas aktorit Kabashi iu dhanë tufa lulesh nga nxënës e studentë mërgimtarë.

Pas këtij episodi për këtë pritje kaq të ngrohtë Kabashi përgëzoi jo vetëm bashkëkombësit e tij të cilët mikpritjen e kanë trashëgimi zakonore por edhe miqtë zviceranë që pa hezituar po kontribuojnë në zhvillimin e kulturës shqiptare.

Koha e bashkëbisedimit të aktorit Kabashi me miq e mërgimtarë u shfrytëzua edhe për marrjen e disa vlerësimeve nga pjesëmarrësit e kësaj mbrëmje të këndshme artistike.

Anthony Pièce udhëheqës i teatrit Madeleine të Gjenevës, thotë: “Kabashi aktor i përmasave ndërkombëtare ishte mysafir i teatrit tonë edhe vitin që shkoi me monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Sikur atëherë ashtu edhe sonte solli kënaqësi të vërtetë artistike. Qartë, vërehet se ai është aktor që të magjeps dhe në çdo çast të bën për vete.”

Kurse z. Astrit Leka 92 vjeçar poliglot dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i njohur edhe si kryeplak i mërgatës shqiptare në Evropë, këtë shfaqje e vlerëson si të mrekullueshme ndërsa aktorin Kabashi e krahason me të madhin Aleksandër Moisiu.

Profesoresha e pianos dhe artistja, Ermira Zyrakja mendon se aktori Kabashi me lojën e përkryer në teatër e kinematografi është dhe mbetet thesar i çmuar dhe pasuri e pashtershme e kulturës sonë.

Opinionin e tij rreth kësaj ngjarje kulturore e ka shprehur edhe aktori i mirënjohur kosovar Adem Muji i cili prej vitesh jeton në Gjenevë, dhe njihet nga teleshikuesit shqiptarë me serialin “Qyteti pa Lumë”. Ai veprën krijuese të Kabashit e konsideron si një shkollë të vërtetë arti dhe edukimi.

Me fjalë të përzgjedhura veprën artistike të Kabashit e përshkruan edhe këngëtarja dhe regjisorja Mira Bregu, drejtuese artistike e kësaj mbrëmje e cila thotë: ” Kabashi me shkëlqimin e tij në skenat e botës po dëshmon që populli shqiptar është më i lashti dhe më i riu në Evropë “.

Kurse inxh. Ali Sh. Mehmeti, kryetar i Shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” njëheriësh edhe kryeorganizator i këtij takimi thotë: “Nuk kemi çfarë të diskutojmë rreth vlerave artistike të Kabashit, ngase ato janë të verifikuara në teatrot më me zë të Evropës,Amerikës dhe Lindjes së Largët.”

“Qëllimi ynë ishte që nëpërmjet kësaj monodrame të trokasim sadopak në ndërgjegjen e të ndërgjegjevrarëve.”

Afërditë Krasniqi, aktive në këngë dhe skenë si dhe autore e dramës së dhimbshme “Vaji i nënës” e cilëson Kabashin, si kolos të skenës shqiptare dhe si njëshin e teatrit të Evropës Juglindore. Ajo Kabashin e quan edhe promotor të përhapjes së kulturave të popujve të tjerë,si në rastin konkret të asaj greke.

Poetja dhe deklamuesja e shquar e vargjeve të rilindëseve tanë Nerxhivane Ferati-Sejdiu, e entuziazmuar nga ky sukses i radhës së Kabashit thotë: “Arti i tij është krua që nuk shteron kurrë”. Ai me vlerat e tija të mirëfillta edukuese po e shpije kulturën tonë në familjen e madhe të kulturave të botës.”

Duhet theksuar që në këtë shfaqje e cila kënaqi shijet e të gjithë artdashësve ishte i pranishëm edhe Ambasadori Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Z. Ilir Gjoni.

Në fund të kësaj paraqitje “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” si organizator i kësaj ngjarje duke u ndjerë i kënaqur me origjinalitetin e shfaqjes falënderoi nga zemra aktorin Kabashi, i cili dyherë radhazi pa u mbushur viti iu përgjigj pozitivisht ftesës për ardhje në Gjenevë, me gjithë agjendën e tij tepër të ngjeshur.

Fjalë miradije u thanë edhe për sponsorin ”Lotarie Romande” e cila duke njohur vlerat e larta artistike të Kabashit, vazhdimisht po mbështet aktivitetet e tij.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here