MIRËSEVJEN NË PFAFFENHOFEN NËNË TEREZA!

0
564

Nga IDRIZ ZEQIRAJ – 18.06.2016

Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen të Bavarisë gjermane, ka vite që zhvillon një veprimtari aktive, madje, në shumë drejtime. Veprimtarinë e saj e ka filluar me aktivitete kulturore, në bashkëpunim me vendorët gjermanë, për ta vazhduar me veprimtari humanitare, deri edhe në rinovimin dhe ndërtimin, nga themelet, të disa shtëpive në Atdhe: Shqipëri dhe Kosovë, kryesisht, për invalidët dhe luftëtarët, në nevojë, të luftës së fundit.

Shoqata që gëzon emrin e veprimtarit politik dhe luftëtarit, deri në flijim, Heroit prijetar e markant, Sali Çekaj, vazhdon ta nderojë emërtesën dhe veten, madje, në mënyrën më të mirë të mundshme. Një kryesi gjithëpërfshirëse në rrafshin gjeografik të Kosovës, por, e përfaqësuar edhe nga Shqipëria; e vyeshme, e përkushtuar, e përgjegjshme dhe e ndërgjegjhme; e vetëdijshme se kanë zgjedhur organizimin e duhur, për ta ndihmuar Atdheun, brenda mundësive që ata disponojnë. Kryesia e Shoqatës ka këtë përbërje: Osman Ferizi – kryetar, Gazmend Dashi- nënkryetar, Zymer Zeneli – arkatar, Mustaf Shala, Azem Daka, Ardian Ndreka, Rafet Mehmeti, Shemsi Haziri, Maxhun Smajli, Selman Syla, Ymer Graiçevci, Shaban Muli.

Veçantia e Shoqatës: bashkëpunimi me shoqata, klube dhe individë në largësi

Kryesia e Shoqatës priti ardhjen e Shtatorës të Nënë Terezës

Veçantia e kësaj Shoqate është bashkëpunimi me Shoqata, Klube, Parti politike brenda dhe jashtë Gjermanisë, si me Zvicrën, Austrinë dhe vende tjera. Ndërsa shtrirja në anëtarësi kalon edhe largësinë e njëmijë (1.000) kilometrave! Ky lloj anëtarësimi i ka disa rregulla të veçanta, siç janë: konsultimet për projektet e tanishme dhe në përspektivë të Shoqatës; kontributet për realizimin e këtyre projekteve. Komunikimi elektronik është baza e këtij bashkëpunimi, gjë që nuk i obligon anëtarët e largët për të marrë pjesë në mbledhjet e shpeshta. Por, në veprimtaritë e shënuara, të një rëndësie eprore, ata bashkojnë ditën me natën, në rrugëtimet e gjata, mirë të organizuara. Janë, pikërisht, këto largësi enorme, që kërkojnë sakrificë fizike dhe materiale, krejt ndryshe nga aktivitetet që zhvillohen në Atdhe, ku brenda orës tejshkon hapësirën gjeografike tejpërtej Kosovës.

Si dhe pse lindi ideja për Shtatorën e Nënës Terezë?

Shoqata Kultorure Humanitare Shqiptaro-Gjerman “Sali Çekaj”, e kryesuar nga Osman Ferizi, i ka të rregullta takimet e Kryesisë të Shoqatës dhe, sipas rasteve, edhe të anëtarësisë. Për çdo nismë, qoftë organizimi i një veprimtarie, qoftë aksioni i një humaniteti, diskutohet e debatohet, që nga projekti, financimi, deri në përmbyllje të veprimtarisë apo të aksionit. Është fjala e lirë, është debati, që e dallon Mërgatën Shqiptare nga sundimtarët uzurpatorë të partive politike dhe të pushtetit në Kosovë. Në kuadrin e diskutimeve të lira, të shpenguara, në një mbledhje Kryesie, tre vjet më parë, lindi ideja për ta sjellur Nënë Terezën në Pfaffenhofen. Ideja fisnike u hodh në votim, u aprovua se bashku me obligimet që kërkonte aksioni i madh.

Procedura për Shtatorën e Nënës Terezë filloi duke bërë kërkesën pranë organeve përkatëse të qytetit të Pfaffenhofenit. Motivimi bazë ishte se shumësia e mërgimtarëve në Bavari dhe Pfaffenhofen me rrethinë, meriton të këtë një faltore, një cak shenjëtëror dhe hyjnor, për t`u frymëzuar dhe çmallur; për ta pasur një copë Atdhe në miniaturë edhe këtu, në mërgimin tonë të pafund! Dhe, këtë më së miri e plotëson, prania, qoftë edhe në bronz, Shtatorja e humanistës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, të Nënës të përbotshme dhe hyjnore Nënë Tereza, e cila, pamëdyshje, do të jetë edhe krenaria e qytetarëve të Pfaffenhofenit, Bavarisë dhe të Gjrmanisë mbarë.

Nga kërkesa fillestare u deshën dy vjet pritjeje. Por, jo pritje sterile. Përkundrazi, ishte një pritje aktive, me përkujtesë të herëpashershme, qoftë nga pala shqiptare, qoftë nga miqtë vendorë të Shoqatës tonë të përbashkët. Dhe, një vit më parë, pasoi aprovimi, miratimi i shumëpritur. U caktua edhe lokacioni, përmasat e Shtatorës e deri ke ceremonia e ngritjes të Shtatorës të Nënë Terezës, ashtu siç dinë të planifikojnë gjermanët, deri në detaje, që, zakonisht, shqiptarët i konsiderojnë imtësira dhe vetëvendosin në ditën e fundit të përmbylljes të aksionit!

“Hija e lehtë” e Nënë Terezës

Posteri i Nënë Terezës i shpërndarë në Pfaffehofen

Thonë se “dikush e ka hijen e lehtë”. Dhe, vërtet, moria e veprimeve të kryera, deri në ngritjen e Shtatorës të Nënës Tereze, pati një rrjedhë kaq të mbarë, sa e përligjë, plotësisht, thënien për “hijen e lehtë” të Nënës Tereze. Kryesia e Shoqatës autorizoi kryetarin e saj, Osman Ferizi, për ta tenderuar skulptorin, duke ia dhënë idenë dhe përmasat, që më parë ishin diskutuar me palën gjermane dhe deri ke çmimi. Ecuria e realizimit artistik të Shtatorës është përcjellur, në vijimësi, nga Kryesia, herë-herë edhe anëtarësia, kanë parë fotografimet e shumëta, përgjatë punës të skulptorit. Tansparenca ishte e plotë.

Firma transportuese “RAMA” bisnesore dhe hunanitare

Shtatorja e Nënës Tereze, tashmë, nga allçia, ishte derdhur në bronz dhe priste për transportim nga atelja e skulptorit, për ngritje në Pfaffenhofen të Bavarisë. Bartja me makinë normale, udhëtimi, përshkak të përmasës, përjashtohej. Pagesa e një kamioni enkas për këtë transport, ishte i kushtueshëm. Data, dita e ngritjes, në koordinim e pëlqim me palën gjermane, veç ishte caktuar. Fatlumërisht, lajmërohet Firma “RAMA”, me pronar Brahim Ramën, nga Podujeva, me qëndrim në Gjermani: “Shtatorën e Nënës Tereze e sjell unë, duke i marrë përsipër edhe obligimet doganore për shtetin gjerman”, – premtoi dhe realizoi Brahim Rama.

Në hangarin e shtëpisë të veprimtarit Maxhun Smajli, ishin magazionuar disa shtretër, destinuar për spitalin e Pejës. Kryetari i Shoqatës, Osman Ferizi, bisedoi me pronarin e firmës “RAMA”, nëse mund t`i transportonte për në Pejë? Brahimi e miratoi kërkesën, duke i transportuar gratis, falas shtretërit në destinacionin e caktuar.

Thonë se “po t` i bëjsh njeriut dy të mira radhazi, të vazhdosh me të mirën e tretë, mendon se e ke për detyrë”! Në lokalet e Shoqatës “Sali Çekaj”, anëtarët e saj kishin tubuar disa ndihma, por, këtë herë, me destinim për Shqipëri. Kryetari Ferizi, paksa me ndrojtje se mos po e tepëron me këresa, pyet pronarin e Firmës “RAMA”, nëse ka mundësi të ndihmojë në transportimin e një morie paketash për Shqipëri, qoftë edhe duke paguar një shumë lehtësuese, paushall? Por, Brahim Rama edhe kësaj radhe refuzoi pagesën dhe premtoi transportimin falas, duke porositur ambalazhimin e mallit sipas standardeve speditive, doganore! “Hija e lehtë” e Nënë Terezës dhe fisnikëria, zemra e gjërë e Brahim Ramës dëshmon se Firma Transportuese “RAMA” nuk është vetëm bisnesore, por edhe humanitare. Dhe, vërtet, sentenca e njohur: “Ai krua që ka rrjedhur gjithmonë, nëse nuk rrjedhë më, gjithësesi, do të pikojë”, – rezulton e saktë. Brahimi, nipi i ish-kryetarit të suksesshëm të komunës të Podujevës, Ramush Rama, me humanitetin e tij të dinjitetshëm, po e dëshmon konakësinë dhe fisnikërinë familjare.

Shërbime vullnetare për ngritjen dhe veshjen e bazamentit të Shtatorës

Lokacioni ishte menduar, studiuar dhe përcaktuar nga pala gjermane. Prifti që bëri shumë për Shtatorën, Faul Haber, tashmë, nuk jeton, ndjesë pastë, ngaqë nuk i mbijetoi sëmundjes të kancerit. Një emër tjetër meritor është edhe prifti Wagner. Ndërsa koordinatori aktual, zoti Zepp Steinbühler, me bashkëshortën Elisabeth, vazhdojnë të jenë shumë aktivë, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ngritjen e Shtatorës të Nënë Terezës.

Misioni Katolik Shqiptar, si bashkorganizator i këtij manifestimi, ka qenë i gatshëm për të ndihmuar, brenda mundësive dhe kapaciteteve në njerëz. Është shquar për vullnet dhe angazhim koordinatori Luigj Gjergji, i cili është vëllai i Kryeipeshkvit të Kosovës. Pastaj, Gazmend Demaj e Kolë Deda, si pjesë e Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani, me bazë në Mynih. Të vullnetshëm, deri në udhëtimet disa qinda kilometra, për ta siguruar bazën materiale për manifestimin festiv, u dëshmuan edhe Gjon Gojani e Pal Marku, klinakë të Neuburgut.

Lidhur me përmasat e bazamentit të Shtatorës të Nënë Terezës, ka pasur debate me palën gjermane. Ne, shqiptarët, kemi maninë e madhësive, lartësive, ndërsa përfaqësuesit gjermanë arsyetonin se Nëna Tereze ka qenë modeste, ka qenë tokësore dhe Shtatorja e Saj duhe të jetë sa më afër tokës. Kompromisi i arritur ishte: 80 centimetra thellësi dhe 60 cm lartësi mbitokësore. Shtatorja do të këtë ndiçim të përhershëm, me një mjedis, hapësirë të pastër dhe mjaft të dukshëm.

Ndërtimin e bazamentit e mori përsipër anëtari i Kryesisë të Shoqatës Mustafë Shala dhe Adem Rushiti, kuptohet, punë vullnetare, falas. Ndërsa veshjen dhe gavrimin e bazamentit e bëri Firma “FERIZI”, përkarësisht, vëllezërit Jetullah e Nazmi Ferizi nga Çabra e Zubin Potokut. Ndihmoi edhe Agron Peci. Kostoja e kësaj mjeshtrie artistike kap vlerën 1.600 euro, por blerja e mermerit të kushtueshëm dhe puna u bënë gratis, falas.

Gjermanët bavarezë mirëpresin Nënë Terezën

Posteri i Eda Zarit i shpërndarë në qytet

Autoritetet e qytetit të Pfaffenhofenit si dhe mediet e disa qendrave bavareze, prej më shumë se një muaji, vazhdojnë t` i bëjnë jehonë arritjes të Shtatorës të Nënë Terezës në Republikën e tyre. Lajmi u dha në shtypin dhe televizionet vendore. Angazhimi i zyrtarëve komunalë dhe i përfaqësisë kishtare, vazhdon të jetë mbresëlënës. Prej javësh kanë afishuar, shpërndarë posterët, fotografitë e Nënë Terezës dhe të këngëtarës zë zëshme, Eda Zari. “Përurohet Statuja e Nënë Terezës në Pfaffenhofen”, – shkruan gazeta vendore dhe me nëntitull “Fton Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”. Në mes tjerash, shtypi vendor potencon se ceremonia festive, në nderim të Nënës Tereze fillon me një Shërbim Lutje (Meshë), në kishën e qytetit. Pas Shërbimit do të zbulohet skulptura, tashmë, e ngritur, në bronz. Festa vazhdon me fjalime përshëndetëse, muzikë dhe valle. Të gjithë vizitorët janë të ftuar në një koktej të organizuar nga Shoqata “Sali Çekaj”.

Më tej, shtypi vendor flet për veprimtarinë humanitare të kësaj Shoqate, në ndihmë të varfanjakëve në Kosovë dhe Shqipëri, deri edhe në ngritje të shtëpive. Shumica absolute e anëtarësisë të Shoqatës janë muslimanë, por feja nuk luan rol tek ata. Pra, Nënë Tereza për ata nuk është vetëm për një humanitare, por edhe një figurë përfshirëse, kombëtare. Shoqata “Sali Çekaj” financon skulpturën e bronztë, me çmim prej 21.000 euro, nga donacionet e shumë anëtarëve të saj, por edhe të shqiptarëve nga Europa si dhe të disa dhuruesëve gjermanë. Në përmbyllje, gazeta thkson se “mbështetja shtesë financiare është shumë e mirëpritur. Donacionet mund të transferohen në llagarinë vijuese të Shoqatës “Sali Çekaj”: Sparkasse Pfaffenhofen – Fondi “Nënë Tereza” – IBAN: DE 59721516500009147489″.

Në nderim të ngritjes të Shtatorës të Nënës Tereze, autoritetet e qytetit, koordinuan këtë ngjarje me muajin e kulturës të qytetit të Pfaffenhofenit. Komuna sponsorizoi 6.000 euro, për këngëtarën e mirënjohur shqiptare Eda Zari dhe grupin e saj muzikor, e cila do të përformojë në sheshin qendëror të qytetit të Pfaffenhofenit, përgjatë mbremjes të 18 qërshorit 2016. Zyrtarët komunalë këtë mbremje e emërtuan “Nata Kulturore Shqiptare”. Pra, qyteti i Pfaffenhofenit, së bashku me qytetet dhe qytezat fëqinj, më 18 qërshor do të frymojnë dhe festojnë shqiptarçe, në gjuhën e Naimit tonë, në gjuhën e poetit të madh, së bashku me krijuesit kombëtarë, Fishtën dhe Kadarenë.

Media gjermane për Shoqatën “Sali Çekaj” dhe Shtatoren

Shoqata “Sali Çekaj” e gatshme për manifestimin festiv

Një manifestim i kësaj natyre, krejt i veçantë, në rrethanat e mërgimit, kërkon punë dhe përkushtim të madh “për të mos u koritur”. Andaj, Shoqata “Sali Çekaj”, në veçanti, Kryesia e saj, ka filluar përgaditjet shumë kohë më parë. Shoqata vazhdon, paralelisht, me aksionet tjera, ende të papërfunduara. Dhe, kjo shton barrën përballuese të aksionit aktual parësor. Megjithatë, me angazhimin unik të Kryesisë të Shoqatës dhe të veprimtarëve të saj, përgaditja ka arritur nivelin solid. Kokteji masiv për të gjithë të pranishmit; “Nata Shqiptare” me gatime, specialitete tradicionale shqiptare, në tavolinat e shtruara në sheshin kryesor të qytetit, si dhe darka për të ftuarit, mysafirët numerikë, me pjekje në “GRILL” dhe të tjera, janë një ngarkesë tejet e madhe, për një Shoqatë me organizim vullnetar.

Një kontribut të madh vazhdojnë ta japin nuset e fisme të Shoqatës dhe simotrat e tyre simpatizante të kësaj kësaj Shoqate. Koktejet që ofron Shoqata “Sali Çekaj”, janë sa të shpeshta, aq edhe të begata, madje, gjithëherë, me gatimet e nuseve, tashmë, të profesionalizuara, në gatimet e lloj-llojshme të traditës shqiptare, por, të kombinuar edhe me artin kulinar modern, të kohës. Është, pikërisht, ky angazhim admirues, i cili, e përloti akademik Mark Krasniqin, në festimin e 93-vjetorit të lindjes së Tij, të organizuar nga Shoqata “Sali Çekaj”, tre vjet më parë. Është po kjo Shoqatë, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Humanitare “Dardania” në Mannheim, me kryetar Naser Hoxha, që janë zotur, madje, në prani të Akademik Mark Krasniqit, se më 19 tetor 2000, do ta festojnë përvjetorin e 100-të të Tij, pavarësisht mungesës të pranisë fizike të Profesorit atdhetar dhe shumë njerëzor.

Veprimtarët nga Austria nisën me natë për Meshën në Kishën e Pfaffenhofenit

Shoqata “Sali Çekaj”, si gjithmonë, edhe kësaj radhe, nderon me ftesa personalitete të shquara dhe mysafirë fisnikë. Për arsye të sigurimit të biletave të fluturimit, grupi i parë nga Shqipëria, i prirë nga kryegjyshi botëror, Hirësia Haxhi Ded Edmond Brahimaj, ka arritur në pasditën e së enjtës. Grupi i dytë, i kryesuar nga At Marku, i Kishës Orthodokëse të Elbasanit, arrijnë në mbremjen e sotme, e premte. Ndërsa përfaqësuesi i Presidencës Shqiptare, Flamur Gashi, veprimtarja e shquar Nërtila Marku dhe të tjerët arrijnë në mesnatën e sotme. Mysafiri i parë nga Kosova, Kryeipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ma bashkëpunëtorë, ka konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë meshtare dhe zbulimin e Shtatorës të Nënës Tereze. Imami Xhevat Kryeziu i Drenicës, kuadri i Presidencës të Dr. Rugovës, Sali Cacaj, gjithashtu. Po ashtu, ditën e dielë, më 19 qërshor, në ora 14.oo, Ai do të mbajë Meshën në Kishën e Laim-it, Schrobenhausen Straße 1, të organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani. Mysafirët tjerë nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare janë në rrugëtim sipër.

Interesim i shtuar për pjesëmarrje në ceremoninë e ngritjes, të zbulimit të Shtatorës të Nënës Tereze, po tregojnë bashkatdhetarët tanë nga Gjermania dhe shtetet tjera evropiane. Shumë dhjetra Shoqata, Klube dhe disa parti politike, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në manifestimin madhështor shqiptar në Pfaffenhofen të Bavarisë gjermane. Shoqata simotër “Sali Çekaj” në Zvizër ka qenë dhe vazhdon të jetë një partnere besnike e Shoqatës njëemërore të Pfaffenhofenit. Për përcjelljen dhe pasqyrimin e manifestimit ceremonial dhe festiv, kanë paralajmëruar praninë e tyre televizioni qendror i Shqipërisë, ai i Kosovës, disa televizione private si dhe televizioni bavarez, i Ingolstadit dhe të tjerë.

Ajo që ngjall shumë respekt dhe admirim, është Shoqata “17 Shkurti” nga Badeni i Austrisë, me kryetar Tahir Turkaj. Kjo Shoqatë ka prenotuar, parapaguar autobusin, për t`u nisur në ora 03 të mëngjesit, veprimtarë dhe Ansambli Artistik i nxënësve, për të arritur në Meshën – Shërbesë, Liturgjinë për të madhërishmen Gonxhe Bojaxhiu, alias Nënën Terezën shenjtërore, në Kishën Katolike St. Johannes Baptist, Scheyrer Straße 2, në Pfaffenhofen. Pjesë e këtij grupi janë edhe Fatime Blakaj, e Shoqatës “Aleanca për Fëmijtë”, gazetari e publicisti Ramiz Selimi nga Linz-i, moderatorja Kaltrinë Durmishi dhe të tjerë. Kjo maratonë, sa fisnike, aq edhe atdhetare, na kujton Epokën e Artë të Ibrahim Rugovës, kur, në Pallatin e Sportit të Dyseldorfit, në vitin 1990, në prani të shumë mijëra shqiptarëve, Imzot Don Lugj Gjergji. do t`u përcillte porosinë publike të Dr. Rugovës urtak: “O shqiptar i besimit islam, në kishën e parë më të afërmë, hynë dhe falë Namazin, lutju Zotit dhe o shqiptar i besim të krishterë, në xhaminë e parë që të hasësh, hynë dhe bëjë Meshën, lutju Zotit”.

Zotëri Schwarz mrekullon me kontributin e tij

Personaliteti i lart partiak i CDU-së gjermane, njeriu që punoi shumë si deputet dhe drejtor për çështjet ballkanike, i kësaj partie kryesore dhe qendrore, Stefan Schwarz, pasi e pa logon, për ilustrimin e ceremonisë të ngritjes të Shtatorës të Nënës Tereze, pati vërejtje. Dhe, komunikoi me kryetarin e Shoqatës, Osman Ferizi, duke i thënë se “nuk jam vetëm politikan, por, kam edhe shije të hollë për artin. Prandaj, ju lutem, ma besoni mua logon e këtij manifestimi. Më keni në konsideratë edhe si mik i pahile i Kosovës she i shqiptarëve, për të cilën kam punuar dje dhe vazhdoj të punoj edhe sot. Edhe unë e kam hisën time në respektin dhe dashurinë për Gonxhe Bojaxhiun shqiptare dhe Nënë Terezën e njerëzimit botëror”. Dhe, kryetar Ferizi miratoi gadishmërinë e zotëri Schwarz, duke e falenderuar për këtë ndihmesë profesionale.

Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj”, përgaditi distinktivin, shënjën simbolike, me portretin e Nënës Tereze, si dhuratë për veprimtarët dhe mysafirët gjermanë dhe shqiptarë, me mbishkrimin: “Mirësevjen në Pfaffenhofen Nënë Tereza, 18.06.2016”. Dhe, pikërisht, këtë mbishkrim huazuam për kryetitullin e shkrimit tonë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here