Mediat botërore kontaktojnë akademikun e Universitetit të Birminghamit për shenjtërimin e Nënë Terezës

0
473

Alpion: “Shenjtërimi rast shumë i mirë për Vatikanin për të njohur pavaresinë e Kosovës

Mother Teresa

Pas shpalljes së njoftimit të Vatikanit për shenjtëriminin e Nënë Terezës gjatë Vitit të Mëshirës, Dr Gëzim Alpion, i cili konsiderohet nga kritika si “studiuesi më autoritar në gjuhën angleze” i murgeshës shqiptare, u intervistua nga disa media ndërkombëtare.

Në intervistën që i dha Rodrigo Craveiro të gazetës kryesore të Brazilisë ‘Correio Braziliense’, Alpion u shpreh se Nënë Tereza kishte një vizion të ri përsa i përket orientimit të aktivitetit misionar në Indinë e pavaruar, dhe u bë ‘zëdhënësja’ e të braktisurve.

Alpion ishte një nga dy të ftuarit e emisionit ‘Newsmakers’ të televizionit turk me qendër në Stamboll ‘TRT World’. Duke folur nga studio e BBC-së në Birmingham, Alpion tha sa ai e mirëpriti lajmin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Ai e cilesoi vendimin i Papa Françeskut të guximshëm, veçanërisht duke pasur parasysh ‘natën e errët të shpirtit’ që përjetoi Nënë Tereza, një çështje që vazhdon të ngjallë debate dhe që u bë shkaku kryesor përse miku i saj Papa Gjon Pali II, kundër dëshirës së tij, nuk arriti ta shenjtëroj atë gjatë jetës së tij.

Alpion tha se si studiues shpirtëror-racionalist ai nuk merrtet me ‘mrekullitë’ që i atribuohen Nënë Terezës, dhe shtoi se do të kishte preferuar që ajo të ishte shenjtëruar për përkushtimin e saj ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën.

Kur u pyet për të komentuar për reagimet negative ndaj aktivitetit të Nënë Terezës nga disa intelektualë dhe gazetarë indian, sidomos në Kolkuta, si kur ishte gjallë ashtu edhe pas vdekjes, Alpion u shpreh se ai e kupton deri diku zemërimin e tyre sepse, në fund të fundit, Kolkuta nuk duhet ‘gjykuar’ vetëm nga këndvështrimi i varfërisë. Ai gjithashtu shtoi se gjatë vizitave në Indi, ai ka pasur mundësinë të shikoj vetë punën e mrekullueshme që motrat dhe vëllezërit Misionarë të Bamirësë bëjnë, veçanërisht në Kolkuta. Alpion theksoi se me bamiresinë dhe dashurinë e saj, Nënë Tereza shërben si një kujtesë e përhershme se të varfërit janë jo vetëm në Indi, por edhe në Angli, në Ballkan dhe kudo.

Duke pasur parasysh faktin se prindërit e Nënë Terezës ishin nga Kosova, Alpion i bëri thirrje Vatikanit për të njohur formalisht këtë shtet të ri.

Në intervistën për një nga gazetat kryesore të Indisë ‘The Hindu’, Alpion tha: “Nënë Tereza duhet të ishte bërë shenjtëreshë për besimin e saj të patundur në dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.”

Alpion u intervistua edhe nga C. M. Paul për ‘Matters India’, që del në New Delhi. Në fillim të artikullit gazetari thekson se Alpion “ka lobuar pa u lodhur për dy vjet për shenjtërimin e Nënë Terezës”.

Në këtë intervistë Alpion, ndër të tjera, tha: “Shpresoj që Vatikani të ketë nxjerrë mësime nga fiaskoja e ‘mrekullisë’ së parë në lidhje me Monica Basra. Selia e Shenjtë po tregon shenja se po bën përpjekje për tju përshtatur modernitetit, edhe pse ende me një ritëm disi të ngadaltë.”

“Vetë fakti që Kisha më në fund vendosi të shenjtëroj Nënë Terezën, pavarësisht ‘errësirës së saj shpirtërore’, që përbën një rast disi unik për misticizmin katolik që nga mesjeta deri tani,” theksoi Alpion, “është një tjetër shenjë e mirëpritur se edhe ky institucion thellësisht konservator po lëviz në drejtimin e duhur.”

C. M. Paul thekson në artikullin e tij se Alpion është autori i një numri studimesh për Nënë Terezën që kanë ngjallur debate, përfshirë edhe librin e mirënjohur ‘Nënë Tereza: Saint or Celebrity?’, botuar nga Routledge në Londër dhe Nju Jork në vitin 2007 dhe në New Delhi në vitin 2008, dhe që u pasua nga një botim italian nga Salerno Editrice në Romë një vit më vonë.

Duke iu referuar studimit me të cilin Alpion po merret aktualisht dhe që titullohet “’Rooting Mother Teresa”, gazetari thekson se në këtë monografi, që pritet të dalë në prag të shenjtërimit, Alpion zbulon disa detaje të reja interesante për familjen e Nënë Terezës, veçanërisht gjatë 18 viteve që ajo kaloi në Shkup, vendlindjen e saj. Alpion argumenton në këtë libër se Krishtërimi mikpritës, tolerant, falës dhe gjithëpërfshirës, që predikonte dhe zbatonte Nënë Tereza, bëri që ajo të kishte kundërshtarë të fortë si në Kishën Indiane ashtu edhe në Vatikan kur ishte gjallë si dhe pas vdekjes në vitin 1997. Alpion gjithashtu thekson se Krishtërimi i Nënë Terezës mund të kuptohet më mirë nëse jeta dhe puna e saj shikohen në kontekstin rrënjëve të saj Pellasgo-Ilire, gjë të cilën asnjë nga biografët e saj të shumtë deri më sot nuk e ka trajtuar.

Sipas mendimit të Alpion, “dështimi për të parë punën bamirëse të Nënë Terezës si dhe dyshimet që ajo kishte ne lidhje me Zotin, në kontekstin e historisë së njërit prej kombeve më të vjetër në Evropë, dhe nga të parët në kontakt me Krishtërimin, është një nga arsyet përse Nënë Tereza shpesh paraqitet thjesht si një fanatike fetare, dhe kjo jo vetëm nga adhuruesit e saj por edhe nga kritikë si Hitchens, Greer dhe Dawkins, të cilët kurrë nuk kanë bërë përpjekje serioze për të kuptuar këtë personalitet modern kaq kompleks”.

C. M. Paul e përfundon artikullin e tij duke theksuar se pas botimit të librit të ri të Alpion, për të cilin ai po punon dhe udhëton pa pushim rreth botës prej vitesh, edhe biografitë dhe hagiografitë më të njohura për Nënë Terezën do të konsiderohen të ‘vjetra’, disa prej tyre në mënyrë të konsiderueshme.

The Newsmakers, ‘She’s set for sainthood, but is she whiter than white?’, TRT World, Istanbul, 22 December 2015. http://bit.ly/1QuFeUB
Rodrigo Craveiro , ‘Madre Teresa será canoniza por cura milagrosa de brasileiro’, Correio Braziliense, Barsilia, 19 December 2015. http://bit.ly/23naBG0
Shih Sahay Singh, ‘Kolkata rejoices at news from Vatican’, The Hindu, Kolkata, India, 19 December 2015. http://bit.ly/1RIeRvB
C. M. Paul, ‘Mother Teresa country man comments on sainthood’ Matters India, New Delhi, India, 19 December 2015. http://bit.ly/1RIeYHz

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here