Me poeten DIJE LOHAJ

1
1440

Dije Neziri Lohaj u lind më 10 shkurt 1965 nē Shkup. Aty mbaroi vetëm dy klasē të fillores, pasi familja e saj shpërngulet në Ferizaj. Këtu mbaroi shkollimin fillor dhe filloi të mesmin. Në vitin 1983, pushteti serb e dënoi me 3 vite heqje lirie. Pas burgut ne vitet filloi studimet, por komitetlinjte e atëhershëm ia mohuan tē drejtën për studime, duke e kinsideruar” tē papërshtatshme politikisht”. Ne vitet e nentedhjeta, regjistroi studimet ne Degën e Letërsisë dhe tē Gjuhës Shqipe ne Fakultetin e Filologjisë të Universitetit tē Prishtinës. Pas një procesi gjuqësor ne Feriza, më 1997, policia serbe kerkoi ta arrestoje me akuzën “ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ate vit gjykata serbe ne Prishtine e denoi me dy vite burg ne mungesë, prandaj i detyrua te nderpreje studimet dhe te qendroje ilegalisht ne Prishtine, ku me pas shume peripecive ajo migroi ne Tirane. Me 1999, kur u çlirua Kosova, Dija i kthye ne Kosovë, ku dhe i perfundoi studimet. Ajo tani është profesoreshë e gjuhës shqipe dhe e letërsise shqiptare ne shkollen “Gjon Serreqi” ne Ferizaj. Dije Neziri – Lohaj, grua, nënë dhe poete perjetoi gjendjen me te rende qe mund te perjetoje njeriu i idealeve te medha per atdheun. Në opusin e saj poetik, i tere shpirti i saj njerezor digjet flakë per nje ideal te madh te gruas poete, per vendon dhe kombin e saj, duke qene e shqtesuar edhe per tërë globin. Ka të botuar edhe librin pietik “Ëndrrat për atdheun”, Prishtinë, 2009, “Cunamët ua solla unë”, Prishtinë, 2013 dhe “Gjema e paqes”, Ferizaj, 2015. Ka ne doreshkrim edhe të katertin.
/Gjin Musa, gazetar

Dije LOHAJ

NËPËR MERIDIANET E SHPIRTIT

Mos u ngut!
Po sillma fluturen e parë të pranverës,
Sillmi edhe ninullat e dashurisë
Dhe, eja të vrapojmë symbylltas pas vegimit tonë.
Të vrapojmë zemrës së heshtjes,
Që kur t’i hapim sytë,
Do e kuptojmë Se kot u trembem nga zjarri,
Kur, ai zjarr nuk ishte ndezur për ne
Për të na djegur mëkatin tonë,
Ai ishte drita nepër meridianet e shpirtit
Që nuk e pamë tek vraponim të egzaltuar…
A nuk të thash
Të mos i fshijsh gjurmët e mallit,
Të mos i matësh hijen e shpirtit
Edhe atëherë kur me thoshe:
Nëse një ndjenjë Nuk ma ftohë prushin e zemrës
Apo nuk më ngrohë në acar shpirtin,
Ajo për mua nuk është e bukur.
Nëse më jep ankth e jo qetësi
Atëherë nuk është e madhërishme.
Nëse mbjell dyshim e jo siguri
Ajo nuk është lule, por ferrë
Që dikur do t’i nxjerrë gjembat
E do të shpon epitafin e zemrës sonë…
Mos u ngut Se mjafton ta shijojmë natyrshëm
Qoftë edhe pa nxjerrë një pasthirrmë kënaqësie,
Se ajo që del nga fjala jonë
Është me e mangët se atë që ndjejmë meridianeve të shpirtit.

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

NË UJËVARËN E SYVE TË TU

Sytë e tu Më erdhën si gurgullim ujvare,
Më trazuan si valë deti
E u futën në urnën time të bërë hi.
Desha të pi gjithë atë ujë,
Ku laheshin ata sy çdo mëngjes
E të shuaja etjen Me zjarrin e gjirit.
Eh, ike ti,
Ike bashkë me sytë Bashkë me ujin
Drejt oqeanit të pafund.
Pa pikë force Të ndiqja gjurmen tënde
Në mesin e një koloriti valësh,
Vala mbulonte gjurmen, Unë shpupuritja valën
Qindra kilometra larg detit e bregdetit.
Zëri yt melodik u mishërua Me melodinë e Orfeut,
Buçet mbushur me dashuri gjigande,
E zemra ime e vogël,
Verbon terrin e natës,
Verbuar nga drita e ditës,
Por ata sy E bënë aq të ndjerë,
Më të ndjerë Sesa dashuria e pafund.
Aty u rilinda,
Ndeza flakën në cdo gurrë
E në cdo ujëvarë.
Vallë, gjithë ato zana të jenë shuar
Në atë ujëvarë,
Që shikimi yt kaq i thellë
Kaq i thellë
Të rilind shikimin tim.

MASHTRIMI

Oh, ndjenjat janë zjarr i ndezur,
Gjemba të mprehta trëndafili,
Djerrinave vjeshtës me shi.
Mashtrimi shtrihet me brymë,
Frymëmekur tradhtia,
Shkun yjet pamëshirë.
Oh, shteroi qiellin e tempujve hynorë,
Se mashtrimi sonte perpiu shpirtin tim
Thitha të panjohurën e zemrës sate?
A thua dashuria qenka krim?!!!

LULE E ËNDËRRT

Dashuria është lule prej ëndrre
Hapë e mbyllë petalet në dritë shpirti
Përmbushë universin me aromë të pafund
Ndodhet atje ku nuk e shoh
Vjen këtu ku nuk e prek
Buzëve marrosëse iu jep shëlbesën
Dhe rikthen fluturimin e ylbertë nëpër zemër
Me brishtësi puhie përkedhelë tiktaket
Në shtratin e fantazisë hedh vellon e lumturisë…
Dashuria pluskon me orkestrinën e afshit
Çdo tingull e renditë lehtas në pentagramin e shijimit
Ndjenjat fluturojnë dhe valsin e ngjizjes e joshin
E një dyjëzim magjiplotë si perlë trakton në ekstaza
Mbledh veshtrimet e tua dhe më mbulon mua
I palos një e nga një në sirtarë përgjërimi
Përbrenda i ndez qirinjtë e përndritjes
Dhe zjarrminë e në dy pllaja krahërori
Dashuria bëhet akord i magjepjes
Duke pritur aq gjatë Mungesën tënde…!
Por duke ditur se çdo kthim bëhet për hirë saj.

HAPAT T’I NUMËROJ

Si është e mundur që tani nuk shihemi?!
Dikur hapat ngatërronim në hedhje
Dhe përgjaknim gjunjtë në rendje për te njëri tjetri
Ulur mbi prehër të përkëdheljeve
Pastaj shëronim plagēt tona të kaltërta
Dhe nga pasioni i dashuror krijonim univers te ri e një botë tjetër
Mjaftonte për të prekur butësinë e shpirtit
Me melodinë e mëngjeseve në tërë përmasat e mrekullive.
E tani nuk më sheh e nuk të shoh dot
Kaq trishtim që pikon si shtrydhje mjegullore
Kaq dhembje për praninë e mungesës!
Dhe kuptoj se të kërkoj kur më përmendë një pasthirrmë
Një ngashëshrim në tërë stazat e pëgjumjes
Tek kur në ëndrra me faniten ata sy
Varur me rrinë si kokërra bojqershije…
Përtej pritjeve dhe vargmaleve të mallit
E tërë qenia ime me ankth ndjek ende hapat e tu si atëherë
E zemra pezull me rri tek kërcasin
Tiktaket e saj duke u djegur
Na ka mbetur vetem hiri
Tatuazhet e lëna nga ngjizjet tona që fosforojnë
Dhe përsëri dua ta ribëj sfondin dhe profilin e mishërimit
Dhe të ftoj solemnisht se hapat ende t’i numëroj
Të rikrijojmë si atëherë jehonat e hapave të numrueshëm
Dhe çastet tona të çmendura të dashurisë!

MAGJIA E DASHURISË

Unë dhe dashuria ka gjysme shekulli që jetojmë bashkë,
Po, kurrë s’e shuam magjinë e tiktakeve të shenjta
As kur si hëna u ula ngà errësira e trishtë
As kur si dielli perëndova nga cunamet gri…

AKUAREL I ZI

Si një gjethe e vetmuar
E trungut të lashtë,
Gjalluar kërkoj rrënjët nën hijen e tij,
E kush nuk e do dheun e atdheu,
T’i pushojë eshtrat,
Që shekujt i gërryen copë-copë?
E kush nuk e do gjuhën e nënës,
Ku dora e butë të përkund
Dhe belbëzon ninanana,
Në butësinë e pështjellakut të linjtë,
Endur me lëkurë nëne,
Edhe pse muzgjet lëshonin jargë pushteti
E mordja na sillej mbi kokë,
Tek futnim në gji heroizmat tanë,
Harronim ëndrrat e çakërdisura
Dhe ktheheshim te guri i vatrës
Edhe pse vajet na verbonin,
I fshinim sytë me pëllëmbë të nënës,
Lotin që rridhte si ujëvarë, e pinim,
Për të ngjallur derën e fikur,
Për të ndezur oxhakun e shkretë.
Jo, nuk kishte as ulërimë, as tmerr,
Që të fshinte imazhin tënd,
Se ishte frutë e mendjes,
Që rrënjët i kishte thellë e më thellë,
Që çdo ditë me forcë përtëritej
Dhe krejt shpenguar riprodhonte qelizën tonë…
Të stërmunduar në orët e misterta
Lebetitej errësira,
Nga pasqyra që zhdukej,
Gërryente edhe melaminë e murrme.

SIMFONIA E SHPIRTIT

Një ndriçim ylli lind fjalёn deri nё ekzaltim,
Një zgjim delli dёrgon ëndrrёn
Deri tek orbita ime pa kometë,
Dy sy falin rritën e urtësisë përtej horizontit
Dhe bëhen pluskim nën plazmën e gjakut shekujve,
Mund të rrëzohen shekujt deri në fund të kohës,
Për të fluturuar përtej saj,
Edhe lutjet mund të shuhen,
Që sjellin baladat e dashurisë,
Se sonte shpirti mё ka ikur,
E nuk mund ta arrij dot,
As me hapin e erёs,
As me kitarёn e zemrёs.
Mund tё marrёsh edhe gjysmёn tjetёr timen,
Sepse nuk ta thashё dot lamtumirёn,
As sot, as mot,
Se e pёrtejmja zgjohet brenda kokёs sime,
E qenia e saj e gurëzuar,
Nuk do tё harrojё elegjinё e shpirtit,
Se tani jam e lirё,
E zinxhirёt e prangave s’do tё vlejnё.
As atëherë kur do tё flasim me gjuhën e mallit,
As atёhёrё kur shkryqёzohet shpirti i kryqёzuar.

ZË DRITE POSHTË NJË VERBËRIE

E si do të shohësh
Verbërinë e syve të tu,
Në vjeshtën tënde të fundit?
E si do të mundohesh
Errësirën e tretur të një kohe
Ta zbardhësh përtej ardhmërisë?
Kot do të mundohesh
Të mbëltosh ylberin,
Shikimin e diellit me zë drite,
Me ato gropa
Të matësh largësinë
E verbërisë sate,
Burgut tënd të zi.
Do të shpupuritësh vitet e tua,
Siç shpupuritim
Hirin në oxhak me mashë
E do të mundohesh
Të gjesh një thëngjill
Të ditëve të nxehta,
Kur zjarri bubullonte
Në qenien time
Dhe kur në buzët e mia
Nxehej flaka.
Gropo në kafkën tënde,
Të hapësh varrin për vete,
Por ke fat që shkëndijat,
Që shkreptijnë nga eshtrat e mi,
Nuk i sheh dot me sy.
Duket se kjo paska qenë arsyeja
Që pëlqeve verbërinë tënde,
Në dimrin e parë,
Pa të filluar vjeshta jote e fundit.


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu