Mbi ikjen masive të rinisë nga trojet shqiptare

0
518
Po ngarkohet...

Dionis Xhafa

Shqiptarët po ikin si kurrë më parë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë përmbysje serioze e sistemeve siç ndodhi më 1990 kur iu kthye shpina komunizmit tragjik të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Por po ikin masivisht dhe këtë herë në një eksod numër dy sa në Greqi, Itali, Gjermani e ndokush edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe të drejtë kanë. Kemi një qeveri dhe qeveritarë që vazhdojnë të veprojnë sikur jemi të verbër dhe nuk e shohim realitetin e na mbajnë gjallë me nacionalizma dhe tone të fryra të patriotizmit. Politikanë që përdorin fjalë të mëdha dhe nuk shohin gjërat e vogla dhe realitetin migjenian e tragjik në vendin që ata e lëvdojnë gjithnjë si i “shqiponjave” apo të njerëzve fisnikë. Nga njëra anë kemi propagandën e qeveritarëve tanë dhe të lyer e të ngjyer me grim kurse në anë tjetër realitetin tragjik që gjendet në udhët e këtij atdheu apo në bisedat e përditshme të qytetarëve të këtij vendi.

Ndërsa politikanët flasin me fjalë të mëdha dhe për projekte serioze apo pompoze në anë tjetër ka njerëz që vuajnë si mos më keq në këtë vend. Ndërsa padrejtësia më e madhe si shpatë bie mbi të rinjtë, mbi njomësinë dhe mbi shqiptarët më të mirë që nuk bëhen palë me të keqen dhe shtypjen e bashkëkombasit të vet. Jo më larg se përpara disa kohësh teksa isha ulur tek kafe “Opera” në tavolinën ngjitur dhe aty dy shokë të moshës së re po bisedonin ngutshëm me njëri tjetrin teksa e pinin kafen edhe me një nxitim të madh. Njëri i thotë tjetrit se ku mund të iknin dhe më pas vijonin të thonë se e kam tezën këtu, xhaxhain atje apo vëllain këtu e atje me qëllim që të gjenin një terren njoftësie diku për tu larguar nga Shqipëria.

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

Po po iu kishte ardhur kaq në majë të hundës ky vend sa kishin zgjedhur rrezikun përballë një klime të tmerrshme politike dhe dhune të përditshme. Ishte kaq kontraversale se këta të rinj me siguri deri pak kohësh nëpër libra shkollorë kishin mësuar se Shqipëria është vendi ynë i dashur dhe duhet të punojmë drejt për atdheun kurse sot që janë të rritur dhe kanë kërkesa ekonomike rruga iu bëhet e vështirë dhe po duan ta braktisin këtë vend. Muhabeti i dy të rinjve në fjalë sikur kishte lëngim, kishte gjak e mall bashkë të përziera nën tymin e cigares të njërit prej djemve i cili shihte me dyshim nga larg statujat dhe ndërtesat më të larta të kryeqytetit të shqiptarëve.

Politika e propagandës dhe e krimit

Propaganda në politikën shqiptarë nuk njeh limit. Këtu në emër të patriotizmit e zhvasin shtetin deri në rrënjë. Këtu bëjnë si patriotë me flamuj e me hymne e nga ana tjetër e shkallmojnë shtetin. Këtu kreu qeveritar bën thirrje për bashkim kombëtar dhe flet fjalë të mëdha në një kohë që situata ekonomike është në gjendje katastrofike. Ajo për çka mendohet është pushtet e vetëm pushtet. Maxhoranca aktuale ka marrë me vete gjithçka gjeti nga përroi i ri dhe i vjetër, kriminelë dhe sharlatanë nga e mbarë Shqipëria dhe duke përligjur edhe krimin, edhe propagandën edhe pa e folur kurrë të vërtetën alarmante në terren e cila është ku e ku me atë që na dëfton përditë e përnatë televizioni në shtëpi.

Një politikë që zhvillohet si në çmenduri është kjo e cila as që pyet për realitetin “poshtë” e të përditshëm që është i trishtë për qindra e mijëra shqiptarë që duan të jetojnë këtu e është bërë thuajse e pamundur. Njerëz që flasin me vete dhe që nuk guxojnë as të kundërvihen pasi propaganda bën të veten. Njerëz që përballë politikës e kanë humbur shpresën dhe disa që janë më laramanë dhe që mbrojnë edhe atë që nuk mbrohen bëhen mbrojtës të politikave kurse më të mirët sidomos ikin për të mos e kthyer kokën më pas ndoshta në këtë vend politike kriminale. Njerëz që politika iu ka ardhur në majë të hundës dhe që bashkë me fjalën “politikë” kanë dëgjuar edhe video-skandale seksuale, kanë dëgjuar kriminalizimin e parlamentit, kanë dëgjuar përgjime, sharje, fyerje, poshtërime, mendjemadhësi dhe marrëzi që i ofron politika jonë.

Njerëz që politika pas 25 viteve iu ka ardhur në majë të hundës dhe se po u bëre palë me të duhet të jesh si qeni që tërhiqet zvarrë dhe ta mohojnë çdo liri personale por kthehesh në rob partiak. Njerëz që përballë politikës janë shumë të vegjël dhe se as që llogariten a janë shtetas të kësaj republike apo jo. Nuk pyetet për fatin e tyre, për diplomat që i kanë marrë me kaq shumë mund, për përpjekjet, për stërmundimet. Shkurt, njeriu në këtë atdhe përballë politikës ose detyrohet të kthehet në vegël të saj ose të heshtë dhe ta përballojë realitetin në një mijë mënyra nga më të egrat, duke patur gjithnjë kujdes se mos shkelin në dërrasë të kalbur dhe ndoshta edhe detyrohen disa syresh të mirren me prostitucion, edhe me vrasje, edhe të jenë pjesë e grupeve kriminale, edhe me shumë të liga. Janë rrugë krejt të gabuara, por se drejt tyre të çon edhe largimi nga vendi si shkak i politikës që gatuhet brenda vendit të lindjes së çdo shqiptari.

Realiteti tragjik

Ndër shqiptarët përgjithësisht duket sikur kemi të bëjmë me një realitet tragjik dhe që hera herës merr edhe nota të së tmerrshmes. Ajo që po ndodh është zbrazja e vendit nga ana e shqiptarëve, sidomos e të rinjve. Këta të fundit pasi e mbushën një farë moshe dhe rriten, sidomos ata me arsimin më të ulët (por edhe me deri arsim të lartë) nuk shohin shpresa në këtë vend por ikin drejt shteteve të ndryshme në perëndim ose deri në kontinente të tjera. Kjo sepse këta të rinj kanë parë disi edhe sukseset e paraardhësve dhe akoma funksionon batuta se më mirë emigrant sesa mësues i ndershëm në këtë vend apo të tillë që është në fakt edhe realitet. Tragjikja qëndron në atë se ka një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse tek shqiptarët për të punuar jashtë vendit dhe ngjan sikur ky vend të ketë dështuar totalisht përderisa gjithçka shihet me shpresë vetëm në një jetë jashtë.

Të shumtë janë ata që duket sikur mbyllin veshët dhe nuk duan më të dëgjojnë as kryeministrin, as presidentin dhe asnjërin që ua mbush mendjen me propagandë boshe dhe veç mblidhen në atë hallin e tyre të vogël. Pikërisht për hallet e vogla të shqiptarëve nuk pyet askush por mirren me çështje madhore politikanët tanë. Qytetari ngjan si term i largët për politikanët ose më saktë përdoret si një retorikë komplet boshe dhe pa asnjë vërtetësi. Kreu qeveritar shprehet se ka vende pune Shqipëria apo Kosova dhe kontraversja këtu është se këtë fjalim e dëgjon ndonjë kryefamiljar i papunë dhe kur e ballafaqon me realitetin e vetes i vjen ta pështyjë televizionin.

Politika këtu nuk është as për halle e as për probleme të thjeshta, por si ti rregullojmë raportet apo ti ndreqim me Greqinë apo me Serbinë, si ta zgjidhim kauzën e madhe tonën të përbashkët dhe fliten këta kur populli s’ka bukë për të ngrënë e djemtë janë jashtë atdheut se këtu nuk rrihet. Këtë vend e kanë marrë peng trafikantët e drogës, ata që mirren me prostitucion, me vrasje dhe me të tilla poshtërsi. Kush nuk është i aftë për të bërë politikë të ndyrë dhe për tu marrë me shenjtanllëqe të tilla të ikë më mirë se ky atdhe po jep shpirt. Njerëzorja thuajse ka vdekur dhe toka është mbjellë në vend të dashurisë, me urrejtje, me vrer, me tmerr, kanabis, vrasje e poshtërira të pafundme. Ikja sigurisht nuk është ikje vetëm fizike. Përkundrazi është ikje që pas shpinës ndjen edhe thikën e shtetit tënd, e trafikantëve dhe të tjerëve që e grabisin atdheun me punë të pista.


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu