“LËRENI DIELLIN TË NDRIÇOJË…”

0
820
Po ngarkohet...

Shënime udhëtimi nga Amerika

Ndue Lazri, gazetar, poet.

Aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare pat botuar një reportazh të bukur në formën e shënimeve të udhëtimit nga Amerika. Titullohej “Një botë në rënie”. Nuk ishte e lehtë në ato vite të shkruaje një reportazh për “Amerikën imperialiste”, që konsiderohej armike e betuar e vendit tonë dhe me të cilën nuk kishim as marrëdhënie diplomatike. Por Kadare është Kadare dhe shkroi një reportazh që edhe sot e kam ndër mendje, që më pat zgjuar ëndrrën për një udhëtim përtej oqeanit, e që e rikujtoj tani që jam ulur në boingun Delta, i cili nga Malpensa e Milanos na shpie në aeroportin “JFK” të Nju Jorkut. Mbase jam i vetmi që e mendoj atë reportazh, se shokët e mi të grupit, Ilda Pinari, Migerta Myderizi, Anila Kaja e Erio Korani, mbase as nuk kishin lindur, kur u shkrua ai.

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

Si përfaqësues të Federatës FNAI të disa shoqatave te emigrantëve shqiptarë në Itali, jemi nisur në një takim midis përfaqësuesish të diasporës shqiptare. Është folur shpesh nga qeveritë e vendit tonë për një summit (takim) të mundshëm me përfaqësues të diasporës, por deri tani kjo ide është shtyrë për në kalendat greke. Ndaj ky hap i parë, i ndërmarrë nga ambasadori amerikan me përvojë të gjatë diplomatike sidomos në Ballkan e në vendet e lindjes e që e ka shumë për zemër çështjen e Kosovës, William Walker, duhet përshëndetur edhe pse tani për tani mbetet vetëm një hap i parë me pretendime modeste. Por a mund të ketë hap të dytë, pa bërë një të parë?

Nëntë orët e fluturimit kaluan pa u ndjerë. Në monitorin që kam përpara syve mund të shikoj filma, të dëgjoj muzikë, të navigoj në internet. Preferoj të luaj shah, sepse zhytja në betejën e figurave të drunjta më bën të harroj gjithë ambientin përreth e të mos e ndjej kohën. Me vete kam marrë edhe librin “Udha drejt vdekjes” të shkrimtarit të shquar Agim Shehu.
– Një titull jo fort i përshtatshëm për një udhëtim kaq të gjatë, – më thotë buzagaz Anila, që e kam përkrah.
– Mbase pikërisht ky titull e pakëson frikën, – i them po duke qeshur.

Madhësia e aeroportit njujorkez dhe rrëmuja e trafikut jashtë tij janë marramendëse. Ndaj na duhet të presim gjatë, derisa mikja jonë Mimoza Ferraj dhe vajza e saj të vijnë të na marrin me dy makina për të na shpënë në hotelin e prenotuar në Nju Jersey. Unë udhëtoj në makinë me Mimozën dhe mikun Fatmir Osmani, që ka ardhur për takimin që nga Vjena. Një udhëtim i qetë por që zgjat në kohë. Duhen orë për të dalë nga Nju Jorku. Ndërsa pjesa tjetër e grupit do kalonte një aventurë si në gara shpejtësie, për shkak të temperamentit të vrullshëm të vajzës së re, që i shoqëronte.

Ka filluar të bjerë mbrëmja, kur hyjmë në rrugët e qytetit të Nju Jerseyt. Më ngjan vetja si nëpër ata filmat amerikanë me shtëpitë-vila prej druri apo gjysmë prej guri e gjysmë prej druri, me ato pemët me ngjyra të ndezura anësh rrugës. Çdo shkrehje e aparatit fotografik prodhon një kartolinë të vërtetë. Hoteli, një strukturë disi e çuditshme, tamam alla amerikançe, por i rehatshëm e komod, ndodhet diku buzë një pylli të dendur dhe një fushe golfi. Një qetësi e gjelbërim shumë prehës.
– Çfarë dëshironi të bëjmë? – na pyet Mimoza, pasi stabilizohemi dhe hamë darkë.
– Të zbresim në Manhattan, – i themi. – I pamë pak grataçielat duke dalë nga Nju Jorku, tani duam t’i shikojmë natën.

E papërtueshmja Mimoza buzëqesh dhe me shumë dashamirësi na vihet në dispozicion. Tashmë trafiku është qetësuar dhe atë rrugë që në ardhje e bëmë për pesë orë tani e bëjmë në gjysmë ore. Për të hyrë në ishullin e Manhattanit kalojmë nëpër tunelin Linkoln, i cili është ndërtuar nën ujë. Konturet e tij janë prej metali që lëshon një dritë të bardhë. Mimoza e ndal makinën në Time Square, ajo që përbën zemrën e Manhattanit. Grataçielat e larta me fasada tërë drita e reklama ngjyra-ngjyra, lëvizjet e shumta të turistëve, bëjnë që këtu gjallëria të jetë e pandërprerë në 24 orët e ditës. Nju Jorku ka mbi 8 milionë banorë, por ata që e gjallërojnë më shumë janë mbi 50 milionë turistë që hyjnë çdo vit në këtë qytet.

E ky fluks sjell në financat njujorkeze mbi 30 miliardë dollarë në vit. Aq sa është buxheti shtetëror i tërë Italisë për nj vit. Emri Manhattan në gjuhën origjinale do të thotë ishull i kodrave të shumta. Po ku janë kodrat? Ne shikojmë vetëm grataçiela të shumta, të bukura në madhështinë e tyre, në lartësinë që objektivat e aparateve fotografike gati nuk arrijnë ta rrokin. Time square, Rockfeller center, quartieri i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, hotelet e shumta, qendrat e biznesit e të financës janë ndërtesat e shumta e imponente, që i japin bukuri të veçantë Manhattanit, që është njëri nga 5 distriktet e Nju Jorkut. E mbase ai më sugjestionuesi, natën në shkëlqimin e pafund të dritave e reklamave e ditën nën ndriçimin e një dielli të ndrojtur pranveror.

Diku ndalemi e fotografojmë një kalë me karrocë. Tashmë ai përdoret për ndonjë xhiro të shkurtër nga turistët, si simbol i një epoke të kaluar. Deri në vitin 1908 kuajt me kaloshinë e karroca ishin i vetmi mjet transporti publik nëpër rrugë. Atëherë hynë 600 taksitë e para, që i dërguan në pension kuajt me karroca. Ai që solli transportin e taksive, i kërkoi ato me ngjyrë të verdhë, se dallohen më mirë mes trafikut. Që atëherë ngjyra e taksive amerikane ka mbetur e verdhë. Dhe Nju Jorku ka 13 mijë të tilla.

Me Anilën e Erion kalojmë afër një parku buzë oqeanit. Pamja natën me refleksin e dritave në ujë është magjepsëse. Nju Jorku është konsideruar si xhungla prej çementoje për shkak të ndërtimeve të shumta. Por nga ana tjetër është menduar për një raport të drejtë midis ndërtimeve e gjelbërimit dhe Nju Jorku konsiderohet edhe metropoli më i blertë në botë, me një mesatare prej 23 metra katror gjelbërim për çdo banor. I famshmi Cenral Park i këtij metropoli ndodhet pikërisht në Mahattan. E më i bukuri ndër liqenet e tij mban emrin e Jacquelinë Kennedy-t.

Ka kaluar ora 2 e natës amerikane, kur në Europë është ora 8 e mëngjesit. Shëtisim e nuk na bie ndërmend, që kemi mbi 28 orë, që jemi nisur për udhëtimin. Magjia e natës amerikane na bën ta harrojmë gjumin.

* * *

Të nesërmen ishte dita e takimit për të cilin kishim marrë rrugën për në Amerikë. Me të drejtë në mëngjes Ilda, Migerta e Erio ngulën këmbë që të bëhej një takim paraprak me ndonjërin nga organizuesit, pasi ditët e fundit kishim qenë në një black out (errësim i plotë) informacioni mbi vendin ku do të bëhej takimi dhe rendin e ditës. Kërkuam një takim dhe në pak çaste, në hollin e hotelit erdhi Douglas Walker, djali i ambasadorit, i cili ishte marrë personalisht me organizimin. Në takimin me të, grupi ynë, në formën e pyetjeve e përgjigjeve shtroi një sërë problemesh organizative, për të cilat Douglas na dha plotësisht të drejtë, e iu përgjigj pyetjeve tona. Ndërhyrja jonë u konsiderua krejtësisht me vend dhe shprehje e seriozitetit e ekzigjencës së Federatës shqiptare në Itali.

Erio insistoi që të merrnim një makinë me qera, për të qenë më të lirë e të pavarur në lëvizjet tona. I ndërhymë edhe kësaj “aventure”, morëm një makinë të rehatshme e të bollshme 7 vendshe (në Amerikë gjithçka është e përmasave të mëdha), por kjo sipërmarrje nuk do të na dilte shumë bindëse për shkak të vështirësive për parkim. Në Manhattan për një orë parkim paguheshin 30 dollarë. Megjithatë rrugën për në takim e bëmë me makinën “tonë” dhe Erio, më me përvojë midis nesh në “aventura” amerikane, tregonte se dinte të lëvizte i qetë nëpër autostradat e këtij vendi.

Vendi i takimit ishte diku jashtë Nju Jersey-t. Rruga kalon përmes një pylli të bukur e mjaft të dendur. Aty-këtu, ketra që ngjiten e kërcejnë nxitimthi nëpër pemë. Pejsazhi është piktoresk. Dhe ja tek arrijmë tek lokali “Casa Bianca”. Një restorant i madh dhe i ndërtuar me shumë shije. Pronari është një shqiptar nga Struga, me emrin Sejfulla Shehu. Ai dhe punonjësit e tij kanë organizuar një drekë mikpritëse, për pjesëmarrësit e këtij takimi dhe i bëjnë nderet e pritjes sipas traditave shqiptare. Takohemi me të ardhurit e tjerë nga shoqata e federata të ndryshme në Europë, nga shoqatat e shqiptarëve në Amerikë etj. Disa që nuk kanë mundur të vijnë lidhen drejtpërdrejt me takimin me anë të videokonferencës.

Miku ynë Klodian Cami, që nuk arriti ta merrte vizën në kohë për të qenë pjesë e ekipit tonë, është në çdo çast i lidhur me ne dhe kërkon foto, mesazhe, pjesë të regjistruara nga takimi. Në tavolinën tonë ulet edhe përfaqësuesja e Federatës së shoqatave shqiptare në Greqi, Eni Shuli, me të cilën ishim parë edhe në takimin me përfaqësues të dy federatave tona në Peschiera del Garda. Një vajzë e qeshur dhe e përzemërt, që ka dëshirë të rrijë gjithnjë me grupin tonë, e natyrisht që shoqëria e saj na jep kënaqësi. Pastaj vijnë edhe kryetari i shoqatës “Vatra”, Gjon Buçaj, dhe dy djem të rinj të forumit rinor të “Vatrës”, Saimir Dashi nga Lezha dhe Saimir Burgaj nga Shkodra. Me këta të dy dalim të njohur të vjetër, nëpërmjet miqve që kam njohur gjatë viteve që kam punuar në Shkodër. Dy djem vërtetë të mirë, të integruar plotësisht në jetën njujorkeze, e që do na shoqëronin edhe pas takimit.

Ambasadori Walker foli për rëndësinë e këtij takimi, për synimet e tij lidhur me bashkimin e federatave e shoqatave të diasporës shqiptare kudo që ndodhen, për t’i bërë ato më të ndjeshme ndaj problemeve në Kosovë e Shqipëri, e për të dhënë ndihmë konkrete në fushën ekonomike e të biznesit, për vendosjen e një demokracie të vërtetë në luftë me korrupsionin etj. Në emër të federatave tona folëm edhe unë e Eni Shuli, duke theksuar që ky takim është fillim i një bashkëpunimi që duhet të vazhdojë me takime të tjera shumëpalëshe apo edhe dypalëshe në Europë e gjetkë, siç kemi filluar midis dy federatave tona. Folën edhe përfaqësues të tjerë, e takimi u zhvillua në një atmosferë vërtet të përzemërt e vëllazërore.

Ekipi ynë, bashkë me Enin dhe të dy Saimirët dolëm sërish në Nju Jork deri në orët e darkës. Në një farë ore, Saimir Burgaj na shoqëron në një restorant në Nju Jersey, meqenëse nuk po përshtateshim edhe aq shumë me mënyrën e të ngrënit amerikane.
– Di unë ku duhet t’ju çoj, – na tha ai.
Me të kaluam një darkë me të vërtetë shumë të këndshme. Ajo që na bëri përshtypje ishin porcionet e mëdha e të papërballueshme. Garniturat e perimeve ishin kaq të bollshme, sa secila prej tyre mund të konsiderohej një pjatë më vete. Kurse Erio na dërgonte foto nga restorant “Dukagjini” në Bronx, ku kishte shumë shqiptarë me restorante dhe kishte provuar gatime tipike të kuzhinës sonë. Orët kalonin dhe ne e kishim humbur nocionin e kohës. Aq sa po na bëhej e zakonshme të flinim vetëm 2-3 orë në natë.

* * *

Statuja e Lirisë. Një nga simbolet më të rëndësishme të Amerikës, e nga monumentet më te vizituara të rruzullit tokësor. Mbase ngaqë liria është aspirata më e madhe e çdo njeriu e Amerika, me demokracinë e saj mbi 200-vjeçare e me popullsinë më heterogjene në botë, simbolizon ëndrrën e njeriut për liri. E mbase pikërisht për këtë fakt, në ditën e inaugurimit, më 28 tetor 1886, gruaja-statujë me kurorën dhe me pishtarin në dorë u quajt “Liria që ndriçon botën”. Ndoshta me kalimin e kohës ky term ambicioz, me ndonjë notë euforie brenda, u la qëllimisht në harresë dhe përmendorja njihet thjesht me emrin “Statuja e Lirisë”. Ky monument nuk ka lindur këtu mbi pllajën e Manhattanit mbi lumin Huston, ku ngrihet madhështore prej 130 vjetësh. Statuja e ka origjinën dhe realizimin e saj në Francë. Projektuesi i saj ishte arkitekti francez Bartholdi, por realizimi iu besua mjeshtrit të monumenteve të larta Gustav Eiffel.

Duket një koinçidencë, por në vitin 1886, kur u inaugurua Statuja e Lirisë, Eiffeli po punonte për ndërtimin e kullës më të famshme në botë, që mban emrin e mjeshtrit dhe që do të inaugurohej vetëm 3 vite më vonë, më 1889. Mjeshtri e ndërtoi statujën e destinuar për në Amerikë me një lartësi 93 metra dhe e dërgoi për në vendin ku do të lartësohej të paketuar copa-copa në arka prej druri e të transportuar me anije. Kurse kullën me emrin e tij në qendër të Parisit do e ngrinte me një lartësi prej 340 metrash. Megjithatë, në ishullin ku ngrihet, Statuja e Lirisë spikat për madhështinë e shkëlqimin e saj dhe është e dallueshme nga 40 km larg. Nëse Kulla Eiffel vizitohet nga 5 milionë turistë në vit, Statuja e Lirisë ka 10 herë më shumë vizitorë.

Me Anilën dhe Enin, të shoqëruar me makinë nga një djalosh nga Republika Domenikane, të cilin na e rekomandoi Mimoza, nga Nju Jersey shkuam në parkun e bukur prapa Statujës së Lirisë. Prej aty, pamja e Statujës me grataçielat e Manhattanit në sfond është vërtet e mrekullueshme. Parku është i madh, i gjelbëruar dhe njerëzit shetisin me kënaqësi në këmbë ose me biçikleta. Diku është monumenti i një ushtari të bronxtë, që mban në krah një të plagosur. Tek e fotografoj monumentin në vijë të drejtë me Statujën e Lirisë, vjen vetvetiu mendimi që rruga e njeriut për tek liria ka ardhur përherë përmes gjakut dhe luftrave të shumta. Në të cilat, në një mënyrë apo tjetër, ka qenë dhe është e implikuar gjithnjë Amerika.

Ilda, Migerta e Erio, që e kanë kaluar natën në Manhattan, e vizitojnë statujën nëpërmjet udhëtimit me anije, nga ana tjetër, dhe na dërgojnë herë pas here foto.

Shëtisim edhe ne nëpër park e bëjmë foto të shumta. Të nesërmen, kur i kishte parë fotot në fb mikja ime Vera Kurti, që jeton në Nju Jork dhe më kishte shkruar disa herë që të gjeja kohë të pinim një kafe, do komentonte poshtë njërës nga fotot: “Battery Park! Çdo ditë i kaloj pranë. Sikur ta dija, roje do të bëja deri sa t’ju uroja mirëserdhjen në oborrin e shtëpisë së madhe të emigrantëve të të gjithë botës”. Faleminderit, Vera. Më erdhi keq vërtet për pamundësinë e takimit. Jo vetëm me ty, por edhe me mikun tim të dashur, poetin Vaid Hyzoti, që nguli këmbë disa herë të shkoja për një drekë. Po kështu edhe miku im i viteve në Shkodër, Tonin Kimça. Por koha që kishim në dispozicion ishte tepër e shkurtër. Të planifikosh një kafe me një mik në Nju Jork, duhet sëpaku gjysmë dite kohë. Kurse ne ishim në grup, gjithnjë në lëvizje dhe ajo që na mungonte ishte pikërisht koha.

* * *

Autostrada nga Nju Jersey për në Uashington DC është e gjerë dhe e bukur e kalon përmes një pylli që nuk i shihet fundi. Vetëm aty-këtu ndonjë grup shtëpish apo qendrash industriale e thyejnë sadopak pejsazhin e blertë. Autostrada ka shumë korsi, nga të cilat dy janë vetëm për kamiona. Shikoj ata kamionët thuajse butaforikë amerikanë, e vetja më duket sërish si nëpër filmat hollivudianë me udhëtimet e gjata nëpër autostrada. Pesë orë udhëtim e vetëm pyje anash rrugës. Asnjë mal apo kodrinë që të ndryshojë sadopak relievin. Mësuar me pianura padanën në Itali, që në fillim më dukej e pafundme, këto hapësira marrin përmasa të paimagjinueshme. Bashkë me Anilën jemi në makinë me Mimozën, Fatmir Osmanin dhe sipërmarrësin kosovar Shani Dodaj.

Udhëtimi është i këndshëm. Herë pas here ndalemi në ndonjë autogril, që nuk u ngjajnë aspak autogrileve në Itali, por më shumë atyre klubeve të filmave me cow-boy (lopçarë). E mbi të gjitha ajo që nuk ngjan është kafeja. Ti kërkon një kafe ekspres të shkurtër e ajo që të serviret është një tas i madh me gjysmë kile kafe brenda. Imagjino po ta kërkosh kafe normale. Megjithatë kjo nuk na prish kënaqësinë e udhëtimit, madje e kalojmë me të qeshur.

Në hyrje të Uashingtonit na pret Sab Gashi nga Liga Qytetare Shqiptaro-amerikane. I përzemërt e dashamirës, na ofron kafe, pastaj na fton në makinën e tij, për të bërë ciceronin gjatë shëtitjes nëpër kryeqytetin amerikan.
Pas dy ditësh mes grataçielave të larta të Manhattanit e Nju Jorkut e kaosit të trafikut, më bëjnë përshtypje ndërtesat e ulta anash rrugëve të gjera, të bukura e të qeta të Uashingtonit. Stili gotik, gjeorgjian e neoklasik i ndërtimeve ka shumë europë brenda. Madje disa ndërtesa u ngjajnë atyre të Parisit me çatitë blu të errëta. E në fakt projektuesi i qytetit është francez, pavarësisht se ish Presidenti Jeferrson pati ngarkuar një arkitekt tjetër, për të bërë ca ndryshime mbi projektin fillestar.

– Si spjegohet që Uashingtoni ka ndërtesa kaq të ulta? – pyes Sabin.
– Me sa di unë ka një ligj në shtetin Uashington DC, që nuk lejon ndërtime shumë të larta, – tha ai. Duke u interesuar, mësoj që në vitin 1894 qenë ndërtuar disa pallate 12 katëshe, të cilat u konsideruan të papranueshme për syrin e qytetarëve dhe ambientin e kryeqytetit. Dhe u vendos me ligj, që ndërtesat të ishin të larta sa gjerësia e rrugës përpara tyre plus 6.1 metra. Kujdes iu kushtua edhe kombinimit të stileve në ndërtim për të ruajtur një harmoni perfekte me rrugët, parqet e monumentet e shumta që ka qyteti.

Ndalesën e parë e bëjmë në Capitol Hill, apo shtëpia e Kongresit amerikan. Është ndërtesa më imponente e kryeqytetit dhe mbase më e bukura, e cila tërheq vëmendjen që larg. Kupola e saj, që të kujton disi atë të San Pietros në Vatikan, shkëlqen mes gjelbërimit rrethues. Pasi e vështrojmë nga tërë anët, duke bërë foto, ndalemi përpara pamjes sugjestionuese të Parkut të madh të Uashingtonit, fundin e të cilit nuk arrin ta kapë vështrimi. Aty janë monumentet e memorialet më të shumta e më të rëndësishme, të zhytura midis një blerimi, që duket sikur ndërron ngjyrë. Duket e pabesueshme, por Uashingtoni ka 1000 tonalitete të ngjyrës së gjelbër në parqet e tij, të cilat nuk i kap dot syri i një kalimtari apo vizitori të thjeshtë, por specialistët i evidentojnë.

Marrim rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, nëpër Pensylvania Avenue, anash së cilës janë ndërtesat e institucioneve më të rëndësishme shtetërore dhe shumë muze. Sabi na spjegon që Uashingtoni ka 50 avenue, aq sa është numuri i shteteve të Amerikës. Rrugët kryqëzohen në formë kuadrati, por edhe në formë yjesh, duke e bërë shumë të veçantë hartën e qytetit, që duket një kryqëzim midis kutive të shahut dhe yjeve. Ato kuadratet tipike e shumë të ngjashme me njëri-tjetrin i pamë edhe ndërsa avioni ulej për në Nju Jork e mendoja se si mund ta gjejë njeriu adresën e tij mes një ngjashmërie të tillë. Duke vazhduar rrugën anës Parkut, spikat kolona e lartë e Monumentit të Uashingtonit, kushtuar presidentit që është konsideruar babai i atdheut.

Tek e fotografoj më vjen ndërmend një episod i largët. Ishte fillimi i viteve 80, banonim në Shkodër dhe sapo kishim marrë televizorin. Më pat bërë përshtypje një lajm që e transmetonte televizioni italian. Një mitoman kishte sekuestruar pikërisht monumentin në fjalë, duke parkuar një furgon pranë tij dhe duke kërcënuar që furgoni ishte me tritol dhe do hidhte në erë monumentin. Mitomani u vra nga policia dhe pastaj u zbulua që në furgon nuk kishte asnjë lloj lënde plasëse. Ai monument filloi të ndërtohej në gjysmën e shekullit të 19-të. E Papa Pio IX dergoi nga Italia një bllok mermeri. Në të ishte gdhendur shënimi. “Nga Roma për Amerikën”.

Më tej janë monumenti i presidentit Linkoln dhe memoriali luftës në Vietnam, ku janë gdhendur emrat e gjithë atyre që ranë në atë luftë të gjatë. Tek vështroj atë hapësirë të blertë përpara, më vjen ndërmend skena finale e filmit “Flokët”, ku turma, pasi ka kaluar pranë varreve të të rënëve, drejtohet për tek kangjellat rrethuese të instuticioneve shtetorëre, duke kënduar këngën, që përfundon me lajtmotivin “Lëreni diellin të ndriçojë”. Ishin vitet ’70, kur opinioni amerikan ishte lodhur nga luftrat dhe nga derdhja e gjakut të bijve të tij, koha kur hipitë lëshonin thirrjen “mos bëni luftë, bëni dashuri”, koha kur njerëzit aspironin një paqe globale, shuarje të konflikteve dhe mbarim të luftës së ftohtë.

Kalimi përpara Shtëpisë së Bardhë ka emocionet e veta. E rrethuar me kangjella dhe e zhytur mes një gjelbërimi të studiuar e me shije, ajo tërheq vizitorë të shumtë, që në këtë orë afër mbrëmjes bëjnë foto përpara saj. Të njëjtën gjë bëjmë edhe ne. Nuk i dhamë rëndësi një grupi njerëzish në trotuar me objektiva të fiksuar mbi shtëpinë e presidentit amerikan. Menduam se ishin vizitorë si ne, që fotografonin. Veç kur hipëm në makinë e po largoheshim, pamë që në oborr doli Presidenti Obama, që me sa dukej do u fliste gazetarëve. Por tashmë ishte vonë të ktheheshim. Kishim pesë orë rrugë të tjera për t’ u kthyer në Nju Jersey. Më mbeti peng që nuk arrita të takoja shokun tim të viteve të fëmijërisë, gjykatësin e mirënjohur e të pakorruptueshëm me të cilin kisha punuar në Gjykatën e Kasacionit, Zef Brozin. Ai dhe bashkëshortja e tij, Diana, më kishin shkruar t’i takoja e të kalonim bashkë një darkë në Uashington. Por gjithnjë faktori kohë. Aq pak ditë, duken si disa minuta përpara hapësirës kontinentale amerikane.

* * *

Gjatë kthimit nga Uashingtoni, ndërsa nata kishte rënë, rrugës në makinë mendoja vizitat e bëra e sërish lajtmotivi i këngës “Lëreni diellin të ndriçojë”. Që nga vitet ’70, ai lajtmotiv është sërish aktual. Vërtet ka mbaruar me kohë lufta e ftohtë, e lufta e Vietnamit, por bota nuk ka gjetur qetësi. Madje, siç thotë Papa Francesco, bota është në luftë. Në luftë, që ka nisur me aktin e rëndë terroristik kundër kullave binjake në Amerikë e që ka vazhduar me atentate të shumta në Paris e Londër, Spanjë, Belgjikë e gjetkë. Psikologjia e terrorit ka bërë që njerëzit të aspirojnë më shumkë se kurrë në një paqe globale. Por gjuha e armëve flet gjithandej, në Irak e Afganistan, Siri e Libi e kudo ku ndërthuren interesa shpeshherë të maskuara, e të përziera me trafiqe të rrezikshme. Lëreni diellin të ndriçojë. Është thirrja e mijëra e miliona emigrantëve, që vazhdojnë të kalojnë nga një anë e globit në tjetrën, me ëndrrën për një jetë më të mirë. Mo ia hiqni askujt hisen e diellit. Atë e gëzojnë për pak orë në ditë edhe të burgosurit. Po njerëzit e lirë?! Që në fakt nuk ndihen dhe aq të lirë…

Amerika jep e para shenjat e daljes nga kriza. Ajo jep sinjalet e saj me zgjedhjen e presidentit të parë me ngjyrë, e mbase së afërmi të presidentes së parë grua. Londra jep një sinjal qytetarie të madhe me zgjedhjen e një qytetari të besimit mysliman në krye të bashkisë, vetë kryebashkiaku mysliman Sadik Khan jep një sinjal të fortë e simbolik me festimin e fillimit të detyrës së tij në një institucion të besimit të krishterë. Por a janë këto të mjaftueshme, që dielli të ndriçojë njëlloj për të gjithë?

* * *

Duke u kthyer me avion, kujtoj sërish reportazhin e Kadaresë. Në atë reportazh shkrimtari ynë fliste shpesh për një kuisje qeni që e linte pa gjumë natën në hotelin ku ishte strehuar. Ishte një detaj-simbol, që në atë kohë e komentuan ideologjikisht duke thënë që ishte ulërima e kapitalizmit që jepte shpirt. Por me siguri e vërteta ishte diku tjetër. Mbase ishte ulërima e brendshme e shkrimtarit që do të donte të rrinte në Amerikë, por e dinte gjëmën që do u sillte familjes dhe të afërmve. E këtë dëshirë të brendshme të tij për ikje, ai e realizoi në prag të rrëzimit të komunizmit, duke kërkuar azil politik në Francë.

Atë akt, Ramiz Alia dënoi me fjalët “Ismail Kadare dezertoi”, duke përdorur një term si nga fusha e luftës. Por Kadare nuk kishte dezertuar. Ai po i jepte grusht një regjimi që po rrëzohej e një politike që nuk linte asnjë shpresë për ndryshime, e sidomos shpresa për intelektualët e vërtetë. Pas tij shumë intelektualë, krijues, artistë kanë ikur nga vendi në të katër anët e globit. Janë mbi një milionë e gjysmë emigrantë jashtë Shqipërisë. Ndaj çdo hap për zgjimin e bashkimin e diasporës duhet përshëndetur, sidoqë dihet, me ne shqiptarët është një sipërmarrje mjaft e vështirë.


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu