KRENARIA DHE PATHYESHMËRIA NË STUHITË SHEKULLORE

0
1364
Po ngarkohet...

“Dhembja krenare” – Azem Beqiri, botoi LSHK, Prishtinë 2006

Milazim F. KADRIU

Jam krenar në vatrën e lashtë atërore
Si zogu këngëtar n’ agime,
Jam i pathyeshëm në stuhitë shekullore,
Ballëlartë në gjirin e Kosovës trime!

Po ngarkohet...
Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

Janë këto vargje nga libri “Dhembja krenare” që është një përmbledhje me poezi dhe pak prozë të veprimtarit e atdhetarit të njohur Azem Beqiri,që i ka lënë në dorëshkrim dhe u botuan një vit pas vdekjes së autorit. Të gjitha këto poezi autori i kishte shkruar gjatë tërë jetës por që pak nga to i kishte botuar në gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Për botimin e këtij libri me krijime që i la atdhetari i njohur Azem Beqiri e që e botoi Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 2006, meritë ka baca Adem Demaçi, Avni Dehari që e përgatiti librin për botim si dhe shoku i veprimtarisë dhe idealit të autorit, Fadil Uka që e financoi botimin.

Libri “Dhembja krenare” është e ndarë në tetë cikle : Për këtë tokë, Plagët e shpirtit, Mbi të gjitha shndrit, dashunija, Do të këndoja …, Zilja e shkollës, Dromca poetike si dhe pjesa e prozës e titulluar : Në vetën e parë.

Poezitë e ndara në këto cikle kanë një lidhmëni të ngushtë mes vete sepse, ashtu si ishte në jetë Azemi edhe të gjitha poezitë ia kushton atdheut, popullit shqiptarë, vendit të robëruar dhe luftës për çlirim,dëshmorëve,UÇK-së etj. Titulli i librit është marr nga një poezi me të njëjtin titull e që u kushtohet të rënëve nga hordhitë serbe në fshatin e Grykës së Llapit,në Pollatë më 13 shtator 1990,ndërsa varrimi i dy të rënëve është bërë dy ditë më vonë kur edhe është shkruar poezia nga autori që ishte pjesëmarrës në këtë ceremoni varrimi.

Llap i dashur, edhe sot për të satën herë,
Duhet të nisem shtigjeve tua malore,
Për t’i nderuar të rënët e ndjerë
Në prag të vatrës nga predhat mizore!
…………………………
Gjithmonë të është gatuar stuhia e terri,
Duke skuqur kraharorin sikur sot,
Askujt s’i ke shkaktuar farë tmerri,
Vetëm ke mbrojtur vetveten mot për mot.
……………………………..

Vlen të ceket se të gjitha poezitë mbajnë datën dhe vendin kur janë shkruar si dhe ato që janë botuar emrin e gazetës apo revistës dhe datën kur janë botuar.

Azem Beqiri pati një veprimtari të veçantë dhe specifike ngase koha dhe rrethanat në të cilat ai jetoi po ashtu ishin specifike. Ai ishte në mesin e atyre atdhetarëve të prirë nga Adem Demaçi që për lirinë e vendit nuk kursyen as jetën. Azemi është ndër figurat e ndritura që ka lënë emër në historinë kombëtare. Se ka qenë një atdhetar i flakët që nga fëmijëria, na e paraqet edhe në poezitë e tija të cilat i kishte shkruar krahas veprimtarisë tjetër atdhetare që ishte në shumë drejtime i angazhuar duke mos u ndalur kurrë në luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit serbë. Punën me nxënës që ishte puna e parë e tij e donte shumë, sepse aty edhe kishte kontakte të shumta me njerëz dhe tek nxënësit mbillte atdhedashurinë dhe urrejtjen ndaj okupatorit shekullor.

Synimet dhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare dhe arritja deri te qëllimi përfundimtar çlirimi i vendit, shihet edhe në poezitë e përfshira në vëllimin “Dhimbje krenare”. Se aspiratat e tij dhe shokëve të idealit do të realizohen, u panë pas daljes në skenë të UÇK-së dhe luftës së sajë që u kurorëzua me fitoren e lirisë. Këtë e shfaq edhe në poezitë e tija që shpreh kënaqësinë e tij në kontaktet që pati me djemtë e lirisë. Vargjet e këtyre poezive të atdhetarit Azem Beqari japin mesazhet për bashkëkombësit e tij që krahas mësimit për të kaluarën të jenë vigjilent edhe në ndërtimin e së ardhmes.

Përpos preokupimit të lirisë, Azemi kishte edhe shqetësime tjera të cilat i paraqet edhe përmes poezive ku reflektohet gjendja e rëndë ekonomike e pjesës më të madhe të popullit e besa edhe e vetë atij që përballej me te. Por të gjithave Azemi u përballonte ngase të gjitha vështirësitë siç ishin ndjekjet, arrestimet, burgosjet, e bënë edhe më të qëndrueshëm dhe më këmbëngulës në kërkesat e tij për çlirim nga okupatori. Këtë karakter e qëndrim të fortë që e pati në jetën e tij e hasim në vargjet dhe prozën e librit “Dhembja krenare”.

As torturat më makabre që iu bënë nuk e luhatën asnjëherë nga rruga të cilës ishte nisur që në rini dhe në të cilën eci deri në çlirimin e vendit. Lirinë e shumëpritur për të cilën punoi gjithë jetën e shijoi por jo gjatë.
Edhe atë kohë që pati fatin ta jetoj, nuk ishte edhe shumë i kënaqur dhe shprehte edhe mendimin e tij kritik ndaj dukurive dhe mangësive që dëshironte t’i shihte ndryshe. Ai donte që veprimtaria dhe sakrifica e dëshmorëve dhe gjithë atyre që nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit , të kenë një përkushtim më të madh dhe të nderohet gjaku i atyre që s’kishin kursyer edhe më të shtrenjtën për lirinë e atdheut – jetën.

Siç thotë edhe recensenti i librit Shyqri Galica “ Ky vëllim me poezi dhe shkrime të tjera është dhe një dëshmi e prirjes së Azem Beqirit në fushën e krijimtarisë letrare, të cilën me siguri do ta kishte më të pasur dhe më të larmishme, mirëpo, atë ia kufizoi veprimtaria atdhetare, shëndeti dhe ndjekjet e pareshtura të pushtuesit që kufizonin publikimin e emrave, të cilët për ta ishin rrezik i përhershëm.

Azemi ynë mbetet një figurë komplekse atdhetare, kurse vepra e tij dëshmi e jetës, e sakrificës, e përkushtimit dhe e dashurisë së jashtëzakonshme ndaj atdheut dhe lirisë”.


Nëse klikoni reklamën, këta paguajnë 0,000001 $ ... Bukur ë? :-) -- Thanks!

LINI NJË KOMENT

Ju lutem, futni komentin tuaj!
Ju lutem, futni emrin tuaj këtu