Konferencë për shtyp për çështjen e kishës – xhami tek Kalaja e Shkodrës

1
1179

Arqipeshkvi Angelo Massafra, (më 13 dhjetor 2005, ora 11.00)

EuroEmigrant21/01/2017

Të nderuar gazetarë, para së gjithash ju falënderoj për pranimin tuaj të ftesës për të marrë pjesë në këtë konferencë shtypi. Ka më shumë se një muaj që flitet shumë –nëper gazeta, si edhe në biseda të përditshme të shumë njerëzve- për një çështje që më duket se është fryer shumë, duke krijuar një gjendje të padëshiruar dhe të panevojshme. I referohem çështjes së kishës-xhami (kështu shprehen disa artikuj gazetash) te kalaja Rozafa në Shkodër.

Për këtë arsye e ndjej veten të detyruar të flas, sepse është bërë e domosdoshme që të saktësojmë disa gjëra në lidhje me këtë problem, meqë thashethemet kanë qenë të shumta dhe kanë paraqitur mendime, koncepte dhe qëllime që shpesh ishin të gabuara dhe jo të vërteta. Kështu erdhi koha për të shprehur publikisht mendimet dhe qëndrimet e Arqipeshvisë së Shkodër-Pult mbi këtë çështje.

Dëshiroj t’ju them edhe juve atë që ia thashë Myftisë së Shkodrës, Z. H. B. Bajraktari, kur erdhi për të më takuar në Arqipeshvi, më 16 nëntor të këtij viti. Jam çuditur se si u ngrit ky problem dhe për të gjitha jehonat që ka pasur edhe nëpërmjet mediave. Kjo është një çështje në të cilën edhe ne si Kishë katolike jemi përfshirë, kundër vullnetit tonë, por për të cilën nuk kemi ditur asgjë deri në momentin kur kemi lexuar lajmet e para nëpër gazeta. Unë kam qenë në dijeni vetëm se Shteti ishte duke u angazhuar për ta restauruar kalanë e Shkodrës, por nuk dija as se si, as se kur as se kush.

Kisha katolike nuk ka kërkuar asnjëherë që kisha e Shën Shtjefnit në kala t’i riktheht asaj si një kishë, e cila kishte për të qenë aktive për shërbime fetare të rregullta. Është e vërtetë se aty kremtohet Mesha çdo vit (kur nuk bie shi), më 26 dhjetor, që është dita në të cilën Kisha katolike kujton dhe feston shën Shtjefnin, i cili është për ne edhe pajtori i qytetit të Shkodrës. Kjo bën pjesë në një traditë që i ka rrënjët në shumë vite më parë dhe nuk fsheh asnjë qëllim tjetër. Përveç kësaj, askush nuk është ankuar kurrë për kremtimin e Meshës në atë vend ditën e shën Shtjefnit.

E theksoj edhe një herë për t’i shmangur thashethemet që janë dëgjuar në këto ditë: kurrë nuk kemi kërkuar që të rindërtohet kisha në kala as nuk kemi dhënë fonde për këtë qëllim, flas për kohën kur unë jam arqipeshëv i Shkodrës. Gjithashtu më duket e rëndësishme që të kuptohet mirë dallimi midis restaurimit dhe rindërtimit. Me rindërtim nënkuptohet që objekti i rindërtuar të kthehet në funksionin e tij. Ndërsa restaurimi bëhet për ta ruajtur sa më mirë një objekt në gjendjen e tanishme, në mënyrë që të mos prishet përfundimisht dhe të ketë një vlerë historike.

Më vjen shumë keq që për një çështje, e cila ka të bëjë me një monument kulture që në shekujt e kaluar ka zhvilluar funksionin e kishës, që u shëndërrua në xhami gjatë pushtimit otoman, dhe që mund të krijojë keqkuptime (ashtu siç ka ndodhur) askush prej Shtetit, prej Ministrisë ose prej Drejtorisë së monumenteve nuk na ka informuar paraprakisht dhe nuk na ka paraqitur asnjë projekt. Kështu, disa tituj të gazetave si “luftë midis komuniteteve fetare”, etj., janë krejtësisht të pavend. Si mund të ketë luftë midis dy palëve kur njëra prej tyre nuk di asgjë?… Ne nuk jemi aspak në dijeni se çfarë punësh restauruese mendohen të bëhen, sepse nuk jemi përzier fare në këtë çështje. Askush deri më sot nuk ka ardhur për të biseduar me ne për këtë çështje, as në fillim as pas lindjes së problemeve. Nëse Shteti vendos për restaurim, unë mendoj se objekti duhet të mbetet si monument historik kulture, duke ruajtur strukturën e tanishme, ku dallohen qartë qoftë mbresat-gjurmët e kishës qoftë mbresat-gjurmët e xhamisë.

Në përfundim, mendoj se sot të dy komunitetet duhet ta kemi për nder që të kaluarën tonë t’ia besojmë plotësisht institucioneve të kulturës dhe të bëhemi kështu pjesë konstruktive e të mirës si dhe e traditës së bashkjetesës në këtë vend.

Objekti është pronë e kulturës së popullit shqiptar. Kujdesi dhe mbrojtja e tij u takon Institucioneve të Shtetit Shqiptar

Ashtu siç i kam thënë Myftiut të Shkodrës, më duket se është bërë “buall një mizë”, pa asnjë arsye. Kështu nuk ka pse të krijohen përçarje, që nuk dëshirojmë as nuk pranojmë dhe të gjithë së bashku nuk duhet të lejojmë që të ndodhë një gjë e tillë.

Kam folur për hir të së vërtetës, duke qenë i bindur, siç thotë Jezusi në Ungjillin e Gjonit, që ‘vetëm e vërteta na bën të lirë’ dhe jo kurrë thashethemet, keqkuptimet ose, edhe më keq, instrumentalizimi i çështjeve.

+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult
http://www.kishakatolikeshkoder.com/

1 KOMENT

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here