Kisha 900-vjeçare e Shën Gjonit në Gruemirë, dëshmi e traditës së kahershme katolike

2
10336

Marrë nga: http://gazetamalesia.com/

Rrënojat e një Kishe apo Manastiri që shohim sot në afërsi të fshatit Hysaj (Grue­mirë), dikur janë njohur si një ndër objektet e rëndësishme të qytetërimit e besimit Kristian (Katolik). Këtu dikur sipas gojëdhënave e dokumenteve të ndryshëm ka qenë Kisha e Shën Gjonit, ku shpesh për nga madhësia e ndërtimit e veçanërisht e funksionit që kryente quhej Manastiri i Shën Gjonit, dhe i përkiste Rregullit Benëdiktin. Një historian i njohur i Kishës, shkruan se vepra e Ungjillizimit ka njohur…zhvillimin dhe ekuilibrimin e vet të plotë në shekullin e VI më “Benëdiktinët”…Rregulla (e tyre) bazohej: “Ora et Labora”,që nga latinishtja përkthehet; Lutu dhe Puno…(Michel Lemonnier O.P.,HISTORI E KISHËS…fq.143‐144)). Po nga ky autor mësojmë se pranë çdo manastiri Benëdiktin duhej të themelohej një shkollë për shërbime Hyjnore…(po aty fq.154.).Ndaj Në mendojmë se edhe në Manastirin Benëdiktin të Shën Gjonit,duhet të ketë pasur ndonjë shkollë të tillë…

Sipas dokumenteve që gjenden sot Kisha apo Manastiri i Shën Gjonit ka një moshë rreth 900 vjeçare. Pikërisht për një moshë kaq të madhe “tregon” edhe Libri i Ermanno Armaos ; Vende,Kisha,Lumenj,Male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë Veriore. Për të konkretizuar ketë në nga faqja 140 e librit po “citojmë” :…Kisha dhe kuvendi të shpien në kohë të largëta. Një dokument i parë i vitit 1166 përmend abatin e kishës Sancti Johannis (Shën Gjonit në Rash të Poshtëm). Abacia gëzonte sipas kohërave mbrojtjen e princërve….dhe (më vonë) të Republikës Venedikasve…” Albanologu kroat Milan Shuflaj shkruan se në këmbët e malit te Maranaj, në fushën e Shtojit (Strilaleo) ishte abacia e Shën Gjonit…(Serbet dhe Shqiptaret fq.211).

Citime të tilla gjejmë edhe nga studiues, albanologë, historianë e shkencëtarë të tjerë. Gjithsesi duke ditur se trevat Ilire përqafuan që në shekujt e parë besimin mrekullibërës Kristian në mendojmë se pavarësisht dokumenteve që kemi Kisha e Shën Gjonit si objekt kulti duhet të kenë qenë shumë më e hershëm,pse jo të mos mendojmë se ajo ekziston të paktën që pas vitit 518,kur një termët i fuqishëm kishte goditur Qendrën Historike të qytetërimit e besimit Kristian, Dioklen (sot territor i mbetur nën republikën e Malit Zi që nga viti 1878). Sidoqoftë në po ju drejtohemi disa dokumenteve të tjera të cilat vërtetojnë historinë e Kishës së Shën Gjonit: Së pari një dokument që gjendet në arkivin e Vatikanit dhe i përket vitit 1356 në të cilin shkruhet se Ipeshkvi i Balesiumit (Balleza Rrjoll) merr si dhuratë Manastirin Benëdiktin të Shën Gjonit në Rrash…pasi pas vdekjes së abatit të fundit Andreas ai ka mbetur vakant.

Së dyti një dokument i Senatit Venedikas i datës 7 maj 1403, i cili tregon se liron nga të dhjetat tokat e Abacisë së Shën Gjonit. Së treti përsëri një dokument i Selisë së Shenjtë i datës 16 shtator të vitit 1445,i cili përmban të dhëna mbi juridiksionin e abacisë së Shën Gjonit…duke e përcaktuar në distriktin e Drivastros (Drishtit të dikurshëm). Së katërti një letër e Papa Piu II të vitit 1459 drejtuar Ipeshkvit Manuel të Shkodrës, nga e cila mësojmë se abati i Manastirit të Shën Gjonit ishte shqiptari Pjetër Ksavon (Csavon)… Të gjitha keto dokumente gjinden të pasqyruara edhe në librin “SHQIPËRIA E VJETER”…fq.249‐250, të studiuesit Theodor Ippen, ish konsulli i Perandorisë Aus­tro‐Hungareze në Shkodër në vitet 1897 – 1904…

Është interesant se gjatë shekullit 17‐të, Kisha e Shën Gjonit është objekt i shënuar edhe në shumë Harta të kohës duke e shënuar herë si Kishe e herë si Manastir e tjerë… Një ndër hartografët e hershem që shënon në hartat e shekullit 17­të kishën apo manastirin e Shën Gjonit është hartografi italian At Vincenzo Koronëli, (i lindur në vitin 1650 ). Për Kishën e Shën Gjonit studiuesi (dhe konsullit francez në Shkodër) DEGRAND në librin “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”(fq.49‐50), pasi bënë identifikimin më data dhe vite..shkruan se kjo Kish ka të paktën një moshë mbi 700 vjeçare, duke e përshkruar gjendjen aktuale :

“…Mbeturina muresh rrethojnë vendin në mes të cilëve ngrihet një Kullë. Ndërtesa duhet të kishte qenë e rëndësishme në përpjesëtim më përmasat e kullës që ende sot (fundi shek. XIX‐të) është e gjatë 35 metra dhe e gjerë 4.5 metra. Këto rrënoja janë gjithçka ka mbetur nga manastiri i vjetër i Benediktinëve…Ku sipas dokumenteve thuhet se disa herë kjo kishë është shkatërruar nga serbet gjatë shekullit te 14‐te…” Materiale historike të rëndësishme paraqiten nga studiuesja shqiptare Nevila Nika në librin: “Dioqeza e Shkodrës gjatë shekullit XVIII, sipas dorëshkrimeve arkivore”. Në faqen 155, nga dokumenti nr. 8 i vitit 1745, ndër të tjera mësojmë se : “…. Rrashi kishte 10 shtëpi katolike të fshehta më 38 frymë. Kisha Abaciale ishte nën bekimin e Shën Gjon Paguesi. Është ndërtesë madhështore, u përket Eterve Benëdiktin.

Terrenet e sajë thuhet se zotërohen nga Otomanët. Ka pranë një pus uji të thellë,kisha dhe kuvendi janë vendosur në një pllajë të bukur…” Historia e Kishës apo Manastirit të Shën Gjonit ka kaluar përmes shumë dallgëve që solli jo vetëm pushtuesi shumëshekullor otoman,por edhe fqinjët jabanxhi sllav,që mikpritjen e malësoreve shqiptarë u munduan ta shfrytëzojnë për qëllime shovenë. Studiuesi i njohur Theodor Ippen përshkruan një “moment” të tillë që kanë si fillim vitet 1820‐1830,kur në zonat për‐rreth Kishës së Shën Gjonit kishin ardhur emigrant nga Spici i Malit Zi, që atëherë ende ndodhej nën juridiksionin e pushtuesit Otoman. Refugjatët ortodoks kishin ardhur nga Mali i Zi për arsye gjakmarrje apo varfërie…në vitet e para të shekullit 19‐të. Për arsye se këta ortodokse ardhacak nuk kishin Kishën e tyre dhe për rrjellojë varret deri në vitin 1857, Malsoret katolik i kishin lejuar ortodokset të varrosnin të vdekurit e tyre në varrezat katolike

KISHA E SHËN GJONIT ‐ GRUEMIRË

përreth kishës së Rrashit (meqenëse edhe feja ortodokse ishte Kristianë). Mirëpo në vitet 1859 dhe 1869 ketë bujari të malësorëve Katolik u munduan ta shfrytëzojnë për qëllime shoviniste Serbo‐Malazezet,të cilet nxiten komunitetin e vogël në numër (të Vrakes), për të pretenduar se Kisha e Shën Gjonit dhe varrezat përreth janë të ortodokseve jabanxhi dhe jo të katolikeve Vendali. Natyrisht malësoret ishin pushkë e ngrehur për të mbrojtur më çdo çmime ketë objekt besimi e qytetërimi shumëshekullorë. Në vitin 1869 Valiu i Shkodrës për të shmangur një konflikt të mundshëm në mes Katolikeve dhe Ortodokseve “Ndaloi” pronësinë e Kishës së Shën Gjonit për Komunitetin Katolik dhe e shpalli pronë të shtetit… (Th. Ippen “Shqipëria e Vjetër”,fq.250‐251.)

Ky vendim i pushtetit të kohës i kushtoi jo pakë këtij monumenti, pasi shumë gurë e pllaka më mbishkrime histo­rike u grabiten për të ndërtuar shtëpi apo diçka tjetër nga banoret përreth… Një studiues tjetër francez (edhe ky ish konsull i Francës në Shkodër,mesi i shekullit 19‐të) Hyacinthe Hecquard në librin “Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë se Epërme ose Gegërisë”,në faqet 157‐158, shkruante se: “..Kisha e vjetër e Rashit, e ndërtuar pranë fshatit Vrak u përket Katolikeve të Koplikut, çdo vit ditën e Shën Gjonit aty vijnë njerëz për pelegrinazh dhe marrin pjesë në mëshë… Gjithashtu ky studiues përshkruan hollësisht organizimin e malësorëve katolik për mbrojtjen e Kishës nga pretendimet e komunitetit të vogel ortodoks në vitit 1855. Ortodokset sipas Hekardit kishin ardhur nga Mali i Zi rreth 30 vite para pretendimeve në Vrakë.

Pretendimi për pronësinë e Kishës së Shën Gjonit shkruan Hekuardi, kishte ardhur nga ortodokset e Shkodrës dhe Peshkopi i Prizrenit, që asokohe gjendej në ketë qytet. Preteksti për të kërkua ketë vend të shenjtë ishte se sipas tyre kjo kishë kishte qenë e stilit Grek (Ortodoks) dhe ndërtimi datonte më kohen e perandorëve serbe… Më tu përhapur ky lajm në male, koplikasit,të cilët prej më shumë se një shekulli varrosnin të vdekurit e tyre (në varret aty afër) ju bashkuan edhe malësorët e tjerë. Rreth treqind vetë zbriten në fushe duke marrë më vete edhe një Prift, i cili në prani të tyre Shenjtëroi edhe njëherë Kishën e moçme sipas ritit latin dhe mbajti aty një meshë. Meqenëse kjo çështje mund të bëhej serioze dhe mund të përfundonte më rrënimin e fshatit sllav, Peshkopi Katolik dërgoi një promemorie në Stamboll, ku dëshmonte falsitetin e pretendimeve të ortodokseve më anë të dokumenteve të pakontestueshme… (Hyacinthe Hecquard; ”Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë”, fq.157‐158).

Sidoqoftë “rrënojat” e Kishës së Shën Gjonit mbijetuan, madje për dekada më rrallë këtu u zhvilluan pelegrinazhe të njerëzve të ndryshëm që shpesh herë gjeten prehje shpirtërore e mrekulli hyjnore që mund ti bënte vetëm Shën Gjon Pagëzori i cili njihet si një ndër Paralajmëruesit dhe pagëzuesit e vetë Mesisë, Jezu Krishtit… Është interesant të thuhet se megjithëse kanë kaluar shekuj dhe furtuna, Rrënojat e Kishës apo të Manastirit të Shën Gjonit,sot në afërsi të fshatit Hysaj (të Komunës Gruemirë të Malësisë Madhe) jo vetëm janë ruajtur pa i mbuluar harresa,por ato sot kanë filluar të bëhen vend pelegrinazhi, i shumë banorëve të Malësisë e më gjerë, ku në ketë vend të Shenjtë kërkojnë të gjejnë derman shpirtërore e fizik,për të përballuar dallgët e jetës, dallgë të cilat edhe në fillimet e shekullit XXI u munduan ti aktivizojnë fqinjët e vonshëm Sllav. Por pretendimet e sllaveve ortodoks tashmë ngjajnë mjaft donishoteske, pasi historia sot lexohet e jo imponohet si dikur…

Në para disa kohëve mësuam një fakt interesant, pasi sipas disa banoreve përreth në vitin 2004 “dikush” ka bërë gërmime në themelet e këtij Manastiri, ku janë gjetur të gdhendura në gurë truporet e Jezu Krishtit dhe Zonjës Marie,të cilat janë marre nga të interesuarit,që sipas thënieve (të banorëve për‐rreth) janë të institucioneve fetare apo shtetërore… Tashmë në ketë kishë‐manastir janë bërë disa rikonstruksione (por ende të pa mjaftueshme), për të ruajtur nga ky monument besimi e qytetërimi atë çfarë mund të ruhet..Gjithsesi në shpresojmë që rikonstruksioni të vijojnë.. pasi kujdesi dhe mbrojtja e monumenteve të tilla që rrezatojnë qytetërim e besim Evro‐perëndimorë, janë jo vetëm një detyrim i shtetit shqiptare, por edhe i vet shqiptareve,pasi kështu dëshmojmë historinë tonë të pa kon­testueshme Evro‐perëndimore…

2 KOMENTE

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here