KANË ARDHË NË TAKIM NGA DY KONTINENTE, KU GJUHA DHE GJAKU I SHKRIU NË NJË…

0
464

(Refleksione nga përurimi i librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë – Aktivitete dhe krijimtari”, përgatitur nga Presidenti i kësaj Shoqate, Adnan Mehmeti)

Nga: ZYBA HYSEN HYSA

Pas emocioneve të forta të ditës së djeshme në Muzeun Historik Kombëtar, në përurimin e librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari), përgatitur nga Presidenti i kësaj shoqate, zoti Adnan Mehmeti, sot në pushimin e pasdites ia kushtova këtij libri, ku në mjaft shkrime të përfshira në të, isha e njohur më parë përmes Internetit. Por ajo, që më tërhoqi vemendjen, ishte përcaktimi i qëllimit të shoqatës, ku në faqen 4 shkruhej:

Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botror.”

Përherë sytë e shqiptarëvet kanë qënë e mbeten përtej oqeanit, në Amerikën e Madhe, në shtetin e Demokracisë më të besueshme, kjo për një arësye të madhe, se kurrë nuk u besojmë më demokracive europiane, të cilat me falsitetin e tyre dogmatik, kanë ndikuar historikisht në coptimin dhe skllavërimin e kombit shqipar, ku na duket vetja, sikur jemi në gërhamat e fundit të egzistencës sonë kombëtare…

Dhe vërtet, po të kthehesh pas, të mendosh masakrat antinjerzore, antishqiptare, ndër shekuj, habitemi që “projekti” i politikës shqiptare është “drejt BE” drejt asaj BE-je, që na do të shuar, të zhdukur, pa identitet, përderisa ajo pengon bashkimin e kombit tonë. Kjo, për një njeri që ka dy gram mend, e detyron të qëndrojë pak çaste e të mendojë: “Kur BE-ja bashkon shtete, si vallë nuk na jep mundësi të bashkojmë kombin dhe më pas të futemi në familjen e madhe europiane, në të cilën na vendos thjeshtë të qënurit në Europe e jo në Azi…? *)

Të më falni që u zgjata pak, se nuk është vendi në këtë shkrim, por dua të them, që shansi i shqiptarëve është vetëm Amerika dhe si ylber shprese për këtë lidhje, janë pikërisht, shqiptarët që kanë emigruar historikisht në Amerikë. Këtu dua të përmend të madhin Fan Noli, Faik Konicën, Kostë Çekrezin… për të mos vazhduar me emra se do ishin pafund, (por s’më lë shpirti pa përmendur edhe Prof. Dr. Isuf Luzaj, i cili ka pasur korrespondencë me personalitete të lartë të të shtetit amerikan për çështjet shqiptare, sidomos në lidhje me Kosovën), që kanë ngritur zërin deri në kupë të qiellit për të drejtën kombëtare, ndaj duke parë gjithë këtë vëmendje dhe besim që kemi ndaj jush, duhet që kjo shoqatë letrare ku në gjirin e saj mban jo vetëm letrarë, por edhe veprimtarë dhe intelektualë të mirfilltë, t’i shkapërthejnë kornizat e këtij qëllimi që i kanë vënë vetes (i cili është madhor) dhe në bashkëpunim me shoqatat e tjera, si “Vatra” që nuk po ia ndjejmë më ngrohtësinë e kohës së Nolit, “Akademinë e Shkencave Shqiptaro – Amerikane“, ku zëri i shkencëtarëve shqiptarë jo vetëm të ndihet, por të imponojnë Akademinë Shqiptare të Tiranës të tunden, se kanë zënë myk dhe sapo futesh në derë vjen erë e ngordhur, shkurt, të bëheni bashkë me të gjitha llojet e shoqatave, të sensibilizojnë krijuesit, intelektualët, shkenëtarët e vërtetë shqiptarë në Shqipëri, të cilët janë përdhosur nga llumi, që ka pushtuar institucionet tona fantazmë, ku përveç emrave dhe kukullave që rrinë nëpër karrike e marrin rrogë, asnjë funksion nuk kryejnë, që përmes kësaj lidhjeje Amerikë – Shqipëri, të vijë ari i demokracisë amerikane tek ne e kjo vjen vetëm duke e njohur demokracinë, këtë mund ta bëni vetëm JU që jetoni në demokraci, se populli ynë, i detyruar të jetojë në skllavëri dhe diktaturë, dashje pa dashje u mësua me skllavëri, me diktat, me varfëri, më nënshtrim…

Demokracinë kurrë nuk e sjellin qeveritë, atë e sjell kultura demokratike e popujve e ne kemi nevojë për këtë kulturë, jo vetëm përmes krijimtarisë (për fat të keq edhe kjo nuk shkon në popull), që kjo është primare e shoqatës, por edhe nëpërmjet kontakteve dhe shkëmbimeve të eksperiencave.

Unë u shpreha dhe në një status në facebook, se: “Një ditë e veçantë, një ditë që do mbetet gjatë në memorie, se mbrenda saj u thurën dije dhe kulturë, kënaqësi dhe mall…
Nga dy kontinente, ku gjuha dhe gjaku i shkrinë konteinentet dhe u bënë NJE, në një sallë me libra në Muzeun Historik Kombëtar këtu në Tiranë… Mbresëlënës takimi, frytdhënës bisedimi… U njohëm me njëri – tjetrin, biseduam me njëri – tjetrin, u ndamë për t’u takuar në përurime librash tjerë nga autorë shqiptarë këtej e përtej oqeanit… Nuk do t’i harroj fjalët e poeteshës Sulkuqi, që na nxitën lotë, të Reshat Arbanës që drodhën tokën, kur tha që “Dua të vdes në Atdhe!” fjalët e autorit, Adnan Mehmeti, që fliste me gjuhën e shokëve dhe të miqve të shoqatës së tij, ku udhëheq prej vitesh si President, duke përmendur veprimtarët Gjekë Marinaj, Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu… ku krahas krijimtarisë së tyre, kanë dhënë një kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e shoqatës…” Dhe këtë e bëra pa lexuar librin, por sinqerisht, u përgëzoj me gjithë shpirt: U lumtë!

Të bashkosh krijues nga gjithë Amerika, vetëm ta mendosh të duket absurde, se ne jemi një pëllëmbë Shqipëri dhe janë dhjetra shoqata dhe klube shkrimtarësh, ku secili mbidhet skutave të veta, plotësojnë dekorata për njëri – tjerin, bëjnë vlerësime duke i krahasuar me korifejtë e letërsisë botërore, saqë, kanë harruar emrat e tyre, por dikush quhet dhe vetquhet “Esenini i Elbasanit”, “Kafka e Vlorës”… dhe nuk po shfaqet një autor të përfaqësohet me dinjitet, me individualitetin e tij artistik, e pse ka të tillë, shoqatat i mbysin ata në vend që t’i ndriçojnë.

Kjo është katraura e letërsisë shqiptare, kjo lloj katraure e mbështetur fuqishëm nga politika shqiptare, ka bërë që dhe “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë” të shkrihej për të kaluar në ilegalitet, për të vetmen arësye, që të mos shtoheshin radhët e saj me krijues modernë, por ata të jenë degë – degë, pa trung e rrënjë, në erë, ndërsa krijuesit e ngritur me taksat e popullit, përsëri ata sponsorizohen nga shteti, botohen tonelata libra dhe lëvrohem miliona para, duke i hapur shtigje një korrupsioni të paparë, ashtu si dhe në çdo fushë tjetër në Shqipërinë tonë të droguar nga politika pa politikë shqiptare.

Marr shkas nga fjala e Ilirjana Sulkuqit, në takim që tha: “Nipërit dhe mbesat e mia, Shqipërinë e kanë Atdhe të dytë, ndërsa unë kam Amerikën Atdhe të dytë…”, mendim, i cili u kundërshtua me fanatizëm nga disa tjerë, duke ngritur zërin me një patriotizëm folklorik, do të thosha, se ne shqiptarët vuajmë, se jemi thjesht APARENTË, nuk thellohemi në REALITETIN. Po si të them unë që mbesa dhe nipi im e kanë atdhe të parë Shqipërinë, kur nuk i krijoi kushte vajzës sime kjo Shqipëri të jetonin dhe kontribuonin në atdhe, por ikën nga sytë këmbët, me nga dy diploma për t’u kthyer shërbëtorë nëpër botë? Bota, mirë – keq, i punësoi, u krijoi mundësi të lindnin të vegjlit dhe t’i ushqejnë e shkollojnë shumë herë më mirë e më paqësisht se në mëmëdhe? Ç’faj ka vogëlushi që nuk lindi në Atdheun e prindërve? Ai lindi dhe mori shtetësi të vendit ku lindi, atdheu i prindërve, mbetet në plan të dytë, ky është FAKT.

Tani që të tregohemi patriotë, duhet të mendojmë si patriotë të vërtetë. Meqë jetoni në Amerikë, ku çdo komunitet është i lirë të ruajë gjuhën, kulturën, traditën, bile nxitet edhe nga shteti, atëherë pyesni veren: “Çfarë kemi bërë për këtë? A kemi hapur shkolla shqipe? A jemi marrë seriozisht me ruajtjen e kulturës dhe kultivimin tek të vegjlit dhe rinia që lindën dhe rriten në Amerikë? Si veprojnë komunitetet tjera? Ku jemi ne?” Duke shtruar këto pyetje, del nevoja e diskutimeve dhe jo vetëm fjalëve, por edhe punëve konkrete, jo duke e nisur për fitim material, por më shumë pasurim shpirtëror e me kohën, shtohen edhe të ardhurat po në shërbim komunitetit, që siç u shpreha në mënyrë të figurshme në fjalën time atë ditë “Të krijojmë një Atdhe të vogël në Amerikë“. Kjo është e mundur, por kjo mundet vetëm kur janë bashkë të gjithë, por sa kam informacion, përçarja (e nxitur nga barku arab – shënimi im AÇ) i ka lëshuar kthetrat fort edhe në diasporë…

Kam dashur të bëj një shkrim me kohë për shoqatat në përgjithësi, por pse ta fsheh, roli i drejtuesve të shoqatës suaj në Amerikë, ka qënë vetmohues për kushtet dhe rrethanat ekonomike dhe shpirtrore të antarëve dhe me punën tuaj keni lënë gjurmë, por tani ka ardhur koha të BËNI HAPA dhe këto HAPA, kurrë nuk mund t’i bëni vetëm, por në bashkëpunim si komunitet shqiptar, duke mos financuar më politikanë, e soj e sorollop që vjen atje duke u dhënë një dekoratë, në shkëmbim të miliona dollarësh, gjoja për të kontribuar për kombin dhe një zot e di se ku shkojnë këto para.

U bëj thirrje, mos lëshoni më asnjë dollar për politikën shqiptare, se asnjë çentes nuk shkon në dobi të kombit, popullit, zhvillimit, por në xhepat e djallit. Ato dollarë mblidhini si lagje, si shtet dhe ngrini një kopësht fëmijësh, ku të flasin të gjithë shqip, një shkollë në gjuhën shqipe, por jo thjesht të mësojnë ta shkruajnë atë, siç e ka ngritur Kozeta Zylo, që gjej rastin ta përgëzoj, por nuk mjafton, por të jetë me programe për të shkuar deri në universitet në gjuhën shqipe.

Aq shumë më nxiti ky libër për të shkruar, saqë s’po di ta mbyll këtë shkrim, S’po gjej fjalë për t’u faleminderuar, që më ndryshuat opinion për shoqatat, se më ishin bërë alergji, mbase gjeta pak ajër tek ju, apo më mirë të them, pak besim për të besuar se do jeni vërtetë përcjellës i demokracisë amerikane përmes veprave e kontakteve tuaja me atdheun mëmë…

Së fundmi, që u kërkoj ndjesë, duhet ta kisha shkruar në fillim këtë pjesë, por shqetësimet nuk na lënë mendjen në vend për të vendosur gjërat siç duhet, por e rëndësishme është, që unë u kam ndjekur, si në aktivitete, si në krijimtari, si në kontakte me individë të veçantë, duke biseduar, marrë intervista, apo dhe kam qënë në përurime librash dhe kjo më ka dhënë mundësi të njoh edhe krijimtarinë e disa prej anëtarëve të kësaj shoqate. Vlen të përmend këtu të madhin Gjekë Marinaj, i cili mundësoi në 14 maj të vitit 2011 të sjellë në Tiranë poetin e madh, kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Frederik Turner.

Falënderoj gjithashtu, poetin brilant, Dalan Luzaj, që na mundësoi të merrnim pjesë në këtë takim mbresëlënës, ku mora një leksion të vyer për letërsinë e në veçanti për poezinë, nga dy njerëz të mëdhenj, nga Gjekë Marinaj dhe nga Frederik Turner. Jo kushdo i bën këto mrekulli, po i ka bërë, Gjekë Marinaj, themeluesi i kësaj shoqate që është në nderin e të gjithëve ta kujtojnë e ta nderojnë këtë njeri të madh të letrave shqipe përherë e vazhdimisht.

Intervistën e gjatë me poten Raimonda Moisiu titulluar “Korça për mua është aroma e blirit, serenatës, inteligjencës e qytetarisë… – Unë për Korçën jam bijë e saj!”, më 23 janar 2014, jam njohur me poezinë e Dalan Luzaj dhe kam bërë shkrimin “Dalan Luzaj, poet i dhembjes dhe i humbjes” (Refleksione nga libri “Kasollja e Internimit”), po kështu me poezinë e poetit Përparim Hysi, ku përsëri shkrova refleksionet e mia të librit “Mbeta Dashurive” me titull “Dashuria ka kodet e saj, kode që e dallojnë nga jo dashuritë…” në maj 2012, kam marrë pjesë në përurimin e librit “Nuse në Derën e Hasmit” të autorit Pierre Simsia, ku nisa dhe refleksionet e mia për këtë roman, ku trajtonte temën e gjakmarrjes mrekullisht, në një këndvështrim krejt modern, ku jep dy panorama këtej dhe andej, ku helmi i gjakmarrjes i ndjek edhe përtej diellit, në Amerikë… por i kërkoj ndjesë këtij autori që nuk munda ta realizoj këtë shkrim, për arësye kohe… Kam lexuar gjithashtu, disa libra të Petraq Palit, poezi nga Rita Saliu…

Kërkoj ndjesë që nuk po më kujtohen më tani, por nuk do lë pa përmendur fabulistin e mrekullueshëm Bardhyl Mezini, të cilit ia kam lexuar pothuaj të gjithë librat, por ai që më frymëzoi ka qënë libri “Mendimi i Fjalës” (Aforizma), i cili më frymëzoi dhe bëra shkrimin me titull: “Kur një libër të rrëmben, i dorëzohesh tërësisht…” botuar më 28 korrik 2016…

Shpresoj që librat e antarëve të shoqatës suaj jo vetëm të më sjellin kënaqësi, por edhe frymëzim për të shkruar në të ardhmen dhe dua të them se këtë ta sjellin vetëm librat cilësorë, qëllim i së cilës është dhe i kësaj shoqate.

Ëmbëlsira thonë është për në fund, një falënderim të veçantë i dërgoj poetit të madh Gjekë Marinaj, i cili dha një kontribut të çmuan në redaktimin e librit studimor për filozofin, poetin, historianin, politikanin e shquar të kombit tonë Prof. Dr. Isuf Luzaj me titull “Isuf Luzaj – Një shtizë Diell mbi Atdhenë”, botuar në vitin 2015.

Me kaq sa kam mundur unë të jem në kontakt me antarët e kësaj Shoqate, them se natyrshëm është realizuar lidhja Amerikë – Shqipëri, se si unë, ka shumë e shumë tjerë, të cilët kanë pasur fatin edhe të shkojnë në Amerikë, e bashkëpunimi ka qënë edhe më i madh, le të jetë kjo ura ylberore që të na mbajë lidhur për të marrë e dhënë njëri – tjetrit eksperienca dhe letërsi cilësore…

Duke i renditur këta autorë, të cilët i kam takuar, i kam lexuar dhe kam shkruar për ta, e duke qënë se unë s’jam anëtare e asnjë shoqate këtu në Shqipëri, pa vetëdije, paskam qënë anëtare e shoqatës suaj!

Sivjet festoni 15-vjetorin e shoqatës, ndaj le të jetë urimi mi i pari për ju: Gëzuar ditëlindjen dhe suksese të mëtejshme!

Tiranë, 30 korrik 2016

*) Nuk po na e pengon BE-ja bashkimin shqiptar, po na e pengon islami. Ne jemi kombi më i hallakatur, më i paorganizuar, problematik dhe më i prapambatur në Evropë, e kjo si fillim për shkak të mos-produktivitetit dhe përçarjes, që sjellë mentaliteti turqekliko-islamik e nekrofil, që mbizotëron në mendjet e shqiptarëve. Nuk na ka faj BE-ja se ne sillemi si palestinezë e jo si evropianë. Nëse marrim për referencë bashkimin e Gjermanisë, duhet të kuptojmë se duhen disa parakusghte për bashkimin kombëtar. Ndër kushtet kryesore është ekonomia, pastaj edhe politika e mos-acarimit të marrëdhënieve me fqinjët e të tjerët. Në të dy planet, ne jemi përtokë. Ekonomia jonë nuk është funksionale, as në Shqipëri e as në Kosovë, jemi ende nën ndihmat nga BE-ja etj. E tani si muslimi, që gjithë botën e bën të keqe për të justifikuar nënshtrimin e tij absurd ndaj Muhamedit e sheikëve arabo-turq, e fajin nuk ia hedhë vetes për këtë orientim të gabuar, edhe ne duam që BE-ja të na i zgjidhë punët, të na mbajë me bukë, të na bashkojë e zhvillojnë vendin, e ne të rrimë e të dëgjojmë pëllitjen e gomerëve arabë me altoparlante përditë dhe të kërleshemi duke thënë: “Fajin na e ka BE-ja, se ne nuk bëjmë asgjë!”. Po nuk u ndryshua ky realitet psikik i gabuar, po nuk punuam ne në drejtimin e duhur të zhvillimit kombëtar, që edhe bashkimin kombëtar ta fitojmë vetë, se nuk ta jep kush, atëherë ne do të rrimë gjithë jetën duke u ankuar ndaj të tjerëve, për fajet që i kemi vetë ne! Shpresa jonë e vetme, ta dinë edhe intelektualët shqiptarë këtë, është t’i kthehemi vetvetes, dhe duke u bazuar në forcat tona, e me ndihmën edhe të tjerëve, të bëjmë aq sa mundemi, më të mirën për vete! /AÇ

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here