Jo zoti Kurtulmush, nuk jemi trampolinë e islamit në Europë !

0
1074

KosovaLindore, 23 prill 2016

Jeni të mirë se ardhur në Kosovë zoti zëvendëskryeministër i Turqisë, sa herë të doni ; por mos na e ndërroni drejtimin historik që e kemi ne, si shqiptarë e edhe si Kosovë.

Këtu në tokat tona antike të Dardanisë e filloi historia nismën e saj ; nga ky ven dolën shumë prijës që e krijuan historinë ; nga Dardania u linden Eneu Dardani, Niketë Dardani, Konstantini i Madh etj. që historisë botërore i dhanë civilizimin. Nëse nuk e dini, një hedhje syri mbi historinë e shkruar nga Zef Mirdita dhe së fundi nga Jusuf Buxhovi do t’iu ndërrojnë mendjen dhe nuk do ta kishit thënë atë që e thatë gjatë vizitës suaj në token e të lashtëve tanë; këtu nuk “lidhet ngushtë kultura dhe gjeografia islame me Kosovën.“

Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu keni thënë: ”se Kosova është një vend që ka përthithur kulturën islame në rrënjë dhe se është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim.“ Mos o zot ! Ne jemi vetëm perëndim e nga ne ka lindur Europa !
Ne ishim dhe jemi myslimanë të lehtë si na quan edhe perëndimi, dhe i morëm vetëm disa shprehi muslimane për të cilat me dhunë na i imponoi Perandoria Otomane gjatë sundimit dhe robërimit të saj disa qindra vjeçar ; ne shqiptarët e kemi paraqitur veten para Europes me fytyrën tonë të mirë dhe paqësore të gjithë shqiptarët pa dallim feje si muslimanë, katolikë dhe ortodoksë, që jemi.

Ju faleminderit që loboni për njohjen e Kosovës në shtetet islamike, por ju lutem ne nuk kemi lidhje shpirtërore me Turqinë sikur që ka Qiproja turke dhe Azerbaixhani.

Liberalizimin e vizave në Europë do ta kemi sepse jemi pjesë e saj dhe jo kurrsesi që t’i japim fuqi botës islame. Mos, mos zoti Kurtulmush, se Kosova nuk është zëdhënëse e as trampolinë as e Turqisë e as e islamit në Europë.

Rrofshi sa malet, por në Turqi ! Nuk na përzihet historia me ju !

Fahri Xharra, 23.04.2016
Gjakovë

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here