Intervista e të ndjerit Gilman Bakalli: Dua të vdes sa hap e mbyll sytë

0
473

Ish-deputeti, profesori dhe publicisti i njohur Gilman Bakalli, u nda nga jeta në mënyrë të papritur ditën e djeshme.
Shkak ishte një sëmundje e pashërueshme. Politika, arti, kultura, studentë dhe persona publikë dhe jopublikë shprehën ngushëllime dhe pikëllim për ikjen e Gilmanit.
Por ai, në një intervistë për Revistën “Class” thoshte se dëshironte një vdekje të shpejtë, “sa hap e mbyll sytë”.

Në kujtim të tij, po risjellim intervistën e mëparshme.

INTERVISTA

Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?

Nuk e kam provuar! Do të duhej të ishte një pikë, në të cilën nuk ekziston shpresa, por kjo pikë është praktikisht e paarritshme, sepse sado thellë të jesh zhytur në mjerim, shpresa nuk shuhet asnjëherë, se nesër lind një ditë e re, e cila mund të të nxjerrë në sipërfaqe.

Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?

Do të më pëlqente të jetoj në një vend, në të cilin njerëzit janë të lirë të zgjedhin si të jetojnë.

Çfarë është lumturia për ty?

Asgjë më shumë se sa një sinjal, që natyra e ka krijuar për të më treguar se po bëj atë që dua.

Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?

Gabimet, për të cilat ndjehem më shumë fajtor, janë ato gabime, të cilat kam pasur mundësi t’i evitoj lehtësisht.

Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?

Heronjtë dhe heroinat në letërsi zbehen me kalimin e viteve dhe ngelen në kujtesë thjesht si personazhe simpatike, prej të cilëve mund të veçoj “shkruesin e vogël fjorentin” tek romani “Zemër” e de Amici, i cili më frymëzonte si fëmijë për të ndihmuar familjen. Tani më tërheq personazhi Coleman Silk i romanit të Philipp Roth “Human Stain” (Njolla njerëzore) për sinqeritetin unik me të cilin ai përballon dhe administron konfliktin tragjik midis unit dhe tiranisë së shoqërisë.

Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?

E kam të vështirë të vlerësoj personazhe historikë. Jam shumë skeptik ndaj tyre. Koha i ka ngjyrosur me kaq shumë ngjyra, saqë i konsideroj tashmë të gjithë si personazhe fiktivë me shkallë të ndryshme besueshmërie.

Po heronjtë e jetës reale?

Heronj të jetës reale kam konsideruar dhe vazhdoj të konsideroj babain tim dhe të gjithë bashkëvuajtësit e tij në burgjet e diktaturës. I admiroj realisht për kurajën, me të cilën përballuan humbjen e lirisë, që, sipas meje, është prova më e vështirë e jetës. I admiroj se si ia dolën të mbijetonin me aq dinjitet, prej asaj çmendurie komuniste.

Piktori i preferuar?

Nuk kam piktor të preferuar, por kam mënyra të pikturuari të preferuara. Këtu bëjnë pjesë të gjitha ato piktura që krijojnë atmosferë.

Muzikanti i preferuar?

Quhet Art van Damme dhe është Zoti i xhazit me fizarmonikë.

Cilësia që admiron më shumë te një burrë?

Guximi

Po te një grua?

Ndershmëria.

Virtyti i preferuar?

Sensi i masës.

Aktiviteti i preferuar?

Nuk e di për çfarë aktiviteti e keni fjalën. Fizik? Është çiklizmi në natyrë, sidomos në mal. Mendor? Është përkthimi. Më pëlqen edhe të pi kafe me miq. Ky i fundit është fatkeqësisht një aktivitet, të cilit nuk i jepet rëndësia e duhur dhe shpërdorohet tej mase.

Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?

Zeusi

Tipari yt më i spikatur?

Aftësia për të vëzhguar dhe dëgjuar. Me fjalë të tjera, aftësia për të heshtur.

Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?

Korrektësia.

Cili është defekti yt më i madh?

Tendenca për reagime shpërthyese, pasi kam heshtur gjatë në lidhje me një çështje.

Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?

Një shishe verë shumë e vjetëruar.

Ngjyra e preferuar?

Vjeshta.

Lulja e preferuar?

Lule sahati (passiflora incarnata, passion flower). Kjo lule dikur stoliste muret e gurit të oborreve shkodrane.

Shpendi që të pëlqen?

Dallëndyshja.

Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?

Pyetjet në lidhje me preferencat janë shpikur për të na ndërgjegjësuar për pamundësinë e aktit të përzgjedhjes. Kur mendoj se sa e vështirë është të zgjedhësh gjellën e preferuar, imagjino sa e pamundur të veçosh shkrimtarët e preferuar. Mund të rendisja pa problem një listë shkrimtarësh të njohur, apo të panjohur, që i lexoj me qejf, por kjo s’do kishte kurrfarë kuptimi.

Fakti që vazhdojmë të lexojmë çdo ditë, fakti që vazhdojmë të lexojmë edhe pasi kemi zbuluar disa shkrimtarë të mirë tregon se, në thelb, ajo që na intereson vërtet nuk është shkrimtari, por letërsia.
(Megjithatë për të qenë korrekt me pyetjen: Milan Kundera, Philipp Roth, Franz Kafka, Michel Houllebecque, Thomas Bernhard, Robert Musil, Elfride Jelinek, Haruki Murakami)

Po poetët?

E kam të vështirë të veçoj. As që dua të kem poetë të preferuar. Dua poezi që më japin kënaqësi estetike, poezi që më prekin telat e një gjendjeje të brendshme shpirtërore. Më intereson Krijimi dhe jo Krijuesi (Frederik Rreshpja, Goethe, Paul Celan, Rilke).

Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?

Ambicia për karrierë.

Çfarë dhuntie do doje të kishe?

Të njihja password-et e botës sime të brendshme.

Si do doje të vdisje?

Sa hap e mbyll sytë!

Në ç’gjendje mendore je aktualisht?

Gjendje e përgjithshme stresi. Krahas shqetësimit që të jep e tashmja dhe pasigurisë që të jep e ardhmja, teksa i afrohesh të 50-ave, fillon të merresh edhe me të kaluarën, me gjurmët që ke lënë, me zgjedhjet që ke bërë në jetë, etj.

Cila është motoja jote në jetë?

“Betejën më të madhe në këtë jetë e ke me veten, Gilman!”

Publikuar më 21 shkurt 2015 te revista “Class”. Ri-publikohet-In memoriam.

Marrë nga gazeta Panorama, 09.10.2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here