GABOVE, VJOSË!

1
23

Gruas dhe Kombit nuk u falet, nëse i dorëzohen aventurierit të parë.
Karl Marks

Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen, pavarësisht asaj se çfarë mendon Vuçiq“,-
deklaron Vjosë Osmani.

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Menjëherë pas themelmit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndër partitë e para pluraliste, në ish-Federatën jugosllave, Dr. Ibrahim Rugova, me shokë, organizoi mbrojtjen territoriale në Kosovë, si masë preventive për mbrojtjen e popullatës nga policia apo bandat paramilitare serbo-sllave. Parësi ishte mbrojtja e fshatrave, si zona rurale, me më shumë mundësi të shkaktimit të panikut, dhunës, krimit.

FARK-u – krijesë e Presidentit Ibrahim Rugova

Dr. Rugova hodhi idenë dhe nismoi krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Dhe, këtë të drejtë legjitime e bazonte në Deklaratën e Shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, më 2 korrik 1990 dhe në Kushtetutën e 7 shtatorit, në Kaçanik, dy muaj më vonë. Ministër i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës u emërua Gjenerali Hajzër Hajzeraj, kuadër ushtarak me përvojë në Armatën Jugosllave. Ministri u bëri thirrje ushtarakëve shqiptarë, si dhe disa kuadrove politikë, me përvojë organizative, të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës. Ishte kohë errëtake e vitit 1991.

Burra dhe djemë atdhetarë, të gatshëm për t`i shërbyer Atdheut, Kosovës, pavarësisht pasojave, në pjesën më të madhe, u gjegjën, për t`u vënë në shërbim të mbrojtjes, të luftës për liri. Përgjatë këtij organizimi, me shtrirje anekënd Kosovës, nisma konspirative, nuk mund t`i shpëtonte përgjimit të kudoshëm të pushtuesit serbo-sllav. Goditja ishte drastike. Përndjekjet, burgosjet, dënimet ndaj ushtarakëve dhe veprimtarëve politikë, u shtrinë gjithandej Kosovës, duke përfshirë edhe kreun e këtij organizimi, Gjeneral Hajzeraj.

Për t`i shpëtuar kësaj goditjeje, disa nga oficerët ushtarakë dhe veprimtarë politikë, të lidhur me ata, si nënkryetari e atëhershëm i LDK-së, Anton Kolaj, me shokë, morën arratinë për në Shqipëri dhe Evropë. Por, ideja e riorganizimit ushtarak, nuk u shua për asnjë çast. Ata, ushtarakët, fillimisht, do të trajtoheshin modestisht, materialisht, nga Fondi shtetëror i Kosovës, i shprehur në 3 %-in obligativ, për të gjithë të punësuarit, brenda dhe jashtë Kosovës. Me kalimin e kohës, çështjen ekonomike do ta zgjidhnin në mënyrë vetanake, duke u punësuar në shtetet e Evropës, për të mos qenë barrë e financave për Kosovën.

Oficerët atdhetarë në shërbim të Kosovës

Në vitin 1995, rifilloi organizimi i ish-oficerëve të ish-Armatës jugosllave, duke i njohur dhe respektuar Institucionet Paralele të krijuara në Kosovë, qysh në vitin 1990. Me gjithë pengesat, dhunën, në vijimësi, të policisë pushtuse serbo-sllave, funksiononin dinjitetshëm dhe vendosmërisht. Konsolidimi i grupimit ushtarak në Mërgatë, ishte në rrugë të mbarë. Gjermania dhe Zvicra ishin dy vendet mike, ku oficerët shqiptarë bënin pikëtakimet e tyre, për planet e së ardhmes të afërt, për ta bërë realitet ëndrrën e brezave shqiptarë – lirinë e Kosovës.

Tirana zyrtare përçanë Mërgatën e Kosovës

Social-komunistët shqiptarë, që kishin sunduar Shqipërinë, më dhunë e terror, për gadi gjysmë-shekulli me radhë, nuk mund të pajtoheshin me pluralizmin politik, me demokracinë, sepse kishin humbur privilegjet e tyre. Dhe, si hiena, me milionat të marra nga Serbia, me përkrahjen konspirative të saj, organizuan përkalljen dhe rrënimin e Shqipërisë, duke përdorur rastin e fajdeve-piramida, e cila, sapo kishte filluar të ngrihej nga përtokja disa dekatore, që i bënë stalinistët hoxhianë.

Tirana zyrtare social-komuniste, dërgoi në Mërgatë kuadro të specializuara të Sigurimit shqiptar (SHISH), për përçarjen e mërgimtarëve, nëpërmjet një grupimi të vogël, siç ishte Lëvizja e Republikës të Kosovës (LPK). Në këtë grupim politik, kishte hafije të hershëm të UDB-së dhe të Sigurimit shqiptar të Enver Hoxhës, me stazh tej dy dekadave. Tani, LPK-ja u begatua edhe me spiunë të rinj, nga dy sigurimet e cituara. Futën, si pykë, Fondin ilegal dhe privat “Vendlindja thërret”, duke sabotuar financimin e Kosovës, aq të nevojshëm në kushtet e një pushtimi të egër; filluan sulmin e organizuar propagandistik lehaqenas, kundër Institucioneve Paralele të Republikës të Kosovës; kundër partisë së parë pluraliste – LDK-së, e cila organizoi jetën politike, institucionale, duke e nxjerrë jashtë loje Serbinë, fillimisht, organizimin politik një partiak dhe të gjitha institucionet e saj; kundër Presidentit, të zgjedhur me referendum gjithë-popullor, në Kosovë dhe Mërgatë, Dr. Ibrahim Rugovës.

Pavarësisht pengesave gjithëfarëshe, oficerët shqiptarë, me vetëmohim e vendosmëri, arritën të organizohen, duke riaktivizuar emërtesën fillestare të Ibrahim Rugovës: “Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës”, duke zgjedhur edhe drejtuesin ushtarak të kësaj Force, ish-Komandantin e garnizonit ushtarak të Gospiç-it, në Kroaci, Kolonel Ahmet Krasniqin.

Prishja e Marrëveshjes të Osllo-s, sabotim i luftës

Por, ndodhi ajo që pritej. Tirana zyrtare, Serbia pushtuese, me aleatë, me marionetën e tyre, LPK-në, e kishin planifikuar sabotimin e luftës së mundshme në Kosovë. Andaj, papërmbajtshëm e tërbueshëm, u hodhën në sulm kundër organizimit ushtarak – FARK, duke dalë me një organizim fantomë të tyre, i cili nuk u lëndëzua dhe as nuk hyri kurrë në luftë, me qëllim të moslejimit të konsolidimit dhe të bashkimit të faktorit ushtarak shqiptar. Dhe, këtë e realizuan, duke e prishur, njëanshëm, Marrëveshjen e arritur në Osllo të Norvegjisë!

Provokimet e Tiranës zyrtare dhe të LPK-së, nën instruktimin e drejtëpërdrejtë të Serbisë, kundër oficerëve ushtarakë dhe veprimtarëve tjerë, që iu bashkuan Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK-ut), u intensifikuan, deri me kërcënime me jetë, nga militantë-hafje të LPK-së dhe dëbim prej Shqipërie , nga zyrtarët shtetëror në Tiranë!!

Të ndodhur në mes zjarreve: të Serbisë, Shqipërisë dhe bandave të LPK-së, oficerët, tashmë, të organizuar në një strukturë profesionale ushtarake, kërkuan mendimin, këshillën, ndihmën, urdhërin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Duke e ftuar, në një takim në Zvicër, Kryekomandantin e kësaj Force, njëherësh edhe President i Republikës të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, pasi e informojnë Atë, për punën e tyre konstruktive, në përgaditjen për luftë, i flasin edhe për destruktivitetin e skajshëm të LPK-së, me instruktorët e saj Serbinë dhe Tiranën zyrtare. Dhe, shtrojnë pyetjen-dilemë, shumë domëthënëse e vendimtare, për fatin e Kosovës:

“Ç`të bëjmë?!”

Dhe, Presidenti Rugova, në këtë rast, edhe në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, do t`u përgjigjej, oficerëve të tij, të Kosovës, tashmë, të vënë në shërbim të luftës, të Ardheut:

-“Ju jeni profesionistë, e dini çfarë bëni. Kthim prapa nuk ka!”

Për oficerët trima e fisnikë të FARK-ut, gjithëçka ishte e qartë. Asnjë hamendësim, mëdyshje, për urdhërin e Kryekomandantit Rugovë. Lufta opsion i vetëm, pavarësisht presionit, shantazhit, kërcënimit të trinomit të zi: UDB-së, SHISH-it, LPK-së.

Lufta e Kosharës – legjitimoi UÇK-në

Dhe, krimi, me skenar të Serbisë, ndodhi. U përgjakën shumë oficerë, duke filluar nga vet kreu ushtarak, Ministri i Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, tani, Hero i Popullit, për të vazhduar me dhjetra të tjerë, të ekzekutuar gjatë luftës dhe pas luftës. Por, ata, ushtarakët e FARK-ut, bënë detyrën, pavarësisht rreziqeve në rritje, nga bandat e përbashkëta shqiptaro-serbe. Thyen kufirin shqiptaro-shqiptar, që therte, si heshtë, zemrat gjithë-shqiptare; bënë betejat e shumëta në Luftën e Kosharës, e cila legjitimoi UÇK-në, siç e pranon edhe vet Gjenerali kontravers e kundër-FARK, Agim Çeku, si dhe betejat dhe aksionet tjera në Kosovë.

E bëra këtë ekspoze, për të treguar si lindi ideja, për emërtimin, krijimin dhe organizimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), si dhe pengesat, deri në vrasje, të oficerëve atdhetarë e trima, nga bandat e LPK-së, të bashkuara në SHIK, me instruktimin e SHISH-it dhe të UDB-së, me aleatë; betejat faktike e fitimtare të strukturës ushtarake FARK, kundër policisë dhe ushtrisë armike serbo-sllave.

Kosova nuk guxon ta humbasë atributin – bRepublikë –

Gabove, Vjosë, kur deklarove: “Forcat e Armatosura të Kosovës”, duke e legjitimuar emërtesën inatçore e kundra-kombëtare të Hashim presidentit, Hashim dallaverës. Kosova është Republikë Parlamentare. Emërtesa – FAK – e Hashim Thaçit, që pleqtë e Kosovës ofshajnë, duke shfryrë “he FAK-un e nanës”, është inatçore, pse Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës i emërtoi dhe themeloi Ibrahim Rugova, qysh në vitin 1991. Por, emërtesa – FAK -, ka edhe elementin kundra-kombëtar, sepse anashkalon _ Republikën -. Dhe, kjo do të thotë se Kosova nuk është shtet i mirëfilltë. Dhe, zëvendësimi i – FARK -, siç ishte emërtimi filletar, me – FAK -, është një pisllëk i llojit të vaçantë.

Emërtesën – FAK- , zyrtarisht e ka kundërshtuar dhe ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, duke i dhënë edhe shpjegimet përkatëse dhe paligjshmërinë, absolute, të kësaj emërtese fantomë, të shpikur dhe të shpifur nga Hashim presidenti! Edhe pse, krerët e Vetëvendosjes, paradoksalisht, i ikin emrit të Presidentit Rugova, “si djalli nga temjani”, ata e pranojnë emërtimin adekuat të Tij, “Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës”.

Prandaj, Vjosë e dashur, deri në adhurim, nuk duhet ta pranoni emërtesën – FAK -, të Hashim presidentit. Republika e Kosovës, nuk guxon të humbasë asnjë atribut shtetëror. Aq më pak, – Republikën -, e cila i del e tepërt Hashim dallaverës, i dyshuar për shumëçka.

LDK-së me aleatë, përveç – FAK-ut -, i mbetet të zhvlerësojë e ndryshojë edhe shumë vendime dhe emërtime paushalle, cinike, idioteske e kundra-kombëtare, të bëra nga Hashim agai, pa i pyetur dhe përfillur institucionet përkatëse të Republikës të Kosovës. Po përmendim ca syrësh: emërtimi i ushtrisë; emërtimi i një auto-rruge, pse një agjent i shumëfishtë organizoi vrasjen e akademik Fehmi Aganit; ndarjen dhe përçmimin e Hamëz Jasharit, nga i vëllai Ademi, edhe pse ata kanë qenë të pandashëm, në të gjitha aksionet luftarake, i bërë, tërësisht, për arsye politike; emërtimi i panatyrshëm i Aeroportit të Prishtinës, duke u tallur me heroin, kur dihet se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me fluturimin. Dhe, plot “xhevahire” të tjera.

1 KOMENT

  1. O arabi, I nderuar komunist marksist leninist ahmakist IDRIZ Al Zeqiraj,

    A nuk ke lexuar asgje ne jeten tende perveq Karl Marksit?????? dhe po e citon kete idiot komunist ne kete GAZETE te nderuar SHQIPTARE….c.c.c.c.c.c.c.c.c.c. ti edhe ne Hoiroskop je komunist …i fëlliqtë…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here