Frika nga tjetri (1)

1
432

Adriatik Kelmendi, Koha.net30 Korrik 2016

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i urrejnë meqë ua kanë frikën, përderisa islamit ia kanë frikën meqë e urrejnë… Ka ardhur koha që t’ia shtrojmë vetvetes disa pyetje në mënyrë që t’i thellojmë njohuritë tona; se, në vend se ta bënim këtë, deri më tash e kishim vendosur si normë arsyetimin e veprimeve tona”, – Booth dhe Dunne

DERISA NJERËZIT në botën mbarë po shikonin të tmerruar dhe të tronditur sulmet mbi dy simbolet kryesore të fuqisë ekonomike dhe asaj ushtarake në SHBA, për shumicën prej tyre një gjë ishte e krejtësisht e qartë: ata po dëshmonin dy orët e veçanta të historisë që do ta ndryshonin botën përgjithmonë. Avionët që shkatërruar Kullat Binjake në New York dhe Pentagonin në Washington treguan se terrorizmi tashmë kishte kaluar në nivelin më të përparuar ndonjëherë dhe se marrëdhëniet ndërkombëtare do të ndryshojnë thellësisht si kundërpasojë.

Shumë pyetje u ngritën në momentet e para të sulmeve: Pse ndodhi kjo? Kush do të përfitojë? Dhe më e rëndësishmja – cilat do të jenë efektet?
Karakteristikë në këtë rast ishte se të gjithë sulmuesit ishin myslimanë – 15 veta nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara, një nga Siria/Libani dhe një nga Egjipti (FBI 2001) –të supozuar si fanatikë të islamit, të cilët fenë e shihnin si mjetin më të fortë të rezistencës ndaj mënyrës perëndimore të jetesës (Esposito 2002, Zakaria, Burke 2003).

Dy pyetje të tjera kryesore: Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës urrehen kaq shumë? Dhe, pse islamit i frikësohen kaq shumë?

Dy profesorë britanikë kanë dhënë dy përgjigje të shkurtra, por bukur orientuese:

“Shtetet e Bashkuara i urrejnë meqë ua kanë frikën, përderisa islamit ia kanë frikën meqë e urrejnë… Ka ardhur koha që t’ia shtrojmë disa pyetje vetvetes, në mënyrë që t’i thellojmë njohuritë tona; se, në vend se ta bënim këtë, deri më tash e kishim vendosur si normë arsyetimin e veprimeve tona”.
(Booth dhe Dunne 2002: 2)

Në kuadër të përgjigjeve të ndryshme të dhëna nga politikanë, studiues, filozofë, komentues dhe njerëz të zakonshëm për një ditë të dalluar në histori, një pjesë e madhe kthyen sytë prapa te teza e shquar e shkencëtarit politik amerikan, Samuel Huntington, për “përplasjet e qytetërimeve”. Teoria e tij 1, shërbeu si bazë për shumë referenca në përpjekje për të shpjeguar se çfarë në fakt ndodhi në ditën kur superfuqia botërore u sulmua brenda territorit të saj, për herë të parë që nga ngjarjet në Pearl Harbor në vitin 1941.

TASH KUR KANË kaluar gati 15 vjet nga sulmet e 11 shtatorit – ndërkohë që jemi dëshmitarë të intervenimit të trupave amerikane me aleatë në Afganistan dhe Irak, konfliktit në Siri dhe krijimit të të ashtuquajturit “Shtet Islamik” – ndoshta mund të jepen disa përgjigje më reale dhe të qarta për efektet e kësaj ngjarjeje të bujshme. Siç e ka ngritur çështjen Huntington – a jemi ne dëshmitarët e çasteve kur “lufta ndaj terrorit” e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara shërben si fillim i betejës për të ashtuquajturën “përplasje të qytetërimeve”?

Duket se vetë teza mbi “përplasjen e qytetërimeve” është nganjëherë mjaft sipërfaqësore dhe e thjeshtësuar, siç pajtohen edhe shumë studiues (Seizaburo 1997, Skidmore 1998, Esposito 2002, Zakaria, Burke 2003) dhe mund të kemi një përgjigje të shpejtë dhe të thjeshtë për të, që është: jo. Mirëpo rreziku më i ndërlikuar ka ardhur si pasojë e veprimeve të ndërmarra në nivele politike në Perëndim dhe në Lindje, pas 11 shtatorit. Ka të bëjë pikërisht me presionin e madh që njerëzit ia bëjnë në radhë të parë vetvetes, duke u përqendruar më shumë se ndoshta kurrë më parë në kohërat moderne – në përcaktimin e identitetit të tyre bazuar në religjionin të cilit i përkasin, ose rajonit në të cilin jetojnë.

Në nevojën për të bërë dallim ndërmjet “nesh” dhe “atyre”. Për t’i parë “ata” si kërcënim të asaj që “ne” mendojmë të jetë. Ky mund të jetë thelbi ku liderët e “fashizmit islamik” (term i përdorur nga Fukuyama, 2002) – si Osama Bin Laden, Abu Bakral-Baghdadi dhe të tjerët –shfrytëzojnë rrethanat e krijuara për të rekrutuar militantë të rinj për agjendat dhe objektivat e tyre. Shembujt e fundit të terrorizmit dhe sulmet e vetëvrasjeve me bomba, që tashmë janë shtrirë edhe nëpër shtetet e Evropës,si pasojë e luftërave në Afganistan, Irak, Siri e gjetiu, na tregojnë se bota është duke u bërë çdo ditë më e tmerruar dhe rrjedhimisht po bëhet më e pasigurt.

KOALICIONI I FORCAVE në Irak dhe Afganistan, në një mesatare të vitit 2003, të nxjerrë nga “The Sunday Times”, është përballur me minimum 33 sulme në ditë dhe me një numër prej 79 ushtarësh amerikanë të vrarë në Irak në muajin nëntor , gjë që pasqyron humbjen më të madhe deri atëherë të ushtrisë amerikane në një misionin për ndërtimin e paqes.

Në anën tjetër, Ramazani i këtij viti është llogaritur të jetë më i përgjakshmi në dhjetëvjeçarët e fundit, si pasojë e veprimeve të ndërmarra, ose të inspiruara nga “Shteti Islamik”. Vetëm gjatë këtij muaji të shenjtë të besimit islam rreth 300 persona janë vrarë në sulmet vetëvrasëse në Bagdad, 45 të tjerë humbën jetën në sulmin e armatosur në Aeroportin e Stambollit, pastaj 22 veta mbetën të vrarë në pengmarrjen në Bangladesh, 64 në bombardimin në Afganistan, si dhe 49 në masakrën e kryer në klubin e natës ku mblidheshin homoseksualët në Orlando. Ironikisht shumica e këtyre të vrarëve ishin vetë myslimanë.
Duke marrë për bazë teorinë e Walter Lippmann për logjikën e turmave (1922), mund të theksohet se SHBA-ja si superfuqi, bashkë me aleatët perëndimorë, e ka shumë lehtë t’i fitojë luftërat, por duket se fitimi i paqes mbetet një mision bukur i vështirë.

1 Artikulli “The ClashfCivilizations?“u publikua në verën e vitit 1993 në revistën “ForeignAffairs”. Vetë autori pretendon që ishte i vetmi artikull i publikuar në këtë revistë, i cili ia doli të nxisë debatin më të madh, që nga viti 1940. Libri “The ClashofCivilizationsand the RemakingofWorldOrder” fillimisht u publikua në vitin 1996 dhe u bë një ndër librat më të shitur.
2 Allen-Millis, Tony në artikullin “Bush plansfastexitfromIraq”, publikuar në “The SundayTimes”, 16 nëntor 2003
3 Yausafazai, Sami, Moreau,Ron&Hirsh, Michael në artikullin ”BinLaden’sIraqPlans”, publikuar në “Newsweek”, 15 dhjetor 2003

(Në vazhdimin e radhës lexoni pjesën “Qytetërimi dhe e ardhmja”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

1 KOMENT

  1. Adriatik, nuk eshte kjo gazeta qyftistike surroistike per memfol edhe me m’shkru qyfte.

    Kur te shkruajsh ne portale serioze mendohu qe nuk je ne Koha Qyftore…

    Ketu ka lexues qe lexojne e jo sikur ne Kohen Qyftore, kur njerzit e blejne kishe po lexoj …apo per ndonje tender…

    Tphuuu

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here