“DUKAGJINI – rrugëtim në gjenezë”, një libër për brezat e ardhshëm

0
840

Një intervistë nga Gjin Musa, me shkrimtarin, publicistin dhe kryeredaktorin e gazetes “Dukagjini” prof. Luigj Shyti, që sa herë e lexoj, aq herë dua ta ribotoj.

(Intervistë me autorin Luigj Shyti)

Fillimisht është kënaqësia ime që të bëjë këtë intervistë për shtypin e ditës me juve i nderuari Luigj Shyti.

1- Pyetje
Ju jeni lindur dhe rritur në Thethin e mrekullive natyrore. Çfarë kujtimesh na sjell për lexuesit nga ky fshat me zë dhe i njohur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë?
– Përgjigje
Thethi është pa asnjë mëdyshje nga dashuritë e mija më të mëdha. Aty u linda, aty u rrita, aty mora mësimet e para shkollor deri në mbarim të shkollës 7 vjeçare, sepse ashtu ishte në atë kohë. Aty mora njohuritë e para për jetën. Thethi ka qenë dhe është një nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë në të gjitha drejtimet. Ai ka vlera shoqërore, historike, kulturore dhe turistike të vendit tonë me vlera të papërsëritshme. Thethi është i banuar qysh rreth 3000 vjet më parë. Popullimi i këtij fshati ka rreth 300 vjet nga paraardhës të banorëve të sotëm. Thethi ka edhe malin e lartë ku dëbora nuk shkrin asnjëherë, ka edhe lumin e ujit e tij të ftohtë dhe të kristaltë në të cilin rritet trofta e shijshme dhe shumë e sertë. Në Theth dhe rrotull tij rriten rreth 200 lloje bimësh të egra, mjekësore, të ngrënshme dhe ngjyruese. Ka bimë endemike midis të cilave Vulfenia e Baldaçit në Brinjën e Shtegut të Dhenve në lartësinë rreth 1800 m mbi det. Në Theth ka ujëvara dhe kanione shumë të bukura. Turizmi ka filluar mjaft herët, por vitet e fundit ka marrë një zhvillim të vrullshëm. Pas një turravrap për tu larguar dhe për të gjetur vend për një jetë më të mira, qoftë brenda vendit apo jashtë tij, vitet e fundit kanë filluar ndërtimet dhe zgjerimet e banesave nga banorët vendas. Pra duket se banorët thethjan po i kthehen vendlindjes së tyre.

2- Pyetje
Ju jeni një ndër studentët e viteve të kahershme të Dukagjinit, si arritët të arsimoheshit dhe si ishin ato vite?
– Përgjigje
Pasi mbarova shkollën 7 vjeçare në Theth në një mjedis shumë të këndshëm, kërkova që të vazhdoj shkollën e mesme, mundësisht për mjekësi ose mësuesi. Të dyja këto degë i kisha me shumë qejf, por më shumë mjekësinë. Vazhdimi i shkollës për mjekësi nuk u bë i mundur sepse më sa duket nuk e lejonte një njollë në biografi. Më doli e drejta për vazhduar shkollën e mesme të përgjithshme tre vjeçare në Durrës me të drejtë për ta vazhduar Institutin Pedagogjik të Shkodrës drejt për drejt. Kjo bëhej me qëllim që të përgatiteshin mësues sa më shpejt për të përballuar zgjerimin e arsimit që paskësh qenë në plan që të bëhej në të ardhmen. Atje, pak nga vështirësitë ekonomike të largësisë, pak se nuk e kuptuam, veçanërisht prindërit, këtë llojë shkolle dhe dukej shumë gjatë për të dalë në punë për të ndihmuar familjen, nuk u bë e mundur që të shkollohesha në atë kohë. Sapo mbarova shkollën 7 vjeçare i u futa punës në kooperativën bujqësore, direkt në bujqësi. Punoja sa kisha mundësi, por isha shumë i disiplinuar dhe krijoja marrëdhënie shumë të mira me të gjithë pjesëtarët e tjerë me të cilët më takonte të punonim bashkë. Edhe sot kujtoj me shumë respekt shumë ish kooperativistë të moshuar në atë kohë, që, më merrnin pranë pas asnjë përtesë dhe punonim bashkë, megjithëse ata punonin më shumë se unë ditën e punës e kishim të barabartë. Mbaja marrëdhënie shumë të mira me mësuesit që kryesisht ishin nga qyteti apo zonat fushore, pavarësisht se kisha mbaruar shkollën, por merresha me drejtimin e rinisë në fshat dhe kjo më ndihmonte edhe për lidhjet me shkollën dhe mësuesit. Nga fundi i viteve ’60 u shtrua detyra nga shteti që të shtrihej arsimi i detyruar 8 vjeçar në të gjithë vendin. Në këtë kohë arsimi i detyruar kishte kaluar nga 7 vjeçar në 8 vjeçar. Unë nuk dija asgjë për këtë, por një ditë një mësues i shkollës nga qyteti më thotë se do të merren nxënës që kanë të gjitha notat 10-ta për të punuar si mësues, pasi kuadri i deri atëhershëm nuk i përballonte. Pas disa kohe dhe peripecish, që shkon gjatë po ti kujtojmë të gjitha, emërohem mësues në fshatin Plan të Pultit.

3- Pyetje
Keni qenë një i ri që e donit dijen dhe kulturën, lexonit, por dhe shkruanit në organe të ndryshme shtypi nëpërmes të cilave të kam njohur në distancë. Shkruanit reportazhe te ndrysheme, shkrime problemore, informacione etj. Si ju lindi dëshira dhe si e kujtoni botimin tuaj të parë?
– Përgjigje
Dëshira për të shkruar në shtypin e kohës ishte që herët, sapo mbarova shkollën 7 vjeçarë dhe fillova punën me rininë e fshatit. Kisha dëshirë që të publikoja fshatin tim dhe punën e rinisë. Shkrimi i parë që më është botuar, dhe ky ishte i pari për shtypin, ka qenë për Thethin, ku jepej një informacion mbi gjendjen social kulturore të këtij fshati. Ja kisha dërguar me postë të zakonshme revistë Ylli që botohej një herë në muaj. Ishte revistë e preferuar. Nuk kisha besim se do më botohej, por kur e pashë të botuar të them të drejtën u kënaqa dhe disi mora zemër për të shkruar përsëri. Më vonë kam shkruar shpesh herë sidomos në gazetën lokale të Shkodrës, por edhe “Zëri i Rinisë”, “Ylli”, “Bashkimi”, e më vonë edhe në gazetën “Mësuesi”.

4- Pyetje
Me që jemi tek shkrimet desha të bëj një pyetje të drejtpërdrejtë, kur keni botuar librin e pare, ç’farë kujtoni, si u ndjeve përpara publikut?
– Përgjigje
Ah, librin tim të parë e kam botuar, vonë, në vitin 2005. Ky botim ishte një përmbledhje publicistike të shkruara në kohë të ndryshme për Dukagjinin. Ai e ka titullin “Dukagjini ka vend për të gjithë”. Ishte një nxitje nga disa shokë e miq të mijë por edhe dashamirës të Dukagjinit, që më nxitën. Dua ta përmendë se mbështetjen financiare për botimin më bëri një ish nxënësi im nga Thethi, Angjelin Vidhi. Libri u pritë mirë, mendoj unë, dhe ka qenë i kërkuar jo vetëm nga bashkëkrahinarët e mijë por edhe nga shumë të tjerë. Jam ndjerë mirë me të.

5- Pyetje
Si ka qenë jeta si mësimdhënës? Ku e filluat karrierën si mësues dhe ku e mbyllët këtë karrierë shumëvjeçare?
– Përgjigje
Dita e parë e shkollës ishte me katër klasa kolektive, me sistem gjashtë orësh dhe pa parë asnjë orë mësimi si kandidat për mësues. Shumë e vështirë dhe që kërkonte punë shumë të madhe për tu përballuar. Emërimi mësues kishte edhe një detyrim, që të vazhdonim shkollën dhe ta merrnim brenda katër viteve, ose duhej të lenim punën. Kjo më pëlqente, sepse kisha shumë dëshirë që të vazhdoja, sidomos pas një lodhje rreth katër vjeçare në punë të ndryshme në kooperativë. Shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër e mbarova për tre vjet dhe me rezultate mjaftë të mira. Pas mbarimit të shkollës së mesme kërkova që të vazhdoj shkollën e lartë, por për dy vjet më pengon një karakteristikë që duhej të lëshonte ish sekretari i organizatës së Partisë, më vonë kolegu dhe vartësi im. Kam mbaruar Shkollën e lartë në Shkodër për biologji – kimi, dhe këtu me rezultate mjaft të mira. Me mbarimin e shkollës nuk mbaronte edhe kualifikimi, por do të vazhdohej me kërkesa shumë të forta, që, përjashto problemet ideologjike të kohës, të tjerat ishin të domosdoshme.
Punën mësimore e mora me shumë pasion. Punova me përkushtim që nxënësit, të cilët unë mësoja apo shkolla që unë drejtoja të merrte njohuritë më të mira të mundshme, dhe të them të drejtën kur bëheshin krahasimet midis lëndëve dhe shkollave gjithmonë isha mbi mesataren.
Gjatë punës time në frontin e edukimit, për rreth 32 vjet kam punuar drejtues shkolle. Kam pasur në qendër të vëmendjes gjatë punës në shkollë, krijimin e e një mjedisi të këndshëm në të cilin punonim, jo vetëm si godinë dhe kushte materiale por edhe shoqërore, me qëllim që nxënësit dhe mësuesit të vinin me qejf në shkollë. Marrëdhëniet midis kolegësh, edhe kur isha mësues i thjeshtë, por akoma më shumë kur drejtoja në shkollë ishin përparësia ime në atë mënyrë që të zbatoheshin ligjet, udhëzimet dhe urdhrat që vinin me ndjenjën e dashamirësisë, pa ngritje zëri, duke qenë vetë në krye të punëve. Në të gjitha shkollat që kam punuar kam krijuar marrëdhënie shumë të mirë edhe me komunitetin dhe këshillat e fshatrave.
Puna ime në arsim është interesante, ose të paktën kështu me duket mua. Kam punuar në të gjitha klasat që nga e para dhe deri në klasën e dymbëdhjetë, kam punuar me klasa kolektive në të gjithë sistemin shkollor para universitar, kam punuar me klasa kolektive me sistem 4 orësh dhe me sistem 6 orësh, kam drejtuar shkolla 8 vjeçare, dhe të mesme të bashkuar në të cilin përfshiheshin edhe shkolla 8 vjeçare me të gjitha klasat dhe shkolla e mesme, madje edhe me klasa paralele. Po të ishte në ushtri nga ushtarak i tillë do të quhej “ushtarak karriere”.
Punën mësimore e kam mbyllur me 31 gusht 2012, pas pothuaj 45 vjet punë. Kur po afrohej koha për tu ndarë nga arsimi, bisedoja me kolegët e mijë dhe më kujtohet një shprehje që më erdhi krejt pa pritur, që u thashë: “… më vjen edhe keq, por edhe mirë që po largohem”. Ata filluan ta komentonin sipas dëshirës gjithsecili. Unë u shpjegova atyre, se më vjen keq sepse kam një jetë në këtë profesion dhe nuk është e lehtë ndarja, nga ana tjetër më vjen mirë që po largohem pa asnjë masë ndëshkimore sado e vogël, përkundrazi i dekoruar dy herë, po largohem pa parë gjatë gjithë punës time në arsim një aksident te nxënësit e shkollës ku punoja, pa bërë fjalë për ngjarje më të rënda, pa parë asnjë ngatërresë midis mësuesve të shkollës që drejtoja. Kjo më lehtëson shpirtin dhe ndjehem mirë që u largova kështu.
Punën në arsim e mbylla në shkollën 9 vjeçare “Tonç Gjon Toma” në Rragam të Gurit të Zi, një shkollë model me plotë kuptimin e fjalës si nga paraqitja, disiplina e punës, niveli i përvetësimit të mësimit krahasuar kjo jo vetëm me shkollat e fshatit por edhe te qytetit, dhe mbi të gjithë me një kolektiv shembullor në të gjitha drejtimet. Përulem me shumë respekt, edhe sot, përpara tyre.

6- Pyetje
Si je ndjerë atë ditë kur ti u ndave përfundimisht nga profesioni.
– Përgjigje
Asnjë ndarje nuk është e lehtë. Atë ditë ndarja më shkaktoj një ndjenjë shpirtërore mjaftë emocionante sa që edhe u “turpërova” sepse mu mbushën sytë me lot. Në atë ndarje përfundimtare, në ata lotë, ndikuan edhe vendet e tjera të punës ku kam punuar më parë që nga Plani në Dukagjin që kam filluar dhe pastaj në disa shkolla të Dukagjinit si mësues e drejtues, në Velipojë, Karmë, Gurë të Zi dhe së fundmi në Rragam. Në mënyrë të përmbledhur shumë shkurt, ato emocione, ishte një përvijim i një rruge 45 vjeçare në shkollë.
Me që ra fjala te dita e fundit e punës në shkollë, po kujtoj këtu një mungesë respekti nga Drejtorja e Arsimit të Qarkut, e cila nuk erdhi dhe as nuk dërgoi një njeri, në shenjë respekti që po largohej një drejtor shkolle. Por duhet thënë se fajin e ka edhe politika që ka hyrë thellë në gjakun e disave të cilët nuk dalin dot nga ajo baltë. Megjithatë unë ja kam bërë të qartë asaj, me shkrim, këtë mungesë respekti për atë që kam më shumë punë në arsim së ka vite ajo. Siç e thash pak më parë, lashë një shkollë model, me të gjitha klasat e fillores dhoma të vërteta puna për të gjitha lëndët, ciklin e lartë me gjashtë kabinete nga më të mirët, sipas lëndëve, pa asnjë xham të thyer, me të gjitha kushtet shumë të mira për punë dhe edukim.
Kam një respekt të veçantë për të gjithë komunitetin e fshatit Rragam, për marrëdhëniet personale dhe kolektive me ta, për kujdesin e tyre për mirëmbajtjen e shkollës dhe dashamirësinë për shkollën.

7- Pyetje
Ju jeni një qytetar i nderuar, një prind shembullor, një aktivist i pa lodhur, po kush familja e juaj?
– Përgjigje
Unë kam gruan dhe pesë fëmijë, tashmë të rritur relativisht. Katër i kemi të martuar dhe tre prej tyre janë me fëmijë, ndërsa djali i vogël është i fejuar. Janë të shpërndarë në tri vende të ndryshme të botës. Unë ndjejë shumë kënaqësi për familjen time. Ajo ka qene mbështetëse e pa zëvendësueshme në jetën dhe punën time. Na mungojnë shumë fëmijët dhe nipat e mbesat që janë larg, por vinë nganjëherë dhe çmallemi me ta. Dali i vogël ka mbaruar një fakultet dhe një doktoratur për bioteknologji të avancuar, dhe tash vazhdon studimet për mjekësi humane.

8- Pyetje
Tani të riktheheshim tek qëllimi i intervistës. Juve jeni botues i disa librave, sa është numri i botimeve tuaja, çfarë trajton në vetvete ç’do libër i shkruar nga ju?
– Përgjigje
Këto ditë doli në qarkullim një libër që bën fjalë për gjenezën e Dukagjinit. Ky është i pesti që kam shkruar. Kam qenë bashkëpunëtor apo organizator edhe në libra të tjerë.
Katër nga librat e mijë kanë në qendër Dukagjinin. Në këto libra flitet për historinë, kulturën, natyrën, vlerat shoqërore dhe shkencorë që unë kam pasur mundësi që ti shikoj, ti dëgjoi dhe ti përshkruaj. Dukagjini është një krahinë me shumë vlera në të gjitha drejtimet. Për këtë krahinë kanë shkruar edhe shumë e shumë, udhëtarë, gazetarë, studiues, shkencëtarë, por nuk ka të sosur. Sa herë shkon në Dukagjin, qoftë vendas apo i huaj gjënë gjëra të reja. Është një zonë me shumë vlera, që ka përballuar shumë vështirësi natyrore dhe shoqërore, prej të cila ka nxjerrë shumë mësime. Në këto libra kam trajtuar edhe probleme të kohës, siç është përshtatja me të rejat e kohës, problemet e integrimit në kohën dhe shoqërinë e re, kam shkruar shumë portrete, kam dhënë shumë informacione që ju vlejnë edhe rrugëtarëve, studiuesve e dashamirësve të Dukagjinit. Në këto libra kam mbledhur një numër këngësh lirike-erotike që janë kënduar dhe këndohen edhe sot në Dukagjin, që tregojnë se malësori dukagjinas nuk u lind për të vrarë apo për tu vrarë, siç përpiqen ta paraqesin ndokush, por e do jetën, e do lirinë, e do dashurinë, e do familjen, e do përparimin, e do të bukurën.
Një nga librat e mijë është një vëllim me poezi, ashtu siç i kam ndjerë unë, të shkruar në kohë të ndryshme, por një pjesë e tyre i kushtohet emigracionit, kësaj plage që mbetet e hapur, që ka prekur shumë e shumë familje dukagjinase dhe shqiptare.

9- Pyetje
Si janë pritur botimet tuaja dhe a keni pasur ndonjë sponsorizim për botimin e tyre e, në se ke pasur, kush janë?
– Përgjigje
Librat e mijë jam i kënaqur për pritjen që i ka bërë publiku. Mendoj se secili që ka marrë në dorë nga këto libra ka gjetur edhe veten e tyre brenda. Kjo mendoj se është mjaft e rëndësishme.
Në botimin e tyre, natyrisht, më kanë ndihmuar të afërmit si dhëndëri Alfred Kola dhe vajza Rrezearta, im vëlla Gjovalini, djali i motrës Kreshnik Vocaj, bashkëkrahinari dhe kolegu e miku im Kolë Çardaku, ish nxënësi im Angjelin Vidhi që e përmenda edhe pak më parë. Të gjithëve u jam mirënjohës me shumë respekt.

10- Pyetje
A mund të na flasësh pak për botimin tënd të fundit, që nga titulli, kopertina dhe brendia e tij. Kujt i dedikohet?
-Përgjigje
Libri im që sapo doli në qarkullim titullohet “DUKAGJINI – rrugëtim në gjenezë”, botuar nga shtëpia botuese “FIORENTIA” në Shkodër. Është një libër me 540 faqe, dhe teknikisht i punuar me shumë kujdes. Kopertina është e bërë në funksion të temës që trajtohet në faqet e librit. Tregon përpjekjet për të ndriçuar prejardhjen e një krahine mjaft të vjetër në kohë por edhe mjaftë të gjerë në hapësirë. Ky libër është i vetmi, deri tash, për këtë temë për këtë krahinë, por uroj që të mos jetë i fundit. Libri trajton, në mënyrën time, gjenezën që shumë herët dhe në një territor shumë të gjerë. Është i konceptuar nga larg afër. Për rreshtimin e brezave është filluar nga brezi më i ri dhe kam ecur drejt thellësisë. Për këtë libër janë lexuar dhe konsultuar 116 libra, prej të cilëve 42 me autor të huaj si dhe shumë revista, gazeta, dhe shumë materiale të tjera arkivore. Nga këto studime janë grumbulluar mbi 2000 skeda. Janë vjelë mendimet e mbi 180 personave të moshave dhe profesioneve të ndryshme në Shqipëri por edhe në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror. Këtë libër e kanë njomur me mendimet e tyre edhe shume persona që e kanë lexuar në dorëshkrim, por veçanërisht konsulentët e mijë Profesor As. Dr. Zef Gjeta, Profesor As. Dr. Ahmet Osja, Ndue Sanaj, Ndoc Grimaj, Alfred Haxhari, Lulash Gilaj, Zef Bari, të cilët më ndihmuan me mendimet e tyre të vlefshme, dhe që i përshëndes me respekt. Ky libër ka një parathënie të zgjeruar nga Prof. Zef Gjeta, dhe një mbyllje nga Alfred Haxhari të cilat edhe analizojnë punimin por edhe hellin vështrimin drejt së ardhmes.
Ky libër i kushtohet brezit të ri dhe atyre që do të vinë. Është domosdoshmëri e jona që të bëhemi, më sa të mundemi, dëshmitarë të kohës që jetojmë dhe atyre që dimë, për brezat e ardhshëm.

11- Pyetje
Çfarë tregon fotoja jote në kopertinën e fundit?
-Përgjigje
Kjo foto, për mua, ka një ka një veçori interesante. Këtu jam në ditën e fundit të punës në shkollë. Ma bëri një koleg mësues i shkollës Rragam me aparatin tim, sepse doja që të bëja disa foto të shkollës dhe kolektivit. Kjo foto me sjellë kujtime nga koha e punës.

12- Pyetje
Ju jeni sekretar i Shoqatës Atdhetare Dukagjini, redaktor i gazetës “Dukagjini”, si arrini ta përballoni këtë ngarkesë, dhe si është bashkëpunimi me kolegët tuaj krijues?
-Përgjigje
Po jam i zgjedhur që në themelimin e shoqatës. Shoqata “Atdhetare Dukagjini” ka bërë dhe vazhdon të bëjnë punë shumë të mirë për zbulimin, ruajtjen dhe publikimin e vlerave të mira të kësaj krahinë me shumë vlera. Për shoqatën tonë, Dukagjini dhe vlerat e tij të mira, janë në plan të para, për kryesinë e kësaj shoqata dhe për gjithë shoqatën, Dukagjini është partia mbi të gjitha partitë që janë në Shqipëri. Ne kërkojmë që të shtohet vëmendja për këtë krahinë dhe këta malësorë, dhe mbështesim cilin do që punon me mirë dhe më shumë për zhvillimin dhe përparimin e kësaj krahinë, për integrimin e këtyre malësorëve kudo që jetojnë. Ne kemi punuar, me sa mundësi që kemi, për të ndikuar edhe të emigrantët tonë në ruajtjen e traditave të mira krahas atyre bashkëkohore të cilat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme.
Unë përpiqem që të jap ndihmesën time në shërbim të brezit të ri dhe atyre që vinë, sepse u jemi borxhëlinjë, sepse dikur do të na gjykojnë. Për këto duhet gjetur kohë nga i gjithë brezi i sotëm dhe veçanërisht intelektualet, sepse pa tjetër që e ardhmja mbështetet në të sotmen. E kam shënuar edhe në botimin tim që doli këto ditë se, ata që dinë kush janë dhe nga vinë, dinë ku shkojnë dhe çfarë kërkojnë.
Me kolegët e mijë krijues dhe të shoqatës kemi bashkëpunim të vazhdueshëm dhe pa interesa personale e politike partiake. Kjo ka bërë të mundur që të kemi një shoqatë shumë solide dhe që ka mbështetje të mirë në komunitet. Kjo marrëdhënie shoqërore ka ndihmuar që të bëhen aq shumë botime me temë nga Dukagjini. Këto shtojnë besimin se do të vazhdohet puna e suksesshme edhe në të ardhmen.

13- Pyetje
Unë kam pasur nderin që të kem të ftuar në emisionet e mija në dy radio në emigracion. Publiku ju ka vlerësuar mjaftë mirë, si një njeri me njohuri bashkëkohore në shumë drejtime të jetës, ju siguroj që jam ndjerë edhe unë krenar që, Luigj Shyti, një djalë Dukagjinas, prej nga vi edhe unë, të jenë vlerësuar nga dëgjuesit e shumtë. Besoj që edhe kjo intervistë me juve do kenë lexueshmëri, do vlerësohet puna e juaj shumë vjeçare.
Çfarë do tu thuash lexueseve në përfundim të kësaj interviste. Çfarë planesh dhe objektivash keni per te ardhmen.

-Përgjigje
Do të punoj me sa mundësi që kam në shërbim të familjes time, të krahinës prej nga rrjedhë, të vendit në tërësi. Kam projekte për botimin e ndonjë libri me studime apo publicistikë. Interesnte besoj se do të jenë studimi mbi bimët mjekësore të Thethit, dinamika e popullsisë pas viteve ’90 në krahinën e Dukagjinit, pse jo edhe ndonjë me kujtime, apo tjetër tematikë. Gjithsesi këto në vartësi të kohës në dispozicion që do të kemi.
Në mbyllje të këtij bashkëbisedimi dua të ju falënderoj posaçërisht Ju zoti Gjin, që edhe në distancë gjete kohën dhe mundësinë për të bashkëbiseduar bashkë. Është shumë e shpejtë kërkesa juaj për të bashkëbiseduar, vetëm disa orë pas daljes se librit të fundit në qarkullim. Kam plot dy vjet që jam në pension dhe je i pari që më “ngacmon”, me ktheve, disi, në kohën e rinisë dhe punës, gjë të cilën mund ta kishin bërë ata që i kam më afër, nga kolegë apo ish kolegë, bashkëpunëtorët apo ish bashkëpunëtorët. Unë mendoj se nuk është kohë e humbur kur pasqyron edhe pak rreshta punën afër 50 vjeçare të një kolegu apo bashkëpunëtori. Për këtë të falënderoj ngrohtësisht i dashur Gjin.

Ju falënderoj edhe një herë për kohën që vure në dispozicion të realizimit të kësaj interviste.
Urime për librin e ri. Ju faleminderit.

Intervistoj: Gjin Musa, Romë

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here