Drejtësia e korruptuar dhe farsa “demokraci”

0
402

Nga: Dr. Zef Mulaj Më: 18 korrik 2016 Në ora: 00:08

Kur politika kthen në banda, nuk mundë të ketë reforma, por duhet evolucin i shoqerisë, në skenë forca dhe ide të reja politike.

Në një sistem drejtësie të sëmurë dhe të korruptuar, shteti bëhet kancerogjen, kur nuk është në gjendje të kurojë drejtësinë. Shteti në këto raste ngjan me “vjetërsinë”, që përditë shkon drejt humbjes së lidhjeve me qytetarët e tij, drejt një fundi i cili nuk lë të ardhme për shoqërinë dhe gjeneratat me mëvonshme. Nuk ka shkencë e zhvillim; nuk ka perspektivë dhe kulturë; nuk ka histori, ka vetëm varfëri të maskuar nën gjuhën e politikanëve të korruptuar që sundojnë dhe nënshtrojnë edhe makinën e drejtësisë. Ngjan sikur ka liri, por nuk është liria e vërtetë demokratike. Kur makina e shtetit është e sëmurë, mekanizmat e saj nuk janë më në gjendje të drejtojnë, dhe të veprojnë, pasi drejtësia nuk e ndëshkon krimin.

Ajo nuk e ndëshkon atë që gabon sepse ka pushtet force ekonomike, apo udhëheqësin partiak etj. Kështu mbyllen dosjet që flenë në arkivat e tyre, duke lënë pa hetuar sa e sa krime. Ndaj, koha kërkon rinovim, çlirim nga ankthi që rrezikon në fund perspektivën dhe deri sovranitetin e vendit. Kur prevalenca e korrupsionit bëhet humus i vërtetë i jetës politike dhe i organizmave të shtetit, është bërë një lloj “kushtetute”e jetës morale e materiale, mbi bazën e së cilës drejtohet, organizohet e jeton një shoqëri e tillë, jeta e njerëzve shantazhohet nga politika dhe nga padrejtësia, nga pasiguria, nga krimi i organizuar, nga mafia, nga papunësia, nga mungesa e meritokracisë dhe e profesionalizmit.

Ky mekanizëm arrin kulmin e tij në rastet e krimit të organizuar dhe të mafies, që ne e shohim në jetën tonë të përditshme. Ai është i bazuar në shkeljen besnikërisë, sigurisë dhe ligjit. Çfarë ndodh kur shteti nuk arrin të përmbushë funksionet e tij thelbësore në një demokraci liberale, si mirëmbajtjen e lirisë së tregut dhe konkurrencës, zbatimin e ligjit e rregullave dhe rregulloreve, monitorimin e përmbushjes së tyre, ku shpenzimet e mëdha nuk kanë burim të njohur financiar?! Kur në një shtet drejtësia është e sëmurë, shteti behet i paligjshëm dhe “kanceroz”, pasi ai nuk mbron meritat dhe iniciativën individuale dhe mungon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Imoraliteti është degjenerim i moralit, ndaj duhet të pyesim veten nëse ne jemi shtet i së drejtës, me parime dhe vlera universale; me respekt për dinjitetin e njeriut. Shkalla e lirisë dhe drejtësisë në një shoqëri është në përpjesëtim me gjerësinë e vlerës morale. Liria dhe anarkia nuk mund të jenë në të njëjtin vend, pasi në bazë të anarkisë nuk janë ligji dhe parimet. Liria s’mund të mbrohet nga e padrejta dhe qeveritë duhet të jenë vigjilente në lidhje me këtë. Jeta ekonomike nuk zhvillohet dot në një vakum moral. Ajo kërkon një themel të fortë etik, pa të cilin nuk mund të mbahet në një nivel të mjaftueshëm.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, krimi ekonomik zë 15 deri në 20 % të të gjitha krimeve në mbarë botën. Nëse organizatat kriminale përfaqësojnë elitën e mijëvjeçarit të tretë, këto do të ndikojnë në mënyrë të pashmangshme në shoqëri, institucione, politikë dhe jetën demokratike. Dhe baza e krizës së tanishme është një ndër shkaqet të këtyre shtrembërimeve të çoroditur e tregut të lirë, spekulimit ekonomik e kriminal. Krimi burgos zhvillimin dhe vjedh të ardhmen për të rinjtë; kufizon lirinë ekonomike dhe iniciativat sipërmarrëse; është një kërcënim për paqen dhe na dënon me skllavërinë dhe nënshtrimin njerëzor ndaj njeriut.

Dhe kjo do të thotë vdekje të demokracisë! Garancia e lirive individuale dhe e dinjitetin njerëzor është “zemra e lirisë njerëzore”. Aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri. Kur nuk zbatohet ligji dhe kur nuk dënohet krimi, shuhet në heshtje jeta dhe siguria njerëzore; perspektivat dhe lind despotizmi i një oligarkie e nomenklaturës së kriminelëve, të cilët luftojnë për pushtet, për të marrë në posedim pronat dhe jetën e individëve. Kjo është e kundërta e lirisë, që do të thotë mosbesim në institucionet që udhëheqin.

Ne i paguajmë taksat sepse kemi besim se paratë do të vihen në shërbimin dhe cilësinë tonë jetësore. Mirëpo, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një problem politik dhe si e tillë, duhet t’u adresohet organizmave të drejtësisë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës. Funksioni i drejtësisë nuk është vetëm dënim e ndëshkim. Ajo duhet të përhapë edhe besim, siguri, ndërgjegje, motivim. Drejtësia është ajo që e mban të gjallë shtetin dhe organizmat e tij. Mirëpo kur drejtësia nuk funksionon, korrupsioni dhe krimi lulëzojnë, duke kërcënuar pronën private, liritë e individëve dhe sipërmarrjet, tregun e konkurrencën, shkencën dhe kulturën, zhvillimin ekonomik, etj. Kështu, pak e nga pak, të gjithë i nënshtrohemi frikës dhe demokracia kthehet në një farsë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here