Deklarimet e z. Izet Haxhia, ish-truproja personale e Sali Berishës në kohën kur ishte President i Republikës

0
610

Dërgoi për publikim tek “Fjala e Lirë”, gazetari Gjin Musa

Momenti kur ish-Presidenti Berisha kishte vendosur të arratisej nga Shqipëria.
Në mea culpa e truprojes kryesore të ish-Presidentit, shoqëruar me një ndjesë ndaj shqiptarëve.
Pak më vonë, në ditët e fundit si president i vendit, Berisha i ka kërkuar Izet Haxhisë të organizojë një sulm mbi ambasadën amerikane në Tiranë.
“Kur të hapen arshivat sekrete të asaj kohe do të më jepni të drejtë në këto që po them…” – thotë ish-njeriu besnik i Sali Berishës.
– Pak. Pashë disa të marrë që luftonin me bunkerin e thyenin xhamat e ministrive. As të majtët nuk ngelen mbrapa për dhunë kur janë në opozitë, por të majtët nuk vrasin. Berisha vret. Vret edhe të vetet po qe nevoja për të justifikuar dhunën.

– Më ke treguar njëherë, se Berisha në ditët e kulmit të trazirave në mars 97, ka dashur të arratisej nga Shqipëria…

Ka ndodhur pasi u bë marrëveshja e papritur e 9 marsit 1997, ku u vendos të krijohej qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon e papunë, kaosi vazhdonte të sundonte gjithë vendin. Veriu, deri më 9 mars nuk i kishte hapur depot e armatimit, me urdhër të Berishës u hapën depot edhe në ato zona. Nga njëra anë flitej e vendosej për qeveri e pajtim kombëtar, nga ana tjetër jepej urdhri për armatosjen e veriut kundër jugut. Skenari i zi duhej çuar deri në fund. Në jug rebelët dhe komitetet e shpëtimit nuk pranonin këtë zgjidhje dhe kërkonin largimin e Berishës.
Ditën e 9 marsit Tritan Shehu fliste në panik se kishte marrë informacione se rreth 5 mijë veta nga jugu ishin nisur drejt Tiranës për të sulmuar Atë. Unë isha në kontakt me shumë miq të mi në Vlorë dhe i thashë Tritanit që mos u mundo të hapësh panik, sepse kjo gjë nuk është e vërtetë.
Por Berisha nga një “luan” i para një jave, kur thoshte se do t’i shtyp të kuqtë, do të ndaj shapin nga sheqeri e broçkulla të tjera si këto, tani na ishte bërë një lepur që po priste të merrte arratinë. Edhe të majtët, pasi kishin nënshtruar Berishën duke e detyruar të pranonte kompromisin me ta, po zvarritnin që të fillonte nga puna qeveria e Pajtimit Kombëtar.
Forcat e dërguara në dy fronte, në atë të Vlorës dhe atë të Përmetit për të nënshtruar e shtypur rebelimin, iu dha urdhëri të tërhiqeshin në Tiranë. Shumë prej tyre e ndjenin veten të mashtruar nga Berisha dhe hoqën përkrahjen ndaj tij. Në këtë situatë kaotike ku shumë eksponentë të qeverisë së PD-së filluan të iknin nga sytë këmbët në panik. Në këtë kohë të gjithë të burgosurit që mbaheshin si “më të rrezikshëm” ishin transportuar në burgun 313 në Tiranë. Në mes tyre ishte edhe Fatos Nano dhe Ramiz Alia.
Unë, së bashku me vëllain tim Isamedinin, i cili kishte qenë komandat i operacionit të forcave që ishin përqendruar në Fier, por që me një urdhër të Gazidedes u thirr në Tiranë për të pushuar dy ditë. Në fakt, ky ishte shkarkimi i tij në fshehtësi nga kjo detyrë. Vëllai im, Isamedini, i zhgënjyer nga kjo lojë e Berishës me Gazideden, së bashku me dy vëllezërit e tjerë, më kërkuan që të shifnim punën tonë dhe të lija Berishën. Por unë u thashë se, edhe sikur i vetëm të ngelem, nuk do ta lej vetëm Berishën.
Dhe ata, për të mos më lenë vetëm, qëndruan pranë meje. Kështu, filluam së bashku me vëllezërit e mij të mblidhnin njerëz për të mbrojtur Berishën dhe Tiranën nga sulmi që pritej nga rebelët e jugut.

– Ju mendonit se mund të sulmohej Presidenca?

– Po. Kulmi i kësaj historie është data 13 mars. Pasi u kishim mbushur mendjen shumë vetave që të na bashkoheshin për të mbrojtur Berishën dhe po blindonim Presidencën me armatime të rënda që morëm nga depot e Gardës, vumë armë të rënda në pikat dominuese tek korpusi i Universitetit dhe ndërtesa të tjera të larta. Ishim gati për luftën finale…
Po kthehesha nga Garda për në Presidencë, kur nga dera e prapme e saj, ngjitur me Klinikën Speciale të ish-udhëheqjes shof një autoblindë, një tank dhe një makinë të blinduar që prisnin. Pyeta njërin nga shoqëruesit se çfarë kërkojnë këto këtu? Më tha: Presidenti po ikën…
Më iku truri. Shkova me vrap dhe u futa në zyrën e Berishës që po dridhej dhe i thashë: “Çfarë ke ndërmend të bësh?
Më tha: “Izet, çdo gjë mori fund…”
“Çfarë mori fund?”, i thashë. “Fëmijët e tu i çuam në Itali ,gruan e ke të strehuar në një vend të sigurt…”
Pas këtyre fjalëve, shtova: “Po bëre një hap të dalësh prej kësaj zyre je i vdekur! Unë me vëllezërit e miqtë e mij po mbledhim njerëz për të mbrojtur ty, ndërsa ti kërkon të ikësh siç ikën shumica e pushtatarëve të tu. Kur të vritem unë me gjithë njerëzit e mij, atëhere mund të ikësh kur të duash…”

– Çfarë ndodhi më tej?

– Ai qendroi. Ndodhi nje sulm i presidencës nga mesnata nga një furgon dhe morën kundërpërgjigjen tonë, ku mbetën të plagosur tre veta nga sulmuesit. Berisha kërkoi t’i sillnin një kallashnikov se donte të luftonte edhe ai.
I thashë që nuk të bjen ty të luftosh se luftojmë neve për ty.
Mora vesh pak më vonë që ai do shkonte në fillim në Laç te vila e një doktori me mbiemrin Ulaj dhe pastaj do vinte një helikopter i forcave ushtarake franceze për ta marrë e larguar, nuk e di se ku.
E kam thënë që ikja e Berishës ka qenë finalja e skenarit të copëtimit të Shqipërisë. Pse e them këtë? Nuk e di a ju kujtohet, por atë natë të gjitha kanalet prestigjioze të botës CNN, Fox, Euro Neës dhanë lajmin për arratisjen e Berishës, madje u hapën lajme se forcat greke hyn në territorin shqiptar rreth 20 km, gjoja për të mbrojtur minoritetin grek.
Jo se Berisha nuk e dinte këtë skenar. Unë e them me bindje se duke mbajtur me zor Berishën atë natë të 13 marsit, kemi prishur këtë skenar, por i lashë në shpinë këtij populli një tradhtar e kriminel që me politikën e tij e çoi vendin buzë greminës duke u bërë bashkëpunëtor në këto skenare.
Kur të hapen arshivat sekrete të asaj kohe do të më jepni të drejtë në këto që po them…

– Ndoshta kur e detyrove të qëndronte këtu, ka qenë një nga ditët më të vështira të Berishës, kur ai është ndjerë i poshtëruar dhe i fyer. Mos që atë ditë nisi armiqësia e tij ndaj teje?

– Duke njohur karakterin e Berishës si njeri me komplekse dhe hakmarrës, mund të them që po. Por pas kësaj ka edhe disa ndodhi të tjera që i vunë vulën kësaj armiqësie të tij ndaj meje. Ka qenë muaji prill më duket i 97-s kur u rraf Nikoll Lesi tek Hotel Rogneri. Më thërret Berisha në zyrë ku po shifte lajmet e Rai Tre që po tregonte për rrafjen e Lesit, i cili më akuzonte mua për keëtë gjë. Berisha në një gjendje të dërrmuar më thotë që “e shef çfarë bëre? Ti po mundohesh të më bësh gropën mua”.
I thashë që mund të kem bërë gjëra të pakontrolluara që mund t’ju kenë dëmtuar juve në radhë të parë, por asnjë nga ato që kam bërë nuk i kam bërë me qëllim që t’ju dëmtoj juve… Më tha “po ç’do ti që del në skenë, ke plot njerëz të tu që mund të bëjnë këto gjera. Ti nuk duhet të ekspozohesh se pastaj do të dyshojnë sikur të kam futur unë”. I thashë që unë po largohem përfundimisht nga mbrojtja juaj sepse dyshimi yt është i rëndë për mua.

– Dhe ju u larguat?

– U largova duke njoftuar edhe njerëzit që kisha pranë që unë po largohem, por pothuajse të gjithë njerëzit që kisha afër u bashkuan me mua duke u larguar edhe ata nga ruajtja e Berishës. Berisha i zënë në panik së bashku me familjen e tij sepse kishte ngelur i vetëm dhe pa mbrojtje fut gruan e tij të më marrë në telefon, duke më thënë që mos ja vërë re Saliut se është i lodhur e mërzitur për ato që ka thënë, por kthehu pranë tij.
Të njëjtën telefonatë mora edhe nga vajza dhe çuni i Salës që të kthehesha. Vendosa të kthehesha por me zemër të thyer dhe pasi fola me miqtë dhe shokët që ishim bashkë, u thashë këtë: Unë po kthehem, por deri në zgjedhjet e 29 qershorit. Më datën 30 fitoi apo nuk fitoi Berisha e PD, unë nuk kam për të punuar kurrë më për të sepse fjalët e tij haluçinante se unë po punoja për ta groposur atë më vranë shumë dhe thyen përfundimisht lidhjet e mia me të..
Këtu hyn dhe rasti i moszbatimit të porosisë së tij për të bombarduar Ambasadën amerikane.

– Izet, këtu ndalemi pak. E ke përmendur edhe herë tjetër: Si i shkoi mendja Berishës të sulmonte ambasadën amerikane?

– Po. Ka qenë muaj maj më duket, ishte koha kur Pjetër Arbnori ishte i ftuar për një vizitë në SHBA nga Kongresi Amerikan. Ishte krijuar opinioni në të gjithë se SHBA i kishte hequr vizën e kuqe Berishës dhe po përkrahte të majtët për të ardhur në pushtet. Ishte një rast i mirë për të treguar se të majtët antiamerikanë u zhgënjyen nga kjo vizitë e Arbnorit që i jepte kredibilitet PD-së së shkatërruar. Duke u nisur nga kjo, më thërret Berisha në zyrë e më thotë që “ajo lavirja (e kishte fjalën për Mariza Linon, ambasadoren amerikane në atë kohë në Tiranë) duhet t’i japim një mësim të mirë për të gjitha ato që ka bërë kundër nesh, sepse ajo po punon kundër Shqipërisë, ngaqë është e lidhur me lobet greke antishqiptare në Amerikë. Ti mund ta godasësh atë”, më tha.
Të mendohem, i thashë e të bëj planin për këtë. Në atë kohë, vërtet edhe unë isha i mendimit se Lino po punonte në mënyrë të tillë. Por kur bëhej fjalë për një vend si Amerika, thashë të pyesja dikë që njifte mirë politikën e jashtme dhe Amerikën. I them Mero Bazes se po të godisja ambasadën amerikane, kuptohet sipas planit tim, pa më thënë njeri, çfarë mund të ndodhte.
Më tha: “Në mënyrë absolute mos ndërmerr një veprim të tillë, sepse Shqipëria humbet pavarësinë e saj dhe fiton armiqësinë e Amerikës”. Megjithëse kisha bërë planin për ta goditur nga disa pika ambasadën amerikane, pas kësaj që më tha Mero Baze, hoqa dorë nga plani.
Pas disa ditësh më thërret Berisha dhe më thotë se çfarë kisha bërë për atë porosinë. I thashë që është e pamundur, sepse ambasada ruhet nga forcat marinse të Amerikës dhe policia shqiptare.
“Ti nuk ke dashur ta bësh!”, më tha i zemëruar.
Ky ka qenë komunikimi i fundit i imi me Berishën president.

– Berisha i arratisur në marsin e 97… Ndoshta do ishte krejt ndryshe historia e vendit nëse nuk do ta pengoje…


– Miku im Xhevdet, në jetë njeriu bën shumë gabime dhe pendohet për shumë gjëra që ka bërë apo nuk ka bërë. Një fjalë turke thotë se çfarë vlerë ka pendesa? Unë për vete në jetë kam bërë shumë gabime dhe gjëra të këqija, siç kam bërë edhe gjëra të mira, por nuk kam bërë krime dhe gjëra që të mbaj kokën ulur dhe të turpërohem.

Krimi më i madh që kam bërë është që nuk e lashë Berishën në atë mars të trazuar të merrte rrugën pa kthim të arratisë e tradhtisë, si Ahmet Zogu në 7 prill 1939. Kjo është pendesa ime. Ju kërkoj ndjesë shqiptarëve për këtë. Do kishte shpëtuar Shqipëria njëherë e mirë nga ai dhe nuk do kishin ndodhur as ngjarjet e grushtit të shtetit të shtatorit 1998.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here