Debat: Arbana Xharra, në një vijë me Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Kadri Veselin?!

1
1233

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 16 prill 2017

Senatori amerikan John McCain, e përgëzoi Isa Mustafën dhe Kadri Veselin për lidership dhe mori mirënjohje nga Hashim Thaçi. Tash Arbana Xharra, akuzon deputetët e Kosovës se «Ju që i thoni Jo Amerikës, po çoni ujë në mulli të Rusisë»?!…

Këtu lexo artikullin e plotë: http://zeri.info/zerat/138939/ju-qe-i-thoni-jo-amerikes-po-coni-uje-ne-mulli-te-rusise/

Nga ky konstatim kaq i vrazhdët dhe tepër akuzues, që e bënë Arbana Xharra, duhet të shtrohet pyetja, nëse ajo duhet t’i besojë ma shumë senatorit amerikan John McCain rreth këtyre tre personaliteteve të Kosovës, apo shkrimeve të saja të shumta, që ka mundur t’i bëjë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Isa Mustafës?!

E nëse Arbana Xharra, i ka akuzuar këta tre burrështetas të Kosovës, për bëmat e tyre aq shumë të përfolura, pse ajo tashti në mënyrë indirekte po i mbron?! A nuk është kjo një kopje e dobët e standardeve të dyfishta, të Isa Mustafës, i cili vetëm një ditë para se të takohej me senatorin amerikan, tha se kur ka ardhur kryeministër, çështjen e demarkacionit e ka gjetur si punë të kryer, me çka ai mohoi të gjitha angazhimet shtetërore të gjertanishme në këtë plan. Të nesërmen, kur u takua me senatorin amerikan, Isa Mustafa foli sikur t’ia kishin ndërruar tabletat?!

Arbana Xharra, e dinë fort mirë se Kosova e ka një Kushtetutë, dhe e din se në një nen të saj thuhet, “falja e territorit kualifikohet me tradhti”. Por në të njëjtin nen nuk përcaktohet nëse jemi të rrethuar me armiq të shumtë, nëse bënë të bëhen kompromise edhe në dëm të Kushtetutës.

Personalisht, kam bërë përpjekje për të sqaruar opinionin dhe diplomacinë amerikane, se Amerika në Kosovë, e ka bërë një lajthitje të madhe?! Pikërisht atëherë kur ka bashkëpunuar me të Majtën Ideologjike, e përfaqësuar nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët e spastruan terrenin nga elementi Nacional Kombëtar, i cili e pat futur Kosovën në agjendat Amerikane, për ta rikthyer në pushtet të majtën Serbo – Ruse, që përfaqësohet nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Kjo shtresë të cilën tashmë e mbron Arbana Xharra, e ka tradhtuar dhe e ka shantazhuar deri këtu Kosovën. E kjo është arritur vetëm duke e mashtruar Amerikën, sepse gjendja në të cilën është Kosova, është produkt i kësaj të Majte Ideologjike, jo i popullit të Kosovës, as i deputetëve që kundërshtojnë demarkacionin me gabime të mëdha. Askush nuk ka të drejtë të fali territore dhe as të bëjë tradhti në emër të miqësisë me Amerikën. Por një gjë që duhet ta dimë se shantazhimi më i madh që iu ka bërë dhe po i bëhet Amerikës në Kosovë, është mbështetja, përkrahja dhe bashkëpunimi me të Majtën Ideologjike, të cilën tashmë publikisht po e mbështet edhe Arbana Xharra, madje me një akuzë të shpifur nga kuzhinat serbo-ruse: “Nëse i thoni JO Amerikës ju po çoni ujë në mullirin e Rusisë”?!

Ne jemi dëshmitarë se personalitete të shquara botërore kanë refuzuar çmime edhe më të larta për arsye etike dhe strategjike, sepse ato çmime e tituj, iu kanë ndarë nga personalitete a komitete të dyshimta. Madje, disa herë edhe refuzimin e çmimit prestigjioz Nobel, vetëm pse më parë çmimet e kësaj natyre iu paska ndarë edhe ndonjë personaliteti, karriera e të cilëve është e mbuluar me gjëra misterioze, ashtu siç shkruhet dhe thuhet për karrierën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të Isa Mustafës, prandaj refuzimi i kësaj mirënjohje, nga Senatori Amerikan, sidomos në këto rrethana, do të ishte gjëja ma e shenjtë që i bëhej Kosovës, dhe proceseve për të cilat ka investuar ma së shumti Amerika.

Gjithsesi ardhja në Kosovë e senatorit amerikan John McCain, është mbështetja më e fuqishme strategjike që i bëhet Kosovës në këto rrethana, por nuk do të ishte bërë nami sikur takimet të mbaheshin me dyer të mbyllura, dhe të mos bëhej asnjë deklaratë për marketing të brendshëm politik, vetëm sa për ta sforcuar të Majtën Ideologjike në pushtet.

Në vend se Arbana Xharra, të shkonte dhe ta takonte senatorin amerikan, ose të shkonte në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, dhe t’ua bënte të qartë diplomatëve amerikanë, se shërbimi i tyre i inteligjencës ka rrezik se është i stërmbushur me dosje të falsifikuara kundër intelektualëve të Kosovës, dhe kjo ka ngjarë të bëhet, pikërisht nga strukturat e shërbimit serbo-rus në Kosovë, të cilët kanë punuar për ta dobësuar Elitën Intelektuale dhe për të krijuar dosje të dyshimta kundër tyre, të cilët do t’i kishin ndihmuar shumë Amerikës edhe në këto rrethana, kjo gazetare bën të kundërtën, duke akuzuar Kosovën se “Ju që i thoni Jo Amerikës, po çoni ujë në mulli të Rusisë?!”, dhe harron se kështu po i bënë një shërbim shumë të keq Amerikës.

Prandaj, në këto momente tejet delikate për Kosovën, në këtë kohë kur Kosova është zhytur në kriza të mëdha, e ftoj elitën intelektuale, shoqëritë civile, organizatat joqeveritare, të cilat nuk janë të implikuara në shërbimin Serbo-Ruse, dhe nuk përkrahin as të Majtën Ideologjike në Kosovë, që të aktivizohen dhe të bëjnë ma shumë trysni në diplomacinë amerikane dhe në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, për t’ia bërë me dije Amerikës, se bashkëpunimi i gjertanishëm me të Majtën Ideologjike i ka shantazhuar deri këtu proceset dhe e kanë tradhtuar Amerikën. E këtë e kanë bërë pikërisht qarqet anti-amerikane, që po shtiren si miq të Amerikës!

Dhe krejt në fund, nuk dua të besoj se deputetët e tradhtojnë Amerikën, nëse në mënyrë konsekuente e mbrojnë territorin e vendit, obligim ky i përcaktuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dokumenti ky më i lartë zyrtar, i cili para se të miratohej në Kuvendin e Kosovës, besoj dhe shpresojë se ka kaluar edhe nëpër filtrin profesional të ekspertëve Amerikanë!

Zvicër/ St. Gallen, 16 prill 2017
Shefqet Dibrani / shkrimtar dhe analist politik


Shkrimi i plotë i Arbana Xharrës: http://zeri.info/zerat/138939/ju-qe-i-thoni-jo-amerikes-po-coni-uje-ne-mulli-te-rusise/

Ju që i thoni Jo Amerikës, po çoni ujë në mulli të Rusisë

Zëri, 14 April 2017 • 12:26

Senatori John McCain erdhi në Kosovë, nuk është pak për ne që në këtë periudhë kur Rusia po e shtrinë ndikimin më të madh në rajon, te ne vjen ky zyrtar me ndikim global.

Rusia është duke e armatosë Serbinë, bëri përpjekje të shtrijë zinxhirin e saj përmes Malit te Zi. Puçi kundër Gjukanoviqit dyshohet të jetë planifikuar nga Moska.

Ndërkohë në Maqedoni është e qartë se ka shtrirë duar e këmbë Putini.
Ne jemi të rrethuar nga ndikimi rus, i cili me automatizëm e fuqizon Serbinë.

Vuçiq fitoi bindshëm, kjo tregon se shantazhi, që skena politike e Beogradit po i bën Perëndimit me Rusinë është duke prodhuar rezultat. Çfarë po kërkojmë ne?! Në momentin më kritik, kur sërish Amerika rikthen fokusin e saj duke rikonfirmuar aleancën me shqiptarët, ne për qëllime krejtësisht politike i themi – JO.

Jo vetëm opozita, por edhe partitë e koalicionit kanë deputetë që kalkulojnë në vota, ata me prejardhje nga Dukagjini, që kanë dalë kundër Demarkacionit.

Nuk është vetëm liberalizimi i vizave, është më shumë se kaq.
Ju s’e keni dert izolimin tonë, gjë e cila u dëshmua sa prej jush keni pasaporta të Shqipërisë e pa harruar faktin se secili prej jush, pozitë e opozitë, udhëtoni me para të shtetit poshtë e përpjetë.

Pasojat e këtij ngërçi që e keni krijuar do të na kushtojnë.
Nëse i thoni JO Amerikës ju po çoni ujë në mullirin e Rusisë!
Prandaj, koha e fundit për t’u pozicionu qartë. Nuk ka më pozicion win-win!

1 KOMENT

  1. E lexova edhe nje broçkull te juaj, i nderuari Zvicerian. Ja pse:
    Arbana Xharra ka shkruar per rastin specifik DEMARKACIONI. Pra nuk e ka lavduar asnjerin prej tre politikaneve qe jane kritikuar per çeshtje tjera.

    STATE DEPARTMENT-in nuk mundet me e mashtrue asnje hashim, kadri apo isa.
    O papak-analfabet STATE DEPARTMENT e ka bombardue Serbine dhe Malin e Zi me 1999 ne baze te hartave ekzistuese.
    Ti po e ditke se ne Kosove paska ELITE INTELEKTUALE… a ka mundesi te i emnosh se paku 10 veta, qe sipas teje qe jane Elite Intelektuale?

    Sa i perket tradhetise per territor, mund te te informoj se me ligjet ne fuqi, 120 Delegate jane te njejte ne aspektin patriotik dhe ligjor, sepse i kane fituar votat sipas ligjit. Prej 120 delegateve mua personalisht asnjeri nuk me pelqen, bile i konsideroj shumë te paafte. Por ata kane konkuruar dhe kane fituar, ndersa ti Shefqet Al Dibrani edhe un Dardani nuk kemi konkuruar fare. Por nese 78 delegate kane mendimin pozitiv per demarkacionin, ndersa 43 jane kunder …ata nuk jane tradhetar asnjeri prej tyre, sepse e kane te drejten legjitime me vendosë per demarkacion me cilindo shtet.

    Ndersa sa te perket ty si individ Shefqet Al Dibrani …unë mund te e konfirmoj se secili Delegat edhe secili Kosovar, qe jeton ne KOSOVE, eshte 1 Milion here me patriot se ti, qe jeton jashtë Kosoves per qefi e jo prej zori apo prej veshtiresie. Ti je xerrroooo. Ti je xheloz qe Kosova eshte e lire… ti e urren LIRINE… sepse ne ty ka ndikuar okupimi 600 vjeçar… edhe je i programuar me urrejt LIRINE… ti e don veç dhunen shkavelloturke dhe Ruse…

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here