Ç’ka i ndan dhe ç’ka i bashkon subjektet politike kosovare?!

0
366

Shkruan: Florim Zeqa, 11.07.2017

Nga cilido aspekt të nisemi, i gjejmë ngjajshmëritë e shumta mes subjekteve politike. Për të ilustruar më së miri ato ngjajshmëri, po nisem nga dy intervista të ndara, në dy studio televizive të kundërta, gjegjësisht të Albin Kurtit në TV Klan Kosova tek Baton Haxhiu dhe të Vjosa Osmanit në TV Dukagjini tek “KOMITETI” i Berat Buzhalës. Vërtetë kjo paraqet pak më tepër se analogji!

Në pyetjen përafërsisht të njëjët nga të dy moderatorët drejtuar Kurtit në Klan Kosova dhe Vjosës në “Komitet”, rreth mundësisë së lidhjeve të koalicioneve paszgjedhore për formimin e Qeverisë, Kurti e Vjosa ua dhanë të njëjtën përgjigje moderatorëve, pothuajse identike sa u përket modaliteteve dhe mënyrës së lidhjes së koalicioneve mes subjekteve LVV-LDK!

Dallimi qendronte vetëm në atë, se Albini thirrej në qëndrimet e partisë së tij, ndërsa Vjosa sillej rreth liderit të partisë, duke i mbajtur “zhagun” dhe mbrojtur edhe kësaj radhe Isa Mustafën, duke mos e fshehur ambiciozitetin e saj të pakufishëm për të trashëguar vazhdimësinë politike të idhullit të saj-Isa Mustafa në LDK.

Si njëri (Albini) ashtu edhe tjetra (Vjosa) në intervistat e ndara i vërtetuan ambiciet e tyre personale për pushtet, edhe pse të kamufluara për “interesin” e qytetarëve të vendit.

Përderisa ambiciet e Albinit u zbuluan tek arsyeja e vënjës së kravatës, tek Vjosa ato u shfaqën në ngazëllimin e marrjes së votave (të kontrabanduara) dhe rehabilitimi i raporteve me liderin e partisë.

Për të mos e personalizuar çështjen, ngjajshmëritë mes subjekteve politike janë më të mëdha se sa dallimet, nisur nga financimet e tyre që kryesisht bazohen të mafio-oligarkët e bizneseve dhe bizneset e dyshimta deri tek mënyra se si veprojnë; njëjtë i gënjejnë dhe mashtrojnë qytetarët derisa t’ua marrin votën, njëjtë e keqpërdorin paranë publike, njëjtë vrapojnë pas tenderëve, njëjtë punësojnë të afërmit dhe militantët partiak, …njëjtë, njëjtë dhe çithçka njëjtë!

Aq shumë ka ngjashmëri mes subjekteve politike, saqë dallohen vetëm nga pozicioni që mbajnë, gjegjësisht pushteti qendror apo lokal.

Partive politike shqiptare, kur është në pyetje pushteti, asnjëherë nuk u bëhen pëngesë vijat programore, qofshin ato të kaltra, jeshile apo të kuqe. Pra kur është në pyetje pushteti s’ka “semafor” që i ndalë të bëhen bashk për të “mirën” e qytetarëve.
Pushteti i ëmbël i bënë të shkrihen aq shpejtë “bakllavat e ngrira”, i bënë të dashurohen aq shumë në njëri-tjetrin, saqë nuk pyesin për qërshitë e “lagura”, i harrojnë të gjitha “vijat e kuqe”, programet, konceptet ideologjike premtimet elektorale,…duke e harruar edhe elektoratin e përçarë paturpërisht gjatë fushatave zgjedhore.

Tani pas çertifikimit (të vonuar) zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, shkaku i rezultatit të ngusht mes tre blloqeve parazgjedhore, ka mbetur e hapur gara mes tre pretendetëve për kryeministër.
Ky fakt e bënë akoma më të vështirë mundësinë e lidhjes së koalicioneve paszgjedhore, por akoma më të lehtë e bënë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

E themë këtë nga përvoja e deritanishme e formimit të qeverive në Kosovë.
Pasi asnjëra nga qeveritë e pasluftës në Kosovë nuk janë formuar pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe votat e elektoratit.

Madje një gjë e tillë ju ka pamundësuar edhe liderit historik Ibrahim Rugova kur partia e tij ka dalë fituese absolute e zgjedhjeve, duke i imponuar koalicion të gjerë dhe dhënien e mandatit për kryeministër partive tjera, në një rast edhe një partie minore, duke i pamundësuar qeverisjen e vendit partisë fituese të zgjedhjeve (LDK), në kundërshtim me vullnetin plebishitar të qytetarëve të vendit”.

Bazuar në ambiciet e sëmura të shqiptarëve për pushtet dhe interesat e ndërkombëtarëve në Kosovë, kësaj radhe më shumë se prej subjekteve vendore, formimi i qeverisë varet prej interesave të ndërkombëtarëve.

Pa dashur të lëshohem më thellë, kësaj radhe pritet një prerje e re nga gërshërët e ndërkombëtarëve, e cila në një mënyrë do t’i kënaq të gjithë ngapak, ku asnjëri nuk do ta ndjen vetën fitues të zgjedhjeve siq e pretendojnë që janë.

Fakti, pse asnjëra nga blloqet parazgjedhore nuk e ka shumicën e nevojshme, jo vetëm se mund ta prolongoj formimin e Qeverisë, do ta rritë në maksimum pazarin politik për blerjën e deputetëve në kuvend, si dhe do ta bëjë akoma më të lehtë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në formimin e qeverisë, për të ruajtur kështu kontinuitetin e formimit të qeverive nën presionin ndërkombëtar, gjithnjë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve.

Bazuar në elementet e sipërpërmendura, mund të vijmë tek konkludimi se, subjektet politike kosovare, të gjitha pa dallim janë bërë të njëjta, ndërsa Kosova realisht ka rrëshqitur në duart e mafias dhe e tërë klasa politike është në shërbim të mafias, ndërkaq qytetaret e pakënaqur nga një situatë e tillë paradoksale, e kanë humbur besimin në klasën aktuale politike dhe shpëtimin e kërkojnë duke tentuar të ikin sa më larg Kosovës.

Kjo e vërteton më së miri degradimin e skenës politike, imoralitetin e politikanëve dhe përgjumosjen e qytetarëve të vendit.
Qytetarë të dëshpruar të Republikës së Kosovës, ikja nga vendi nuk është zgjidhja e duhur. Ikjes tuaj nga vendi i gëzohen vetëm politikanët e korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt. Vetëm ballafaqimi me ta dhe largimi i politikanëve të dështuar është shpëtim i vërtetë për vendin.

Në përballje me kusarët politikë, klasën e dështuar dhe shëmtuar politike do ta keni mbështetjen e fuqishme të vllëzërve tuaj në mërgatë. Vetëm të bashkuar, pa dallime partiake, ideologjike apo fetare mund ta lirojmë shpejt vendin nga bandat kriminale, shtetin nga uzurpatorët.

Të qëndrojmë të bashkuar me besa-besë për shtetin e Kosovës!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here