ÇFARË ËSHTË NJË KOMB (II)

0
441

(Shkëputur nga “PËRPJEKJA” Viti XI, nr.20 Tiranë, pranverë 2005)

Nga Ernest Renan

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Elementi i racës, dikur shumë i rëndësishëm, po e humbet me kalimin e kohës rëndësinë e tij.

II. Ajo që thamë për racën duhet thënë edhe për gjuhën. Gjuha ka nevojë për riunifikim, ajo nuk e arrin dot atë vetë. Shtetet e Bashkuara dhe Anglia, Amerika Latine dhe Spanja flasin të njëjtën gjë, por ato nuk përbëjnë kombe të njëjta. Nga ana tjetër, Zvicra, që u bashkua aq mirë në bazë të pëlqimit të krahinave të ndryshme të saj, përmbledh tre ose katër gjuhë. Brënda njeriut ka diçka që është më e lartë se gjuha, dhe ky është vullneti i tij. Vullneti i zviceranëve për të qëndruar bashkë, megjithë gjuhët e ndryshme që ata flasin, është një fakt shumë më i rëndësishëm sesa ngjashmëria gjuhësore, e cila nga ana e saj shpeshherë arrihet nëpërmjet persekutimit.

Një fakt me vlerë për Francën është se ajo nuk ka kërkuar asnjëherë të arrijë unitetin gjuhësor me anën e mjeteve shtrënguese. A nuk mund të kemi ne të njëjtat ndjenja, të njëjtat mendime dhe të duam të njëjtat gjëra të shprehura në gjuhë të ndryshme? Pak më lart folëm se cilat ishin dizavantazhet kur politika ndërkombëtare varet nga etnografia, por e njëjta gjë do të ishte edhe po të varej nga filologjia krahasuese.

Le t’ i lëmë këto studime interesante të vazhdojnë punën e tyre në liri të plotë dhe mos t’i ngatërrojmë me gjëra që mund t ua prishin gjykimin e ftohtë. Rëndësia politike që ne u japim gjuhëve vjen sepse i shohim ato si tregues të racës. Nuk ka ide më të gabuar se kjo. Në Prusi, ku flitet vetëm gjermanisht, disa shekuj më parë flitej sllavisht; Uellsi flet anglisht, galët dhe spanjollët flasin një idiomë të vjetër të Alba Longa; Egjipti flet arabisht dhe kështu me radhë mund të rendisim shembuj të panumërt. Por edhe në kohën e origjinës së lashtë, ngjashmëria gjuhësore nuk do të thoshte ngjashmëri racore.

Le të marrim për shembull fiset protoariane dhe protosemite; aty ku banonin ata kishte skllevër që flisnin të njëjtën gjuhë, ndërkohë që skllevërit shumë shpesh rridhnin nga raca të ndryshme nga ajo e zotërve të tyre. Po ta përsërisim do të
thoshim: grupet e gjuhëve indoeuropiane, semitike dhe të tjera, të cilat u krijuan në sajë të gjetjeve fantastike të filologjisë së krahasuar, në bazë të po këtyre gjetjeve mund të thuhet se nuk përkojnë me grupimet antropologjike. Gjuhët janë krijime historike që na tregojnë shumë pak përsa i përket gjakut të atyre që i flasin ato, dhe nuk munden në asnjë mënyrë që të cënojnë lirinë njerëzore, kur bëhet fjalë për të përcaktuar origjinën e dikujt.

Marrja në shqyrtim e gjuhës si një faktor i veçuar do të çonte po ashtu në gabime, njëlloj si me vëmendjen e tepruar ndaj racës.

Kur këto gjëra i çojmë në ekstreme, ne e mbyllim veten brenda një kulture të caktuar që mbahet si kulture kombëtare; ne i vëmë vetes caqe, dhe e ndajmë nga bota. Duke bërë kështu nuk mund të thithim dot ajrin e pastër të fushës së gjerë të njerëzimit, por vetëm mbyllemi në furriçkat e patriotizmit. S ka gjë më të keqe për mendjen dhe s ka gjë më të vajtueshme për njerëzimin.

III. Po ashtu edhe feja nuk është në gjendje të na ofrojë një bazë të mjaftueshme mbi bazën e së cilës të përcaktohet kombësia moderne. Në fillesat e saj feja doli nga ekzistenca e grupeve sociale. Grupi social ishte një zgjatim i familjes. Feja dhe ritet ishin ritet e familjes. Feja athinase ishte kulti për Athinën vetë, për themeluesit e saj mitikë, për ligjet dhe zakonet e saj.

Nuk ishte assesi një teologji dogmatike. Në kuptimine saj më të ngushtë, feja ka qënë fe e shtetit. Një njeri nuk bëhej athinas nëse refuzontë të praktikonte këtë fe. Në themel të saj qëndronte kulti i Akropolisit. Të betoheshe mbi altarin e Aglauros ishte njëlloj si të jepje fjalën e nderit se do të vdisje për vendin tënd.

Feja në atë kohë ishte siç është sot shërbimi ushtarak ose kulti i flamurit. Të refuzoje tëmerrje pjesë në nderimin e këtij kulti ishte njëlloj si të mos pranoje të shkoje ushtar. Ai do të merrte kuptimin e deklarimit se nuk ishe athinas. Nëse nga njëra anë është e qartë se ky kult nuk kishte asnjë kuptim për ata që nuk ishin nga Athina, nga ana tjetër nuk ushtrohej asnjë masë prozelitizmi për të detyruar me force të huajt ta pranonin atë. As skllevërit nuk merrnin pjesë në këtë kult. Po e njëjta gjë është vërejtur edhe në disa republika të vogla gjatë Mesjetës.

Nuk mund të ishe venedikas i mire nëse nuk kishe bërë betimin për Shën Mark; nuk mund të ishe amalfitan i mire nëse nuk vije Shën Andrean, të parin e gjithë shenjtorëve në parajsë. Në këto shoqëri të vogla, ajo që në ditët tona mund të merret si persekutim apo si tirani në ato kohë ishte diçka e ligjshme, dhe ishte po aq e zakonshme sa ç mund të jetë sot për ne t i urojmë babait ditën e emrit, ose t i dërgojmë atij urime me ratsin e Vitit të Ri. Ajo që ndodhte në Spartë dhe në Athinë nuk ishte e vërtetë në mbretëritë që u krijuan në territoret e pushtuara nga Aleksandri dhe veçanërisht në Perandorinë Romake.
Persekutimet e Antiok Epifanit për të futur në vendet e Orientit kultin olimpik të Jupiterit dhe ato të Perandorisë Romake për të ruajtur të ashtuquajturën fe shtetërore ishin gabime, krime dhe një absurditet i gjallë. Për këtë do të ishim të qartë sot.

Sot nuk ekziston një fe e vetme në mes të popullsisë. Çdokush beson dhe praktikon atë që i pëlqen, atë që mundet dhe atë që dëshiron. Nuk ka më fe shtetërore; dikush mund të jetë francez, anglez ose gjerman, ndërkohë që është katolik, protestant ose çifut, ose edhe nuk praktikon asnjë kult. Feja është bërë një problem vetjak, një çështje që i takon ndërgjegjes së gjithëkujt. Nuk ka më ndarje midis kombeve në bazë të të qenit katolik apo protestant.

Feja që ishte kaq e rëndësishme 52 vjet më parë (1831) në krijimin e Belgjikës, e ruan rëndësinë e saj brenda çdo njeriu; por ajo është bërë një element që nuk ka të bëjë me arsyet që shënojnë kufijtë mes popujve.

IV. Bashkësia e interesave është padyshim një lidhje e fuqishme midis njerëzve. Megjithatë, a janë këto interesa të mjaftueshme për të krijuar një komb? Unë nuk mendoj kështu. Bashkësia e interesave mund të realizojë traktate tregtare. Brenda kombësisë ka një aspekt që lidhet me ndjenjën, që është në të njëjtën kohë edhe trup edhe shpirt. Një Zollverein nuk mund të bëhet atdhe. V. Gjeografia, ato që quhen si kufijtë natyrorë, sigurisht që luan një rol të konsiderueshëm në ndarjen e kombeve.

Gjeografia është një nga faktorët e qenësishëm në histori.
Lumenjtë i kanë ndihmuar racat që të lëvizin, ndërkohë që malet kanë qenë pengesa. Të parët ndihmonin lëvizjet historike, ndërsa të dytët i kufizonin ato. A kemi të drejtë, siç besojnë disa, të themi se kufijtë e kombit janë skalitur në hartë, se ky komb ka të drejtë të marrë për vete atë që është e nevojshme për të vizatuar disa konture, për të arritur te aksh mal ose lumë, të cilëve ne u atribuojmë a priori disa cilësi përkufizuese? Nuk di të ketë doktrine më arbitrare dhe më fatale se kjo. Me anë të saj ne përligjim çdo lloj dhune. Dhe megjithatë, a janë malet apo lumenjtë që krijojnë këta të ashtuquajtur kufij natyrorë? Nuk ka asnjë dyshim se malet ndajnë, ndërsa lumenjtë në të kundërt bashkojnë. Por, ndërkohë jo të gjithë malet ndajnë shtete. Atëhere cilët janë ato male që ndajnë dhe cilët ato që nuk ndajnë? Nga Biarritzi në Tornea ka më shumë se një grykë lumi, që mund të shërbente fare mirë si një vijë kufizuese natyrore.

Nëse do të kishte dashur historia, Luara, Sena, Meuse, dhe Elba ose Oderi mund ta kishin statusin e kufirit natyror siç e ka Rhini, i cili ka cënuar aq shumë një të drejtë themelore të njeriut, siç është vullneti i njerëzve. Kjo ka të bëjë me arsye strategjike.

Asgjë nuk është absolute: është e qartë se nevojitet të bëhen koncesione. Por, nuk ka nevojë që koncesionet të shkojnë shumë larg. Përndryshe, e gjithë bota do të kërkonte ato që ka fituar nga fushatat ushtarake, gjë që do të thoshte luftra pafund. Jo, kombin nuk e bën dot as toka dhe as raca. Toka ofron substratumin, fushën edhe për konflikte edhe për punë; njeriu vë shpirtin e tij mbi të. Njeriu është gjithçka në formimin e asaj gjësë së shenjtë që e quajmë popull. Asgjë materiale nuk është e mjaftueshme. Një komb është një parim shpirtëror që rrjedh nga ndërthurje të thella historike, një familje shpirtërore dhe jo një grup i përcaktuar nga konfigurimi i tokës.

Deri këtu kemi parë se çfarë është e pamjaftueshme që të krijohet ky parim shpirtëror: raca, gjuha, interesat, përkatësia fetar, gjeografia dhe nevojat ushtarake. Atëhere çfarë tjetër duhet? Në vazhdim të atyre që sapo u thanë, nuk është nevoja të ndalemi gjatë. Një komb është një shpirt, është një parim shpirtëror. Dy gjëra, që janë si një e vetme, përbëjnë këtë shpirt, këtë parim shpirtëror. Njëra është e kaluara dhe tjetra e tashmja. Njëra është zotërimi i përbashkët i një trashëgimie të pasur kujtimesh, tjetra është të japësh sot pëlqimin, të kesh dëshirën për të jetuar sëbashku, vullnetin për të vazhduar të vlerësojmë trashëgiminë që na është lënë.

Njeriu nuk mund të improvizohet dot. Ashtu si njeriu, edhe kombi është rezultat i një të kaluare të mundimshme dhe të gjatë sakrificash dhe përkushtimi. Nga të gjitha kultet, ai për parardhësit është kulti më i legjitimuar, sepse parardhësit tanë na bënë këta që jemi. Një e kaluar heroike lavdie (këtu e kam fjalën për lavdi të njëmendtë) dhe burrash të mëdhenj: ky është kapitali social mbi të cilin është vendosur ideja kombëtare. Ajo që duhet është të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën dhe një vullnet të përbashkët në të tashmen, të kesh bërë punëra të mëdha bashkërisht dhe të kesh vullnetin që t i bësh ato përsëri sot:

këto janë kushtet thelbësore për të qënë një popull. Ne ushqejmë dashuri në përpjestim me sakrificat që kemi hequr dhe me të këqijat që kemi vuajtur. Ne e duam shtëpinë ku jetojmë dhe duam ta lëmë atë si trashëgim. Kënga spartane ne jemi ata që ju ishit, dhe do të jemi ata që ju jeni , në thjeshtësinë e saj është shembëlltyra e një himni për çdo atdhe.

Trashëgimia e lavdisë dhe e vuajtjeve është ajo që ne kemi të përbashkët nga e kaluara, ndërsa për të ardhmen kemi vetëm një program për të përmbushur. Vuajtjet, gëzimet dhe shpresat e përjetuara së bashku janë shumë më të vlefshme se disa marrëveshje tregtare dhe kufij që u vijnë për mbarë ideve strategjike, dhe këtë ne e kuptojmë pavarësisht nga diversiteti racor apo gjuhësor. Pak më lart thashë të kemi vuajtur së bashku: dhe me të vërtetë, përjetimi i vuajtjes së bashku përbashkon më tepër sesa gëzimi. Në çështjet që lidhen me kujtesën kombëtare përjetimi i zisë është më i vlefshëm sesa ngadhënjimet, përderisa ai parashtron disa detyra që kërkojnë një përpjekje të përbashkët.

Një komb pra, është shprehja e një ndjenje solidariteti të madh, që mbështetet te ndjenjat për sakrificat e përbashkëta që janë kryer dhe që është i përgatitur t i kryejë sërish në të ardhmen. Kombi parakupton një të kaluar, megjithatë në kohën e tashme ai na vjen permes shëmbëlltyrës së një fakti të prekshëm: dhënia e pëlqimit, një dëshire shprehur qartë për të vazhduar jetën së bashku. Ekzistenca e një kombi është, dhe më falni për metaforën, një plebishit i përditshëm, njëlloj si ekzistenca e çdo individi është një afirmimin i vazhdueshëm i jetës.

Oh, e di që kjo nuk është aq metafizike sesa e drejta hyjnore, aq brutale sa e ashtuquajtura e drejtë historike. Nga mënyra sesi i kam paraqitur gjërat del se një komb nuk ka më shumë të drejtë sesa një mbret, i cili i drejtohej provincës me fjalët: ti më përket mua, prandaj unë po të marr . Province për ne do të thotë banorët e saj, dhe nëse dikush duhet të konsultohet në lidhje me këtë çështje, të parët duhet të jenë banorët e saj. Nuk mund të jetë kurrë në interesat e vërteta të një kombi aneksimi ose marrja e një vendi në kundërshtim me vullnetin e këtij të fundit.

Në fund të fundit, i vetmi kriter i ligjshëm është dëshira e kombit, dhe atij duhet t i referohemi të gjithë. Në këtë parashtresë i kemi lënë jashtë politikës abstragimet metafizike dhe teologjike. Po çfarë mbetet pas kësaj? Ajo që mbetet është njeriu, dëshirat, nevojat e tij. Ju do të thoni se secesioni dhe ndarja e kombeve janë rrjedhimet e një sistemi që i lënë këto organizma të vjetra shpesh në mëshirën e vullneteve jo të përcaktuara qartë, Eshtë e qartë se në çështje të tilla asnjë parim nuk duhet të mbizotërojë me tepri në dëm të të tjerëve. Të vërtetat e kësaj kategorie mund të zbatohen vetëm si një e tërë dhe në një mënyrë shumë të përgjithshme. Vullnetet njerëzore ndryshojnë, por çfarë mbetet e pandryshueshme në këtë botë?

Kombet nuk janë diçka e përjetshme. Ato lindën në një kohë dhe do të shkojnë drejt zhdukjes. Ndoshta një konfederate europiane do t’i zëvëndësojë ata. Megjithatë, ky nuk është ligji i shekullit tonë. Në kohën tonë ekzistenca e kombeve është një gjë e mirë, madje edhe e nevojshme. Ekzistenca e tyre është një garanci për liri, e cila do të humbiste nëse do të kishim një ligj dhe një zot.

Nëpërmjet cilësive të ndryshme dhe shpesh here konfliktuale kombet japin ndihmesën e tyre në punën e përbashkët të qytetërimit; secili prej tyre sjell një notë në koncertin e madh të njerëzimit, i cili, me pak fjalë, është edhe realiteti ideal më i lartë që mund të arrijmë. Nëse do të rrinë të veçuar, atyre do t u duken pikat e dobëta. Të dashur zotërinj, le t i përmbledhim ato që thamë. Njeriu nuk është skllav i racës, gjuhës, apo i fesë së tij; dhe aq më pak i lumenjve dhe vargmaleve. Një bashkim i fortë njerëzish, me shpirt të shëndoshë dhe zemër të ngrohtë, krijon një ndërgjegje morale që quhet komb.

Derisa kjo ndërgjegje morale e tregon fuqinë e vet nëpërmjet sakrificash që kryhen me heqjen dorë nga interesat individuale për të mirën e komunitetit, atëhere ajo është e ligjshme dhe gëzon të drejtën të jetojë. Nëse ngrihen dyshime në lidhje me kufijtë e tij, atëhere duhet të merret mendimi i popullsisë në fjalë. Sigurisht që ata kanë të drejtën e dhëniessë opinionit për këtë çështje. Kjo mund t i bëjë politikanët profesionistë të qeshin nën buzë, këta burra të pagabueshëm që kaluan jetën e tyre duke u vetgënjyer dhe që tani mund të na mëshirojnë për pikëpamjet tona nga lartësia e parimeve të tyre të mëdha.

Të marrim mendimin e popullit, me tërë mend e keni! Çfarë naiviteti! Këto janë ato ide të dobëta franceze që kërkojnë të zëvëndësojnë diplomacinë dhe luftën me një thjeshtësi foshnjarake. Pa le të marrim frymë për një çast; ta lemë mbretërimin e politikanëve profesionistë të fanitet dhe të mësojmë se si t i qëndrojmë përçmimit të më të fortit.

Ndoshta pas shumë eksperimentesh të dështuara, ata do të vijnë te zgjidhjet tona të thjeshta empirike. Ndonjëherë, të dish sesi të ecësh me kohën të ndihmon të jesh sa më i drejtë në të ardhmen.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here