ÇAMËRIA: Sundimtarët shqiptarë në Epir dhe despoti serb i Janinës (II)

3
622

Dita, Prof. Pëllumb Xhufi, 7 korrik 2016

(Vijon nga numri i kaluar)

Mesjeta: nga thema e Nikopojës në despotatin e Artës

Përhapja e besimit të krishterë ishte, edhe në Epir, treguesi më domethënës i kalimit në një periudhë të re historike, në atë të Mesjetës. Zbulimet arkeologjike në Nikopolis, Euroia, Anchesmos, Butrint, që kanë nxjerrë në dritë rrënoja të kishave paleokristiane, baptisterë, afreske e mozaike me motive kristiane, janë dëshmi e prekshme e përhapjes së hershme të krishterimit në viset e Thesprotisë. Duke ndjekur shembullin e provincave të tjera të Perandorisë Romake, edhe në Epir qendra politike e administrative e tij, Nikopolis, u kthye njëherësh edhe në vatrën kryesore nga ku krishterimi u përhap në të gjitha ato treva. Burimet e shkruara provojnë, gjithashtu, ekzistencën e një organizimi të qëndrueshëm të administratës kishtare qysh në shekujt e parë të erës vulgare. Kështu, sipas Eusebios të Kaisareia-s, në Koncilin e parë ekumenik të Nikaia-s, më 325, morën pjesë edhe drejtuesit e kishës epirote. Prania e tyre dëshmohet edhe në koncilet pasuese.

Në sinodin e Efesit të vitit 449, metropoliti i Nikopolit u shoqërua edhe nga peshkopët e Euroias (Glyki), të Anchiasmos (Saranda) e të Adrianopolit (Gjirokastra). Në fund të shek. IV shënohet veprimtaria e peshkopit të Euroias, Donatit, i cili më vonë u shpall shënjtor. Prej tij, në kohën bizantine selia peshkopale e Photike-s, Paramithia e sotme, mori emrin Ajdonat (Shën Donat). Mitropoliti i Nikopolit, së bashku me peshkopët epirotë, sufraganë të tij, vareshin nga Vikari i Selanikut. Ky, zyrtarisht ishte nën juridiksionin e Papës së Romës. Por, në kushtet e rivalitetit të vazhdueshëm midis Romës e Konstantinopojës, ky shpesh herë qëllonte të bëhej vegël e Patrikut dhe e Perandorit të Lindjes.

Nga ana e tyre, peshkopët e Epirit ishin vazhdimisht në konflikt me Vikarin e Selanikut, deri sa më 516, ata shpallën shkëputjen nga Selaniku dhe vendosjen e lidhjeve direkte me Papën. Tashmë, metropoliti i Nikopolit shugurohej drejpërdrejtë nga papa i Romës. Shembulli i klerit të Epirit u ndoq edhe nga peshkopë të tjerë të trevave ilire, si p.sh. nga peshkopët e Dardanisë. Vetëm në vitin 731, në kohën e “luftërave ikonoklaste”, Perandori Bizantin, Leoni III, i shkëputi nga Roma dhe i vuri nën varësi të Patrikut të Konstantinopojës të gjitha selitë peshkopale të Ilirikut, mes të cilave edhe ato të Epirit. Në atë kohë, në provincën e Epirit të Vjetër numëroheshin këto peshkopata: Nikopolis (metropoli), Adrianopolis, Euroia, Anchiasmos, Butrinti, Dodona.

Reforma administrative e perandorit romak Dioklecian (284-305) solli mes të tjerash krijimin e dy provincave, Epiri i Vjetër, me qendër në Nikopolis, dhe Epiri i Ri me qendër në Durrës. Kjo tregon se edhe në atë kohë, trevat e Epirit klasik, që shtriheshin nga Malet e Vetëtimës (Akrokeraune) deri në Gjirin e Ambrakisë, bashkë me viset në veri të tyre, ishin pjesë e së njëjtës plazmë etno-kulturore. Sipas Hierokles, në fund të shek. V, Epiri i Vjetër, me kryeqendër Nikopolis, kishte 11 qytete: Dodona, Euroia, Adrianopolis, Appon, Phoinike, Anchiasmos, Buthrotos, Photike, Kerkyra e Itaka. Prej këtyre, Dodona, Euroia, Photike (=Ajdonati=Paramithia) dhe vetë Nikopolis ndodheshin në territorin e Thesprotisë. Në këtë kohë edhe viset e Epirit të Vjetër u prekën nga sulmet barbare. Nga 395 deri në 397 aty u dukën Visigotët. Në 467 në brigjet e Epirit kryen inkursione të shpejta shkatërrimtare Vandalët e ardhur nga brigjet e Afrikës veriore. Këta u rishfaqën edhe në 474, kur pushtuan e plaçkitën përkohësisht vetë Nikopolin. Më 517 një hordhi kalorësish Getë (Getae equites) përshkoi Maqedoninë e Thessalinë e u shty deri në Epirin e Vjetër, i cili u plaçkit prej tyre. Më 551, një masë e madhe Ostrogotësh të ardhur me flotë nga Italia shkretoi edhe një herë brigjet e Epirit midis Anchiasmos (Sarandës) dhe Nikopolit (Prevezës).

Në vitin 548 shënohet inkursioni i parë i Sllavëve në Epirin e Ri. Por njoftimi i parë për një zbritje të Sllavëve në Epirin e Vjetër vjen nga Kronika e Monemvasisë, dhe i përket vitit 587. Sipas saj, turma të mëdha Avarësh të përzier me Sllavë e përshkruan Epirin e Vjetër dhe viset më në jug të tij. Nga letrat e Papës Gregori i Madh, të vitit 603 e 604, mësohet se ndonjë vit më parë peshkopi, kleri dhe banorë të qytetit Euroia u shpërngulën në qytetin Kassiopea, në veri të Korfuzit, duke sjellë aty edhe reliket e Shën Donatit, patronit të Euroias. Rreth vitit 615 njeri ndër grupimet më të mëdha sllave, ai i Vaiunitëve, u shpërngul nga rrethinat e Selanikut dhe u vendos në Epirin e Vjetër. Sipas ndonjë studiuesi, emri mesjetar i Thesprotisë antike (Çamërisë moderne), Vagenetia, vjen pikërisht nga emri i sllavëve Vajonitë. Megjithatë, është konstatuar gjithashtu, se toponimet sllave në këtë pjesë të Epirit të Vjetër janë të përqendruara kryesisht në malësitë lindore, ndërsa fasha bregdetare, që përkonte me territoret e Vagenetisë, paraqet një numër të vogël sosh.

Periudha e dyndjeve barbare la gjurmë edhe në territoret e Epirit të Vjetër. Qytete e seli peshkopale, si Anchesmos, Phoinike (Finiq), Photike u rrënuan përfundimisht. Megjithatë, struktura demografike e urbane u ruajt në një masë të madhe edhe në këto treva. Këtë e provon edhe fakti, që peshkopët epirotë i gjejmë të marrin pjesë në koncilet ekumenike të viteve 680, 692, 787 e 869. Në koncilin e vitit 879, përmendet për herë të parë si pjesëmarrës peshkopi i Vagenetisë. Ky fakt le të dyshosh se përveç krahinës, emrin Vagenetia e mbante atë kohë edhe një qytet, ku duhet ta kishte selinë peshkopi në fjalë.

Aty nga mesi i shek. IX, autoriteti i Perandorisë Bizantine ishte rivendosur në viset e Epirit të Vjetër, të cilat u përfshinë në një njësi të re administrative, thema Nikopolis. Ky fakt, si dhe fakti tjetër që në koncilet e viteve 869 e 879 mori pjesë edhe peshkopi i Vagenetisë, provon se atë kohë në këtë krahinë vazhdonte të ushtrohej pushteti bizantin. Gjatë shek. IX-X perandorët bizantinë u munduan ta mbrojnë këtë provincë nga sulmet e arabëve të Sicilisë e më vonë edhe nga ato të mbretërisë bullgare. Megjithatë, në kohën e car Samuelit (987-1014), bullgarët arritën të përfshijnë në mbretërinë e tyre edhe territoret e themës Nikopolis, deri në Gjirin e Ambrakisë. Më 1014, pas disfatës vendimtare që car Samueli pësoi nga perandori bizantin, Bazilios II Bulgaroktonos, mbi këto territore u rivendos autoriteti bizantin. Por, tashmë, qendra politike dhe ajo kishtare e themës u shpërngul më në jug, në kështjellën Naupaktos (Lepanto), buzë Gjirit të Korintit.

Xhufi2Në vitet 1081-1085, krahina e Vagenetisë ashtu si mbarë territoret e themave Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, u bë teatër i betejave midis ushtrive bizantine të Perandorit Aleks I Komnen, dhe ushtrive të mbretit norman Robert Guiskard, që synonte të shembte Perandorinë Bizantine e të ndërtonte një perandori të re universale, nën shembullin e Perandorisë Romake. Normanët arritën të pushtojnë në këtë krah ishullin e Korfuzit, portin e Vonicës, Butrintin, Artën dhe gjithë krahinën e Vagenetisë, nga ku iu drejtuan Janinës. Por vdekja e Robert Guiskardit më 1085, dhe intensifikimi i operacioneve luftarake bizantine, në tokë e në det, ku një rol të madh filloi të luajë flota e Venedikut, aleate e Bizantit, bënë që normanët të humbin terren e të tërhiqen nga bregdeti adriatiko-jonian. Më 1107 nën Boemundin, dhe më 1147 nën mbretin Roger II, normanët e Italisë së Jugut tentuan përsëri të hidhen në bregdetin bizantin e të pushtojnë kështjellat e atyshme, për të vazhduar më tej marshimin drejt zemrës së Perandorisë Bizantine, Konstantinopojës. Një invazion të fundit norman e tentoi në 1185 edhe mbreti Guljelmi II i Sicilisë.

Kësaj radhe, fushatën e normanëve e nxiti një kryengritje fshatare që kishte shpërthyer në Vageneti. Sipas Eustathit të Selanikut, kryengritjen e drejtonte një fshatar nga ajo krahinë, i cili, nisur nga ngjashmëria fizike, pretendonte se ishte perandori i shfronësuar Aleksi II Komnen. I mbështetur nga një murg i ardhur nga Italia, pretendenti i fronit bizantin ngriti në këmbë popullsinë e provincës vagenete dhe kërkoi ndihmën e mbretit norman, Guljelm II i Sicilisë. Ky organizoi më 1185 një tjetër fushatë, që ishte e fundit e mbretërve normanë të Sicilisë. Rezultati përfundimtar i saj ishte pushtimi i ishujve të Korfuzit (që shumë shpejt kaloi përsëri në duart e bizantinëve), Qefalonisë, Zaçintit e Itakës si dhe i disa kështjellave në bregdetin epirot. Drejtimin e këtyre zotërimeve në ishujt e në bregdetin Jon, Guljelmi II ia besoi admiralit Margaritone, i cili u vetëquajt “mbret i Epirotëve” (rex Epirotarum).

Fushata e Mbretit Guljelm II në bregun lindor të Adriatikut ishte prelud i kolapsit të Perandorisë Bizantine, që erdhi me organizimin e Kryqëzatës IV (1204). Pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqtarët perëndimorë, territoret e Perandorisë u ndanë mes fitimtarëve, të cilët krijuan aty një mori principatash latine. Në të kundërtën, në trevat e Epirit vendosi sundimin një pinjoll i familjes bizantine të Ëngjëllorëve, Mihali I (1204-1215). Ëngjëllorët kishin trashëguar prona të mëdha sidomos në provincën e Vagenetisë. Brenda një kohe të shkurtër, Mihal Ëngjëlli i shtriu zotërimet e tij nga Naupakti (Lepanto), në jug, deri në afërsi të Durrësit, në veri. Këtu u krijua i ashtuquajturi “Despotat i Artës”, i vetmi formacion bizantin mes principatave latine që lindën në Ballkan pas pushtimit të Konstantinopojës nga kryqtarët.

Brenda vitit 1215, despoti Mihal I Ëngjëlli pushtoi edhe qytetin e Durrësit dhe, përkohësisht edhe atë të Shkodrës, duke hyrë në konflikt njëherësh me Venedikun, me Principatën e Arbërit dhe me Mbretërinë e Serbisë. Mbështetja kryesore e Mihalit I Ëngjëllit u bënë feudalët, kleri dhe krerët lokalë. Metropoliti i Naupaktit, Joan Apokaukos, ishte ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Në letrat e një prelati tjetër të lartë, Georg Bardhanes, metropoliti cilësohet si “burrë ilir”. Pas Mihalit I Ëngjëlli, Despotati i Artës arriti kulmin e fuqisë me Teodorin I (1215-1230). Por shkëlqimi i Despotatit nuk zgjati shumë. Rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine, fuqizimi i mbretërive bullgare e serbe dhe pushtimi i bregdetit lindor të Adriatikut nga Mbretëria e Sicilisë (1258), bënë që Despotati i Artës të kthehej në një faktor të dobët lokal. Për gati një shekull, despotët e Artës u luhatën mes aleancave dhe vasalitetit herë me Mbretërinë e Sicilisë dhe herë me Perandorinë Bizantine, deri sa më 1348 edhe Epiri ra nën sundimin e carit serb Stefan Dushani.

Sundimtarë shqiptarë në Epir

Pas vdekjes së Dushanit, më 1355, froni i Despotit të Artës u bë objekt konfliktesh midis pasardhësve të carit serb, trashëgimtarëve të Ëngjëllorëve bizantinë dhe feudalëve shqiptarë. Roli i këtyre të fundit në jetën politike të Despotatit të Artës ishte rritur qysh në vitet 1330, kur vetë Perandori bizantin, Joan Kantakuzeni, erdhi me ushtri në Epir për t’i shtruar ata. Tashmë, krerët shqiptarë nga familjet Shpata, Zenebishi, Losha, Klada, Mazaraku e Malakasi ishin kthyer në një faktor kryesor politik e ushtarak. Në vitin 1358 këta shpartalluan ushtrinë e pretendentit të fundit bizantin, Niqiforit II, në afërsi të Akelout (Artës). Niqifori, që me këtë rast kishte thirrur për ndihmë edhe turqit, mbeti i vrarë në betejë. Paskëtaj, Gjin Bua Shpata u bë zot i viseve të Etolo-Akarnanisë, me qendër Angelokastrën, kurse Pjetër Losha zuri territoret e Epirit të Vjetër, me qendër Artën. Pas vdekjes së Pjetër Loshës, në Artë u vendos Gjin Bua Shpata (1374).

Tashmë pushteti i tij shtrihej nga Naupakti, në jug, e deri në rrjedhën e lumit Akeront, në veri. Dokumentet bizantine dhe ato latine i atribuojnë atij titullin “Despot” (Despotou tou Spata, dispota di Arta). Ndërkohë, zotërimet e tij quhen “Despotati i Shqiptarëve” (lu despotatu de li Albanesi). Nga ana tjetër, zotërimet e Shpatajve të Etolo-Akarnanisë me qendër në Angelokstër, iu lanë në qeverisje vëllait të Gjinit, Sguro Buas, të cilin një dokument i vitit 1382 e quan “zot të Angelokastrës e të Shqipërisë” (Sguros Buda Spada dominus Angelicastro et Albanie). Sguro Bua kontrollonte të gjithë territorin deri në Naupakt, ku kishte lënë dhëndrin e tij, spanjollin Marquesan de Flor. Një tjetër dhëndër i tij, veneciani Francesco Foscari mori si pajë kështjellën tjetër të Dragamestit (1386).

Në verën e vitit 1378, Mjeshtri i Madh i Urdhërit të Hospitalierëve të Rodit, Huan Fernandez de Heredia zbarkoi me ushtri në Vonicë, në bregun jugor të Gjirit të Artës dhe prej andej iu drejtua kështjellës strategjike të Naupaktit. Heredia ishte dërguar nga Papa Grigori XI dhe Mbretëresha Xhiovana e Napolit, të cilët tentuan atë kohë, të fuqizonin pozitat e Anzhuinëve të Napolit dhe të kishës katolike në Ballkanin perëndimor. Pasi mori Naupaktin, Heredia marshoi drejt Artës, kryeqendrës së despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës. Sipas “Kronikës së Janinës”, në betejën e zhvilluar nën muret e Artës, shqiptarët shpartalluan ushtrinë e Joanitëve.

Vetë komandanti zulmëmadh, Heredia u zu rob nga sundimtari shqiptar, i cili ua shiti atë Turqve kundrejt një shpërblimi të majmë. Fitorja mbi Heredinë e lançonte Gjin Bua Shpatën në politikën e madhe evropiane. Paskëtaj, Republika e Venedikut, Komuna e Firences dhe vetë Perandoria Bizantine do tregojnë interes e do lidhin marrëdhënie me prijsin shqiptar. Ndërkohë, Gjin Bua Shpata guxoi të sulmojë zotërimet e afërta nën sovranitetin e Mbretërisë së Napolit, qytetin e Vodicës dhe ishujt e afërt të Qefalonisë, Zakynthit, Itakës e Leukadës, që qeveriseshin nga familja italiane Tocco. Vite më vonë, konflikti i Shpatajve me Tocco-t e Qefalonisë për zotërimin e Epirit e të Etolo-Akarnanisë u bë pjesë kryesore e historisë së këtyre trevave.

Sipas Kronikës së Janinës (shek. XV), në betejën e Artës morën pjesë edhe krerë të tjerë shqiptarë. Edhe pse këta nuk përmenden me emër, mes tyre duhet llogaritur edhe sebastokratori Gjon Zenebishi, që ishte edhe dhëndër i Gjin Bua Shpatës. Atë kohë Zenebishi e kishte shtrirë sundimin e tij nga Gjirokastra në drejtim të Vagenetisë. Familja Zenebishi, ashtu si familja Shpata, shfaqet për herë të parë në një dokument anzhuin të vitit 1304, bashkë me disa familje të tjera fisnike shqiptare, aleate të Anzhuinëve të Napolit. Gjon Zenebishi kishte krijuar lidhje të ngushta me faktorët kryesorë që vepronin në këtë areal.

Ai vetë ishte martuar me të bijën e Gjin Bua Shpatës, kurse një vajzë e tij, Maria, ishte martuar me fisnikun e njohur nga Korfuzi, Peroto de Altavilla, pinjoll i dinastisë së vjetër normane Altavilla nga Italia e Jugut. Pikërisht në Pargë, në 13 shkurt 1418, autoritetet veneciane të Korfuzit, emëruan si kështjellar të atij vendi Rikardo d’Altavillan, djalë i Maria Zenebishit dhe i Peroto d’Altavilla-s. Deri në Pargë e kishte shtrirë pushtetin e tij, qysh në vitin 1394, Sebastokratori Gjon Zenebishi, që ishte gjyshi nga e ëma i kështjellarit të Pargës, Rikardo d’Altavilla.

Ndërkohë, sundimi i Stefan Dushanit kishte lënë një gjurmë të fundit në Janinë, ku vazhdonte të sundonte despoti serb, Thoma Preljuboviç. Herë të bashkuar e herë veç e veç, krerët shqiptarë, Gjin Bua Shpata, Gjon Zenebishi, Pjetër Losha, Gjin Frati tentuan të marrin Janinën me luftë. Një përpjekje e tillë u krye më 1377, por në atë rast sulmuesit, që ishin nga fisi i malakasëve, u thyen dhe kreu i tyre, Gjin Frati u zu rob. Malakasasit e sulmuan me forca më të mëdha kështjellën në shkurt të vitit 1379. Kësaj radhe, sulmuesit ishin kordinuar mirë edhe me banorë të Janinës, mes të cilëve shumë shqiptarë, të cilët ngritën krye kundër despotit serb dhe arritën të pushtojnë pjesën e sipërme të kështjellës.

Por, edhe kjo përpjekje dështoi dhe Thoma Preljubiviçi u hakmorr në mënyrë mizore mbi kundërshtarin. Kronika e Janinës thotë, se për shkak të mizorive të kryera mbi shqiptarët, despotit serb të Janinës iu vu nga bashkëkohasit nofka “Thoma shqiptarovrasësi” (albanitoktonos). Në muajin maj të atij viti ishte radha e Gjin Bua Shpatës për të sulmuar Janinën, por edhe ky nuk mundi veç të shkatërrojë arat dhe vreshtat jashtë mureve të qytetit. Edhe kësaj here Thoma Preljuboviçi e shprazi zemërimin e tij mbi banorët shqiptarë të Janinës. Pasi urdhëroi që një numuri të madh të tyre t’u priteshin gjymtyrët e t’u nxirreshin sytë, Thomai i nisi ata si një dhuratë e kobshme në kampin e Gjin Bua Shpatës, i cili u detyrua të hiqte rrethimin. Nga ai moment, kundër shqiptarëve despoti serb kërkoi mbështetjen e turqve osmanë.

Në vitin 1380 këta u shfaqën në për herë të parë në Epir dhe u ndeshën me forcat e Zenebishit e të Mazarakëve në Poliçan të Pogonit. Ndërsa shqiptarët luftonin me turqit, Thoma Preljuboviçi përfitoi të zgjerojë zotërimet e tij tej mureve të Janinës. Nën sundimin e tij kaluan kështjellat e Vursinës, Velçishtës, Arahovicës dhe vetë qyteti i Paramithisë (Ajdonati). Dy vjet më vonë, më 1382, turqit erdhën përsëri dhe u shtynë thellë në zotërimet e Gjon Zenebishit, ku pushtuan kështjellën e Zhulatit. Nuk ishin ditë të mira për krerët shqiptarë, dhe me ndërmjetësinë e një prej dhëndurrve të tij, Markezanit, Gjin Bua Shpata lidhi paqe me Thoma Preljuboviçin. Paqja u vulos me martesën e Gjin Bua Shpatës me motrën e despotit serb. Thomai premtoi si pajë të motrës Helenë vendet e Velas, Dropullit, Vagenetinë (Çamërinë) dhe vendet e Malakasëve.

Por më 1383 shpërthyen përsëri armiqësitë mes Preljuboviçit dhe Shpatës, i cili pretendonte t’i jepeshin vendet e mësipërme, që Thomai refuzonte t’ia dorëzonte. Më 1385, komandanti turk, Timurtashi, sulmoi Gjin Bua Shpatën në kryeqendrën e tij, në Artë. Sulmuesit nuk mundën ta pushtojnë qytetin, por shkatërruan gjithë territorin rreth tij dhe gjatë tërheqjes morën shumë robër. Kësaj radhe, prijsi shqiptar u përpoq ta tërheqë despotin Thoma në një aleancë kundër turqve, gjë që ky e refuzoi. Por, natën e 23 dhjetorit 1385 tirani serb ra viktimë e një komploti pallati, ku ishin përfshirë rojet e tij personale. Tani u duk se qyteti do të binte shpejt në duart e Gjin Bua Shpatës, por e veja e Thomait dhe paria bizantino-serbe e Janinës thirrën nga Qefalonia fisnikun italian, Esau Buondelmonti Acciaiuoli. Ky mishëronte pretendimet napoletane mbi Despotatin e dikurshëm të Artës. Martesa e Esaut me të venë e Thoma Preljuboviçit legjitimoi përfundimisht pushtetin e tij despotal.

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
– Vijimësia e pushtetit të sundimtarëve shqiptarë në Epir
– Çamëria nën sundimin osman dhe islamizimi
– Një renegat shqiptar nga Himara në oborrin e Sulltanit

3 KOMENTE

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here