BOTA POETIKE E MARTIN CAMAJT

0
1658

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Abstrakti
Në këtë punim , me titull “Bota poetike e Martin Camajt” kemi studiuar punën krijuese të poetit dhe kemi konstatuar se brenda evoluimit dhe pasurimit të botës së tij poetike dallohen tri periudha, të cilat si të tilla edhe i kemi shqyrtuar veç e veç, ashtu siç e meritojnë.

Në poezinë e Camajt të krijuar në periudhën 1953-1967 kemi dalluar tri shtresa: poezinë e krijuar mbi bazë të poezisë së traditës (“Nji fyell ndër male” (1953) dhe pjesërisht “Kanga e vërrinit” (1954); poezinë me tematikë nga legjendat dhe gojëdhanat tona popullore (vëllimi “Legjenda” (1964) si dhe poezinë me prirje modern (pjesërisht “Kanga e vërrinit” dhe “Lirikë mes dy moteve”(1967).

Periudha e dytë e poezisë së Camajt (1967-1978) është periudhë e vetëdijësimit dhe e pjekurisë artistike. Poezia e kësaj periudhe karakterizohet me përsosjen e vargut të lirë dhe të shprehjes artistike. Poezitë e kësaj periudhe përfshihen në vëllimin “Njeriu me vete e me tjerë” (Munchen, 1978).

Periudha e tretë e poezisë së Camajt përfaqësohet me ciklet ‘’Nema’’ dhe ‘’Buelli’’ (1990). Poezia e periudhës së tretë të Camajt nuk kuptohet dhe nuk receptohet lehtë. Kjo poezi është shembull dhe dëshmi tipike sesa njeriu mund të pasurohet e të fisnikërohet shpirtërisht nga vlera kulminante artistike.

Hyrje
Poezia e Martin Camajt ruan në gjakun e saj mbetëza të kolektivitetit dhe të etnografisë. Zëri i poetit që e bazon poezinë edhe në përbërës të tillë, do të jetë përpjestimisht edhe koral. Ai e ka synuar ta përcjellë në indet e poezisë entografinë dhe gjeografinë e fisit (Malësinë). Me qindra detaje të tilla i janë thadruar në moshë të njomë në psikikë. Ai sikur e ka peng ta çlirë këtë mbresëlënie që ndryshon pak nga shëmbëllesat e të tjerëve.

Moraliteti i poezisë të Camajt i nënështrohet në një masë jo të papërfillshme mendësisë tradicionale.
Camaj është në kapërcyell të mendësisë tradicionale dhe asaj individualiste. Unin poetik ai e ka të ndrojtur si malësorët, të matur, historik. Si ndërgjegje e kolektivitetit të kallur në poezi, uni poetik është i pjekur. Unin subjektivist, ai shpesh, e fsheh nën parzmin e fisit.

Bota shpirtërore e poezive të Camajt ka ngjashmëri me botën e amshuar me rregullime të përjetshme, me rend gjërash të dhëna nga kohët, të parlindura, moraliteti i saj është i pacënuar. Njeriu i kësaj poezie e di rendin e gjërave, prandaj përsëritja e tyre është e pranueshme. Ky është pajtim i shpirtit me lëndën, ku dyshimi ekzistencial nuk njihet për arsyen e thjeshtë, se koha e poezisë së Camajt, s’ka mbërritur kohën e ndryshimit të rendit të gjërave dhe të mospajtimit të rendit të gjërave me inpulset shpirtërore.

Koha e poezisë së Camajt është kohë e pjekur, kohë e lumtur, kohë në zenitin e saj, e paplasaritur nga brejtjet ekzistenciale.
Ajo s’është një kohë antike e lëvizjeve dhe e formimit të etnive, dokeve, moraleve, luftrave, etj. Ajo i përngjan një kohe më të vonë, ku jeta vullkanike ka rënë e fashitur dhe fisi është pjekur, është qytet-shtet dhe, ka nxjerrë nga përvoja mendësinë, të cilën e mbarështron dhe ruan.

Kjo qenie kolektive, e dalë në histori nga marrëveshja e njeriut të lirë, kjo principatë, flamur etj., vëmendje të veçantë i kushton bukurisë së femrës, afrimit oborrtar drejt saj me status mbrojtjeje, pa mbrritur në intimitetin e dashurisë.
Shpesh kjo kohë, për plotësinë, duket si e nxënë në universitete popullore dhe fillesën dhe kohën poetike, i ka moshatare me simotrën që ka krijuar Lukreci në poemën traktat shkencor dhe filozofik, “Mbi natyrën”.

Tri fazat e krijimtarisë së Martin Camajt Martin Camaj është poet lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme të krijimtarisë poetike dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit në ish- Jugosllavi e Kosovë do të botojë njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me poezi “Një fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kanga e vërrinit” Prishtinë 1954. Në Itali vëllimin ‘’Legjenda’’, Romë 1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë “Lirika mes dy moteve”, Mynih 1967, “Njeriu me vete e me të tjerë”, Mynih 1978, “Poezi 1953-1967”, Mynih 1981.(Grup autorësh, Letërsia bashkëkëhore shqiptare 4, Libri shkollor, Prishtinë, 2001, f. 72).

Dy vëllimet e para të Camajt të botuara në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet e vendlindjes dhe ishin në frymën e së ashtuquajturës “Shkollë letrare e Shkodrës”, pjesë e së cilës u bë dhe ai.

Në përmbledhjet “Legjenda dhe lirika mes dy moteve” Camaj dëshmon me të gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim lidhej me kohën studentore në Romë, kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe Ungareti.
I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes e fëmijërisë ai në gjithë poezinë e tij përpiqet të universalizojë elementet thellësisht shqiptare, si peisazh, mitologji, mentalitet e karakter.

Pjesa më e rëndësishme e poezive të Camajt i është bërë e njohur edhe lexuesit të huaj me anë të botimeve “Poesie”, Palermo 1985; Selected poetry, Nju Jork 1990; Palimpset, Nju Jork 1991; Gedichte, Mynih 1991.

Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit, por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike veçanërisht e, letrare përgjithësisht të Martin Camajt:
Faza kosovare (ose klasike): 1953-1967;

Faza italiane (ose paramoderne):1967-1978; Faza gjermane (ose moderne): 1978-1992.
Të tria këto faza kanë lënë shenja të qarta në krijimtarinë e tij:

Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. “Mali e vërrini” përbëjnë botën rreth së cilës sillet e rreh nervi poetik.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953, dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

“Lirika mes dy moteve”. Në këtë syzim, autori i kësaj përmbledhjeje lirikash nuk qëllimon t’i paraqesë vetveten lexuesve.
Nga ana tjetër, poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem.

Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrësesi tharmit të motiveve vendëse.

“Njeriu me Vete e me tjerë”. Me kalimin e kohës e veçanërisht me librin “Njeriu me vete e me tjerë”, poezia e Camajt e rrit karakterin e vet metaforik dhe simbolik si dhe zgjeron format e shprehjes gjuhësore. Secili titull poezie paraqet një gjendje të posaçme. Njeriu ndalet në një shenjë vendi në kohë, harron punën e përditshme dhe rrëmon në vete për të gjetur fillin e humbur të kujtimeve e të ndjesive të tij:

Në nadje vrejta rrethin e andrrave/në truell/e gjeta fillin e tretun/në piken e ndaljes së dritës.
(Fill i gjetun)

Ngjan kështu që mbas secilit varg të fshihet një grimë ngashërimi, i cili në çastin kur autori ia përcjell të tjerëve, shndërrohet në gëzim.

Ndërmjet dritës dhe territ për poetin më shumë se njeriu është hija e tij e cila s’ka shqise, vetëm sy për vete. Po njeriu ku është? – duket se pyet poeti. – Po ti ku je? Apo thjesht një thëngjill i zi pa zjarm. Mungesa e zjarrit e bën jetën të vdesë, mungesa e dritës e bën kohën të vdesë, mungesa e tingujve e bën njeriun të vdesë.

Te “Kohë e humbun” nëpërmjet metaforave e simboleve të fuqishme poeti e vendos udhëtarin, njeriun e thjeshtë në udhëkryqin midis kohës reale të vërtetë dhe asaj të përjetshme: Udhëtari, njeri i thjeshtë, as tepër i urtë, as poet, ndezi zjarrin e fikun në hinin djegë e përdjegë në votër. Zgjoi tingujt e ujit prej gjumit e preku rrezet e diellit në syzit e bimës në dritare. Diçka ish ndalë në ajër e priste në heshtje si shpatë për të ra. Vetëm atëherë u kujtue se koha nuk kishte kthye bashkë me të në plang … Çasti i kuptimit të boshësisë së jetës është për poetin sfida e parë që njeriu i bën vdekjes.

Temat si kontrasti midis së vjetrës e së resë, pohimi i së resë si dhe situata e njerëzve në botën moderne, zhvillohen në trajtimin e motiveve tradicionale dhe simboleve (Gurët, zogjtë, zanat e malit etj).

Shtatë vasha u çuen peshë/Kur ngjyra e korbit fluturoi/Përmbi shtyllën e jetës…
Vargje si këto janë të rralla në traditën e poetikës shqiptare.

Po korbi jo gjithnjë është ngjyra e vdekjes dhe sinonim i së keqes. Si për të treguar vlerën e një dite apo më mirë të një çasti përballë kohës së amshuar, Camaj shkruan poezinë “Një ditë e ka edhe korbi”. Nga ana tjetër ndarja natyrore në të mirë e në të keqe, në të bardhë e në të zezë, për poetin nuk është gjithnjë kështu. Teksa korbi vështron vallen e pëllumbave të bardhë, ngriu në vend dhe e pa veten më të zi se kurrë. Por ai nuk guxoi ta prishë vallen e tyre, të jetë një njollë e zezë në atë sfond të bardhë. Dhe për këtë e mori shpërbilmin: e ndjeu vehten korbi pëllumb në shpirt…

Tek vëllimi përmbledhës “Njeriu me vete e me tjerë” janë bashkuar poezitë, të cilat i paraqesin njerëzit në kostelacione të ndryshme sipas idesë së Camajt. Si elemente tematike dalin shpesh: shtegtimi, mosperfillja, vetmia. Kurse te poezia “Vetmija e jugores në Veri” si kundërvënie e një jete të largët, shfaqet gruaja më e vetmuar se kurrë ndonjeherë: Vjen hana/ e nis udhtimin televizori nëpër botë/ në heshtje deri në mesnatë./ Mandej sheh andrra si rriten/ dega lisash ndër krahë.

Situata e mërgimit të autorit del në poezinë më titull “Larg atyne që flasin si unë”, i cili vihet në raport me dukuritë e natyrës që ndonëse janë universale, intimizohen kur është fjala për vendlindjen: n’agim njeriu bekon diellin si unë.

Në fazën e tretë motivi vendës mitizohet, “thahet” e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë. Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tradicionale e ideve të ditës dhe synon të bëhet universal. (Anton Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt, Radhonjtë e zjarrit, Kozenca (Itali), 1994, f, 15). Por rrugëtimi i tij në poezi kulmon me vëllimet “Nema”, “Buelli” dhe “Palimpsest”, që në fakt në letrat shqipe nuk janë shkruar ende nga askush tjetër, por që për nga shenjëzimet artistike përqaset me tekstet poetike të Borhesit, Montales, Ungaretit, Eliotit etj…, pra është në rezonim me shkrimin poetik të përbotshëm. Nga ana tjetër, modernia e Camajt na zbulohet edhe në sinkretikën letrare Me poezinë e tij Camaj krijon një marrëdhënie gati të padukshme, ashtu si anonimati popullor, duke i lëne një vend të lirë aktiv lexuesit; të jetë ai që të përjetojë apo të meditojë në mënyrë të hapur dhe subjektive, për ta ribërë poezinë e tij.

Një karakteristikë e veçantë e poetikës së Camajt është interesi i tij për figurën gjuhësore-formale, ku me anën e një thjeshtësie të veçantë ai e tematizon në trajtë, duke përdorur me mjeshtëri të rrallë variantin gjuhësor të gegërishtes. (Grup autorësh, Letërsia bashkëkohore…4, f.73-76).

Poezia “Elegji e Parë”
Me këtë poezi ndoshta nis epoka e pjekurisë artistike të Camajt drejt modernitetit, gjuhës së kursyer dhe të shumëkuptimshme. Si në shumë poezi të tjera edhe këtu ndjehet ankthi i ndeshjes së dy kohëve dhe hapësirave: Femijëria në malesitë e Shqipërisë dhe së fundi vdekja në malesitë e Gjermanisë së jugut. Duket se autori drejton dy amanete njëherësh: një në atdheun e largët (Tazes) dhe një në vendbanimin e përkohshëm (Gruas). Do të jenë dy ceremoni mortore në të njëjtën kohë: një në Dukagjin me plakat dhe elementet e tjera autoktone dhe një tjetër në mërgim mes njerëzve gjithmonë të ngishëm.

Poezinë e zotëron një ndjeshmëri e madhe muzikore dhe ritmike dhe pse e shkruar me vargje krejtësisht të lira e me struktura tregimtare. Ajo është një elegji moderne, ku elementet autoktone dhe primitive tentojnë të universalizohen e të bëhen të kuptueshme për të gjithë. Ky në përgjithësi është dhe çelësi i gjithë poezisë së Camajt.

Poezia “Mosha e Qenit apo Ditëlindja”
Është një ndër poezitë më të bukura e njëkohësisht më private të Camajt. Çasti i festimit të ditëlindjes së një burri të vjetër, që fatalisht vë re së koha, do të thotë jeta, ka mbetur e vrarë brenda tij, përbën frymëzimin tragjik të poezisë.
Ai s’di kë të akuzojë për vrasës të kohës së vet, vrasësi ka mbetur anonim, ndaj dhe s’ka se kush të paguajë gjakun. Në këto rrethana afërsia me qenin bëhet sa e dhimbshme aq dhe humane.

Koha i ka ngrënë gjithçka këtij personali subjektiv, e ka nxjerrë kocke e lëkure. Simboli i lumit që e pret në fund të poezisë mund të lexohet edhe si vijimi i jetës së pasosur, por edhe si caku që ndan dy jetët e prej kah nis bota tjetër. Poezia duket sikur s’ka fund. Gjithça i lihet në dorë lexuesit, vazhdimi, përparimi i paskaj, finalja e imagiinuar.
Me mjete thellësisht hermetike, ku fjala e zhveshur nga cilësorët e panevojshëm qëndron si monument, gur i rëndë në vendin e vet, perveçse flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, më së shumti sugjeron kuptime e imazhe.

Poezia “Mbramja asht Larg”
Kjo poezi është e ndërtuar me një lirizëm të thellë, të fshehur prej trajtash tregimtare. Një ëndërr erotike mes dy njerëzve larg njeri-tjetrit, qe një lumë dhe një mbrëmje imagjinare i ndan. Janë dy botë të ndryshme larg në hapësirë, por edhe në kohë. Kujtimi i një krijese femërore i sillet poetit në krye, një krijesë pa formë a trajtë, e ngjashme me një frymë a shpirt (që ka motër heshtjen) e që jeton diku në gji të natyrës. E ky për vete në një botë tjetër, të mekanizuar, me tram (treni i metrosë).

E gjitha ështe një ëndërr që i vjen poetit prej kujtimeve të vjetra të rinisë. Ndjehet i pamundur, por edhe i paepur deri në fund (i lëshon vendin një më të vjetri). E vetmja gjë që ka mbetur është heshtja krijuar prej kohës dhe hapësirës, heshtje krijuar nga numërimi i gjurmëve të diellit nëpër qiell.

Edhe kjo është një poezi hermetike, e vështire për një lexim klasik, sugjeruese dhe sugjestionuese, ku fryma e mban në këmbë si njësi unike, e ku vargjet synojnë të jetojnë në vete e për vete.

Në trashëgiminë poetike të M. Camajt bën pjesë edhe poezia “Shi mbi lumë”, një poezi antologjike, që përvijon artin magjik dhe mjshtërinë e poetit. Kjo poezi shënon njërin prej kulmeve të autorit, njëherit edhe një kurorë të mrekullueshme kushtuar natyrës, ku si rrallëkund shpëlosen ndjesitë më të holla poetike. Poezia “Shi mbi lumë” mbart shenjat e artit të Camajt, të ngjizur si metaforikë e vendlindjes dhe e natyrës, derdhur me një sharm poetik të habitshëm. Aty, në materien e vargjeve, përmblidhen në një të vetme bukuria e natyrës së ashpër shqiptare, në një çast pikant, të zgjedhur bukurisht nga shkrimtari.

Përfundimi
Camaj është përfaqsues i kohës së lumtur të fisit, është idealist. Këmbëngul me forcën poetike të ringrejë kohën e lumtur me afshin e një tradicionalisti.

Te Camaj, vuajtja poetike s’vjen nga dyshimi për mosrregullimin e rendit të gjërave, ajo është gjer në kufijtë e kqyrjes së lumturisë metafizike, që ndonjëherë i mbyll shtigjet për mirëni.

Besimi në kohën e përjetëshme, në fuqinë e rendit të gjërave, e ushqyer nga marrëdhëniet që pati me vendlindjen në rininë e parë, me Shkodrën, e ushqyer nga fuqia e qytetërimit perëndimor për të mposhtur diktaturat, e ushqyer nga miqësia dhe bashkëpunimi me Ernest Koliqin, I. Kodrën, Gj. Gjokën, arbëreshët etj., i ruajti një drejtëpeshim shpirtëror të shkëlqyer dhe të përkorë për ta parë atdheun në kohën e shkuar (të përjetëshme), për t’i kthyer atij pasqyra të jetës me thellësi kohe, që ai i kishte ruajtur si rrallëkush në letrat shqipe.

Metafizika e poezive s’është aq asnjanjëse sa duket së jashtmi edhe pse e fshehur me një natyralitet lirik spontan. Jeta e njeriut Martin Camaj zgjon jetën e poetit Martin Camaj, por edhe kryengritja te Camaj, është lirike.

Jeta e njeriut Martin Camaj shpie në kufijtë e mosqenies për t’ia lënë vendin një kategorie më të plotë, më përfaqsuese, jetës së një populli, i cili nënkuptohet në fatin historik. Camaj e modelon këtë fat historik të popullit me detaje, historinë e kthen në poezi, madje në lirikë.

E sotmja, nëpërmjet detajeve metafizike që ndërfut shpesh, humb konkretësinë dhe lidhet me kohën e kaluar. Ndërfutja e kohës metafizike në kohën e sotme, e anasjelltas, është kaq fine, aq e natyrshme, sa përngjan si një trup. Koha asnjëherë s’ngutet.
Fryma njerëzore i jep asaj shpejtësi më shumë se sa e ka lëvizjen e përfyturuar ajo apo e lë në pezulli.

Në poezinë e Camajt, koha s’është as në lëvizje me ngut, as në pezulli. Për atë mund të thuhet se ajo si koha asnjëherë s’ngutet. Ky pajtim i ritmit të poezisë me ritmin natyral të kohës i jep ligjërimit poetik trajtën e të qënit në çdo çast në kohë. Koha, që s’ngutet asnjëherë, jepet me një sintaksë, që ka për bazë vendosjen e fjalëve me një gramatikë normative, pa fjali të ndërkallura, pa gjymtyrë të çvendosur.

Koha e dlir historinë. Të njëjtën gjë mund të thuhet edhe për Martin Camajn. Poezia e tij lirike e dlir njeriun. Koha e përjetëshme, që ai e ka në indet e ligjërimit dhe dlirësia poetike e bëjnë Camajn emblemë në letrat shqipe.

LITERATURA:
Grup autorësh, Letërsia bashkëkohore shqiptare 4, Libri shkollor, Prishtinë, 2001; Anton Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt, Radhonjtë e zjarrit, Kozencë (Itali), 1994; Martin Camaj, Njeriu me vete e me tjerë, Munchen, 1978; Martin Camaj, Nji fyell nder male, Prishtinë, 1953; Martin Camaj, Kanga e vërrinit, Prishtinë, 1954.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here