ANTON N. BERISHA, MODELI I STUDIUESIT DHE KRIJUESIT QË DUHET NDJEKUR

0
370

Nga Sarë Gjergji

Vepra e gjithmbarshme shkencore-letrare e studiuesit dhe shkrimtarit tonë, Prof. A. Berisha, është shumë e pasur dhe tejet e veçantë. Të rikujtojmë më këtë rast: është rreth 100 numri i veprave, bashkë me ribotimet, gjithmonë të plotësuara me kujdes, që Prof. Antoni na ka dhuruar. Veprat, ndërkaq, janë të gjinive të ndryshme letrare. Ai shquhet në poezi, prozë, dramë; me studimet teorike estetike letrare; autor i shumë monografive; shquhet si përkthyes i veprave shumë të rëndësishme të historisë së letërsisë e kulturës botërore ( përktheu: Epin e Gilgameshit, Këngën e Nibelungëve, Këngën e Këngëve, Lavdërimin e kryqëzuar të Brusard-it), si hartues antologjish etj. Në këtë univers librash, Prof. Antoni shpërfaq gjithë shpirtin e tij të ndjeshëm prej krijuesi e studiuesi të mirëfilltë. Të mos harrojmë: Profesor Antoni shkruan për ata që dinë të lexojnë qartë, që do thotë: vepra e tij kërkon një lexues të zgjedhur.

E shkruar me një akribi shkencore, vepra e studiuesit dhe shkrimtarit A.N. Berisha, ka në fokus atë pjesë të letërsisë e të kulturës tonë, e cila dhe mund të konsiderohet dhe është palca e historisë së kulturës, e mendësisë dhe letërsisë shqiptare përgjithësisht (gojore e të shkruar). Është Prof. Antoni, që nxori në dritë gjymtimet dhe shëmtimet që studiuesit e kritika soc-realiste i kishte bërë letërsisë arbëreshe. Së këndejmi, është dhe korrigjuesi (në masë) i mësimit dhe interpretimit të gabuar që bëmë për këtë letërsi dhe jo vetëm. Duke njohur thellësisht lëndën që merr në shqyrtim e që trajton (nga të gjitha periudhat letrare), Ai prek ato fusha të artit e të kulturës sonë ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta, duke dhënë kështu një ndihmesë të madhe, duke trasuar rrugë e duke u bërë nxitës për një raport e marrëdhënie tonën ndryshe me kulturën, artin, letërsinë, shkencën në përgjithësi.

Në veprat e tij studimor, hetojmë një qasje dhe interpretim ndryshe për shumë çështje të artit. Në kontekst të kësaj, me veprat studimore, si: “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku, Gjon Buzuku poeti ynë i parë, Pjetër Budi poet dhe prozator, ai rikthen kujtesën tonë tek nismëtarët e letërsisë shqipe (shek.XVI-XVII), veprat e të cilëve, në studimet shqiptare në të shumtën e herës janë vështruar në aspektin gjuhësor, duke lënë anash ose edhe mohuar literaritetin e tyre. Prof. Antoni, me këto vepra, sikundër edhe me studimin mjaft të rëndësishëm Kënga e këngëve, i bën një shërbim jashtëzakonisht të mirë studimeve letrare tek ne. Ai heq dilemat nëse kemi të bëjmë thjesht me vepra të karakterit gjuhësor-filologjik, të cilësuara nga studiues të shumtë edhe si “vepra fetare”, “religjioze” (bazuar në tematikën, lëndën dhe përmbajtjen e tyre), apo me vepra letrare.
Një studim krejtësisht ndryshe nga ç’jemi mësuar ta përligjim rëndom, në ambientin tonë kulturor, A. N.Berisha i bën edhe Nënë Terezës.

Veprat e shumta studimore për Nënë Terezën, si: “Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze”, “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze”, “Thelbësorja e besimit të lutjeve të Nënës Tereze”, “Nëna Tereze: Jeta është vetë jeta e Zotit në ne” etj., për mendimin tim dhe jo vetëm, janë ndër studimet më të arrira, më të thella e më të gjithanshme për këtë figurë emblematike të njerëzimit, e cila, tashmë, i takon tokës e qiellit. Figura komplekse e Nënë Terezës shihet nga kënde e rrafshe të ndryshme. Për të thënë të pathënat e deritashme për Nënë Terezën, studiuesi Berisha i qaset me mjaft kompetencë edhe teologjisë, edhe filozofisë, edhe psikanalizës, edhe artit letrar e shkencave të tjera humane. Në këtë kontekst, shpirti dhe uni i Nënë Terezës na shpërfaqen në një formë e mënyrë krejt të re e origjinale.

Vepra shkencore e studiuesit Berisha është një nxitje për një art tjetër, për një art më ndryshe, për një kulturë tjetër komunikimi, që, së fundmi, mund të kuptohet edhe si kërkesë për një mendësi e jetë ndryshe, më të avancuar, për një botë (amë) në komunikim – bashkëjetesë në e me arealin kulturor të Evropës Perëndimore.

Krijimtaria letrare e A.N. Berishës, si një formë e veçantë komunikimi e shprehjeje artistike, ndërgjegjëson; është dhe një katharsis shpirtëror (shih: Bimorja, Nëna e Dritës, Ferri i lodhur, Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës, por dhe vepra të tjera të Berishës). Ajo nuk mbetet pre e skemave, klisheve e kanoneve të formësimit artistik. Berisha zotëron kompetencë të jashtëzakonshme gjuhësore dhe letrare. Mënyra se si i shtron dhe trajton ngjarjet, personazhet; format shprehëse, gjuha poetike në veprën e tij, thjeshtësia deri në shkallë të sublimes, konotimet shumështresore, mënyra e procedimit etj. e bëjnë veprën letrare të Berishës, një vepër me nivel shumë të lartë artistik, një vepër për t’u admiruar, kurse Berishën, model të veçantë krijues që duhet ndjekur.

Vepra e Profesor Antonit, shpreh ide e probleme nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me vlerat sublime të etnokulturës sonë.
Ajo, sa e vëllimshme, edhe më tepër cilësore, na vjen si një shkollë letrare më vete, për ta pasur zili dhe institucione akademike. Në fakt, kompetenca shkencore që përshkon veprën e Prof. Berishës, bëri që ajo të jetë vazhdimisht objekt trajtimi i studiuesve të shumtë, sikundër dhe të përkthehet në gjuhë të ndryshme, duke e vënë kështu letërsinë tonë në komunikim me letërsi të tjera, duke e kthyer atë në rrjedhat e gjithmbarshme kulturore e letrare evropiane, ku natyrshëm dhe kishte lindur letërsia jonë.

Për veprat, studimet thellësisht shkencore për aspekte të ndryshme teorike-letrare, për krijimtarinë letrare, për ato vepra të mrekullueshme arti që vazhdon të na dhurojë Prof. Anton N. Berisha, duhet t’i shprehim mirënjohjen tonë më të thellë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here