AKADEMIA E KOSOVËS – SHKELËSE DHE SHPËRDORUESE E LIGJIT

0
404

Abdyl Kadolli

Reagim i shkrimtarëve

Veprimtaria e Akademisë së Kosovës është në kundërshtim me Ligjin e ri për Akademinë dhe funksionin e saj shkencor e artistik, sepse nuk përfaqëson vlerat shkencore dhe artistike të Republikës së Kosovës.

Në ligjin e ri për Akademinë thuhet: ”Qëllimi i Akademisë është zhvillimi, nxitja, promovimi dhe avancimi i shkencës dhe i artit në Kosovë, nëpërmjet realizimit të projekteve shkencore me interes për zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të vendit.”

Akademia e Kosovës nuk zhvillon veprimtari të mirëfilltë shkencore e artistike, sepse nuk ka realizuar asnjë projekt shkencor për zhvillimin e vendit. Ajo ka vetëm katër seksione dhe asnjë institut hulumtues e qendër studimore. Klani provincial akademik ka uzurpuar funksionin shkencor e artistik dhe ka izoluar bashkëpunimin krijues në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Në Ligjin e ri për Akademinë thuhet se pranimi i anëtarëve të rinj bëhet “në përputhje me standardet më të larta të veprimtarisë shkencore dhe të krijimtarisë artistike”, mirëpo klani meskin provincial pranon në radhët e veta vetëm mediokër të sojit të vet, pa kritere të vlerave shkencore e artistike. Anëtarë të Akademisë zgjidhen edhe ata, veprat e të cilëve nuk paraqesin as afërsisht “realizime kulmore në fushën e shkencës ose të artit” dhe as nuk kanë “peshë në vend dhe jashtë tij”.

Përkundrazi.

Akademia, në kundërshtim me Ligjin, ua ka ofruar qarkoren e konkursit për zgjedhje të anëtarëve të rinj vetëm fakulteteve publike dhe instituteve shkencore, duke lënë anash shoqatat dhe institucionet e artit e të kulturës.

Akademia e Kosovës bën diskriminim, duke ua mbyllur dyert studiuesve e krijuesve të mirëfilltë të shkencës dhe të artit mbi moshën 65-vjeçare, por ua lë hapur, palejueshëm me ligjin, anëtarëve të saj qëndrimin e përjetshëm, pa realizuar asnjë punë, ose me vepra plagjiature, me intriga kundër njësisë kulturore kombëtare dhe me të kaluar të dyshimtë, që nuk do ta duronte asnjë akademi në botë.

Akademia e Kosovës është shndërruar në guaskë të intrigave politike, duke korruptuar funksionin shkencor e artistik të saj. Ajo është bërë çerdhe korruptive dhe shpërdoruese e interesave politike e materiale për t’i siguruar dikujt edhe dy-tri paga mujore. Aty janë grumbulluar kryeministra, ministra e zyrtarë partiakë, pa vepra shkencore e artistike, që nuk kanë të drejtë për ”funksione udhëheqëse në Akademi”, por kanë të drejtë për shpërblim të përhershëm mujore, pa kryer kurrfarë pune aty!

Të gjitha këto veprime antiligjore të Akademisë së Kosovës, që u thanë dhe shumë të tjera që nuk u thanë kësaj here, janë alarm i fuqishëm për të ndërmarrë veprime për demokratizimin e saj, për respektimin e Ligjit dhe për respektimin e etikës e të kodit akademik ndërkombëtar.

Kuvendi i Kosovës është themelues i Akademisë, prandaj nuk duhet të lejojë shkeljen kaq të hapur të ligjit të vet nga klani mafioz partiak, që po cenon zhvillimin e vlerave të shkencës, të artit dhe të kulturës sonë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here