AKADEMI PËRKUJTIMORE KUSHTUAR PRESIDENTIT RUGOVA, NË MYNIH

0
323

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Dega e LDK-së në Gjermani, në bashkëpunim me Nëndegën e LDK-së në Bavari, Shoqatat “Sali Çekaj” dhe “Rilindja”, përkatësisht, në Pfaffenhofen dhe Mynih, organizuan Akademinë Përkujtimore kushtuar Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Moderatori Sylë Bajrami hapi Akademinë, duke përshëndetur të pranishmit. Në skenë grupi i fëmijëve shkollarë të Shoqatës “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, këndon Hymnin e Flamurit.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Nëndegës të LDK-së, në Bavari, Idriz Zeqiraj. Veç tjerash, ai trajtoi rezistencën, pothuaj, 10-vjeçare të populit të Kosovës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës kundër Serbisë pushtuese me sllavët e saj. A ishte, vërtet, kjo rezistencë paqësor, apo diç në shumë? Vet Ibrahim Rugova i ka thënë gazetarës gjermane të “Der Spiegel” se ne nuk jemi kurrëfarë paqësorësh. Por, raporti i forcave, mungesa e armatimit, na bënë që të kërkojmë forma altenative, deri në përgaditjen tonë, për përballjen ndryshe me Serbinë.

A mund të quhet, vërtet, rezistencë paqësore krijimi i institucioneve paralele “në gojën e ujkut”, para hundëve të armikut, të karocuar me armatim dhe polici e ushtri profesionale? Kjo paqe ishte relative, sepse përgjatë kësaj rezistence kishte përndjekje, presione, rrahje, maltretime dhe deri në vrasjen e veprimtarëve, të cilët ishin të organizuar në Lëvizjen masive kombëtare – LDK-e. Po, Ibrahim Rugova thirrej në paqe, sepse do të ishte jashtë logjike edhe të kërkosh paqe dhe ndihmë ndërkombëtare, edhe luftë njëherësh, kur raporti i forcave nuk i favorizonte shqiptarët.

Thirrja për paqe, nuk pengoi trimin e mençur Ibrahim Rugovën, për t`u përgaditur për luftën e pritshme. Madje, lehaqenët me kot ulurijnë se “Rugova nuk ishte për luftën”. Dhe, të kundërtën e kësaj e faktojmë, sa vijon:
Në vitet `90-a, Ibrahim Rugova, urdhëroi organizimin e mbrojtjes popullore në fshatra dhe në nivel komunash; më 1991 krijoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ të Kosovës. Pastaj, me marrëveshje me presidentin shqiptar, Ramiz Alia, dërgoi djemtë e Kosovës, për ushtrime ushtarake në Shqipëri, në mes tyre: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, tashmë, Heronj të Kosovës si dhe shumë të tjerë, më von, luftëtarë të denjë për çlirim dhe lirinë e Kosovës.

Në vjeshtën e vitit 1997, kur u provokua me armë Familja e Shaban Jasharit, Rugova dha porosinë-kushtrim: “Të mbrohet pragu i shtëpisë”. Në vitin 1998, pas dështimit të Marrëveshjes të Osllos, dështim ky i qëllimshëm, nga hafijet e Serbisë në kreun e LPK-së, për rrjedhojë, sabotimin e luftës, oficerët e rrjeshtuar në vijën institucionale (FARK), kërkuan një takim me Presidentin Rugova. Takimi u realizua dhe oficerët e shantazhuar dhe të kërcënuar me jetë, nga banditët e LPK-së dhe të penguar, madje, edhe të urdhëruar nga social-komunistët e Tiranës zyrtare të largohen nga territori i Shqipërisë, shtruan pyetjen-dilemë: “Ç`të bëjmë?!” Dhe, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, Ibrahim Rugova u jepë përgjigjën e prerë: “Ju jeni profesionistë dhe e dini vetë çfarrë bëni. Kthim prapa nuk ka”.

Ndërkoh që, “komandantët” dhe “gjeneralët” familjet e tyre i kishin larguar jashtë Kosovës, Rugova qendroi në Velaninë e Prishtinës, qoftë edhe të kurbanizohet, së bashku me familjen, me qëllim që t`i japi zemër e shpresë popullit të Kosovës. Të gjitha këto janë fakte domëthënëse se Ibrahim Rugova, qysh kur pranoi të vihet në krye të partisë së parë pluraliste, LDK-së, i peshoi të tëra, me atë qetësinë dhe urtinë proverbiale, me guximin qytetar të pashembulltë në Shqiptari. Prandaj, Kadareja e vlerëson Ibrahim Rugovën si “shqiptarin më të madh të shekullit”.

Në vijim, Idriz Zeqiraj, në cilësinë e nikoqirit, pritësit, në emër të organizatorëve, bëri përshëndetjen e mysafirëve, të Shoqatave, Klubeve, të veprimtarëve të hershëm të Mërgatës dhe të të gjithë të pranishmëve: Përshëndes me nderim të veçantë familjet e pranishme të dëshmorëve: Gërvallaj, Çekaj, Blakaj, Ukëhaxhaj, Zeqiraj; veprimtaren më të madhe në Evropë dhe në botë, kryetaren e vullneshme të Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvallën; Shoqatën pararojë “Sali Çekaj”, nga Pfaffenhofeni, me kryetar Osman Ferizin; Shoqatën “Ilirida” nga Landau an der Isar, e kryesuar nga Tefik Jaha; Shoqatën Bavarezo-Kosovare, në Mynih, me kryetar Milaim Krasniqi; Klubin Sportiv (FC) Kosova, në Mynih, me kryetar Arben Kelmendin si dhe ish-kryetarin e suksesshëm Shaqir Zeqiraj; Nëndegën e LDK-së në Landin e Niedersaksen, 800 km larg, të kryesuar nga Isa Shabani, Azem Kelmendi e Haxhi Nikçi me shokë; Nëndegën e LDK-së të Baden Würtembergut, të kryesuar nga Tahir Buçolli, Klubin “Atdheu”, në Schwabischhall, me kryetar Halil Zemaj; Aktivin e LDK-së, të suksesshëm dhe shumë simpatik, në Starnberg, me kryetar Musa Hamzaj; Shoqatën “Abeja” (Bekim Berisha), nga Moosburgu, e kryesuar nga Naim Haxhijaj; Shoqatën “Rrufeja” nga Freissingu, e kryesuar nga Shaip Buleshkaj.

Përshëndetje të dlira për këngëtarët e talentuar Vehbi Berisha, me vajzën e tij zëmirë dhe simpatike, Fjolla Berisha: gazetarin, kameromanin, bashkpunëtorin e RTK-së dhe të Rrokumit, Halil Rrustemaj; veprimtarët e hershëm të Mërgatës: Nikollë Skelaj, Mehmet Kokaj, Brahim Gërvalla, dajë – Adem Thaçi, Brahim Ukëhaxhaj, Hysen Bicaj, mësuesin dhe poetin Hamza Halabakun, veprimtarin gjithnjë aktiv, Naim Gashin dhe ju të tjerëve, që sot keni ardhur për t`i bërë homazh e nderim meritor, ikonës të lirisë dhe të pavatësisë të Kosovës, Presidentit të përjetshëm, Dr. Ibrahim Rugova.

Moderatori, Sylë Bajrami, fton në skenë veprimtaren e shquar të Mërgatës shqiptare, vajzën e luftëtarit, me pendë dhe mend, Jusuf Gërvalla, Hero i Kosovës, Donikë Gërvallën, e cila do të referojë temën: “Rugova 2017”.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
miq të dashur,

Nga anë ndryshme të Gjermanisë jemi mbledhur, për të përkujtuar Ibrahim Rugovën, Presidentin e Republikës së Kosovës, themeluesin dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, babanë e pavarësisë dhe të shtetësisë së Republikës së Kosovës, njeriun që Kosovës, përpjekjeve të saj për liri dhe pavarësi dhe secilit qytetar të saj, një nga një, i dha dinjitet dhe krenari. Janë të shumta epitetet me të cilat mund të përshkruhet djali më i denjë i Dukagjinit, udhëheqësi shpirtëror dhe politik i shqiptarëve, si për të gjallë, ashtu edhe pas vdekjes së Tij.

Në vitin 1989, kur Kryetari Rugova së bashku me shumë të tjerë, filluan të ndërtojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës, vendi ishte i rrezikuar në palcë.
Kosova ishte e pushtuar, nacionalizmi serb po bëhej gjithnjë e më radikal dhe agresiv, ndërsa diskriminimi dhe shtypja e shqiptarëve në të gjithë Jugosllavinë, por sidomos në Kosovës çdo ditë rritej.
Por pa dilemë mund të konstatojmë që Presidenti Rugova nuk u dorëzua asnjëherë, edhe pse mund të ketë pasur më shumë se 1.000 arsye për t’u dorëzuar rrugës.

Çfarë ishte ndryshe në atë kohë: pakënaqësia me gjendjen aktuale nuk shfryhej përmes ankesave nëpër kafene.

Edhe diçka ishte ndryshe: nuk ishte kjo urrejtje e madhe mes vete, madje edhe brenda një partie.
Ne, sot, kemi edhe më pak arsye të dorëzohemi. Natyrisht që jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për korrupsionin, krimin dhe katastrofën ekonomike dhe politike të shkaktuar prej tyre.
Mirëpo, mund bën të harrojmë: koha e Serbisë dhe Millosheviçit në Kosovë ka qenë shumë më e rëndë, dhe ne edhe atë e kemi përballuar dhe kemi dalë fitimtarë.

Kosovës i nevojitet një kthim i kulturës së besimit të ndërsjelltë. Kryetari Rugova na ka dëshmuar që kjo nuk është e pamundur. Askush si ai nuk i ka lënë hapësirë veprimit politik si të përkrahësve të tij të parezervë, ashtu dhe të atyre që i dinte t’i kishte kundërshtarë politik dhe që në LDK-e kishin hyrë me parullën e marrjes së kalasë nga brenda. Ajo që shumë kush e shihte si naivitet, Kryetari Rugova na dëshmoi të ketë qenë largpamësi i pashoq mes shqiptarësh.

Kriza e viteve të fundit në Kosovë, krimi dhe korrupsioni nuk pikuan nga qielli, ato janë të shkaktuara nga njerëzit, në fakt nga njerëz të papërgjegjshëm.
Mirëpo, si të shkaktuara nga njerëz, janë pikërisht njerëzit, të cilët edhe mund t’i eliminojnë këto dukuri.
Mirëpo, është shumë naive të presim që të korruptuarit dhe kriminelët, ata që i shkaktuan dhe i bartin këto dukuri, të vihen në ballë të luftës kundër tyre.

Presidenti Rugova fokusin e kishte shumë të qartë, ai e dinte se ku ndodheshin miqtë dhe ku kundërshtarët. Si brenda shoqërisë sonë, ashtu edhe jashtë saj.

Toni i tij i matur dhe i butë, këmbëngulja dhe kokëfortësia në ndjekjen e rrugës drejt lirisë së Kosovës, maturia dhe mençuria e qytetarëve të saj bënë që Kosova, ky vend vogël, i izoluar nga Serbia, të krijojë miq të shumtë dhe të fortë.

Kur Presidenti Rugova bënte thirrje që NATO të vijë në Kosovë, shumëkush nuk e merrte seriozisht, disa madje edhe talleshin me të.

2

Shumë prej atyre që sot thirren në të dhe publikojnë foto me të, ishin kundërshtarë të tij. Ata talleshin me vizionin e tij politik ndërsa sot, së bashku me të gjithë ne, përfitojnë nga mrekullia politike që shkaktoi Presidenti Rugova.

Askush nuk e ka pritur që NATO, aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, do të ndërhyjë për të shpëtuar një vend të vogël 2 milionësh, për herë të parë në këtë masë jashtë NATO-s.

Askush nuk e ka pritur që vendi në të cilin jetojmë ne, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore do të hyjë përsëri në luftë, këtë herë për Kosovën.

Ne kemi pasur trima luftëtarë. Në FARK, i cili vepronte nën komandën e drejtëpërdrejtë të institucioneve të Republikës, me Komandant të Përgjithshëm Presidentin Rugova, dhe në UÇK-në luftuan djem dhe vajza, burra e gra trima. Jo pak prej tyre flijuan edhe më sublimen, jetën për lirinë e Kosovës.

Meqë ra fjala: nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës nuk është regjistruar as edhe një rast i krimeve ndaj civilëve apo ndaj robërve të luftës dhe të burgosurëve.
FARK-u funksiononte në frymën e demokracisë, në frymën e komandantit civil dhe të civilizuar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova. Asnjë gjykatë, qoftë speciale, qoftë e rëndomtë nuk vë në pikëpyetje rregullin, disiplinën dhe luftën vetëmbrojtëse të strukturave të Republikës për çlirimin e vendit.

Mirëpo, ne nuk fituam falë trimërisë sonë në fushëbetejë. Edhe boshnjakët, me më shumë se 100.000 ushtarë luftuan, por JNA-ja e atëhershme me tanket, artilerinë dhe aeroplanët e saj ishte një barrierë e pakapërcyeshme në Ballkan.

Po, shqiptarët luftuan me trimëri dhe guxim, por betejën e fituan mbi të gjitha në tavolinë duke e bindur NATO-n se me çdo kusht duhej ndalur makineria vrastare ushtarake e Millosheviçit.

Cili ishte çelësi?
Përgjigja është po kaq e rëndësishme, sa edhe e thjeshtë: Besimi.

Para se NATO, Amerika, Britania e Madhe dhe Gjermania të hynë në luftë për të ndalur Millosheviçin, ishte i domosdoshëm besimi që në rast të fitores së pritur të NATO-s, në Kosovë fjalën do ta kishin forca civile dhe orientim të qartë evropian. Në këtë aspekt, gjendja për ta ishte e qartë: për kohën pas ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, si garant për paqe dhe zhvillim, qëndronte një president civil me një strukturë civile, e cila madje funksiononte praktikisht në shumë aspekte.

Të gjithë, edhe Presidenti Rugova ishin të ndërgjegjshëm që Kosovën e prisnin kohë të vështira, që me shporrjen e Serbisë, nuk do të përfundonin hallet e vendit.

Por që para se të fillonin përpjekjet për themelimin e LDK-së, Presidenti Rugova dhe të gjithë ata që ishin në krah të tij e kanë ditur se Kosova Republikë është një projekt historik, aspak i lehtë për t’u realizuar.

Sa na e përkëdhel veshin, kur jo vetëm në stadium brohorasim, “O sa mirë me qenë shqiptar.”

Por, për të ndërtuar një shtet solid, për të arritur Liri, Pavarësi, Demokraci nevojitet shumë më tepër se një fjalë goje. Mbi të gjitha, është e domosdoshme që secili qytetar demokracinë ta shohë si detyrë të tij personale.

3

Jo Presidenti, jo qeveria dhe jo parlamenti sundojnë. Është ligji, shteti i së drejtës ai që na dallon nga Mesjeta.

Presidenti Rugova kur fliste për demokraci, fjalën gjithmonë e kishte për një shtet ligjor demokratik të modelit evropian.

Kryetari Rugova gjithnjë e ka ditur se Kosova mund të bëhet dhe të mbijetojë vetëm nëse qëndron me të dyja këmbët në Perëndim. Natyrisht që duhet shtrirë dora dhe duhen krijuar partnerë anë e mbanë botës. Mirëpo Ibrahim Rugova ka qenë shumë i ndërgjegjshëm për rreziqet që i kërcënohen Kosovës, nëse ajo përpiqet të hedhë valle mes botësh të ndryshme, nëse bëhet lojë e interesave vendeve të fuqishme.

As Putini, as Vuçiçi, as Nikolici, por as Erdogani nuk do të na e garantojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, për të cilën asnjëherë nuk u lodh së punuari Presidenti Rugova. Përkundrazi, ata dëshirojnë të na pushtojnë ose të na bëjnë të varur.

Presidenti Rugova gjithnjë e ka trajtuar me shumë respekt Turqinë dhe është treguar mirënjohës për ndihmën e dhënë në kohë të vështira. Mirëpo, ai e ka ditur që shpëtimi ynë është i lidhur me pozicionin tonë në botën e lirë perëndimore.

Sot në Serbi vërejmë rritjen e nostalgjisë për Titon dhe Millosheviçin, në Rusi nostalgjinë për Stalinin ndërsa në Turqi atë për perandorinë osmane dhe sulltanët. Në Prishtinë deri para pak ditësh, fjala luftë kishte arritur të largohej nga fjalori i përditshëm në bisedat për të ardhmen e saj. Diku një reagim i gabuar, ndezja e një shkëndije, në veprim i pamatur dhe vendi ynë do të zgjohej buzë luftës. Vetëm pas vërejtjes së qartë të Kancelares Merkel, kursi agresiv serb i provokimeve të vazhdueshme ndaj Kosovës u zbut. Për sa kohë, ajo varet shumë nga ne.

Por edhe ky shembull aktual tregon që Kosova ende përfiton nga kapitali i ndërtuar nga forcat civile rreth Presidentit Rugova.

Edhe çështjet e tjera të politikës së brendshme dhe të jashtme të Kosovës, mund të zgjidhen shumë më lehtë në frymën e Presidentit Rugova. Me veprime të matura, gjithëpërfshirëse dhe me mençuri.

Asnjëherë nuk do të kishte lejuar biri i Dukagjinit, i lidhur pandashëm me qytetarët e këtij vendi dhe historinë e tij, asnjëherë nuk do të kishte lejuar Ibrahim Rugova, që Malit të Zi apo kujtdo tjetër t’i falej territori i Kosovës. Ai do të kishte zgjedhur njerëz të mençur për të zhvilluar bisedimet e domosdoshme.

Ibrahim Rugova asnjëherë nuk i ka gënjyer qytetarët. Asnjëherë nuk do t’i kishte shkuar mendja të përpiqet të justifikojë humbjen e territorit me heqjen e vizave. Presidenti Rugova do ta kishte gjetur një zgjidhje të mirë me fqinjin tonë, Malin e Zi, pa falur territore, por duke e ruajtur fqinjësinë deri tani të mirë.

Ne nuk do të ishim një vend me “një fjollë”. Bisedimet në Bruksel do të ishin më të vështira, por me rezultate dukshëm më të mira për Kosovën.

Të gjitha këto nuk ndodhën, sepse Presidenti u nda tepër herët nga jeta. Pasuesit e tij nuk e patën formatin e tij. Ata pjesërisht e luftuan ashpër për së gjalli, disa prej tyre madje ushtruan edhe atentate ndaj tij.

Kur e shohim gjendjen mjaft të rëndë dhe të pakënaqshme në Kosovë, jeta dhe shembulli i Presidentit Rugova megjithatë duhet të na japë kurajo. Ai është dëshmia që shqiptarët, edhe atëherë kur situata duket e pakapërcyeshme, gjejnë një zgjidhje të mirë. Që shqiptarët janë në gjendje që të përfitojnë dhe të mbajnë miq të vërtetë në ditë të vështira përmes krijimit të besimit tek ta.

Pra, çfarë mund të marrim me vete nga kjo ditë e sotme:
Kur të shpërndahemi dhe të shkojmë në shtëpitë tona, në familjet tona, të bisedojmë me fqinjtë tanë. Kur të bisedojmë me familjet tona në Kosovë, me gjithë zhgënjimin tonë me realitetin e krijuar, nuk duhet ta harrojmë shpresën, vendosmërinë dhe domosdoshmërinë, që të çojmë deri në fund atë për të cilën luftoi kaq gjatë dhe me sukses me mjete civile Dr. Ibrahim Rugova; demokracinë e vërtetë, shtetin i cili imponohet përmes ligjit dhe drejtësisë, i cili i shpall luftë krimin dhe korrupsionit, i cili edhe pse i vogël, me dinjitetin e tij, imponon dhe meriton respektin e qytetarëve të vet dhe të miqve në Evropë dhe në botë.

Rruga deri në cak do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
Por, kur djali i Istogut dhe Rugovës së bashku me të tjerët në LDK-e dhe jashtë saj, u nisën të marrin në dorë fatin e vendin, udha ishte edhe më e vështirë.
Është detyrimi ynë të ndjekim këtë rrugë deri në fund dhe të mos dorëzohemi. Me energji, nganjëherë edhe me zemërim të arsyeshëm, por jo me vajtime dhe ankesa dhe jo kundër njëri-tjetrit.
Kështu e nderojmë më së miri Presidentin tonë, babanë e pavarësisë, dhe i kthejmë vetës krenarinë për Republikën tonë.
I përjetshëm do të jetë kujtimi për Kryetarin Rugova, për të gjithë ata që flijuan jetën për liri si dhe qëndresa e pashoqe e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Moderatori, Sylë Bajrami, për referim të radhës, fton njërin nga themeluesit e LDK-së në Mërgatë, veprimtarin që dinë të punojë dhe të organizojë aktivitetet specifike të shqiptarëve të mërguar ndër vite e dekada, Naim Gashin:

Zonja e zotëri, Jemi tubuar sot, në këtë akademi përkujtimore, me rastin e 11 vjetorit të shkuarjes në amëshim të një burri të Dardanisë, intelektualit që kishte tejkaluar përmasat kombëtare, dhe hyri në radhën e intelektualëve e filozofëve politiv, më të spikatur të Europës postkomuniste e më gjerë.
E kujtojmë emërbardhin e Abrahamit hyjnor, udhërrëfyesin gjithkund të mirëpritur e të nderuar, shpresën optimiste për prosperitet, urtakun profetik e liderin nacional e shpirtëror, politikanin më karizmatik që ka pasur kombi shqiptar, të ndriturin, Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Lindi ne acarin 2 dhjetorit të vitit 1944 e më 10 janar 1945 mbeti jetim, pa baba e gjysh (Uka e Rrusta). Si djalë i vetëm i nënës Sofë, shkollën e filloi me vonesë, por i arriti me kohe te gjitha.

Si student ju përkushtua letërsisë. Punoi shumë e foli pak.
Vitin 1988 është kryetar i LSHSHK dhe ajo kryesi e asaj Shoqate bëhet bërthamë e lëvizjes shqiptare, që me humanizëm e demokraci, me gjuhë të fakteve e urtësi shkencore, ju kundërvue represionit, memorandumeve gjenocidale, hegjemonise e dhunës institucionale.

Më 23 dhjetor 1989 zgjidhet Kryetar i LDK-së, parti e parë politike, që sfidon regjimin komunist në fuqi. Moto e Tij dhe LDK-së ishte Liri, Pavarësi e Demokraci. Kjo kërkonte kohë, durim, sakrificë e shumë punë.
Hartuan programin partiak të realizueshëm e pragmatik, kurse programi kombëtar i Rugovës dhe LDK-së ishte dhe mbeti ai i Lidhjes së Prizrenit.

Studjusi i Pjetër Bogdanit dhe specializanti i prof. Robert Barthesit, ishte unikat në veprim, aplikon mosdëgjushmërinë kolektive, refuzimin, dhe krijon pushtetin paralel. Gjithe punët i kordinonte me miqtë. „Shtëpia pa miq nuk mbahet, e miqtë duhet t`i ruajmë dhe mos t`i zhgënjejmë“, – shprehej shpesh Presidenti Rugova. Bashkërendiste punët me miqtë, BE-në, qendrat e vendosjes dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.

Pavarësia e Kosovës, ishte kompromis i dhembshëm për shqiptarët. E kjo realizohet si protektorat, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, si fazë kalimtare, e përsëriste gjithëherë Presidenti Rugova. Donte e synonte një shtet të pavarur e demokratik, të integruar në BE-e, shtrukturë e NATO-s dhe insiticione relevante financiare e humanitare.

Ishte vizionar dhe dinte cka donte. Projektonte shtetin me të gjitha derivatet; flamur, hymn, shenja e simbole. Ishte para kastës politike e oponentëve, së paku, 10 vite.

Maksima e Vinsent Çurçillit: „Asnjëherë nuk do të arrish në destinacionin tënd, nëse qëllon me gurë çdo qen që lehë”, i shkon shumë për shtati Presdenti Historik. Ai nuk merrej me oponentët, me kritikuesit, nuk harxhonte kohë e energji. Respektonte edhe mendimin kundër! Për çështje kruciale të vendit, për hirë të proceseve politike për Kosovën, ishte tolerant dhe bashkëpunues, shumë pragmatik, krijonte konsesuesin gjithëkombëtar të partive e shoqërise civile, edhe të oponentëve të Tij, që e dijmë çfarë i kishte!

Profili i Presidentit si lidër e politikan, sa do t`i duhej Kosovës sot, në rrethanat e tanishme në të cilat ndodhemi.
Ishte triumfues në të gjitha zgjedhjet e organizuara, edhe përkundër formulave penguesë të OSBE-së dhe UNMIK-ut, vjedhjeve të votave, shantazheve, vrasjeve të bashkëpuntorëve të Tij. Ja dobësonin krahun, por ai ishte i pathyshëm.

Në ditë të mira e të vështira i qëndrojë besnik popullit të vet. E ndau fatin me popull dhe e udhëhoqi, duke e ruajtur substancën, si Moisiu biblik. E, në prag të ngadhnjimit hyjnor, më 21 janar 2006, si engjull fluturoi lart, e tani prehet i qetë në amëshim.

President, sot na mungon më shumë se kurrë ! Shpresojmeë në vizionin dhe miqtë e tu.

Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën.
Zoti e bekoftë Kosovën .

Në vijim
Në vijim, moderatori Sylë Bajrami, lexoi telegramin e dërguar nga zëvendës-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Astrit Zemaj:

“Të nderuar anëtarë të këshillit organizativ të Akademisë Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova,

Ju falenderoj për dërgimin e ftesës, për pjesëmarrje në Akademinë Përkujtimore, në pervjetorin e 11-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe njëkohësisht ju njoftoj se në bazë të obligimeve institucionale, të cilat kanë qenë të caktuara paraprakisht, do të kem të pamundur pjesëmarrjen në ketë pervjetor.

Ju sot po e perkujtoni njërin nga figurat me emblematike të kombit tonë. Presidenti Rugova ishte njëkohësisht lideri më karizmatik, me emrin e të cilit lidhet një epokë e veçantë e historisë së Kosovës-pavarësa e saj. Ai me vizionin e tij, u shëndrrua në udhëheqësin shprtëror, duke e drejtuar popullin dhe vendin tonë drejt, pikërisht në momentet më të vështira, sidomos drejt vlerave properëndimore, lirisë dhe demokracisë.

Ju dhe ne të tjerët, të cilët e patëm fatin ta njohim personalisht, apo edhe të jemi përkrahës dhe bashkëpunëtorë të tij, në forma të ndryshme, e kemi obligim të ju kujtojmë gjeneratave në vijim, se me nderimin e figurës së Presidentit Rugova, ne, e nderojmë jo vetëm kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por lartësojmë vlerat e popullit të Kosovës, i cili sakrifikoi me dekada për liri, pavarësi dhe për orientimin euro-atlantik të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Poashtu përfitoj nga rasti që edhe në emër të Ambasadës në Berlin dhe të Ambasadorit Xhakaliu, edhe njëherë të ju përcjell konsideratën më të lartë!”

Nxënësja Erza Kolgecaj recitoi poezinë kushtuar Presientit Rugova.
Në përmbyllje të Akademisë Përkujtimore, dueti Vehbi Berisha dhe vajza e tij, Fjolla Berisha kënduan një këngë kushtuar Presidentin Rugova dhe një këngë tjetër për dëshmorët e kombit.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here