ZGJIDHET KRYESIA E RE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE TË LETËRSISË PËR FËMIJË E TË RINJ

0
546

Nga: Murat Gecaj

Sot paradite, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit u organizua një mbledhje e posaçme e Shoqatës së Shkrimtarëve të Letersisë për Fëmijë e të Rinj. Në rendin e ditës ishte parashikuar analiza e punës së deritanishme dhe zgjedhja e kryesisë së re të kësaj Shoqate. Kishin ardhur poetë e shkrimtarë, që krijimtarinë e tyre ia kanë kushtuar brezit të ri, si nga Tirana, por dhe nga Durrësi, Shkodra, Lushnja etj.

I pari e mori fjalën ish-kryetari i kësaj Shoqate për një periudhë disavjeçare, Pandeli Koçi ose i njohur me emrin letrar, Sazan Goliku. Ai përmendi me nderim emrat e disa shkrimtarëve e poetëve, krijues të mjaft veprave për fëmijë e të rinj, të cilët nuk jetojnë më. Pastaj u ndal në arritjet e kësaj letërsie, e cila tashmë është bërë pjesë e pandarë e letërsisë sonë mbarëkombëtare dhe luan një rol të pazëvendësueshëm në edukimin e breznive të reja të vendit tonë. Përveç venjes në qarkullim të mjaft librave nga shtëpitë e ndryshme botuese, ndihmesë të mirë japin në këtë drejtim edhe krijimet e reja, në gazeta e revista dhe në faqet e ndryshme të Internetit, gjë e cila është e nevojshme të vlerësohet më tepër, në të ardhmen.

Në vazhdim, diskutuan disa veta, si për arritjet e deritanishme në fushën e krijimeve e botimeve për fëmijët e të rinjtë dhe për punën sa më të përkushtuar, që duhet të bëhet në të ardhmen. Kështu, shkrimtari nga Shkodra, Xhahid Bushati përmendi vlerësimet e bëra për libra të botuar, disa nga të cilët me çmimin e ri, “Skënder Hasko”, në nderim të këtij autori të paharruar. Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Bardhyl Xhama u ndal në domosdoshmërinë e pasurimit të fondit të bibliotekave të shkollave, si duke e vazhduar nismën për t’u dhuruar atyre libra, por dhe me fondet e shtetit.

Gjithashtu, ai trajtoi nevojën e funksionimit të Bordit përkatës pranë Ministrisë së Arsimit e Sportit, që të përzgjidhen librat që hyjnë në këto biblioteka dhe kjo gjë mos t’i lihet rastësisë. Po për këto çështje diskutoi edhe shkrimtari i ardhur nga Lushnja, Kozma Gjini. Gjatë diskutimeve u theksua nevoja e botimit të një reviste për fëmijët, ku poetët e shkrimtarët të kenë mundësi t’i publikojnë në vijimësi krijimet e tyre. Ajo do të ishte edhe një tribunë e rendësishme, ku do të afirmoheshin talentet e reja, si në poezi e prozë etj.

Shkrimtari veteran B.Xhama paraqiti një listë, me emrat e disa krijuesve, të cilët do të jenë në kryesinë e re të Shoqatës së Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmij e të Rinj, me gjithësej 10 veta. Emrat e tyre u miratuan njëzëri nga të pranishmit në sallë. Në një mbledhje, ata zgjodhën kryesinë e re, me këtë përbërje: Riza Braholli-kryetar; Tatjana Kurtiqi e Xhahid Bushati-zëvendëskryetarë dhe Fatmir Gjestila-sekretar. Ndërsa kryetar-nderi i kësaj Shoqate u miratua, me duartrokitje, Bardhyl Xhama.

Kryetari i sapozgjdhur, Riza Braholli i përshëndeti të pranishmit në këtë tubim, i falënderoi kolegët për nderin që i bënë dhe shprehu besimin se kjo Shoqatë, me bashkëpunimin dhe ndihmesën e të gjithë krijuesve, do të shënojë arritje të reja edhe më të mira, në të ardhmen.

Pastaj, pjesëmarrësit në këtë mbledhje të ShShLFR kaluan disa çaste, në koktejtin e organizuar në lokalin “Migena’, ku shkëmbyen libra të tyre dhe bënë fotografi të përbashkëta.

Tiranë, 25 qershor 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here