ZERO PAS NJËSHIT

0
267

KOLEC TRABOINI

ZERO PAS NJËSHIT

Sot do të shkruaj për njëshin jo për veten
për njëshin që pas vetes kishte shumë zero
kuptohet të tillë njerëz quhen milionerë
kushdo që kalon pranë tyre ndjehet i vogël
ndjehet një njësh pa asnjë zero pas, i humbur
në botën e pafundme të shifrave
që s’duan të dinë për mendjet e ndritura
as për talente jashtë fushës së shumëzimit.
Ne të gjithë filluam nga njëshi
dhe ai si ne po ashtu
ne ishim në një burg popujsh e racash
dhe nr. matrikullit për të gjithë ishte një
por jeta paskësh qenë më e thjeshtë
nëse gjendesh numër i vogël…
kur portat e ferrit u hapën
i madh ishte zemërimi i shtypjes
e marramendshme ishte ikja prej trojesh
por kishin përpara një mal pamundësish
ca fatlumë u ngjitën, ca u vranë, të tjerët
mbetën aty ku ishin në kthinat e vjetra
në shtëpitë me suva të rënë e lagështirë
me pak liri më tepër
por aspak mundësi më shumë….
Ai vazhdoi të ngjitej
sa më lart aq më shumë zero pas njëshit
shifrat tregonin marramendshëm
shkëlqimin verbues të ambicies së madhe
por dhe zilia që gërryen shkëmbin diku priste
sepse dihet, sa më lart të ngjitesh
aq më shumë i shkon rrezikut për skaj…
e për milionat- zerot pas njëshit
të japin gjysmën e lekut
e të nisin në botën tjetër….
O Zot sa transaksion i lemerishëm
të rrëzuan në rrugë me gjashtë plumba
t’i numëruan një e nga një si para të thata
pa lënë kohë ndërmjet t’u ktheje faturën
kuponi tatimor nuk vlen për botën tjetër
aty ishin policët, aty kalimtarët
aty motori me kapuçonët e zinj-skafandrat
edhe ata me ambicien kryeneçe
që duke të vrarë ty
t’i shtonin njëshit të tyre zero të pafundme
sepse pagesa për vrasjen tënde ishte e majme…
Ti ike tani, të përcollën hipokritët
ata që të shiteshin si miq të lanë vetëm
por dheun ta hodhën përsipër rëndë-rëndë
duke mbuluar transaksionet e tua me heshtje
ti dije aq shumë sa veç varri
jepte garanci që ti më s’do të flisje
ndaj ta blen vdekjen me çmim më të lartë
kësisoj edhe në vdekje të nderuan
duke respektuar ligjet e Mafies
vrasësit e tu kurrë të mos gjenden
se ikin në mes të ditës në drejtim të paditur…
Sa lule hodhën mbi varrin tënd
sa pikëllime të shtirura u gjendën
sa gra ledhatare i nxinë sytë me lot
sa burra të politikës medituan
i kishte të gjitha e tani nuk ka asgjë
tani je një asgjë, edhe njëshin ta morën
zerot nga pas ranë si të mos ishin
veç krimbat t’u gjenden si milionat
erdhën edhe ata të merrnin
çfarë mbetet si trup kur shpirti ka ikur…
Tanimë banka punon pa ty
bankierët shtojnë masat e sigurisë
që babëzinë ta mbrojnë nga krimi
që shfaqet me skafandra e motor Suzuki
kësisoj qetësisht të shtojnë zerot pas njëshit…

Nga Libri “ODEON – për gjëra që ngjasin
Kolec Traboini, Pantheon Books Edition 2016
Foto: Selfie, 1 janar 2017

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here