Zef Brozi: Ja kur nisi Berisha të shkatërrojë Drejtësinë shqiptare

0
382

Dita, 14 dhjetor 2016

Zef Brozi, tani 58-vjeçar, ka qenë kryetari i parë i Gjykatës së Kasacionit të Shqipërisë demokratike. Nga viti 1982 deri më 1992 ka dhënë mësim në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Doktori i shkencave dhe profesor i associuar asistoi në lindjen, në vitin 1990, e lëvizjes studentore, që çoi në rënien e regjimit komunist. Ishte një ndër përfaqësuesit që u dërguan për të negociuar me presidentin Ramiz Alia.

Në vitin 1992 ishte kandidat për Partinë Demokratike në zgjedhjet pluraliste dhe u zgjodh deputet në rrethin e Mirditës, ku ka lindur, duke u bërë edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në shtator 1993, presidenti Sali Berisha e emëroi kryetar të Gjykatës së Kasacionit.
Brozi nuk ishte dakord, por e pranoi detyrën për të vazhduar të kontribuojë në rritjen e demokracisë së re shqiptare. Shumë shpejt, marrëdhëniet e tij me presidentin Sali Berisha pësojnë një çarje të thellë dhe, pas një përplasjeje në rritje, gjatë së cilës Zef Brozi u përpoq të kundërshtonte ndërhyrjet e Berishës në vendimet e gjykatave, më 21 shtator 1995 u shkarkua nga kjo detyrë.

Dy muaj më pas u detyrua të shpëtonte nga kërcënimet e SHIK-ut dhe arratiset në Amerikë, sëbashku me gruan Diana, ku kërkon dhe merr strehim politik. Që prej atëhere, Zef Brozi jeton në Uashington, ku punon, si dhe bashkëshortja, për qeverinë federale.
Për herë të parë pas 22 vitesh, Zef Brozi jep në Shqipëri një intervistë televizive, në të cilën rrëfen detaje dhe prapaskena të historisë së tij të pabesueshme. Një dëshmi që tregon se kur filloi rënia e drejtësisë shqiptare.

Zoti Brozi, mirë se erdhët në televizionin Report TV. Me sa duket kjo është intervista e parë në një televizion shqiptar pas 22 vitesh, apo mos gaboj?
Po, ka më se 22 vite që kur kam dhënë një intervistë në televizionin shqiptar këtu në Shqipëri dhe është një kënaqësi e veçantë që takoj një gazetar kurajoz, që mbaj mend që në vitet e para të lëvizjes për demokraci në Shqipëri. Prandaj jam edhe i nderuar që kam në intervistë me ju, z. Karlo.
Faleminderit!

Ju keni qenë Kryetar i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri deri në vitin 1995. Pastaj, pas një historie shumë të gjatë për të cilën do të flasim gjatë sot, jeni larguar nga Shqipëria dhe keni kërkuar azil politik në SHBA duke filluar një jetë të dytë atje. E keni rifilluar nga zero jetën tuaj. Filloni nga fillimi. Kur e keni filluar aktivitetin tuaj si jurist përpara dhe pastaj si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit?
Unë kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1982 dhe pastaj kam filluar si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë. Kam punuar për rreth 10 vjet si pedagog dhe njëkohësisht kam qenë edhe gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Ishte një procedurë sidomos për t’u lidhur me praktikën, meqenëse unë dhe disa kolegë të tjerë jepnim lëndë specialiteti duhej të kishim edhe përvojë në gjykime. Në atë periudhë gjyqtarët zgjidheshin nga populli, të paktën formalisht, dhe kam shërbyer në atë detyrë për disa vite, por puna e paguar ishte si profesor në Fakultetin e Drejtësisë. Në shtator të 93-shit, pra më 23 shtator, Presidenti Berisha më propozoi si Kryetar të Gjykatës së Kasacionit dhe Parlamenti e miratoi propozimin e tij. Në fakt, këtë detyrë unë nuk e doja. Unë në atë periudhë isha Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Parlament, deputet i zgjedhur me votat në sistemin mazhoritar në vendlindjen time, në Mirditë, dhe nuk doja ose e mendoja që kishte të tjerë mbase që mund ta kryenin detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit dhe unë të vazhdoja të kontribuoja në legjislacionin e ri që do të miratohej në Parlament. Sidoqoftë, u miratua, pavarësisht se rezistova. Edhe Presidentit i shpreha opinionin tim, edhe Kryetarit të PD-së së asaj kohe, Eduard Selamit. Ata insistuan dhe, për rrjedhojë, unë u votova në Parlament.

Por ju ishit edhe dëshmitar i një lëvizjeje në Qytetin Studenti në vitin 90-të. Pra, keni qenë edhe anëtar i PD-së, me sa duket.
I kujtoj me shumë, si të thuash, edhe nostalgji ato ditët e lëvizjes të dhjetorit 90-të. Unë isha pedagog. Flija në Qytetin Studenti në godinën nr. 18 bashkë me disa pedagogë të tjerë. Pra i përjetuam sidomos ato mitingjet, protestat e fuqishme të rinisë. Dhe ku është rinia atje është ndryshimi. Por, dua të theksoj se lëvizja studentore e dhjetorit dhe përmbysja e diktaturës është vepër tërësisht e studentëve. Intelektualët, përfshirë profesorët dhe mua, nuk mund ta rrëzonin diktaturën nëse s’do të ishin ngritur studentët. Prandaj, çdo tendencë për të zvogëluar meritat e studentëve të asaj periudhe apo edhe përvetësimi i fryteve të kësaj lëvizjeje, mua më duket e pandershme.

Pra ju vetë, s’keni marrë pjesë në lëvizje?
Kam marrë pjesë në të gjitha protestat.

Por jo si udhëheqës…
Jo si udhëheqës. Më 11 dhjetor të 90-ës jam zgjedhur në përfaqësinë që do të shkonte në takim me Ramiz Alinë. Pra, isha një ndër pedagogët e zgjedhur për të marrë pjesë dhe për të përfaqësuar lëvizjen e dhjetorit. Janë momente, si të thuash, shumë emocionale dhe nuk e di nëse është vendi të zgjatem sepse ishte dhe 8 dhjetori. Nuk e di se sa u festua, jo u festua, por të paktën sa u vlerësuan studentët që bënë lëvizjen e asaj periudhe.

Pra aty ka qenë takimi i parë me z. Berisha, me sa duket…
Jo, 11 dhjetori s’ka qenë takimi i parë sepse Berisha nuk ishte në takimin me studentët. Takimi me Berishën ka ardhur më vonë, mbase në vitin 1991 kur u bënë zgjedhjet e para pluraliste. U mundova të kontribuoj me aq sa munda për zgjedhjet e para, ndërsa më 22 mars të 92-shit, unë kam qenë kandidat i PD-së dhe populli i Mirditës më votoi dhe unë fitova si kandidat.

Pastaj në vitin 1993 me propozimin e Presidentit Berisha u emëruat si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, pra, figura më e lartë në drejtësinë shqiptare. Pas sa muajsh nga zgjedhja juaj filluan problemet e para, tensionet e para me Presidentin Berisha? Ta kujtojmë se çfarë ka ndodhur?
Muajt e parë, siç e theksuat, vërtet kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet shqiptare, përfshi dhe Presidentin. Unë, si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, kam mbrojtur në qeveri projektbuxhetin e Gjykatës së Kasacionit, kam insistuar, luftuar (në kuptimin pozitiv) për të bindur kryeministrin dhe ministrat për rritjen e pagave të administratës gjyqësore e të Gjyqësorit, madje aty jam ndeshur edhe me një mentalitet që i ka kushtuar shumë Shqipërisë në këto 25 vite. Mendimi i tyre ishte: “Përse t’ua rrisim pagat gjyqtarëve? Ata marrin para nga qytetarët”. Më duket se ky mentalitet është rishfaqur edhe këtë vit kur diskutohej për projekt-reformën në drejtësi. Pra, pas periudhës, le të themi, të marrëdhënieve shumë të mira me institucionet e tjera, u intensifikua ose filloi të shpeshtohet e të tejkalohet masa e brutalitetit, e ndërhyrjes së Ekzekutivit në punët e Gjyqësorit. Kishte raste që vinin letra nga Presidenca apo nga institucionet e tjera për çështje gjyqësore, mbase dhe për çështje të thjeshta që i përkisnin Gjyqësorit.

Letra zyrtare?
Po, “shikojeni me kujdes këtë çështje apo atë çështje”. Kjo nuk ishte diçka e ligjshme. Unë e kuptoja presionin që mund të ndiejë Presidenti apo disa deputetë nga qytetarët sepse e keqja është se akoma në Shqipëri, mbase qytetarët mendojnë se punët e Gjyqësorit duhet t’i zgjidhim te politika. Pra, edhe për çështje të thjeshta, qytetarët duhet të respektojnë procedurat ligjore, edhe për apelimet, edhe për ankimet dhe jo të politizojnë çështjet e tyre në raste të caktuara.

Ajo ishte një periudhë shumë e ndërlikuar se kalonte nga një fazë politike diktatoriale ku Gjykata ishte vegla e drejtpërdrejtë e pushtetit, në një fazë ku demokracia duhej të ndërtonte një drejtësi të pavarur. Kjo drejtësi e pavarur kishte mundësi për të jetuar apo kishte prapë një kushtëzim shumë të fortë nga politika?
Siç e theksova, kontradikta midis Gjyqësorit dhe pushtetit ekzekutiv lindi kur Gjyqësori deshi ose shfaqi tendencën për të qëndruar si një pushtet gjyqësor i pavarur dhe për të gjykuar vetëm në bazë të provave dhe ligjit. Kjo nuk i pëlqente politikës apo edhe Berishës, për disa çështje kryesore ku politika kishte interes. Unë nuk dua të flas gjatë se nuk mjafton koha dhe mbase nuk ka dhe interes për këtë, por le të përmendim disa momente. Përplasja e parë publike ka qenë me gjyqin e dy gazetarëve të gazetës “Koha Jonë”. Mosmarrëveshjet e mëparshme jam munduar, madje edhe deri vonë, që t’i zgjidh me mirëkuptim.

Për të kujtuar historinë, arrestohen dy gazetarë të gazetës “Koha Jonë”, të cilët ishin Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, ishin dënuar me burg me akuzën “shpërndarje dhe publikim informacioni sekret”. Çështja pastaj arriti në Gjykatën e Kasacionit dhe ju keni rrëzuar vendimin e dhënë, apo jo?
Erdhi çështja në Gjykatën e Kasacionit. Unë isha kryesuesi i trupit gjykues, i cili vendosi t’i shpallë dy gazetarët të pafajshëm. Në dy shkallët e tjera ishin shpallur fajtorë dhe të dënuar, siç e theksuat edhe ju. Ne zbatuam ligjin duke u nisur edhe nga ajo e drejtë kushtetuese që kishim vënë në ligjin kushtetues të vitit 1993 për të drejtat e njeriut.

Pra, çfarë ndodhi pas vendimit tuaj?
Pas vendimit, vjen një telefonatë. Më merr Presidenti në telefon dhe më thotë: “Zef, eja në zyrë”. Nga toni e kuptova që diçka nuk shkonte sepse toni i zërit nuk ishte dashamirës, por pak si urdhërues. Shkova në zyrën e Presidentit Berisha, pra ishte mesi i vitit 1994, dhe Berisha pa u zgjatur shumë, më tha: “Pse i dhatë pafajësinë gazetarëve? Përse nuk më pyetët mua?”. U mundova t’i shpjegoj Presidentit që për çështje gjyqësore nuk mund të pyeten institucionet e tjera, qoftë dhe Presidenti. Unë i thashë: “Zoti President, nëse ju doni vërtet që të bënin edhe punën e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, atëherë është krejt e thjeshtë, po e zgjidhim në mënyrë miqësore”. Nxora çelësat e zyrës dhe ia lashë mbi tavolinë. I thashë: “Ja dhe çelësat e zyrës. Unë do të jap dorëheqjen”. Përse do ta bëja këtë? Sepse unë e kuptova që pavarësia e Gjyqësorit do të ishte një luftë shumë e vështirë dhe mbase do të dështoja. Do të dështoja sepse mentalitetet diktatoriale ishin të ngulitura thellë në kokën e Presidentit.

U pranua dorëheqja juaj?
Në fakt, u nisa të dal nga zyra për të shkuar te zyra ngjitur dhe për të shkruar dorëheqjen, 2-3 rreshta, shkurt. Berisha më ndoqi nga pas, duke m’u lutur, mund të them, duke më thënë: “Kthehu, le të bisedojmë”. Ishte herët, mund të them, dhe dorëheqja do të shkaktonte njëfarë keqkuptimi, si të thuash, edhe në kontekstin e Shqipërisë të sapodalë nga diktatura dhe që po synonte të bëhej demokratike. Sidoqoftë, Berisha më zgjati çelësat, u ulëm, biseduam edhe pak dhe unë shkova.

U kalua ky incident i parë.
Ky incident në atë kohë nuk është bërë publik. Publik është bërë shumë kohë më vonë, pasi filloi, si të thuash, lufta e hapur dhe brutale ndaj Gjyqësorit.

Pra, pas kësaj ju u pajtuat me Presidentin e Republikës dhe jeni nisur së bashku me një delegacion për në SHBA për një vizitë zyrtare. Ndoshta kjo ishte vizita e parë që përfaqësues të drejtësisë shqiptare realizonin në SHBA, një vizitë e suksesshme sipas shtypit të asaj kohe dhe pastaj pas kthimit tuaj çfarë ka ndodhur? Pas kthimit tuaj në Shqipëri është rihapur prapë konflikti.
Në dhjetor të 94-ës, unë si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit, disa gjykatës të tjerë të asaj gjykate dhe disa nëpunës të stafit administrativ patëm një vizitë dhe një trajnim shumë të suksesshëm në Amerikë për një periudhë jo të shkurtër, por prej disa javësh. Bëmë takime në institucionet më të larta të Amerikës, përfshirë edhe në Gjykatën e Lartë, me këshilltarët kryesorë të Presidentit Klinton, në Departamentin e Shtetit, në Senatin Amerikan dhe ajo që dua të theksoj është mbështetja e fuqishme që iu premtua Gjyqësorit tonë nga të gjitha institucionet amerikane. Amerika e ka shumë të shenjtë Gjyqësorin. Është Gjyqësori ai që ruan balancat, është gardiani i lirisë dhe i demokracisë në Amerikë dhe amerikanët janë shumë të ndjeshëm ndaj Gjyqësorit e prandaj nga bisedat që bëmë ata e kuptuan dëshirën tonë, idealin tonë për të ndërtuar një Gjyqësor të pavarur. U bindën që me ndihmën e tyre mbase ne mund të bënim ndryshime edhe në Gjyqësorin shqiptar prandaj ata na premtuan një ndihmë të jashtëzakonshme.

Sapo u ktheva nga ajo vizitë – ishte fundi i dhjetorit të 94-ës, nuk e mbaj mend tamam tani, mund të ketë qenë 29 dhjetori i 94-ës, nuk jam shumë i sigurt, kujtesa bën të vetën sepse kur je emigrant në Amerikë s’ke shumë kohë që të kujtosh të kaluarën sepse duhet të ndërtosh jetën aty ku je – isha duke punuar në zyrë, ishte ora mbase 10 paradite, kur mora një telefonatë nga Parlamenti. Dy deputetë të PD-së, që unë i kisha miq sepse kam qenë edhe vetë deputet i PD-së në atë periudhë, para se të zgjidhesha Kryetar siç e theksuam edhe më parë, dhe më thonë: “Zef, u ktheve nga Amerika?”. “Po”, – u thashë. “Po çfarë po bën? Ku je?”. “Jam në zyrë dhe po punoj”, – u thashë. “More, i qetë je ti që po punon?”. Vetë pyetja sikur tingëlloi që diçka ka ndodhur. “I qetë”, – u thashë, – “Pse?”. “Ne kemi dy orë këtu”, – më thanë, – “që po diskutojmë të të heqim imunitetin. A di gjë ti, a të kanë informuar?”, – më thanë. U thashë: “Unë s’di asgjë, por ju si Parlament merrni vendimin, por më parë do të ishte mirë që të më dëgjonit”.

Me çfarë akuzash? Përse?
Ata erdhën, më sollën edhe shkresën e Prokurorit të Përgjithshëm. U dhashë shpjegimet, u thashë: “Jam krejt i qetë para së vërtetës sepse imuniteti i vërtetë është ai që çdo person i jep vetes. Ai që shkel ligjin as duhet të ketë imunitet dhe as duhet t’i jepet imunitet”. Në këtë kuptim unë ndjehesha i qetë sepse akuza ishte që gjoha unë kisha shpërdoruar detyrën sepse kisha firmosur njoftimin për një të gjykuar të asaj kohe, që ishte liruar nga burgu nga Gjykata e Kasacionit. Unë s’kisha qenë pjesë e trupit gjykues, i cili kishte vendosur prishjen e vendimit të gjykimit të mëparshëm. Është shumë e gjatë nëse hyjmë në detaje.

Për ta shpjeguar shkurtimisht: ishte një vendim që Gjykata e Kasacionit e kishte prishur dhe automatikisht kishte një urdhër lirimi të një biznesmeni grek që ishte arrestuar në Shqipëri dhe ju i keni dhënë një kopje të urdhrit të lirimit avokatit mbrojtës të bizmensmenit.
Po.

Dhe kjo ishte akuza…
Kjo u quajt shkelje se përse i është dhënë kopje avokatit mbrojtës. Vetë kjo mënyrë gjykimi ishte një dëshmi tjetë se akoma procedura dhe mentaliteti i së kaluarës deri në vitet 90-të kur nuk lejohej që të kishte avokati, ishte ngulitur në kokën e Berishës dhe mbase edhe të disa politikanëve të tjerë. Dihet që avokati ka të drejtë të ketë çdo dokument apo shkresë që lidhet me çështjen e klientit të tij. Por të mos hyjmë në detaje teknike se mbase nuk janë me interes.

Por, në mos gaboj, ishte Kuvendi me shumicën e PD-së ai që nuk ta hoqi imunitetin.
Unë në fakt, që në atë moment kur dy deputetët u larguan, përfitoj këtu nga rasti që t’u shpreh mirënjohjen time për gjestin fisnik që treguan, i shkrova një letër Kryetarit të Parlamentit të asaj kohe, z. Arbnori, ku i kërkoja që të më thërrisnin për të dëshmuar. Kjo letër iu dërgua zyrtarisht ndërkohë që Parlamenti vazhdonte diskutimin për heqjen e imunitetit. Nuk më thirrën. Parlamenti votoi pa më dëgjuar dhe votoi kundër kërkesës për heqjen e imunitetit. Këtu dua të theksoj diçka. Në atë periudhë Partia Demokratike kishte shumicën në Parlament dhe Berisha ishte President i zgjedhur nga Partia Demokratike. Pra, po të donte Parlamenti, do ta kishte hequr pa problem imunitetin, por në atë periudhë dhe besoj që është, si të thuash, një konkluzion i mirëpranuar sot që Parlamenti i viteve 1992-1996 është mbase më i miri Parlament ose që ka pasur Shqipëria në këto 25 vite. Ka pasur deputetë me integritet, të shkolluar, kishte edhe të persekutuarë politikë. Ata e kuptuan që nëse do të votonin sipas diktatit të Berishës ata do t’i shkaktonin një dëm të madh demokracisë dhe balancave të pushtetit në Shqipëri. Unë i falënderoj të gjithë ata.

Në janar të vitit 1995 në Parlament u diskutua një kërkesë e dytë për heqjen e imunitetit…
Çuditërisht po. Në fakt më 31 dhjetor të 94-ës unë marr një përgjigje nga Kryetari i Parlamentit, pas votimit të Parlamentit që nuk e hoqi imunitetin, më erdhi një përgjigje për letrën me të cilën unë kërkoja që të dëgjohesha, por kjo letër erdhi pas votimit të Parlamentit dhe më premtonin se do të më dëgjonin nëse shtrohej kërkesa për heqjen e imunitetit. Pra, letra me sa duket linte të hapur rrugën që sa herë të donte Berisha mund të urdhëronte Parlamentin për ta rifutur çështjen. Ishte fundi i janarit të 95-ës dhe përsëri, paradite po punoja në zyrë, kur më vjen zëdhënësi i shtypit me dy-tri gazeta që në faqen e parë kishin lajmërimin që “sot Parlamenti voton heqjen e imunitetit të Kryetarit të Kasacionit, Zef Brozit”. U çudita në fakt sepse m’u duk diçka jo serioze në kuptimin institucional, se prisja që të më thërrisnin, nuk kisha asnjë njoftim që do të bëhej ajo seancë, nuk kisha asnjë thirrje që të më dëgjonin. Dua të kujtoj edhe një moment, madje që në dhjetor të 94-ës kur ditën e votimit unë i kam dërguar shkresën Prokurorit të Përgjithshëm dhe numrin e telefonit tim duke e njoftuar që pa pritur vendimin e Parlamentit të më njoftonte një orar që të jepja shpjegime. Por prokurorët s’kishin kurajë të më thërrisnin sepse e dinin se çfarë akuza të manipuluar bërë me urdhër të Berishës.

Akuza ishte e njëjtë me atë të rastit të parë?
Po, po, akuza ishte e njëjta.

Dokumenti që ju i keni dorëzuar avokatit?
Po. Në fakt kur e lexova në gazetë edhe u revoltova sepse ajo ishte një sjellje shumë e padenjë ndaj kryetarit të institucionit. Nuk ka rëndësi individi si Zef, Berishë etj. Ka rëndësi institucioni. U nisa për të shkuar në Parlament, por çuditërisht nuk u lejova të hyj, madje që te rruga që të çon drejt Parlamentit roja, një ushtar më ndalon makinën. Shoferi i thotë që jam me Kryetarin e Kasacionit dhe ushtari i thotë që: “Unë e di por kam urdhër që të mos e lejoj”. Aty unë i thashë ushtarit: “Ju e zbatuat urdhrin, më ndaluat, e kryet detyrën”. Pastaj i them shoferit: “Jepi makinës” dhe futemi tek oborri i Parlamentit. Desha të ngjitem në llozhë. Zakonisht, edhe shkonim ndonjëherë kur ishte në diskutim ndonjë projekt.

Ishte normale që Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të merrte pjesë?
Kur kishte interes, mund të merrte pjesë Kryetari i Kasacionit por edhe drejtues të tjerë. Sidoqoftë, edhe aty rojet te dera nuk më lanë.

Pra ishte dhënë urdhër kudo që të mos lejohesha. Nxorën shumë prektekste. Është histori shumë e gjatë. Diskutohej heqja e imunitetit tim, por vinin edhe ambasadorë të huaj që e kishin kuptuar shumë mirë situatën sa e rrezikshme dhe dëmshme ishte për demokracinë.
Si përfundoi votimi?

Para se të shkojmë te votimi dua të tregoj edhe një moment, në qoftë se më lejoni. Kam pritur në oborrin e Parlamentit për disa orë, duke u kërkuar deputetëve që t’i thoshin Kryetarit të më lejonte që të shpjegohesha për akuzën. Edhe kriminelit më të rrezikshëm ligji i jep të drejtën e shpjegimit, të dëgjimit. Ndërsa Kryetari i Kasacionit të Shqipërisë pengohej dhe nuk i jepej e drejta të mbronte veten, ose jo të mbrojë veten, por të paktën të thotë të vërtetën. Aty i kam bërë një letër të shpejtë me shkrim dore, Kryetarit të Parlamentit, pas disa orësh pritjeje. Nuk po futem në përmbajtjen e letrës, por me sa duket letra e bëri efektin dhe Kryetari më lejoi që unë të shpjegohesha. Shpjegimi ishte i shkurtër sepse nuk kisha se çfarë të shpjegoja gjatë. Unë u thashë deputetëve që isha i hapur për çdo pyetje që mund të kishin. Pyetjet do t’i bënin me shkrim. Filluan të çojnë pyetjet te Kryetari i Parlamentit dhe pas pyetjes së parë u lexua një pyetje që s’kishte të bënte fare me akuzën, por për një çështje për të cilën ai më kishte ardhur në zyrë, kishte tërhequr dosjen dhe pas asaj pyetjeje çuditërisht Kryetari i Parlamentit tha që s’kishte më pyetje edhe pse kishte edhe disa pyetje të tjera përpara. U votua.

Sipas ligjit kur votohet për heqje imuniteti, votimi është i fshehtë. Urdhri i Berishës ishte që votimi të bëhej i hapur. Kryetari i Parlamentit ishte në një pozicion të vështirë. Ai kishte vuajtur vetë në burgjet komuniste, e ndjente padrejtësinë që po bëhej, por kishte edhe urdhrin e Berishës. Edhe shumë deputetë kërkuan votim të fshehtë. Sidoqoftë u votua për mënyrën e votimit, një procedurë që nuk ekzistonte as në Kushtetutë as në ligj as në Rregulloren e Parlamentit. Pra, u bë një novacion i procedurës për çështjen e votimit. Për fat, me pak vota diferencë fitoi mënyra e votimit të fshehtë. Pastaj u kalua në votim dhe përsëri Parlamenti nuk e hoqi imunitetin tim. Dhe kështu përfundoi edhe për herë të dytë kërkesa për heqje imuniteti si një dështim i urdhrave diktatoriale të Presidentit Berisha, që kishte të bënte me një filozofi të tij, që ai të urdhëronte, të komandonte gjykatat, Prokurorinë, SHIK-un dhe të gjitha institucionet. Pra, fytyra e re e diktaturës së kaluar përfaqësohej te Berisha.

Kjo i ka acaruar akoma më shumë marrëdhëniet midis jush dhe zotit Berisha. Pra, rrëzimi nga Kuvendi për heqjen e imunitetit do ta ketë acaruar akoma më shumë marrëdhënien, besoj…
Po, natyrisht. Kishte kohë që s’isha takuar me Berishën ndonëse i kisha kërkuar që të më priste që të bisedonim si drejtues seriozë të institucioneve të reja të demokracisë që po ndërtohej, por ai nuk pati kurajën që të më presë.

Duhet të kujtojmë që Berisha kishte pësuar një humbje të madhe para disa muajve në referendumin për reformën kushtetuese. Pra ishte momenti kur politika shqiptare po kalonte një farë tensioni brenda shumicës. Ju keni trajtuar dy çështje gjyqësore shumë të famshme. Njëra ishte çështja gjyqësore e pesë minoritarëve grekë, për të cilën ju përsëri keni mbajtur një qëndrim që ishte kundër qëndrimit të Presidentit Berisha, apo jo?
Po. Humbja e referendumit, si të thuash, ishte një surprizë për mazhorancën dhe Presidentin Berisha. Nuk e prisnin që mund të humbte referendumin. Dhe ajo dha mesazhin që pushteti i Berishës po lëkundej. Mbase kjo e shtyu atë që të kalonte në veprime të tjera akoma më të egra kundër Kushtetutës dhe ligjit për respektimin e balancës dhe pavarësisë së institucioneve. Mbase votimi i dytë në Parlament, në fund të janarit 1995, por që kapi edhe disa minuta në orët e para të 1 shkurtit të 95-ës, kishte si synim me sa duket që unë të mos isha pjesë e trupit gjykues të çështjes së pesë minoritarëve, e cila ishte bërë një çështje e madhe ndërkombëtare në Këshillin e Evropës, në qeverinë amerikane, në Shtëpinë e Bardhë. Ishte shqetësimi se në Shqipëri po dhunoheshin të drejtat e minoritetit.

Në fakt ata ishin të arrestuar…
Ishin të arrestuar, ishin gjykuar dhe dënuar. Disa prej tyre kishin vuajtur edhe në burgjet e komunizmit, si të persekutuar politikë. Dhe akuza ishte për spiunazh dhe për armëmbajtje pa leje, për disa çifte, të cilat i kishin blerë dhe kishin paraqitur kërkesë për t’u pajisur me leje. Por s’dua të hyj në detaje sepse tani nuk e kam edhe dosjen përpara. Ishte një çështje që kishte bërë shumë zhurmë dhe që mund të bëhej një bllokim i avancimit të Shqipërisë drejt institucioneve perëndimore. Edhe në vizitën që bëra unë në dhjetor të 94-ës në Amerikë, ishte përmendur dhe ishte kërkuar që Gjyqësori të respektojë ligjin, provat dhe të drejtat e minoritetit. Ditën e gjykimit, në fakt përpara, u bë tentativa që m’u kërkua, përmes disa misionarëve që dërgonte politika apo edhe Berisha, që unë të hiqja dorë nga ai trup gjykues. Presioni ka qenë i jashtëzakonshëm mbi gjyqtarët dhe Gjykatën për këtë çështje. Interes, qoftë edhe në ditën e gjykimit, kishte edhe nga shumë ambasada, kishte edhe të tjerë, gazetarë. Dhe kishte edhe jo pak punonjës të SHIK-ut aty në sallë. Ishin aty prezent. Trupi gjykues mori një vendim në fakt disi më diplomatik, një zgjidhje, mund të them, disi më diplomatike në drejtim të pafajësisë. Vendimi nuk i shpallte të pafajshëm, por dënimin ua linte me kusht dhe kërkonte që ata të liroheshin, shmangte burgun.

Pra, një kompromis për të ulur tensionin…
Unë isha në fakt për pafajësi, por isha në pakicë. Sidoqoftë, ai ishte një vendim i guximshëm i trupit gjykues përballë një presioni të jashtëzakonshëm të SHIK-ut, të institucioneve të tjera të pushtetit jodemokratik.

U kontaktuat prapë nga zoti Berisha?
Unë, sapo u shpall vendimi i trupit gjykues – salla ishte në katin e tretë, zyra ime në katin e dytë – zbres, po hiqja rrobën e gjyqtarit në dhomën ku rrinte sekretarja. Ishte plot aty edhe me gazetarë të tjerë që kërkonin mbase edhe intervista për vendimin, për gjykimin, kur bie telefoni. Ishte, le të themi tani i ndjeri, Bashkim Gazidede, Kryetari Shërbimit Informativ të asaj kohe – SHIK-ut. Flet sekretarja dhe më jep telefonin. Ai më kërcënoi direkt: “Ti i lirove ata spiunët, armiqtë e Shqipërisë. Unë do të vij të të vras me dorën time”. Nuk po zgjatem më tej. Sidoqoftë edhe ky gjest, ky kërcënim është një dëshmi tjetër se sa e egër po bëhej dita-ditës kundërshtimi i Ekzekutivit me në krye Presidentin dhe disa institucione të tjera ndaj Gjykatës së Kasacionit. Pse ishte kjo egërsi? Gjykata e Kasacionit, ndonëse nuk ishte perfekte ose në atë masë që edhe unë si kryetar i saj do të doja, apo edhe qytetarët prisnin, përsëri po jepte shpresa me disa vendime kurajoze në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve, në mbrojtje të të drejtave të shtetasve pa dallim përkatësie politike, etnie, apo pozite shtetërore. Dhe unë uroj që kjo të arrihet, pra që shqiptarët të besojnë në gjykatat dhe qytetarët e pushtetarët të jenë realisht të barabartë para ligjit.

Të flasim për çështjen e fundit që ju trajtuat atëherë, çështjen Nano. Unë kam një pyetje: kishte korrupsion në drejtësi atëherë, përveç rastit të Gjykatës së Kasacionit, që ishte një ishull i pavarur. Po pjesa tjetër e drejtësisë kishte korrupsion? Ishte e korruptuar apo jo?
Unë besoj që, ose dua të them, që s’marr përsipër se s’kam fakte e prova, nuk them se Gjyqësori ishte shumë i ndershëm ose 100% i ndershëm. Duhet të kishte, sepse dëgjoja në fakt edhe në opinionin publik, që kishte pakënaqësi edhe ndaj disa gjyqtarëve apo gjykatave. Por, prapë, në qoftë se do të krahasohej opinionin i publikut në vitet 1992-1995 me opinionin e sotëm, unë mund të them se Gjyqësori në atë periudhë kishte më shumë integritet, më shumë besim në popull. Dhe pra, mund të them që çështja e korrupsionit nuk ishte kurrë në përmasat që thuhet se është sot. Dhe synimi ose dëshira ime si drejtues i Gjyqësorit ishte që çdo gjyqtar i korruptuar të përgjigjej para ligjit dhe jo të fajësosh Gjyqësorin si institucion sepse është fatkeqësi që edhe sot themi Gjyqësor i korruptuar, Parlament i inkriminuar, qeveri e korruptuar dhe nuk përmendim emra, nuk çojmë individë para gjyqit që të marrin ndëshkimin sipas ligjit. Më 1993-1995 vetë Gjykata e Kasacionit ka denoncuar gjyqtarë për shpallje të një vendimi gjyqësor haptazi të padrejtë dhe janë dënuar. Pra, ne si institucion kontribuam duke dërguar gjyqtarë në Prokurori, duke gjykuar mbi bazën e disa dosjeve. Natyrisht sot, e mira do të ishte, që vetë Gjyqësori t’i denonconte edhe gjyqtarët e korruptuar, edhe avokatët që e njohim korrupsionin më mirë se askush tjetër nëpër gjykata të bëjnë denoncime për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Kjo s’po ngjet. Kjo është fatkeqësi.

Ju keni qenë edhe anëtar i KLD-së. Si funksiononte atëherë KLD-ja?
KLD-ja. Kam qenë anëtar për disa kohë meqenëse isha Kryetar i Kasacionit. Absolutisht KLD-ja si atëherë, si sot, është përgjegjësja më e rëndë për shkatërrimin e Gjyqësorit. Në atë periudhë u emëruan gjyqtarë, në shumë raste, vetëm mbi bazën e bindjeve politike të këtij apo atij individi. Nuk u mor parasysh përgatitja profesionale, integriteti. Pra, u politizua. KLD-ja e politizoi Gjyqësorin duke dërguar në Gjyqësor militantë politikë.

Që nga fillimi KLD-ja ka qenë gjithmonë e politizuar?
Po. Madje, në shumë raste unë kam qenë votë e vetme kundër dhe në një moment unë e deklarova aty në mbledhjen e KLD-së se “e shoh që unë s’kam më vend këtu” sepse nuk po dëgjohej zëri i Kryetarit të Kasacionit për disa emërime skandaloze që po bëheshin. Edhe në këto vite, pra, madje edhe deri më sot, Presidenti dhe të gjithë anëtarët e KLD-së janë përgjegjës për emërimet në Gjyqësor. Unë s’dua të bëhem pjesë e thashethemnajave, por mbase deri diku ju e dini se sa mund të ketë shkuar çmimi për emërimin e një gjyqtari. Dëgjoj thashetheme. Unë jam jashtë Shqipërisë. Këto janë opinionet e qytetarëve.

Kjo është situata aktuale e Gjyqësorit. Por, po kthehemi prapë në vitin 1995. Ju ose Gjykata e Kasacionit e ka ridimensionuar dënimin për rastin e pesë minoritarëve duke e acaruar marrëdhënien jo vetëm me Presidentin Berisha por edhe me SHIK-un. Dhe pastaj vjen edhe çështja e fundit, çështja Nano. Fatos Nano ishte lideri i Partisë Socialiste, lideri i opozitës shqiptare, i cili ishte futur në burg me akuza për korrupsion nga Berisha. Çështja arrin në tavolinën e Gjykatës së Kasacionit. Cili ka qenë qëndrimi juaj?
Qëndrimi im. Qëndrimin tim, mbase duhet ta shpjegoj, se kam qenë në dy pozicione me ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano. Kur isha Kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe deputet kam votuar për heqjen e imunitetit të Nanos dhe mund të them që ishte votim i bazuar në ligj dhe në prova. Pra, jam i lumtur që kam votuar për heqjen e imunitetit. Pse? Sepse Fatos Nano po akuzohej për shpërdorim detyre, përjashtim nga taksat të Hajdin Sejdisë dhe disa të tjerëve. Me sa mbaj mend kjo ishte një pjesë e akuzës dhe pjesa tjetër ishte për shpërdorimin e ndihmave që vinin nga Italia. Për atë të Hajdin Sejdisë mbase s’jam shumë i sigurt, por ishin dy akuza. Çështja u gjykua në Gjykatën e Tiranës, kur unë isha deputet në atë periudhë. Më pas në Gjykatën e Apelit. Në Gjykatën e Tiranës u deklarua fajtor për shpërdorim të detyrës, u dënua nuk e di se sa vite. Në Gjykatën e Apelit me sa duket dënimi iu duk i shkurtër Berishës ose të tjerëve dhe iu ndryshua akuza në vjedhje në favor të të tretëve dhe iu rrit dënimi, plus që kishte edhe ca shkelje të tjera të rënda procedurale. Ishte gjykuar në Gjykatën e Kasacionit nga tre gjykatës dhe në fakt ishte lënë në fuqi vendimi i Apelit.

Por unë s’kisha qenë gjyqtar në atë periudhë në trupin gjykues. Tani, sipas ligjeve të asaj kohe, Kryetari i Kasacionit kishte të drejtë që, me kërkesën e të pandehurit, bënte kërkesë për mbrojtje ligjshmërie, nëse në gjykime kishte konstatuar shkelje ose kishte prova të bazuara që çështja duhej kthyer për rigjykim. Dhe këtë bëra. Kërkesë për mbrojtje ligjshmërie, për ta dërguar çështjen për t’u rigjykuar nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Kasacionit. Ishte një procedurë normale sipas ligjeve të asaj kohe. Kjo nuk i pëlqeu pushtetit, kuptohet. Të them të drejtën, unë nuk kisha ndonjë simpati për Fatos Nanon, por në pozicionin e Kryetarit të Kasacionit, simpatitë dhe antipatitë personale nuk duhet të ndikojnë në vendimmarrje. Unë po luaja me zjarrin, në fakt. Shumë lehtë mund të mos e pranoja kërkesën për mbrojtje ligjshmërie dhe mbase në një aspekt do ta zbusja, të paktën për atë çështje dhe presionin e dhunën e politikës ndaj meje si Kryetar i Kasacionit. Pra, edhe unë isha midis dy alternativave: të merrja përsipër një veprim që mund të më rrezikonte edhe mua si Kryetar të Kasacionit, të acaronte edhe më tej Berishën që tashmë e kishte dëshmuar se ishte jo vetëm i acaruar por edhe i rrezikshëm apo ta lija çështjen duke mos e miratuar kërkesën.

Duke shkelur procedurat pastaj, ligjin…
Nuk do të ishte shkelje e ligjit sepse kërkesa për mbrojtje ishte në diskredicionin e Kryetarit. Aty bëheshin me mijëra kërkesa dhe ne nuk i pranonim të gjitha. Nëse kishte shkelje të rënda dhe arsye për ta dërguar çështjen për rigjykim nga i gjithë trupi gjyqësor i Gjykatës së Kasacionit.

Ju e pranuat kërkesën…
E pranova dhe aty kuptova që në ditën e gjykimit çështja u sabotua. Shteti mori të gjitha masat që ta sabotonte gjykimin. Për fat të keq edhe Gjykata e Kasacionit ishte e ndarë më dysh. Një pjesë e gjyqtarëve mbështesnin pushtetin, ishin të gatshëm të zbatonin urdhrat e Berishës dhe ashtu bënë. Ndërsa pjesa që i qëndronte pavarësisë së Gjyqësorit mbeti në pakicë. Kështu që edhe gjykimi i çështjes Nano u sabotua, madje edhe kur u caktua për një datë tjetër, Gjykata e Kasacionit u rrethua me forca të shumta policie, SHIK-u, pra një presion i hapur jo vetëm me fjalë por edhe me uniformat e policisë apo edhe me oficerë civilë të SHIK-ut. Në atë periudhë Berisha po bëhej gati që të shkonte në Amerikë, në një vizitë zyrtare. Unë u mundova, mbase edhe kërkova publikisht që të bëjmë një takim si drejtues institucioni para se të shkonte në Amerikë për të takuar Presidentin Klinton. Kuptohet që askush nga drejtuesit qendrorë nuk pranoi se, me sa duket, zgjidhja në bazë të ligjit ose mirëkuptimi pa cenuar kompetencat e secilit institucion ishte diçka e huaj për mentalitetin e Ekzekutivit të asaj kohe.

Po me sa duket çështja Nano ka qenë pika e fundit e marrëdhënies me Berishën sepse në shtator 1995 vjen urdhri për shkarkimin tuaj nga Gjykata e Kasacionit…
Po. Në shtator vjen urdhri. Para urdhrit, përsëri u gjet një mënyrë si për të formuar, sajuar sebepe, shkaqe dhe u dërgua një çështje kundër Kryetarit të Kasacionit në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e disa urdhrave dhe për rishqyrtim të disa çështjeve. Dua të theksoj se Gjykata Kushtetuese e asaj kohe ishte nën vartësinë e plotë të Sali Berishës, nën komandën e tij. Dhe po të lexojmë edhe vendimin e saj lidhur me Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit, pra me mua, ata gjykatës po të jenë sot do të ndihen shumë të turpëruar për dëmin që i kanë bërë drejtësisë, jo mua si person, se kur je në një shërbim publik s’duhet të jesh thjesht vetja, përfaqëson institucionin. Natyrisht, integriteti personal ka shumë rëndësi. Dhe ashtu përfundoi çështja Nano. Berisha sapo u kthye nga vizita në Amerikë, më 21 shtator 1995, edhe këtu është një moment interesant. Sa dinake dhe sa të pabesa ishin veprimet e Sali Berishës. Të huajt janë skandalizuar me shumë veprimet që i bënte ai Gjyqësorit në atë periudhë, përfshi edhe këtë moment.

Pra më 21 shtator, në mbrëmje, pasi kisha bërë një pushim të vogël u ktheva në zyrë. Ishte ora 7 e ca e mbrëmjes kur më vijnë nja dy miq dhe më thonë: “A e di që Parlamenti tani në mbrëmje mund të diskutojë shkarkimin tënd?”. I thashë: “Nuk di gjë”. Pas pak më vjen edhe përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në zyrë dhe më thotë: “A ka ndonjë njoftim që Parlamenti sonte po diskuton propozimin e Berishës për shkarkimin tënd?”. I thashë: “Nuk di gjë”. Dhe s’kisha asnjë njoftim. Kisha një televizor aty në zyrë dhe u them: “Të dëgjojmë lajmet tani”. Hapa televizorin dhe në orën 8, në lajme, jepet që shkarkohet Kryetari i Kasacionit Zef Brozi, emërohet tjetri dhe pastaj mbaj mend që dha lajmin për përmbytjet në Lezhë. Këto ishin dy lajmet kryesore të natës së pabesë të 21 shtatorit 1995.

Pra ju e keni marrë vesh nga televizioni faktikisht…
E morëm vesh nga televizori. Unë e prita me qetësi në fakt sepse unë e dija luftën e egër që po bëhej. Nuk e dija që po propozohej për shkarkim, nuk kishte asnjë arsye ligjore. Propozimi ishte antikushtetues dhe një propozim i fshehtë. Në fakt opozita nuk merrte pjesë në Parlament në atë periudhë sepse kishte kërkuar që Kryeministri Meksi të paraqitej në Parlament për të shpjeguar përse Gjykata e Kasacionit mbahej e rrethuar me shumë policë, në shtator të 95-ës kur shqyrtohej çështja Nano. Dhe këtu përfundoi, si të thuash, edhe karriera ime si Kryetar i Gjykatës së Kasacionit. Unë e prita me qetësi dhe madje ai miku im, po i them miku tani sepse në atë periudhë unë s’është se kisha ndonjë njohje të madhe me të, më tha: “Si shumë i qetë”. I thashë: “Këtë pozitë Berisha ma dha me zor, nuk e kërkova”. Në fakt që nga vitet 1991-1992 unë kurrë s’i kam kërkuar ndonjë post apo ndonjë detyrë as Berishës e askujt. Isha pedagog, doja të rrija pedagog, natyrisht mund të isha edhe për këshilla juridike për PD-në e asaj kohe. Dhe me këtë kuptim nuk është se ndjeja ndonjë humbje të madhe personale. Humbjen e kishte Shqipëria. Mbase disa në atë kohë menduan që ishte një luftë personale. Unë isha në pozitën më të lartë të Gjyqësorit. S’do të kërkoja më shumë në karrierën time. Por ideali im për një Gjyqësor të pavarur u ndesh me një mentalitet krejt tjetër të Berishës dhe kjo shkaktoi konflikte institucionale. Mbase e kuptuan vonë, mbase edhe disa institucione të tjera.

Pra ju e keni marrë me qetësi shkarkimin tuaj. Kjo ndodhi në shtator 1995.
Natën e 21 shtatorit 1995.
Ju më vonë, më 12 nëntor 1995, vendosët bashkë me familjen tuaj që të shkonit si azilantë në SHBA. Pse ky vendim? Çfarë ndodhi ndërkohë?
Pasi më hoqën dhe unë isha një qytetar i thjeshtë, pa pushtet, pa mbrojtje, në natyrën time unë vij nga një familje e thjeshtë punëtore. Prindërit e mi s’kanë pasur shkollë, por mua më shkolluan që të përballoj jetën me punën time. Pra, menjëherë pasi më hoqën, unë mendova që do të filloja punën si akovat, do të hapja zyrën time të avokatisë. Me mbështetjen e disa miqve amerikanë krijova edhe një fondacion që do të synonte të bënte trajnime për Gjyqësorin, për avokatët, për demokracinë dhe do të ishte joqeveritar. Dhe ky ishte edhe pasioni im, si të thuash, përveç avokatisë. Pra unë nuk do të rrija duke u qarë përse më hoqën. Por mendova të ndërtoj jetën time si një qytetar dhe si një profesionist që është i vendosur për të ecur përpara pavarësisht nga dështimet që ishin dështime të politikës, jo të Zefit. Mendova që do të më linin të qetë pasi më hoqën. Nuk paraqisja ndonjë rrezik, nuk kisha më asnjë pushtet, por u gabova.

Unë mund ta them kudo se dhe më përpara dhe se kur isha kryetar ka pasur tendenca edhe për eliminim fizik. Kisha informacion nga miq në Shqipëri por edhe nga të tjerë, nga institucione ndërkombëtare, për t’u ruajtur kur lëvizja. Në nëntor 1994 bëra edhe një paralajmërim publik për Berishën, për këtë çështje dhe bëra shumë mirë. Pra mendova se Berisha do ta harronte, por nuk e harroi, as Berisha as SHIK-u. Me sa duket edhe qytetari Brozi paraqiste njëfarë rreziku për tendencat diktatoriale të pushtetit të asaj kohe. Puna e parë që bëra pasi u shkarkova ishte aplikimi për pasaportë, si qytetar, këtu në Tiranë ku edhe banoja. Dhe e kisha marrë pasaportën e thjeshtë. Kisha një ftesë për të shkuar në Amerikë, në një konferencë për Gjyqësorin. Kisha çuar pasaportën e thjeshtë në Ambasadën amerikane për të marrë vizë. Gjithashtu gruas sime, ne sapo ishim martuar në korrik 1995, iu akordua një bursë studimi në Amerikë. Pra, do të shkonim të dy njëherazi.

Më 5 a 6 nëntor 1995, më duket se ka qenë ditë e shtunë, rreth orës 5-6 të mëngjesit, bie dera dhe e para çohet Diana, nusja ime. Pa e hapur derën pyet: “Kush jeni?”. “Jemi policia”. Në atë moment, për fat një nipi im që ka qenë emigrant në Gjermani, kishte sjellë një kamera që e kishte montuar te dera, me të cilën ne nga brenda shihnim se kush ishte jashtë. Dhe pamë që te dera ishin disa persona me xhupa të zinj, qafëlesh, ishin civilë. Ishte edhe ndonjë polic mbase, se s’dukeshin të gjithë shumë mirë. Pra ishte diçka më shumë se policia. Nuk e hapëm derën. U thashë: “Keni ndonjë autorizim Prokurorie apo Gjykate? Çfarë doni?”. Më thanë: “Duam pasaportën diplomatike”. “E kam”, – u thashë, – “dhe do ta dorëzoj në Ministrinë e Jashtme”. “Jo”, – më thanë, “e duam ne, prandaj hape derën”. “Më jepni autorizimin që ju autorizon për ta marrë”, – u thashë. Më thanë që s’kishin autorizim. Nuk e hapëm derën dhe në fakt ai veprim na shpëtoi.

Nga dritarja pamë që ndërtesa ishte rrethuar me forca të shumta policie, pra ishte diçka shumë më serioze se sa një kërkesë për dorëzimin e pasaportës. Sidoqoftë unë kisha njoftim dhe më ishte kërkuar edhe nga Ambasada amerikane, që nëse do të kisha shqetësime duhej t’i njoftoja menjëherë. Në ato momente që nuk ishin të qeta (për fat të keq atë natë unë kisha edhe nënën në shtëpi, e cila sapo kishte dalë e operuar nga spitali dhe u shqetësua shumë), pra puna e parë që bëra atë mëngjes, ishte ajo që unë thirra disa deputetë dhe gazetarë që t’i kisha si provë. Disa erdhën dhe panë, ishin prezent edhe në bisedat e mëpasme. Erdhi edhe përfaqësuesi i Ambasadës amerikane dhe e pa vetë rrethimin.

Pse vazhdonte rrethimi?
Po, vazhdonte.

Kishte filluar në mëngjes dhe vazhdonte përgjatë gjithë ditës?
Po, ka vazhduar për disa ditë. Më vjen edhe një deputet, të cilit s’po ia përmend emrin, atëherë ishte disi në opozitë, kishte qenë me PD-në, pastaj u shkëput, tani është prapë me PD-në, mund t’ia përmend, është Arben Imami. Unë e kisha mik. Edhe Arbeni mund të ketë dëshirë besoj, që t’i jap një kredit edhe për atë gjë që bëri sepse erdhi, mori kurajën që të vinte të shihte se ç’po ngjiste. Arbeni më thotë: “Zef, unë e njoh këtë shefin e policisë që ka rrethuar ndërtesën (aty ishin policë edhe punonjës të SHIK-ut). Të dal ta ftoj dhe t’i japim pasaportën?”. “Po”, – i thashë, – “vetëm se do të bëj një deklaratë, i japim pasaportën me numrin e faqeve, të vizave, çdo të dhënë të pasaportës dhe e formulojmë”. E thirri atë shefin, emri i të cilit s’po më kujtohet tani, erdhi në shtëpi dhe pasi i bëmë nderet si mik, siç e ka zakon shqiptari, pavarësisht nga rrethanat dhe i zgjata pasaportën diplomatike që ta merrte.

Por para kësaj, në fakt, Arben Imami mori ministrin e Jashtëm dhe i tha: “A e keni autorizuar policinë që të marrë pasaportën e Zef Brozit?”. Ai i tha: “Ç’punë ka policia me pasaportën? Brozi duhet ta dorëzojë vetë por jo te ne, se ka ndryshuar ligji, por ta dorëzojë te Gjykata”. Në prezencën edhe të përfaqësuesit amerikan dhe të disa deputetëve e gazetarëve, kur i zgjata pasaportën, shefi i rrethimit (do ta quaj unë) nuk e mori. “Jo, prit”, – më tha, – “duhet të flas”. Nuk e di se me kë foli me radio, por u dëgjua që i thanë: “Mos e merr pasaportën, Brozi të dalë vetë e ta dorëzojë”. Pra dukej që preteksti nuk ishte marrja e pasaportës. Ata nuk kishin asnjë autorizim për ta bërë këtë. E vërteta ishte që po ta kisha hapur derën atë mëngjes herët, shteti do të më zhdukte në drejtim të paditur. Pra, ishte një qëllim më ogurzi sepse pasaportën as që pranuan ta merrnin. Kjo ngjarje dëshmoi se rreziku fizik vazhdonte. Ambasada amerikane dhe shteti amerikan pastaj morën masat që unë të largohesha nga Shqipëria për mbrojtje.

Jeni larguar në mënyrë të fshehtë?
Thashë më lart, që rrethimi ka vazhduar për një javë.

Ishit si në arrest shtëpiak.
Po, tamam ashtu. Një herë tentova të blija diçka te një dyqan aty afër sepse më kishin ardhur ca miq shqiptarë por edhe të huaj, që e kishin marrë vesh ndodhinë, dhe menjëherë mikrobuzi i policisë u afrua, por për fat erdhi makina e Ambasadës amerikane me përfaqësuesin e saj, i cili më mori dhe shkuam tek apartamenti im. Dua të sqaroj diçka. Unë e respektoj policinë edhe këtu edhe në Amerikë. Policia përfaqëson shtetin. Nuk kam asgjë edhe me ata policë që ishin të urdhëruar, por me ata xhup-lëkurë-zinjtë e Berishës, që mund të ishin edhe pjesëtarë bandash kriminale që përdorte ai në atë periudhë. Dua t’ju bëj një apel që të mendojnë për familjet e tyre dhe të mos zbatojnë urdhrat kriminalë të Berishës sepse e vërteta del. Këtë e them me përgjegjësi dhe në përgjithësi. Unë nuk e di nëse ata veprojnë akoma, por nëse ata veprojnë ose manipulohen, është më mirë që të shohin punën e tyre dhe jo të bëhen viktima të Berishës.

Si ndodhi pastaj largimi juaj?
Në fakt largimi im fizik ishte mbajtur sekret. Pak vetave u thashë që unë do të iki. Ka qenë ditë e diel kur jam larguar, më 12 nëntor herët në mëngjes. Me sa duket u mendua që meqenëse ata morën pasaportën diplomatike, unë s’mund të largohesha nga Shqipëria pa dokumente. Në fakt unë kisha marrë pasaportën e qytetarit të thjeshtë që në tetor 1995. Ambasada amerikane e kishte pasaportën time, vizat, biletat e avionit. Edhe në Rinas më ka shoqëruar përfaqësuesi i Ambasadës amerikane. Ishte herët në mëngjes. Kaluam, hipëm në avion, çuditërisht, ndonëse edhe mund të pritej, por hipëm pa probleme. U nis avioni, kur pak pasi kishte ecur, ndaloi. Menduam për ndonjë defekt teknik. Nuk e di ç’ka ndodhur realisht, por mund ta them me rezerva, dy-tri ditë pasi mbërritëm në Nju Jork, nga Anglia një ish-këshilltar anglez më duket se i Meksit a i Berishës, që më vonë u shpall i padëshiruar kur filloi të kritikojë korrupsionin e qeverisë, merr në telefon dhe komunikon me Dianën sepse unë s’dija anglisht në atë kohë. “Mister Brozi, kam dy pyetje: pra më 12 nëntor ju u larguat. U nis avioni dhe pastaj u ndalua”. “Po”, – i thashë. “A e dini pse?”. “Jo”, – i thashë. “Sepse”, – më tha, – “kishte një urdhër që të të nxirrnin jashtë nga avioni”. Kjo është ajo që më tha ai person në telefon. Realisht unë nuk e di se ç’ka ndodhur. Kështu ishte dhe largimi im nga Shqipëria, një largim i dhimbshëm dhe i zhgënjyer sepse unë isha ndër ata idealistë të lëvizjes së dhjetorit aq sa munda, por mbase isha i parakohshëm.

Zoti Brozi, kështu ju u larguat nga Shqipëria, morët azil politik, pastaj morët nënshtetësi amerikane, tani jeni qytetar edhe amerikan. Ju punoni në Amerikë në qeverinë federale bashkë me gruan tuaj. Vajza juaj ka pasaportë amerikane sepse është lindur atje. Tani, si qytetar amerikan por edhe si shqiptar që e keni njohur nga shumë afër drejtësinë, si ju duket situata e drejtësisë shqiptare nga SHBA?
Do të dëshiroja të thosha që duket shumë mirë, por në fakt duket jashtëzakonisht keq dhe më mirë se sa nga larg, e thonë qytetarët e Shqipërisë që nuk besojnë në institucionet shqiptare, pra në Gjyqësorin dhe Prokurorinë. Dhe kjo është e dhimbshme. Dhe meqenëse e njoh edhe unë, pavarësisht se kam gati 22 vjet larg, pra jam në vitin e 22-të si emigrant, si azilant politik në Amerikë, e kam ndjekur vazhdimisht situatën në Shqipëri, çfarë ngjet në Shqipëri, kam dërguar propozime e sugjerime të miat për projektligje të ndryshme që mësoja se po përpiloheshin.

Jam në dijeni se çfarë është bërë në këto vite edhe pse jam larg. E keqja është se qytetarët e kanë humbur në një masë të jashtëzakonshme besimin te Gjyqësori si pasojë e korrupsionit. Por unë dua të them që sot Gjyqësori është fytyra e politikës që e ka bërë Gjyqësorin të tillë. Dhe kjo filloi në vitin 1992-1993 dhe vazhdoi. Dua të theksoj se një veçanti është që çuditërisht Gjyqësori sot akoma mbetet nën trysninë e atyre që ishin në pushtet pak vite më parë sepse mbase ata i kanë emëruar dhe këta gjyqtarë me sa duket ndjehen dhe borxhlinj ndaj KLD-së së atëhershme dhe të sotme, dhe ish-kryeministrit të para pak viteve. Për fat të keq opinioni publik përgjegjësinë mund t’ia shkarkojë dikujt tjetër, që në fakt nuk ka pushtet mbi Gjyqësorin. Aktualisht unë mendoj që qeveria sot s’ka asnjë pushtet mbi Gjyqësorin dhe Prokurorinë. Derisa Prokuroria dhe Gjyqësori nuk po e marrin mundimin për t’u shkëputur nga çdo ndikim politik dhe për të zbatuar me integritet detyrat për të cilat paguhen.

Si ju duket Reforma në Drejtësi, e cila sapo është votuar?
E kam ndjekur me shumë vëmendje Reformën në Drejtësi. I kam lexuar projektet dhe në shumë shkrime të miat jam shprehur dhe kam dhënë opinione për secilin projekt. Dhe dua të them që është reforma më serioze në drejtësi e bërë në këta 25 vjet. Është një reformë që mbart diçka për të cilën duhet të jemi shumë të lumtur ne si shqiptarë. Është një reformë që ka mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Evropian. Është një fat i madh për Shqipërinë. Kjo reformë po bëhet me mbështetjen e shumanshme të dy miqve tanë më të mëdhenj, pra BE dhe Amerika.

Problemi tjetër për shqiptarët është se a do të zbatohet?
Me këtë rast duhet të falënderoj, në mënyrë të veçantë, jo vetëm Presidentin e Amerikës dhe drejtuesit e BE-së, por sidomos Ambasadorin amerikan, të nderuarin Donald Lu dhe Ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, pa mbështetjen e të cilëve Reforma nuk do të kishte kaluar në Parlament. Kalimi me 140 vota të amendamenteve kushtetuese ishte një surprizë edhe për mua. Ai mbase nuk erdhi thjesht nga vullneti i brendshëm i disa deputetëve por ishte edhe ajo mbështetje e fuqishme, mbase, dhe për disa gjeste shumë kurajoze dhe shumë të domosdoshme diplomatike që u bënë për deputetët. Pra, mirënjohjen më të madhe për Reformën unë do t’ia dedikoja Amerikës dhe BE-së dhe, kuptohet, vullnetit të mirë të mazhorancës për Reformën, të paktën deri tani. E rëndësishme është se si do të zbatohet kjo reformë dhe dua të theksoj dhe t’i bëj apel Gjykatës Kushtetuese që në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës dhe të integritetit të secilit gjyqtar, të mos bëhet pengesë për fillimin e zbatimit të menjëhershëm të Ligjit të Vettingut dhe të gjithë Reformës në Drejtësi. Është në të mirë të Shqipërisë, është në të mirë të hapjes së negociatave për pranimin në BE, është në të mirë edhe të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Kjo reformë do të rrisë integritetin, dinjitetin e gjyqtarit dhe të prokurorit, sepse garanton një pavarësi nga politika. Pra, nëse do të zbatohet me saktësi kjo reformë, politika nuk do të ketë më ndikim në veprimtarinë gjyqësore. Mbase kjo mund të duket e pabesueshme në terrenin shqiptar, por do të minimizohet në mënyrë shumë të dukshme.

Ka ndonjë mundësi që Zef Brozi të kthehet në Shqipëri për të punuar?
Pyetje interesante. Unë jam kthyer në Shqipëri në vitet 2007-2010 në zbatimin e një projekti të USAID-it për gjykatat dhe kemi bërë një punë shumë të mirë në disa gjykata pilot, qoftë me sallat e gjyqeve, me instrumente, në disa gjykata edhe me zyra të veçanta për informimin e publikut, trajnime që bëhen për gjyqtarët, për administratën e gjykatave. Pra, unë jam kthyer, kuptohet, si nëpunës dhe si nënshtetas amerikan, por e konsideroj edhe si një kontribut sidoqoftë timin për Shqipërinë tonë të dashur. A do të kthehem? Unë e vizitoj Shqipërinë herë pas here. Kam të gjithë njerëzit e mi këtu, miqtë e mi, shokët. Shqipëria është një vend i bukur. Kam parë shumë vende të Amerikës. Nuk e mbështes atë opinion që shumë shqiptarë mund të kenë, që Shqipëria nuk bëhet. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjnë shqiptarët, shqiptarët që do t’i përkushtohen punës.

E them me bindje se, nëse shqiptarët që punojnë këtu do të punojnë siç punojnë shqiptarët në emigracion, Shqipëria do të bëhet shumë më e bukur se ç’është dhe qytetarët vërtet do të sigurojnë një nivel jetese shumë të mirë për veten dhe famijet e tyre. Por vetëm me punë. Asgjë nuk vjen pa punë, as në Amerikë, pra as këtu. Unë kam qenë në maj 2015 dhe shoh që ka ndryshime. Shoh një Tiranë më të pastër me rrugë më të mira. Shoh që ka projekte shumë të mira për qendrat e qyteteve në të gjithë Shqipërinë, gjë që më pëlqen shumë. Pra, besoj që çdo shqiptar ka qejf të shohë diçka të bukur në qendër të qytetit të tij. Dhe kjo po realizohet pjesë-pjesë. Le ta përshëndesim edhe këtë nismë. Natyrisht që ka edhe gjëra që duhen korrigjuar. Njerëzit ankohen për papunësi e varfëri. Po ju them që unë nuk mund të pranoj, fjala vjen, që shumë toka në Shqipëri janë të papunuara, të pambjella. Si mundet që rinia ta harxhojë kohën më të madhe nëpër lokale, nëpër kafe disa orë. Të rinj shkoni punoni, mësoni profesione.

Është koha që sot rinia, e cila ankohet se është e papunë, nesër mund të kontribuojë në BE me profesionet e saj. Edhe në Shqipëri pra. Flas disi me pasion kur flas për rininë sepse rinia do ta bëjë. Natyrisht, unë s’jam i ri, do të dëshiroja të isha i ri edhe sot, por unë kam shumë besim te një rini që merr përgjegjësi, që ka motiv për të lënë emrin e vet qoftë edhe me një biznes familjar apo edhe duke avancuar në edukimin e vet. Përshëndes edhe Reformën në Arsim. Unë do të thosha që madje të ishte akoma dhe më e thelluar që në Shqipëri të mos ketë më shitje diplomash. Shkatërrimi i edukimit dhe i arsimit ka qenë shitja e diplomave dhe rinia krijon një psikologji të dembelizmit ose të arritjes së gjërave pa djersë, pa kontribut dhe kjo përçohet pastaj në të gjitha sferat e jetës. Pra, Shqipëria në gjykimin tim – nuk marr përsipër që të shpreh opinionin e të gjithë qytetarëve, pra është vetëm gjykimi im, të më kuptojnë – për syrin e një emigranti që vij dhe e shoh Shqipërinë, është më e bukur se ç’ishte 2-3 vite më parë. Dhe me punë do të bëhet çdo vit e më e bukur sepse sekreti është i thjeshtë: me punë. Le të punojmë të gjithë për Shqipërinë. Dhe atëherë edhe kënaqësinë do ta kemi më të madhe, të gjithë së bashku.

Zoti Brozi, unë ju falënderoj për dëshminë tuaj dhe shpresoj se edhe puna juaj do ta ndihmojë akoma më shumë Shqipërinë.

Faleminderit për ftesën. Unë e vlerësoj shumë kontributin e medias dhe të gazetarëve kurajozë, që janë, si të thuash, misionarë të së vërtetës, për të cilët ka shumë nevojë opinioni publik.
Faleminderit!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here