XHILIOLA (OLA) LAMAJ PËRURON LIBRIN E DYTË, NË POEZI E PROZË…

0
618

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Nuk ka kaluar shumë kohë, nga publikimi i një bisede të përbashkët, që bëra me poeten e re nga qyteti i Vlorës, Xhiliola (Ola) Lamaj. Ajo e kishte titullin: “Një libër në bibliotekën tuaj, është një thesar, që do t’u vlejë shumë…”. Janë fjalët e përmbledhura nga përvoja jetësore, të clat ajo ua drejton, me sinqeritet, bashkëmoshatarëve të saj. Sigurisht, siç është e kuptueshme, në atë bisedë, që unë e kam pëfshirë në librin tim të ri, “Kur flasin zemrat”, i cili del këto ditë nga shtypi, ajo rrëfen për jetën e saj, për studimet e krijimet dhe zbulon “të fshehtat” e krijimeve e botimeve të saj, për të ardhmen. Thelbi i tyre është se ajo dëshiron që, më tepër, të shkruajë në prozë dhe prandaj po punon, që ta përundojë një roman.

Krahas përgatitjeve, që Ola po bën për mbrojtjen e “Materit”, në fushën e letërsisë shqipe pranë Univeristetit “Ismail Qemali”,pra në vendlindje, me udhëheqës prof.Bardhosh Gaçen, siç e thashë dhe më lart, ajo është një e re ,me frymëzime e pasione për të shkruar e krijuar, si në gjininë e poezisë, por dhe të prozës. Këtë gjë ajo e dëshmoi edhe këto ditë, kur përuroi librin e dytë të saj, në poezi e proza të shkurtëra, me titullin “Pikturoj në fjalë…”.

2.
Moderator i këtij përurimi ishte poeti e studiuesi Albert Habazaj, drejtor i bibliotekës “Nermin Vlora Falaski”, në Universitetin “Ismail Qemali”. Kjo veprimtari u zhvillua në bashkëpunim me bibliotekën publike të Bashkisë Vlorë, “Shefqet Musaraj”.

Ishin të pranishëm familjarë, poetë e shkrimtarë, miq e bashkëstudntë të autores etj. Gjithashtu, ndodhej kryetarja e Bashkisë, Vojsava Shkurtaj, e cila e përshëndeti këtë krijuese të re, edhe si ish-mësuesja e Olës, në lëndën e letërsisë, kur ajo ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Lef Sallata”.si dhe gjithë pjesëmarrësit në përurimin e librit të saj.

Me dashamirësi foli në përurim redaktori i librit, A.Habazaj, i cili e ka shkruar dhe Hyrjen e tij. Aty, ai shprehet: “Në librin e ri, autorja vjen me një ligjërim poetik, që na jep shijen sikur mbush një gotë ujë të kristaltë me sherbet trëndafili në gurrat e sinqeritetit vajzëror. Në vjershërimin e saj, Lamaj edhe me këtë libër shfaqet si poete e ndjenjës, pasqyruese e drejtpërdrejtë artistike e botës së brendshme të grup moshës në sotmëri. Vargjet janë të thjeshta, të pranueshme dhe të pëlqyeshme nga lexuesi. Rrinë bukur vargjet e Xhiliolës në krahë të autorëve të tjerë të qytetit, sidomos të poezisë femërore, që shfaqet hijshëm në shoqërinë tonë letrare. Lirikat e Xhiliolës janë lulëzime metaforike, që premtojnë për një emër të përveçëm në poezi. Rruazat e këngës rinore ndrijnë pastër poezi pas poezie, sidomos jehona e dëlirë e vargut të Xhiliolës na kumbon tek kthehet në kujtesën tonë me “Buzëqeshjen e agimit”, “Portën e dashurisë”, “Puthjen e yjeve” e bukurira të tjera të penës së çiltër e gëzimtare të poetes sonë”.

Ndërsa duke u ndalur në provën, që jep kjo autore edhe duke shkruar në prozë, më tej, A.Habazaj vazhdon: “Një element, që pulson vrullshëm në shpirtin e autores, është aftësia e saj e të shkruarit në prozë. Janë disa proza të shkurtëra, herë-herë në trajtën e ese-së, që sikur t’u hiqje emrin e autores, lexuesi do të hamendësonte se, krijime të tilla kaq të bukura, një emër i dëgjuar i letrave shqipe i ka qëndisur. Një prozë e ngjeshur, lakonike, e shkruar me dashuri dhe art, kjo tufëz esesh e bën të dallueshme autoren, në individualitetin e vet krijues. Në këto fragmente kemi pasuri faktesh jetësore,, për çka i rrok syri i shpirtit. Fantazia i shërbeu realitetit, që frymëzon prozën e saj, kur harliset. Proza e paraqitur në këtë vëllim e bën më simpatike botën krijuese të autores, Xhiliola Lamaj: duke i hapur shtigje të blerta e të sigurta për nesër, në këtë gjini të letërsisë artistike”.

3.
Në këtë përurim, i cili është bërë i njohur edhe ditën, kur ai u mbajt, përmes mjeteve të komunikimit masiv, gjithashtu, dhanë mendimet e tyre: shkrimtari e kritiku Eqerem Canaj, poetja Natasha Limaj, shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja Zamira Agalliu e të tjerë.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie mbrësëlënëse, ku u bënë edhe disa recitime të bukura, shoqëruar nga melodia e një violine, e mbushur plot emocione, foli edhe vetë krijuesja e re, Xhiliola (Ola) Lamaj. Ajo i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurim. Ashtu siç u shpreh para mikrofonit dhe në bisedat, që bëmë bashkë, pas përurimit, përmes celularit dhe facebok-ut, me modesti e fjalë të thjeshta, ajo premton që, krahas punës e studimeve, do të vazhdojë të shkruajë pandërprerje. Prandaj, e urojmë atë, përzemërsisht dhe shprehim besimin që, në udhën e bukur, por edhe të veshtirë të krijimtarisë, do të bëjë përherë shkallë ngjitjeje, si në sasi dhe cilësi.

Tiranë, 12 janar 2017

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here