VJOLLCA MYFTARI, NË BOTËN E BUKUR TË FËMIJËVE…

0
907

Skicë:

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.
Të punosh e jetosh me fëmijët është diçka e bukur, mbresëlënëse dhe me plot kënaqësi shpirtërore. Këto ndjenja provojnë jo vetëm prindërit, pra nëna e babai, por edhe edukatoret e çerdheve e kopshteve. Duke u rritur, me fjalët e tyre si cicërima zogjësh ose duke luajtur, ata janë të pastër në mendime e sjellje, ngjajnë me engjëjt. Sigurisht, secili nga ju ka njohur e njeh edukatore të tilla, të pasionuara e të talentuara. Ndonjëra nga ato, e frymëzuar nga bota e gjerë e vogëlushëve të saj në kopshte, ulet e shkruan. Dikush thurë vargje, një tjetër shkruan skica e tregime të bukura. Pastaj, ua lexon ato fëmijëve, të cilët e ndjekin me shumë vëmendje. Sepse, në ato krijime flitet për mace e lepurushë, për qenushë e pëllumba etj.

Nuk dua të zgjatem me këto radhë hyrëse të kësaj skice, por u tregoj se njoh një nga këto edukatore të pasionuara, e cila gjithashtu është krijuese e botuese librash. Ajo e ka emrin Vjollca Myftari dhe jeton e punon, edukatore e drejtoreshë kopshti, në një lagje të qytetit të Fierit. E kam takuar atë, disa kohë më parë, kur në kryeqytein tonë ishin tubuar poetë e shkrimtarë të letërsisë për fëmijë. Në atë takim e kam parë atë që, me paksa ndrojtje, ua ka dhuruar miqëve krijues librat e saj. Ata janë tre dhe me tituj domethënës: “Dua të flas”, “A e dini çfarë” dhe “Ah, skur bota të ishte plastelinë”. Kam kënaqësinë që edhe unë i kam këta libra në bibliotekën time.

Megjithëse, tashmë, ajo është rritur, pra sivjet do të vazhdojë klasën e 8-të në kryeqytet, këta libra do t’ia jap për t’i lexuar edhe mbesës nga vajza, Dorelës. Me këtë rast, po ua rikujtoj se, kur ajo ishte 9 vjeçe, shkrova e botova librin publicistik-letrar, “Dorela”, që është pëlqyer nga të vegjëlit, por dhe prindërit e tyre. Sepse aty jepet mesazhi që ne, prindërit e gjyshërit, duhet t’i shoqërojmë kudo fëmijët dhe mbesat e nipat tanë, si në shfaqjet e kukullave e në cirk, te kopshti zoologjik dhe te panairi i librave etj. Pasi kështu ndihmojmë që ata ta njohin mirë dhe të përshtaten me jetën e përditëshme.

2.
Më lart përmenda titujt e tre librave të “zjushë” Vjollca Myftarit. Po, kushedi sa libra të tjerë ka ajo në dorëshskrim dhe, së shpejti, do t’ua bëjë dhuratë fëmijëve të kopshtit, ku ajo punon, por edhe të kopshteve tjerë. Sepse edhe librat kanë “këmbë”, pra udhëtojnë nëpër bibliotekat e fëmijëve anë e mbanë vendit, si në ato familjaret, por dhe për lexuesin e gjerë.
Ja, më lejoni që t’i shfletojmë pak, dy nga librat e teta Vjollcës. Në të parin, “A e dini çfarë?”, që është me ngjyra dhe ilustrime të bukura (nga Ajmona Mvriqi), që në ballinë fëmijët njihen me disa kafshë, të buta dhe të egra: lepushin e gjel-kokoshin, dashin e dhelpërën etj.Në poezinë, nga e ka marrë titullin tërë ky vëllim, flitet për një zog, i cili e ka humbur udhën dhe atë e ka strehuar në shtëpinë e tij një vogëlush.

Por nëna e tij e kërkon kudo, deri sa e gjen atë, të mbrojtur nga një fëmijë i mirë: “Cërr-cërr-cërr e ci-ci-ci,/vjen një zog përmbi çati./I shqetësuar kërkon ndihmë: Kush e ka parë birin tim?” Ndërsa vogëlushi e qetëson nënën e zogut të vogël: “Hapa derën e shtëpisë,/ftova zogun e çatisë,/I tregova pa përtuar,/zoun që kisha strehuar…”. Dhe kështu, faqe pas faqeje, autorja flet shtruar dhe fjalor të kuptueshëm me fëmijët, përmes poezive të saj të bukura, si: ““Arusha “zonjëshë””, “Ashensori i dhelpërës”, “Ëndrrat e ujkut”, “Qenush Kiti” etj. Por, nuk do t’ua them tërë titujt, se ju prindër e gjyshër do ta gjeni këtë libër dhe do t’ua lexoni vetë, fëmijëve ose mbesave e nipave tuaj.

Me pak radhë, tani po u tregoj edhe për librin tjetër të autores V.Myftari, “Ah, sikur bota të ishte plastelinë!”, gjithashtu me faqet me ngjyra dhe ilusttrime nga Ana Shema. Vjersha e parë, “A i keni parë?” na futë në mjedisin e bukur e shumëngjyrësh të natyrës shqiptare. Me pyetjet e saj të zgjuara, ajo na bën të ndiejmë kanaqësi shpirtërore dhe emocione të natyrshme: “A i keni parë zogjtë, kur cicërojnë?/Me këngën e tyra nga gjumi na zgjojnë./ A i keni parë gonxhet plote me vesë?/Thua, se freskia i mbush plot me shpresë!” E, kështu me radhë, pyet: për fluturat mbi lule, bletët punëtore, ylberin dhe yjet, kur dalin në qiell, për diellin në agim…

Në poezi të tjera, duke u futur në botën e fëmijëve, autorja u flet vogëlushëve për “gjyshin prej vërteti” dhe për vocërraken, që luan me kukullën e saj (“Luan Ana, bam e bum!”). Po teta Vjollca u jep edhe këshilla shumë të vlefshme fëmijëve, si te poezia “Mos e harro gjuhën tënde!” Sepse mund të mësosh disa gjuhë të huaja, por më e ëmbla dhe më e bukura është vetëm ajo, me të cilën të ka përkundur nëna në kravat. Në një bashkëbisedim të Erës, që flet italisht, me Anën, kjo e fundit i drejtohet shoqes së saj: “Ç’thua kështu, moj Era?/Fare s’di të flasësh,/gjuhën tonë të bukur,/nise ta humbasësh?!” Me vlera njohëse dhe edukuese janë edhe poezitë tjera të këtij libri, si: “Kërkon Kevi, mace blu”, “Ku të luaj unë”, “Librit”, “Flatra diturie”, “Gjumi, i ëmbël mjaltë”, “Nënë, faleminderit” etj. etj.

…Sikur i ka përmbledhur vetë, tërë përmbajtjen e poezive të librave të saj, autorja Vjollca Myftari, kur në ballinën e fundit të këtij libri poetik ka shënuar këto fjalë shumë domethënëse: “Kur u tregojmë përralla fëmijëve, ata i zë gjumi dhe lumturohemi. Kur na thonë të vërtetën, ne nuk duhet të na zërë gjumi!?”

E përshëndesim përzemërsisht dhe e urojmë këtë autore për librat e publikuar, ku ajo është bërë “njësh” me botën e të vegjëlve dhe presim botime të reja prej saj! Se viti i ri shkollor po troket dhe fëmijët tanë, krahas ushqimit e lojës, duan të kenë edhe libra sa më të bukur.

Tiranë, 27 gusht 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here