TRADITA ROMANTIKE E RILINDJES NË LETËRSINË SHQIPTARE PËR FËMIJË

0
646

Shkruan Zymer Mehani

Ashtu si romantikët evropianë edhe rilindësit tanë bënë kujdes të veçantë që të mbledhin e të botojnë traditën gojore të letërsisë aq të pasur e aq të çmuar në aspektin artistik dhe argëtuese për fëmijët.
Nën shembullin e prozatorëve anglezë e poetëve gjermanë dhe francezë; (anglezi Xhejms Markferson (1765), Gëtja në Gjermani, Shatrobrijani dhe Lamartin në Francë) edhe poetë, shkrimtarë rilindës gjetën në letërsinë popullore një pasuri të vyer të artit poetik. Pas romantikut të madh Bajroni një interesim të madh për traditën tonë folklorike pati anglezi Sharl Didie edhe më pas, gjermani Herman Kester të cilët tërhoqën vëmendjen e mendimit kritik dhe letrar në Europë për mjaft përralla, këngë e legjenda arbëreshe.
Një punë të thelluar bëri shkencëtari gjerman Hahn, në veprën e të cilit qysh në shek. XIX u përfshinë mjaft përralla, gjëegjëza, fjalë të urta e këngë, lodra të botës shqiptare.
Më tej këtë punë e çoi albanologu tjetër gjerman Rajnhald, i cili, nëpërmjet këngëve të djepit, fjalëve të urta, përcjell natyrshëm një kulturë të thellë artistike, mençurinë popullore dhe lodrat e fëmijëve.
Interesimi i romantikëve evropianë në fund të shek.XIX bëhet gjithnjë e më i madh sidomos nga shkencëtari August Dozon i cili me botimin e këngëve, përrallave dhe proverbave dëshmonte interesimin e madh të vatrës familjare shqiptare për edukimin dhe argëtimin e fëmijëve si dhe ushqimin artistik dhe estetik të tyre.
Këtë gjë e pohon me të drejtë edhe shkencëtari tjetër Holger De Pedersen i cili në vitin 1876 përmblodhi në botimin e vet fabula e anekdota si dhe krijime të tjera folklorike shqiptare duke vënë shënimin në disa prej tyre, se këndoheshin nga të vegjëlit,gratë apo pleqtë. Kjo botë e madhe poetike e letërsisë popullore tërhoqi, me të drejtë, vëmendjen e studiuesve dhe dijetarëve evropiane, pasi në to përfshihen tradita dhe zakone, rituale, këngë djepi e trimërie, gojëdhëna e legjenda, të cilat nëpër breza kishin ushqyer moralin dhe fantazinë e fëmijëve shqiptarë.
Një pasuri e madhe e kulturës sonë popullore për fëmijë dhe të rinj, gjëndej edhe në arbëreshët e Italisë. Mjaft prej poetëve dhe shkrimtarëve të njohur,në shembullin e romantizmit evropian, nisën të botojnë përmbledhjet e tyre. I tillë ishte Viçens Dorsa.Veçanërisht romantiku ynë i madh Jeronim de Rada, i cili, në përmbledhjen e vet “Rapsodi të një poeme shqiptare”, na jep mjaft variante autentike,që tregojnë për kujdesin e arbëreshëve dhe për frymëzimin e fëmijëve të tyre nga bëmat, trimërite, por edhe nga jeta zakonore e stërgjyshërve të tyre të ikur nga dheu mëmë.
Në parathënien e kësaj përmbledhjeje De Rada pohon : ”Këto këngë për të gjithe ne janë monumenti më i vjetër i gjuhës sonë dhe një model i madh stili të thjeshtë,të kulluar dhe të fuqishëm”.
Të ndikuar nga romantizmi evropian, edhe mjaft autorë të tjerë të shquar shqiptarë, si: Thimi Mitko, Spiro Dine, Zef Jubani, bënë përpjekjet e tyre për ta mbledhur visarin popullor dhe për ta plotësuar me shënime për traditën e gjallë folklorike që ruhej ndër shqiptarë. Pikërisht kjo krijimtari e pasur popullore shërbeu edhe si frymëzim i shkrimtarëve dhe poetëve rilindës për të thurur artin e tyre.
Pasuria e artit poetik popullor për të vegjëlit dëshmohet edhe nga dy veprat monumentale të folkloristikës sonë:
“Bleta shqiptare” (1878) e Thimi Mitkos
“Valët e detit” (1908) e Spiro Dines.
Kjo pasuri folklorike dëshmon për një kulturë të lashtë të shqiptarëve ndër popuj e Ballkanit. Me nxjerrjen në dritë të këtyre veprave rilindësit tanë nisën të botojnë edhe artikuj në shtypin e kohës, si në gazetën “Albania”, ”Drita”, ”Dituria” etj., ku vihej në dukje lashtësia e krijimtarisë gojore dhe përcjellja e saj gojë më gojë ndër breza.
Vepra folklorike “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos(8) në një kapitull të veçantë të saj, nën titullin Këngë të vegjëlish jep dhe visare të tilla popullore si ato që këndoheshin nga të vegjëlit për Diellin dhe Hënën, shiun e dukuri të tjera të natyrës apo për festat tradicionale, siç ishin: Kërshëndellat, Ujët e bekuar, Ditën e Verës, Shën Gjergji, Shën Gjini apo mjaft vargje të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e fëmijës,daljen e dhëmbëve dhe lodrat e tyre. Një pjesë të madhe të këtyre krijimeve i pati mbledhur në Korçë, Elbasan si dhe ndër shqiptarët e Egjiptit, Stambollit e Bukureshtit.
Qëllimi kryesor i Thimi Mitkos ishte që bashkatdhetarët e tij, të mëdhenj e të vegjël, të ringjallnin këtë pasuri artistike dhe popullore që permblidhte në
(8 Thimi Mitko – “Vepra”, Tiranë 1981, f. 69-83) vetvete doket dhe zakonet, këngët dhe lodrat, dhe gjuhën e bukur shqipe, për edukimin kombëtar të tyre.Siç e vë në dukje vet autori në parathënien e “Bletës shqiptare”, synimi i tij është që nëpërmjet kësaj pasurie folklorike”t’u japë brezave që vijnë trashëgiminë kulturore popullore për edukimin kombëtar të tyre”.
Në këtë përmbledhje përfshihen 490 proverba, 80 gjëegjëza, 359 këngë, 12 përralla,të cilat në kohën më pas janë mbledhur edhe nga autorë te tjerë, në vise të ndryshme të Shqipërisë.
Gjerësia dhe larmia e materialeve folklorike si dhe burimet e vjeljes tregojnë për përpjekjet vigane të Mitkos në gjurmimin e traditës folklorike shqiptare dhe vlerat e saj kombëtare.

Ndër mbledhësit e shquar të folklorit renditet dhe Zef Jubani
(1818-1880) i cili, krahas prozës dhe vjershave të veta,më 1871 pati botuar një përmbledhje folklorike nën titullin Këngë popullore dhe rapsodi poemash shqiptare në të cilën gjëndet një pasuri e rrallë e traditës gojore të kohës.
Në një shënim të këtij rilindësi me të drejtë shtrohet kërkesa se ”Tradita folklorike, ky visar popullor, duhet me u nxanë në shkolla, për me mësue gjuhën tonë,në mos edhe për zakonet tona”.
Spiro Dine (1844-1922) – një tjetër folklorist, që edhe vet shkruante vjersha me frymë popullore; në veprën e tij Valët e detit (1908) përmblodhi mjaft këngë popullore, fjalë të urta, përralla duke ndjekur kështu shembullin e mësuesit të tij Thimi Mitko. Në këtë përmbledhje Spiro Dine përfshin mjaft fabula dhe këngë patriotike si dhe lodra e këngë të vegjëlish, që pasqyrojnë botën artistike të fëmijëve.
Studimet në këtë fushë na bëjnë me dije se, krahas subjekteve e motiveve, rilindësit tanë dhe autorët më pas kanë sjellë edhe frymën e përgjithshme,detajet poetike, fabulat, fjalët e mençura e urtësinë popullore, shprehjet filozofike por edhe ritmin dhe rimën, duke krijuar një muzikalitet të gjallë në përjetimet e fëmijëve. Në këtë këndvështrim edhe përvetësimi i përrallave dhe anekdotave,përshtatja dhe kultivimi i tyre është bërë me mjeshtëri të madhe, duke sjellë vlera të reja në letërsinë tonë.
Bota folklorike shërbeu jo vetëm për kultivimin e përrallave por edhe për të ndërtuar zhanre të mëdha si novela e romane, ku elementët përrallore dhe fantastikë zënë një vend të gjerë.
Përgjithësisht tradita jonë e pasur folklorike dëshmon për visare të çmuara të artit popullor që rilindësit tanë, të ndikuar dhe nga romantizmi europian, e përvetësuan dhe pasuruar atë duke krijuar përfytyrime të reja dhe një kulturë të re poetike- artistike në letërsinë shqipe për fëmijë. Këtë traditë, që ka të bëjë dhe me origjinalitetin kombëtar të letërsisë shqipe për fëmijë e thelluan, e çuan dhe më tej edhe mjaft autorë të letërsisë moderne për fëmijë që patën si shembull letërsinë romantike të Rilindjes sonë. Akademiku Bedri Dedja arsyeton se themelimi i letërsisë së shkruar artistike shqiptare për fëmijë nuk mund të jetë produkt i një viti. Ai është një proçes i ndërlikuar zhvillimi gjatë shumë viteve, i një periudhe prej gati një shekulli, fundi i shekullit XVIII dhe fundi i shekullit XIX (9).
(9 Bedri Dede, “Probleme të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë” , MESUESI, 15.12.1999) Ndaj fillimet e kësaj letërsisë duhet t’i kërkojmë në disa
dokumente: në shqipërimet e fabulave për fëmijë, në dy vjershat e Veqilharxhit që ndodhen në evëtarin e tij, në krijimet e Kristoforidhit, të Naimit, Samiut, Negovanit e të Çajupit etj.
Periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nis në vitin ’30-40 të shekullit XIX dhe vazhdon deri në shpalljen e Pavarësisë. Është një lëvizje e tërë politike, ideologjike, kulturore dhe letrare e popullit tonë për çlirim nga zgjedha osmane.
Atdhetarët shqiptare zhvilluan një veprimtari të gjerë brenda e jashtë vendit tonë, dhe krijuan klube e shoqëri patriotike. E tillë qe Shoqëria e Stambollit më 1879, me kryetar Sami Frashërin.
Degë të saj u ngritën në Bukuresht (Drita e pastaj Dituria), në Sofje (Dëshira), në Egjipt e në Amerikë etj. Edhe brenda në Shqipëri u formuan shoqëritë kulturore Bashkimi, Agimi, Përparimi etj. Ato botuan shumë gazeta, revista e libra shqip duke propaganduar idetë kombëtare.
Rëndësi të veçantë patriotët shqiptarë i kushtuan arsimit, shkollës dhe gjuhës shqipe. Më 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe; më 1908 në Manastir u mblodh Kongresi që miratoi alfabetin e gjuhës shqipe, këtë që përdorimin edhe sot e kësajdite, kurse më 1909 në Elbasan hapi dyert shkolla e parë e mesme – Normalja, që do të përgatiste mësues për shkollat tona.
Rilindasit i dhanë rëndësi zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, edukimit të dashurisë e të krenarisë për vendin e për kombin tonë.
Rilindasit i kënduan plot dashuri gjuhës amtare, historisë së lavdishme, veçanërisht kohës e bëmave të Skënderbeut, virtyteve të çmuara të popullit tonë, si: besës, trimërisë, shpirtit të pamposhtur liridashës, urrejtjes ndaj pushtuesve.
Veçoritë e letërsisë për fëmijë në këtë periudhe janë
këto:
Letërsia për fëmijë përgjithësisht nuk doli jashtë kuadrit të teksteve shkollore dhe, si pasojë, nuk mund të fitonte tiparet e një dege të pavarur në trungun e përgjithshëm të letërsisë së kësaj periudhe.
Qe një letërsi romantike. Rilindasit u përpoqën t’i japin kësaj letërsie fryme të shëndoshë atdhetare, të dashurisë për gjuhën, për dijen etj.
Letërsia për fëmijë dhe mësimi shkollor në gjuhën shqipe janë një proçes i njësuar, një proçes i vetëm. Pavarësisht nga kushtet e vështira, rilindasit patën një kuptim të drejtë për veçantitë e letërsisë për fëmijë, e cila duhej të shkrihej me parimet e mësimit e të edukatës së shkollës shqipe.
Veprimtarët e Rilindjes ishin të vetëdijshëm se duhej të sakrifikonin nga niveli artistik për hir të synimeve arsimore- pedagogjike. Kjo ishte arsyeja pse krijimtaria e kësaj periudhe, e cila pati për autorë shkrimtarë që krijuan vepra kulmore për të rriturit, as në rastin më të arrirë, si te Naimi ose te Mjeda, nuk arriti nivelin artistik të letërsisë për të rritur (10).
Veçori tjetër specifike e kësaj periudhe shënon lëvrimi në gjini të shkurtra, si vjersha, fabula, përralla, tregimi, ku rilindasit dhanë modele të mrekullueshme duke përdorur humorin, frazat e shkurtra, stilin e thjeshtë tregimtar.
Rilindasit me punën e tyre treguan se krijimi i letërsisë për fëmijë është detyrë e madhe dhe e rëndësishme shoqërore, se kjo letërsi luan rol të madh në edukimin e brezit te ri.
2.2 Kristoforidhi i vjershës dhe i prozave të para për fëmijë Konstandin Kristoforidhi11 (1827-1895), duke qenë patriot dhe lëvrues i shquar i gjuhës shqipe, mësues në Tunizi, në Tiranë e në Elbasan, punoi me pasion edhe libra për shkollat shqipe.
Si fillime të letërsisë artistike për fëmijë konsiderohen dy krijimet e Kostandin Kristoforidhit, vjersha “Ylli i vogël lart në qiell”, që është një përshtatje nga letërsia e huaj të cilën autori e përfshiu në “Alfavitarin shqip” (1872) dhe proza origjinale “Gjahu i malësorëve” (1886).
Vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” është e ndërtuar thjesht dhe tingëllon natyrshëm me mjeshtëri e frymëzim. Është një himn për hapësirën qiellore që, me bukurinë dhe harmoninë e saj zgjon te fëmija dëshirën dhe kërshërinë për të njohur dukuritë e botës së paanë dhe për të menduar mbi to.
(10 Ramazan Çadri, “Letërsia për fëmjë midis vlerës dhe antivlerës”, LETERSIA SI E TILLE. Tiranë, 1996, f. 306)
11 Veprat e Kristoforidhit ndahen në:
Të botuara sa qe gjallë.
Katër kateqisma për çunat e vogjilë. Kostandinopol 1867 Dhiata e re. Punët e Apostujve dhe Sbulesa e Gjon Hy- ditunit, gegërisht 1869, e toskërisht 1870.
Katër katekizmat, gegërisht 1872.
Psaltiri, gegërisht 1868, e toskërisht 1872.
Te Bërëtë dhe të Dalëtë, toskërisht 1880, 1884, 1894.
Historia e Shënjtësë Shkronjë për dielmt përmbledhurë kah Dhiata e Vietër edhe kah historia e botës, Istambul gegërisht 1870, e toskërisht 1872.
Kristoforidhi u mor edhe me çështjen e të mësuarit dhe të gramatikës së shqipes, prandaj sa qe gjallë ai hartoi edhe dy abetare dhe një gramatikë për mësimin e shkrim-këndimit, të cilat si e thotë vetë, i hartoi për të mësuar gjuhën amtare fëmijët nëpër skolirat e Shqipërisë.
Abetar shqip, gegërisht Kostantinopol 1872.
Alfavitar shqip, pa vend e vit botimi [toskërisht, me shkronja greke].
Gramatika e gjuhës shqipe, toskërisht 1882.
Vepra të botuara pas vdekjes:
Fjalori shqip-greqisht, Athinë 1904.
Gjahu i malësorëve- Hieja e Tomorrit(1884); botimi i parë:
“Albania”, Londër, prill-nëntor 1902;
Jetëshkronja e njerëzve ndriçim ( 1885).
Systema e përgjithshme (pa vit se ku e ka botuar).
Këto dy veprat e fundit na tregojnë se Kristoforidhi nuk ka qenë vetëm një linguist, por edhe dijetar i interesuar për shkencat dhe historinë.
Në mendjen e fëmijes krijohet një peizazh i bukur romantik :
Ylli i vogël lart në qiell,
duket porsi zjarr në pyll.
Sipër dheut lart qëndron,
Xixa-xixa xixëllon.
Disku i diellit kur perëndon,
nata hijen e lëshon,
ylli veten e zbulon,
Xixa-xixa xixëllon(12).
Përsëritja e vargut me karakter onomatopeik xixa-xixa-xixëllon, si dhe krahasimi porsi zjarr krijojnë atmosferë duke nxitur përfytyrimin tonë për qiellin e qëndisur me yje.
Në dy strofat e tjera autori me mjeshtëri u tregon fëmijëve për dobinë praktike që ka ndriçimi i yjeve:
Dritë e yllit kur shkëlqen,
Udhëtarit ç’i pëlqen
Natën errët kur po shkon,
Udhën vetëm s’e harron.
Imazhi tani ndryshon. Nga qielli zbresim në tokë. Objekti i kamerës ulet në një pyll të errët, te një udhetar që çan nëpër natë nën ndriçimin e yjeve. Yjet përveç ndriçimit që bëjnë, janë shumë të dobishëm për t’u orientuar. Kështu, për shembull, Ylli polar i tregon udhëtarit drejtimin e Veriut….
Ndërsa në strofën e fundit autori kërkon të zgjojë te lexuesi kureshtjen për të njohur botën e paanë. Tani kamera e poetit fikson një fëmijë, një çun, që ka ngritur kokën lart, u gëzohet yjeve, bukurisë mahnitëse të tyre, por nga ana tjetër zhytet në mendime. Koka e tij e vogël mendon e mendon, habitet e çuditet për këtë dukuri të madhërishme:
Natën çuni kur shikon
Sipër botës, fort mendon,
Mendtë e tija ç’i habit,
Ylli i vogël se si ndrit.
Ndërkohë gjatë leximit të vjershës autori kërkon të ngacmojë edhe lexuesit e vegjël, të cilët pyesin: vallë, si qëndrojnë lart yjet, si xixëllojnë. Një mori pyetjesh të vijnë në mëndje duke bërë të mendohet jo vetëm të voglin kureshtar, po edhe të rriturin, edhe shkencëtarin me mjekër.
Kjo vjershë është shkruar në strofa katërvargëshe, me masën popullore tetërrokëshe, me rimë të puthur. Për rimat, ndonòse ato janò tò lehta, foljore, poeti ka zgjedhur fjalët më me peshë të ngjarjes; shikon, mendon, habit, se se ndrit. A nuk mbartin ato tërë përmbajtjen e strofës?
Vjersha është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, varg të rrjedhshëm e me rimë të saktë. Dhe, padyshim që kjo vjershë mësohet lehtë
(12 Kostandin Kristoforidhi, “Ylli i vogël lart në qiell”, Tiranë, 2007, f. 5) dhe mbahet mendt gjatë në kujtesë ku me anë të figurave të thjeshta, në të jepen dukuri të caktuara të natyrës të cilat, me bukurinë e tyre magjike, ndezin imagjinatën duke përftuar një gjëndje të veçantë shpirtërore tek të vegjëlit. Gjithashtu, në këtë vjershë del në pah dhe puna e tij me gjuhën e pastër shqipe. Nuk gjen aty as edhe një fjalë të huaj. Gjithçka është thënë aq bukur me fjalët e gjuhës sonë.
Gjithashtu në Abetare përveç dy krijimeve, vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” dhe përralla “ Dy dhitë “, përfshihen edhe copa këndimi me karakter letrar, tregime fetare si: Kurbani i Nojes dhe Ylberi apo te rrëfimi Të gjetunit e Moisiut, Jezusi ndërmjet mjeshtrave etj. Këto janë të ilustruara me skica dhe me këshilla për fëmijët.
Në copat e këndimit Kristoforidhi na paraqitet si prozator për fëmijë. Ai shkroi copa leximi me karakter shkencor duke përcjellë tek të vegjëlit disa njohuri shkencore mbi kafshët dhe jetesën e tyre (Qeni, Kali, Dhia, Shqiponja, Dallëndyshja, Peshku,Gamilja, Merimanga, Flutura, dhe përralla Dy dhitë). Kristoforidhi kërkon që nëpërmjet copave letrare të përcjellë tek fëmijët dashurinë dhe përkujdesjen ndaj kafshëve, duke realizuar kështu synime edukative të caktuara.Përmendim shkrimin “Shqiponja”, ku autori thekson idenë e krenarisë kombëtare: “…Këta zogj trima dhe të fortë ndahen në shumë lloje dhe kanë shumë emra. Edhe ne na quajnë shqiptarë, sepse jemi trima, të fortë, porsi skifteri.
Gjuhën tonë e quajnë shqipe, sepse ne flasim gjuhën e zogjve trima”(13).
Apo në shkrimin tjetër “Dallëndyshja”, ku autori përveç njohurive shkencore kërkon t’i edukojë artistikisht dhe t’u mësojë fjalët e bukura të gjuhës sonë shqipe: …Djemtë e vegjël, kur shohin dallëndyshen për herë të parë, u këndojnë
kështu:
Moj dallëndyshe, gushëbardhushe,
Faqe kuqe, buzëburbuqe,
Sqepgjilpërë, bishtgërshërë,(14)
Ndërsa përralla Dy dhitë është ndërtuar mbi bazën e një subjekti të fabulistëve klasike. Subjekti i saj ka dy vija, që ndjekin njëra-tjetrën: I- historia e dy dhive që takohen në një udhë të ngushtë në mal e që i lirojnë rrugën njëra-tjetrës:
… Dy dhi, duke kullotur një herë në një mal të lartë, hasen në një udhë të ngushtë. Udha ishte aq e ngushtë sa mezi kalonte njëra prej tyre. Po edhe të kthehesh prapa ishte e pamundur. Nga ana e sipërme e udhës ndodhej një shkrep guri i lartë. Kurse nga ana e poshtme e udhës, ndodhej një rrëpirë e thellë.
Ç’thoni ju, si vepruan dy dhitë?
Njëra prej tyre u ul në gjunjë ngadalë, duke u mbështetur mirë pas shkëmbit të gurit. ….kështu, të dy dhitë shpëtuan dhe morën udhën e vet, duke kullotur gjethe të egra nëpër ato kodra(15).
II- fati i keq i dy dhive të tjera kokëforta që takohen në një dru mbi përrua e nuk i lëshojnë rrugë shoqja-shoqes: … Dhitë vështruan njëra-tjetrën
13 Po aty, f. 14
14 Kostandin Kristoforidhi, “Ylli i vogël lart në qiell”, Tiranë, 2007, f. 16
15 Po aty, f. 12
në sy. Secila prej tyre dëshironte të kalonte para shoqes….Atëherë u nisën që të dyja gjer në mes të vigut të ngushtë dhe filluan të zihen e të shtyjnë me brirë njëra-tjetrën, gjersa rrëshqitën të dyja, ranë në përrua dhe u mbytën në ujë.
Nëpërmjet kësaj përralle, Kristoforidhi ngjarjet na i jep në mjedisin karakteristik shqiptar, duke përcjellë idenë edukative, që na e nxjerr tërthorazi.
Kristoforidhi është i pari punëtor i shqipes, që ka studiuar dhe që ka njohur me themel të dy dialektet. Këtë gjë e shohim në përkthimet e tij, të cilat i ka bërë në të dy dialektet, gegërisht dhe toskërisht. Se si ai ka punuar e shkruar në të dy dialektet duket më mirë në tregimin e tij origjinal, Gjahu i malësorëve (Hieja e Tomorrit). Madje këtë vepër16 e ka shkruar më 1884, në tri versione gjuhësore: toskërisht, gegërisht dhe në të folmen e Elbasanit, por ajo s’u botua në asnjërin dialekt sa ishte gjallë autori. Kopja e dorëshkrimit të toskërishtes u botua në 1902, në revistën Albania të Konicës. Po ky edicion i toskërishtes u botua së voni nga Maximilian Lambertz në Albanisches Lesebuch, Leipizig, 1948.
Nga kjo vepër në dialektin e mesëm kemi edicionet e fletoreve të
Elbasanit: Tomorri 1910, Nr. 10 dhe 11 dhe Kopështi Letrar 1918, Nr.
2,3,4,5,6,7,8. Vepra në dialektin e mesëm është botuar edhe në 1930, në broshurë të veçantë, në Korçe nga Peppo & Marko.
Kopja e dialektit të Veriut është botuar vetëm një herë më 1949 në faqet e revistës Literatura jonë Nr. 11-12. Kopja e dialektit të Veriut, në dorëshkrim të autorit gjëndet në Arkivën e Institutit të Shkencave.
Kallëzimi Gjahu i malësorëve është një tregim i shkurtër, i thjeshtë, shumë i gjallë me dialogë të bukur, shumë i këndshëm për shprehjet e zgjedhura e të rralla.
Subjekti i tregimit është i thjeshtë. Përshkruan një ditë gjahu që bëjnë malësorët në malin e Tomorrit. Në të nuk ka ngjarje, as konflikt, është i thurur me episode dhe situata tërheqëse.
Vendin kryesor në të e zë zhvillimi i veprimit dhe dialogu i shkathët, me anën e të cilëve bëhet karakterizimi i personazheve.
Studiuesi Rexhep Qosja vëren se Kristoforidhi në këtë prozë e bën dialogun kryepersonazh, temë dhe motiv të kallëzimit për arsye se, sipas mendimit të tij, perms dialogut më së miri mund të shquajë mundësitë e gjuhës popullore17.
Në plan të parë me këtë del dhe ideja e dashurisë për atdheun, nëpërmjet figurës së malit të shenjtë, Tomor. Që në faqet e para të saj idealizoi malin e Tomorrit: – Ashtu pra t’a dini të mos shkelni ndë malt të Tomorrit se është vent i mirë, është mal i shënjtëruar. Aty e ka të ndënjuritë Zot’ i Shqipërisë që ruan Malësinë, ay na ka ruajturë neve Malësorëtë e s’kemi rënë në dorë t’ arëmikutë gjer më sot, edhe na ka për të ruajturë kurdo sepse atë kanë pasë luturë pleqtë tanë të vjetëritë, e gjyshatë tanë e stërgjyshatë tanë e katrëgjyshatë tanë, e gjithë të parëtë tanë të moçëmit18.
Pra, Shqipëria, vend
16 Kostandin Kristoforidhi, “Gjahu i malësorëve” (Hieja e Tomorrit), Tiranë, 1950, në shënimin hyrës nga Ziaudin Kodra, f. 3
17 Rexhep Qose, “Historia e letërsisë shqip – Romantizmi II”, Tiranë, 2000, f. 469
18 Kostandin Kristoforidhi, “Gjahu i malësorëve” (Hieja e Tomorrit), Tiranë, 1950, f. 14 i vjetër trimash, me Tomorrin, nuk është shkelur kurrë nga këmba e armikut. Këtë idealizim të malit të Tomorrit, si ruajtës i fateve të Shqipërisë dhe si ai që u ka zbardhur armët shqiptarëve, Kristoforidhi e ka bërë me kohë, para Naimit, para Çajupit.
Autori, përveç qëllimeve të tij patriotike kur flitet për malin e Tomorrit, tregon dhe bukurinë e madhështinë e ndjenjës së dashurisë dhe të krenarisë për atdheun dhe për virtytet e larta të shqiptarit. Qëllimin patriotik, Kristoforidhi në trajtë të mbyllur, e shpreh edhe me dhelprën, edhe me shërbëtorët grekë.
Dhelpra simbolizon armikun e djallëzuar që aso kohe donte ta gllabëronte Shqipërinë…. Qëllon Toska që ta vrasë, po nuk e zë, qëllon edhe Gega, po këtij i shkon plumbi bosh; as pushka e Arbërit s’e godet dot dhelprën dredharake dhe djallëzore. Dhelpra është dinake dhe si e tillë ajo shtiret në lloj-lloj mënyrash për të shpëtuar,s’i zihet besë19. Por kur qëllojnë të tre të bashkuar, Toska, Gega dhe Arbëri, dhelpra dinake bie pa jetë përdhe! Mesazhi që përcillet është i qartë, Kristoforidhi u jep mësim shqiptarëve që të bashkohen, sepse sa herë ata do të jenë të bashkuar nuk do t’i mposhti askush, pasi bashkimi bën fuqinë.
Gjithashtu dhe emrat e përdorur: Toska, Gega dhe Arbëri tregon një qëllim, qëllim bashkimi të shqiptarëve.
Nëpërmjet dialogut fëmijët njihen me disa nga kafshët e pyllit, me karakteristikat dhe veçoritë e jetesës së tyre, me mënyrën e organizimit të gjuetarëve. Kjo e bën kallëzimin të marri karakterin e një tregimi diturak. Ai i njeh lexuesit fëmijë me gjahun e gjahtarëve, sjell njohuri mbi shtazët e pyllit etj.
Interesante janë portretet e këtyre kafshëve, të cilat Kristoforidhi i jep thjesht, shkurt e me mjeshtri, me figuracion: Një derr i madh që m’i ka dhëmbëtë një pëllëmbë e një bërxhik nxjerrë jashtë nofullash! Të doli përpara një dre me një palë brirë të mëdhenj, Dreri ra mbë gjunjë dhe derdhi lotë nga syri, u duk një arushë e murgët. Ishte e madhe sa një gomare, Vraje atë lepur se po të shkon pranë….
Gjithashtu lexuesve të vegjël u frymëzohet dashuri për figurën e shqiptarit trim, që mishërohet në personazhet Mark Shalëgjati dhe gjuetarëve të tjerë. Ja një pasazh nga zhvillimi i gjahut me
arushën:
– Mos e vrisni, mos e vrisni (thotë Gjergji), se po vete unë vetë e po e zë të gjallë.
– Mos, o Gjerq, se të kafshon me dhëmbë!
– Pushoni, ju s’dini gjë: harusha nuk kafshon me dhëmbë, po të shtrëngon me të dy duart’ e para e të merr frymënë: të pështyn me gojë e të lak e të bën qullë: sjell edhe me gur e të
godit: po e sjell gurë së prapthi, jo për së mbari; ngjitet edhe ndë majë të drurit posi njeri, po ndëpër ato dega që janë shul s’ecën dot; unë s’e kam frikë harushën kurrë (thotë Gjergji) edhe vete përmbi harushën e i fut një thikë ndë zemërë edhe harusha bie pa frymë mbi dhet20.
Kështu me detaje shprehëse, është vizatuar sidomos figura e Mark Shalëgjatit, tek i cili autori ka mishëruar tiparet kryesore të shqiptarit, guximin, vendosmërinë etj…
– Po i mirë është Mark Shalë Gjati?
19 Po aty, f. 24
20 Po aty, f. 22
– Ay është i vëjyerë. Ay është gjahtar i vjetërë, atij s’i trembet syri, është edhe trim, s’i friketë vdekëjesë, e s’dilje i gjallë ndë dorë t’arëmikutë, është burr’ i dheut21.
Kristoforidhi e përshkruan Mark Shalëgjatin me zotësi të rrallë, gjahtar i vjetër, trim edhe përballë vdekjes, duke mishëruar kështu portretin e shqiptarit të kohës.
Po në lidhje me realizimin e personazheve, duhet thënë se përveç figurave të Markut dhe Gjergjit, të tjerët mbeten vetëm emra.
Personazhet e tjerë, Gjoni, Nikolla, Andrea, Mërkuri, Filipi, Premti vizatohen me tiparet e tyre malësore, por përherë trima e bujarë, për të ngjallur dashurinë e fëmijëve ndaj tyre. Disa prej këtyre emrave si Mark, Prend, Mërkur janë paganë, që ringjallin botën e lashtë shqiptare.
Gjithashtu, në tregim të bie në sy kënga që këndojnë gjahtarët mbi bëmat e Skënderbeut, duke nxitur kështu përfytyrimin dhe njëkohësisht të edukojë e të ringjallë lavdinë e Motit të Madh të shqiptarëve përballë pushtuesve: “As na këndo, ti o vashë, një këngë me zë të trashë. Që t’a dëgjojmë me veshë. Ashtu gëzuarë të jeshë.
Kush ësht’ ai burr që po vjen, si hën’ e plotë kur shkëlqen.
Vesh’ e ngjeshë nd’ar’ e nd’argjent, armatosurë kënt e kënt? Skënder Beg luftëtari, Trim i math Shqipëtari”22.
I gjithë tregimi është ndërtuar në bazë të përvojës që zotëron autori nga krijimtaria artistike popullore. Dhe kjo duket në dialogun që përshkon veprën duke i dhënë rrëfimit dinamizëm dhe plasticitet. Dialogu i këtij tregimi realizon edhe dramacitetin e jetës shqiptare; ai i çon fëmijët në jetën e lirë shqiptare të kohëve të lashta.
Onomatopetë që shoqërojnë dialogun ta krijojnë bukur e me psikologji fëminore atmosferën e gjahut:
Ty ty ty! Ty ty ty! (bie trumbet’ e bririt).
Ha ha ha ! ha ha ha! Ha ha ha! (ndërsejnë qentë).
Kam kum! Kam kum! Kam kum! (lehënë qentë).
Taf tuf! Taf-tuf! Taf-tuf! (kërcejnë pushkatë).
– Prite, o Mark!
– Prite, o Gjergj!
– Prite, o Gjon!
Taf tuf! Ha ha ha ! Ty ty ty!23…
Kështu, tregimin e bëjnë më të këndshëm gjuha e gjallë lodruese, krismat e pushkëve, lehjet e qenve, oshëtima e bririt, imitimi i zërave të kafshëve si dhe përshkrimi i kafshëve të pyllit, humori shpotitës midis gjahtarëve që burojnë natyrshëm nga situata që krijohen. Autori e bën këtë për të dhënë traditën e gjahut shqiptar dhe të organizimit të tij, për ta bërë sa më konkret rrëfimin (në sytë e fëmijës).
Në këtë tregim bien në sy edhe ngjyrimet e përshëndetjeve të shumta të cilat autori i ka qëmtuar prej brumit të shqipes si:
Bëfshi natën e mirë,o shokë!
21 Po aty, f. 12
22 Kostandin Kristoforidhi, “Gjahu i malësorëve” (Hieja e Tomorrit), Tiranë, 1950, f. 16
23 Po aty, f. 20
Tungjatjeta!
Mirë se erdhët!
Udha e mbarë!
Kristoforidhi në këtë vepër ka shfrytëzuar shumë frazeologjinë popullore, rrëfimin, dialogun, koloritin popullor të gjuhës poetike duke ia shtuar kallëzimit forcën kuptimore e simbolike. Dhe si e tillë, themi që tregimi “Gjahu i malësorëvet” është një tregim antologjik, që shënon fillesat e prozës shqipe për të vegjëlit.
Studiuesi Prof. Bedri Dedja thekson se Ky është tregimi i parë i prozës shqipe për fëmijë. […] “Gjahu i malësorëve” është një vepër karakteristike për fëmijë, si në pikëpamje të formës dhe të stilit, ashtu dhe në pikëpamje të përmbajtjes.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here