Të pabesët

0
298

Dionis Xhafa

Unë jam nga ata që edhe pse kam jetuar vetëm 25 vite, besoj se çdo njeri në jetë tradhtohet, në një formë apo formë tjetër dhe se mund të jenë edhe pikërisht të tilla momente tragjike hera-herës, që e bëjnë qenien njerëzore, të ndryshojë rrjedhën e tij të jetës përgjihmonë ose e ndryshojnë një person të caktuar, kaq shumë sa s’mund ta njohim më. Pabesia e bën njeriun që të mos besojë më shumë te humanizmi, te fakti se të gjithë njerëzit janë të ndershëm dhe të drejtë, por të shohë me dyshim te çdokush.

Pabesia, përvoja e tillë e bën njeriun shpesh edhe të ndihet se është duke jetuar në një tokë, e cila mban mbi vete një grup qeniesh, që njerëzore thirren, por se është fort në dyshim, nëse fjalët apo veprimet e tyre janë realisht njerëzore. E, tradhtia ndonjëherë edhe të shemb krejt në tokë, pa ditur se ku ta nisësh jetën dhe të lë të çoroditur, të tromaksur, të hutuar, pa e besuar se ka njerëz që pabesinë e kanë si bukë me djathë, e ndërsa idealizmi zhytet thellë e më thellë, humbet e se dreqi e shejtani vetë dalin fitimtarët, triumfatorët, e një jete, e cila shpesh mban vulën e padrejtësive tepër të mëdha.

Ama, kur flas për ta pabesët, nuk e kam këtu fjalën për ata raste, kur për shembull kjo fjalë përdoret në mënyrë politike apo qoftë verbale, nga persona të caktuar, apo politikanë, për të degdisur kundërshtarët e tyre, me të cilët s’bien dakord për shkak se këta të fundit kanë ide diktatoriale. Andaj, duhet pasur kujdes kur dikujt t’i thuash se është i pabesë, duke e cilësuar të tillë. Kjo sepse s’mundet kurrsesi të jetë i pabesë një person, që thjesht nuk i ka shkuar nga mbrapa një tjetër personi, që mund ta ketë pasur edhe mik apo qoftë edhe familjar, por se ky i fundit mund ta poshtëronte apo të ishte diktator në ide e veprime.

E kam fjalën për të pabesët e vërtetë. Dhe, të pabesët e vërtetë janë ata që realisht e shkelin fjalën e dhënë, ndaj një personi që është me moral dhe korrekt ndaj tyre. Vetëm të tillët mund të konsiderohen të pabesë dhe ata janë realisht njerëz, që duhen mbajtur larg, po qe se vetë je i pastër, gjithmonë. Megjithatë, ku i dihet se i pabesë mund të jem edhe unë, ti, ai, kushdo mund ta ketë bërë në mënyrë ndoshta edhe të pavullnetshme, gjysma e së keqes, por kur bëhet me vullnet, si veprim për të ndikuar në gjendjen e rënduar të tjetrit, në keqësimin e tjetrit, degdisjen dhe shkatërrimin e tjetrit, është veprim për t’u dënuar, pasi është goditje ndaj ndjesive njerëzore!

D.Xh

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here